Nga Hysen Selmani
Pjesa e tridhjetë e pesë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Romë, 11 shtator 1947
Për ketë ditë adjutanti kujton se: Kur po sa arrita në Romë aty më vjen një telegram prej Salih Myftisë dhe Faik Qukut. Me të cilën më thonë se, sonte kanë arrestuar Hasan Agë Senicën dhe Kurtish Romen dhe Adem Dushin. Këta ishin përgjegjësit e emigratës boshnjake dhe nuk dihet se ku i kanë dërguar. Mundësisht përpiqu për shpëtimin e tyre, i thoshin adjutantit në letër. “Kjo na tronditi shumë rëndë dhe kolonel Selmani menjëherë mori Ferid Dervishin dhe Stefon Stilvën e shkoi në Ambasadën Amerikane në Rome”, shkruan Hysein Selmani. Aty menjëherë u thirr shërbimi policor i kampeve dhe i pyetën. Pas shumë telefonatash, brenda një ore, i gjetën duke kaluar në Trieste dhe i ndaluan. Ata na siguruan se, brenda kësaj nate, njerëzit do të dorëzohen në kampin Regjio-Emilio. “E mos bëhi merak, se i shpëtuat”, i thanë burimet amerikane, adjutantit. Falenderova Ambasadorin dhe shkova në Hotel. Aty mora Salih Myftinë dhe Faik Qukun në telefon e ju thashë se, i gjetëm, shkruhet në kujtime – dhe brenda natës, do të vijnë në kamp e këta shpëtuan.
Romë, 16 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani, mblodhi më 16 Shtator 1947, në orën 10 para dite, në sallonet e Hotelit “D’Gasper”, parësin me përfunduar përmbi sa ishte biseduar, më 24 gusht 1947. Para se u vizituan kampet dhe në mbledhje ishin:
- Mehdi Frashëri
- Hiqmet Delvina
- Dhimitër Berati
- Qemal Jusufati
- Ferid Dervishi
- Ragip Frashëri
- Sotir Avrami
- Kapidan Gjonmarkaj
- Ismail Verlaci
- Ernest Koliqi
- Tahir Kolgjini
- Ekrem Vlona
- Nexhmedin Qoralliu
- Ago Agaj
- Ali Këlcyra
- Koço Muka
- Ismail Sefa
- Hiqmet Meço
- Ekrem Telhai
- Nexhat Peshkopia
- Maz’har Pustina
Kolonel Husein Selmani, si i përshëndeti, ju shpjegoi në hollësi mbi vizitat që pati në Kampet Barleta, dhe në atë Regjio-Emilio. U tregoi gjithë sa u biseduan si dhe kënaqësia përgjithësisht, që u ndigjue prej te gjithëve. E veçanërisht ishte ajo e Mit’hat Frashërit.
Pas kësaj, kolonel Selmani, shkurtimisht ju vuri në dukje rreth gjendjes së kaluar, me pak fjalë: “Përpjekjet rreth Luftës Dytë Botërore, një ditë do të shihen të gjitha, ç’është bërë prej Institutit të Lartë Shtetëror dhe të atyre patriotëve shqiptarë që kanë pasur mundësinë t’i shërbejnë kombit, për ta shpëtuar nga këto mënzyra”.
“Edhe sot, – tha ai – lipset cilido qoftë ta kuptojë çlirimin e Atdheut. Nuk pretendohet, as që varet krejtësisht nga mundimet dhe shërbimet, që mund t’i bëhen nga ana e shqiptarëve. Por, edhe nga ana tjetër, që përpjekjet për të gjetur miq të sinqertë, në përkrahjen e rasteve, duhet të gjithë të bëjmë çmos dhe te sakrifikojmë çdo gjë. Kjo, duke qenë të bashkuar me një program dhe me direktiva të caktuara. Vetëm një sjellje e tillë, shkruan adjutanti – mund t’i lavdëroj shqiptarët para historisë dhe t’i shfajësoi nga ana e kombit. Për t’i arritur këtij qëllimi, shqiptarët të bashkuar, duhet të jenë në bashkëpunim dhe në marrëveshje të ngushtë e vëllazërore. Dhe veçanërisht edhe me shtetet fqinje, Grekët dhe Jugosllavët në arrati.
Duke qartësuar një problem, përsa u përket një marrëveshje me fqinjët tanë këtu, duhet t’i hedhim një vështrim ç’është bërë nga ana jonë, për të arritur një marrëveshje dhe bashkëpunim për një front të përbashkët me grekët. “Siç mund ta dini, shkruhet në kujtime – se kur u sulmua Greqia, më 28 dhjetor 1940, Zogu i I-rë, Mbreti Shqiptarëve, i është drejtuar Mbretit dhe Qeverisë Greke, se ai ishte gati të shkonte në Greqi, për të formuar legjionet shqiptare, për të luftuar krah për krah, me greket, ky ofrim nga ana e Mbretit të Shqiptareve, mbeti pa përgjigje nga ana e Greqisë, në 1943-‘44, prapë Mbreti i Shqiptarëve, ka kërkuar të shkojë në Shqipëri, me anën e Aleatëve dhe aty të luftojë okupatorin, por është penguar nga ana e fqinjëve.
Gjatë luftës Italo-Greke, shqiptarët kanë sabotuar ushtrinë italiane, ushtarët shqiptarë të marrë me forcë, janë arratisur me shumicë në Greqi. Të tjerë, të çarmatosur, u vunë në fushë përqendrimi nga ana e italianëve. Këtë sabotim kaq të fortë, Qeveria fashiste Italiane, e ka quajtur një nga faktet kryesore të humbjes së luftës së saj me Greqinë, se pengesa u dukën gjithkund.
Mund të thuhet me keqardhje se, çdo vepër dhe dëshirë e shfaqur nga ana e shqiptarëve për të vënë bazat e një miqësie të sinqertë, deri sot nuk ka gjetur ndonjë pritje të meritueshme, nga ana e grekeve. Megjithëkëtë, ne kemi qenë gjithmonë e kurdoherë, të gatshëm, me pas një bashkëpunim në interesa të Shqipërisë dhe Greqisë, të bazuara në një miqësi të sinqertë. Dhe, është e nevojshme për të dy palët, që lidhen me interesat politike dhe ekonomike të përbashkët dhe që kanë një afrim me shumë se çdo komb tjetër, në gadishullin Ballkanik.
Ne prapë jemi gati t’ju zgjasim dorën, për një lidhje miqësie, të sinqertë e të fortë, por me një konditë, se çdo pretendim i kotë i tyre, të zhduket. Të kthehen sipas viteve 1922-‘39, që në mes të dy kombeve, ishin harruar çdo e kaluar dhe filloi një miqësi e dashuri, aq e përzemërt, në mes të dy popujve miq. E shqiptarët, për të filluar hedhjen e themelit të një miqësie, një pikë vëmë në dukje: që grekët, në qoftë se kanë dhe ushqejnë dëshirën për një miqësi, duhet të shfaqin se, ato respektojnë indipendencën, integritetin tokësor dhe lirinë e Kombit Shqiptar.
Ne çdo marrëveshje, që mund të hyjnë e që mundet të bëjnë shqiptarët në emigrim, për të pasur efektin e një traktati dhe të një akti ndërkombëtar, duhet të kenë parasysh që të jenë në legalitet të kompetencave dhe të fuqive të veshura për një marrëveshje. Marrëveshjet, kanë fuqinë e tyre, kur janë bilaterale dhe s’kanë asnjë vlerë, kur këto bëhen nga përfaqësuesit e një ane, që nuk ka prerogativat për konkludimin e një marrëveshje. Shqiptarët kësaj pike, duhet t’i vënë re shumë, se kjo konditë esenciale për efektin e një marrëveshje, duhet ta kenë kurdoherë parasysh dhe duhet të dihet se një marrëveshje pa qenë me konditat legale, jo vetëm që nuk ka asnjë vlerë, por mund të ketë rreziqe të pariparueshme.
Shqiptarëve në mërgim, nuk u mungojnë mjetet për t’u veshur përfaqësuesit e tyre, për të drejtat e çdo marrëveshje, për të mirën e Kombit. Sepse, siç është e ditur, Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, s’ka abdikuem. Ai është veshur nga Parlamenti i fundit, i kthyer në Asamble, që të ushtrojë edhe jashtë Shqipërisë, në interes të Kombit Shqiptar, të gjitha prerogativat që i ka dhënë, statuti kombëtar. Gjë e cila, është e njohur dhe në disa shtete, ka dhe përfaqësuesit e tij diplomatikë. S’ka, as më të voglin dyshim, se Mbreti i Shqiptarëve, për të mirën e Atdheut, ka qenë e do të jetë gati, të përdori prerogativat edhe fuqitë, që i ka mveshur statuti, për të shpëtuar Atdheun e, për të liruar kombin. Së bashku me ju, miqtë e Shqipërisë”.
Mbas kësaj, Mehdi Frashëri tha: “Siç shohim se, asnjë kundërshtim nuk ka, atëhere do të ishte mirë, që të emërohen elementi i përshtatshëm për komitetin, që do të merren për rregullimin e emigracionit dhe pjesëtimin e tyre, në vendet e pranuara nga miqtë arabë. Në ketë mënyrë, u caktuan ata që do të merrnin pjesë. Aty që mungonte, ishte Mit’hat Frashëri dhe Sali Myftia, po ata kishin pranuar”.
Romë, 17 shtator 1947
Ja si shkruan adjutanti, për këtë ditë. Mori fjalën Hiqmet Delvina, i cili vuri në dukje se: “Komiteti i emigracionit, zen edhe hë për hë, vendin e një komiteti politik, për t’i dhënë gjithë kontributin dhe sakrificat e tyre, interesave të larta të Atdheut. Natyrisht, nën udhëzimin e Nalt Madhënsisë së Tij, Mbretit Zog, personat që do të zgjidhen nga partitë, duhet të jenë kompetent, për detyrën që u besohet, përveç Mit’hat Frashërit. Ai është shënuar drejtpërsëdrejti, nga dëshira e Mbretit Zog, si kryetar i këtij komiteti”.
Mbas bisedimit të Hiqmet Delvinës, filluan të japin emrat e caktuara nga grupet e ndryshme, që partitë kishin zgjedhur me votat e tyre:
Komiteti i Emigracionit
- Mit’hat Frashëri, Kryetar i Komitetit
- Salih Myftija, Antar i Komitetit
- Ernest Koliqi, Antar i Komitetit
- Ali Kelcyra, Antar i Komitetit
- Koço Muka, Antar i Komitetit
- Qemal Jusufati, Antar i Komitetit
- Ragip Frashëri, Antar i Komitetit
- Vasil Andoni, Sekretar i Komitetit
Ky ishte komiteti, i zgjedhur prej grupeve të ndryshme. Me përjashtim të Mit’hat Frasherit, që ai ishte caktuar prej dëshirës së Mbretit Zog. Këta qendrën e kishin në Aleksandri të Egjyptit. Dhe, natyrisht, do të vizitonin edhe shtetet e tjera, si Jordanine e Syrinë, për instalimin e emigratës. Ky Komitet, në të vertetë, do të funksiononte ndër ata shtete, që ende njihnin Shqipërine Mbretnore Shqiptare dhe jo komunizmin. Atje, ishte dhe vendi, ku të ishte nje Qeveri në emigrim. Në ato shtete, që nuk e njihnin si një qeveri, e njihnin si një komitet politik, por, me mbrojtë të drejtat e çdo ngjarje të Shqipërisë.
Financimi, hë për hë, rëndon krejtësisht mbi Mbretin Zog, nga të hollat e tij. Prandaj, do t’u bënin demarshe për një hua. Dhe, për sa u përket kolonive shqiptare, kjo, nuk realizohet tani për tani, se këto nuk janë në atë entuziazëm, si në vitin 1939-‘40, ka ndryshuar koha, vijon adjutanti. Ekzistojnë shpresat, se me anën e Shteteve Arabe, mund të gjendet një hua prej afër 2 milion sterlina. Kjo shumë, kalon një kohë dhe atje zhvillohen mjaft punime dhe ka propagandë edhe në shtetet aziatike, ne dobi të këtij komiteti. Ky, ishte vendimi, që u mor në Romë, sipas mesazhit të Madhnis Tij, Mbretit Zog i I-rë, dhe ku kanë qenë po të gjithë të kënaqur nga kjo veprimtari, në interesat e Shqipërisë.
Romë, 17 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani, me këtë datë, në orën 10 paradite, i shoqëruar prej Dr. Qemal Jusufatit dhe Ferid Dervishit, shkuan në Ministrinë e Jashtme Italiane. Atje, pati një takim me Kontin Xoppi, meqë Sforca, nuk ndodhej ne Romë. Me Kontin, bisedoi mbi emigratën shqiptare, pasi qarkullonin disa gjëra e, lipte si një garanci prej qeverisë Italiane, që mos t’ju bëhet ndonjë padrejtësi. Ideja ishte, se emigrantët, brenda një kohe të shkurtër, do të tërhiqeshin përgjithësisht në Shtetet Arabe.
N/Ministri i Jashtëm Italian, Konte Xoppi, me një kënaqësi u përgjigj: “Mos të keni asnjë dyshim, se mos u ngjasi ndonjë e keqe, siç flitet, se mos t’i dorëzojnë tek komunistët, se ne qysh sot, do të vejmë shërbimet tona, që në rast se diktohet një gjë e tillë, ne siç e dini, nuk mundemi me u kundërshtuar anglo-amerikanëve. Vetëm se ju siguroj, pa pësuar asnjë gjë të ligë, do i hipim me një vapor tonin dhe direkt do ua dërgojmë në Aleksandri dhe për këtë, të jeni të qete”. Veçanërisht, u ngrit në këmbë dhe më shtrëngoi dorën e më tha: “Jemi me turp, para Nalt Madhërisë së Tij, Mbretit Zog, se ketë leje që nuk na hiqet, fashizmi ja vuri këtë njollë popullit Italian, kundrejt popullit mik e bujar, shqiptar. Me përulësi, i parashtroj homazhet e mija më te larta”. Tek mbaruam këto fjalë, dolëm, e na përcolli deri poshtë.
Si dolëm nga Palacio Kixhi, shkova tek gjeneral De Antonio, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmerisë Italiane. Atë e falenderova së tepërmi, se ky më kishte lënë një major në dispozicion, gjithkund në vizitat që ju kam bërë kampeve për 10 ditë rresht. Ky na priti shumë mirë, si edhe na tha se; keni kaluar shumë mirë me bashkatdhetarët tuaj. “Ne, kemi ndjerë një kënaqësi e rritje morali”, – më tha – dhe a keni me qëndruar ndonjë dite këtu”.
“Jo, -i thashë – nesër nisem”.
“Përse kaq shpejt,- më tha dhe m’u lut, si mik personal, që sonte do të hamë një darkë bashkë”. Megjithëqë, insistova, duke thënë se kisha afër 15 persona shqiptar për darkë e, ju lip të falura, ai më insistojë, saqë u detyrova të ndaloj vajtjen për një dite dhe i thashë; mirë’. Kështu u ndamë. Kur pas dy orësh, bashkë me gjeneral Galin, më vjen në Hotel për të më kthyer vizitën. Por, kur erdhi aty, gjeti më tepër se 30 persona, nga parësia e emigracionit. Nejse, e mora e hyra me një sallon të veçantë. Atje e paraqita me Mehdi Frashërin, Kapidan Gjon Markagjonin dhe Dhimitër Beratin, e të tjerë. Ata, pasi pinë kafe dhe patëm një bisedim qeshje të vjetra, e dolëm e shkuam.
Tamam, ne orën 8 të mbrëmjes, vjen gjenerali Galicio Gali, me gjithë automobilin dhe na mori. Aty isha unë, Dr. Qemali, Ferid Dervishi dhe Omer Fortuzi. Shkuam ku na kishte rezervuar një restorant mbi Vatikan, nuk ja mbaj mend emrin. Aty, kemi qëndruar deri në orën 1 pas mesnate dhe mbetëm shumë të kënaqur. Ata na dërguan vetë, deri në Hotel, ju kërkova se nesër, po nisesha. “Por, kur do të me jepet rasti me ardhë prapë, do të kalojmë një natë të këndshme, si kjo natë. Ose, me ju ra rasti ndonjë herë në Aleksandri, tek ne, keni shtëpinë tuaj”. Kështu, u morëm vesh. Me fjale të mirë, duke më siguruar se, për çdo gjë, na keni në dispozicion, e të tjera, u ndamë.
Romë, 18 shtator 1947
Me datën 18 shtator 1947, kisha mbledhur të gjithë Këshillin, që kishte studiuar e vendosur për rregullimin e emigracionit. Ishin: 1 – Mehdi Frashëri, 2 – Hiqmet Delvina, 3 – Dhimitër Berati, 4 – Kapidan Gjon Markagjoni, 5 – Ismail Verlaci, 6 – Ernest Koliqi, 7 – Ekrem Vlona, 8 – Tahir Kolgjini, 9 – Dr. Kemal Jusufati, 10 – Ferid Dervishi, 11 – Sotir Avrami, 12 – Ali Këlcyra, 13 – Koço Muka, 14 – Ragip Frashëri e të tjerë. Kur ishim në bisedim e sipër dhe ketë mbrëmje si këto edhe sa të tjerë, do i kisha për darkë. Tamam në ketë kohë, marr një telegram urgjent nga Aleksandria, ku më lajmërojnë se, për disa interesa tepër urgjente, menjëherë duhet që të kthehesha në Aleksandri. Dhe, në rast se nuk keni mbaruar punë, mund të shkonim prapë. “Por, sot të niseni për këtu, ZOG I-rë”, e lajmëronte Lartmadhëria.
“Ky telegram, vijon adjutanti, – na shqetësoi, jo se kishte ndonjë send, që i përkiste emigracionit, por natyrisht, janë gjëra të tjera. Me qeshje, vazhduam bisedimin, dhe ju thashë se tani, drekën do ta hamë së bashku. Dërgova menjëherë Omer Fortuzin, për me marrë biletën, që pasi të mbaronim drekën, do të nisesha menjëherë. Pastaj, ju përgjigja telegramit, se: Sipas urdhrit, sot pasdite, nisem për Aleksandri. Ku shpresoj që, pasnesër të jem në Aleksandri dhe telegramin, ja dhashë Fortuzit, që t’ja japë menjëherë. Shtova se, të gjitha punët këtu, kanë marrë fund më së miri.
Me datën 18 Shtator 1947, në orën 4 pasdite, u nisa bashkë me Ferid Dervishin dhe Omer Fortuzin, me automobil për Napoli. Aty menjëherë, hyra në vapor ‘Argjentina’, që do të nisej menjëherë, se aeroplanët nuk mund të uleshin në Aleksandri. Kështu, si u ndava me Ferdi Dervishin dhe Omer Fortuzin, vapori u nis në drejtim të Aleksandrisë. Unë akoma isha duke përshëndetur Feridin e Fortuzin, në tarracën e vaporit, kur u ula për të shkuar në kabinën time. Papritmas, aty më vjen komandanti i vaporit dhe me thotë:
“Ju lutem, këtu paskan hyrë fshehtas dy shqiptarë. Ata janë në vapor të fshehur, pa biletë dhe pa vizë. Asnjë dokument nuk kanë. Këta, kanë deklaruar se; na njeh kolonel Husein Beg Selmani dhe shkojmë ne Aleksandri me atë. Ne, këta, i kemi marrë në vërejtje, për t’ja dorëzuar Xhandarmërisë, së Mesines. I kemi lajmëruar që, ata do të vijnë me një motoskaf, për t’i marrë”. Unë u habita, se kush do të jenë këta persona. Menjëherë ju thashë: “Të m’i sjellin mua, t’i shikoj, se kush janë këta dy shqiptarë. A mos të jenë komunistë, o kush…”?! Kur m’i sollën, ata ishin; Xhelal Beg Bushati nga Shkodra dhe Malosh Kosova. Unë menjëherë, i mora për gryke dhe i ula. Kapiteni i vaporit, u habit. Pastaj e ula edhe komandantin e vaporit dhe u thashë se: “Po ju kështu, ku veni”?! Ata më thanë se: “Ne nuk kishin më vend, as jetesë në Itali. Prandaj, vendosëm që të vijmë në Egjypt, duke përfituar prej zotërisë suaj”.
“Po mirë. A keni ndonjë dokument, – i pyeta”?
“Asgjë nuk kemi, as dokument dhe as biletë,- më thanë”. “Nejse, – ju thashë – sa për biletë, nuk është nevoja, se ju paguaj unë vaporin. Kështu ju luta komandantit të vaporit, që mos të merrej asnjë masë kundër këtyre. Këta janë miq të ngushtë të mij, dhe se janë familje shuma t’mira na Shqipëri, jam unë garant për ta dhe ju pagova biletat”. I mbajta me vete, deri në Aleksandri dhe komandanti, u tregua shumë burrë i mirë, që pranoi kërkesën time, për t’i mbajtur ata”.
Aleksandri, 23 shtator 1947
Me datën 23 shtator 1947, në mëngjes, arrita në Portin e Aleksandrisë. Aty isha i pritur, prej Ministrit të Oborrit Mbretnor, Sotir Martinit, Chamberlein Kemal Mesaresë, Gaqo Gogës, kapitenëve, Zenel Shehit e Halil Sufës, si edhe prej kapiten Shevki Egiptiani, që ishte në shërbim të Pallatit Mbretnor Shqiptar. Aty, pasi u përshëndeta me ta, zbritem nga vapori. Isha i përcjellë edhe nga komandanti i vaporit. Në këtë kohë, mora me vete dhe Xhelal Beg Bushatin dhe Malush Kosovën dhe hipëm në automobila e, shkuam direkt në Pallat, tek Mbreti Zog. Aty, si u paraqita tek Mbreti dhe tek Mbretëresha e Princeshat, pas një bisedimi të shkurtër, i shpjegova çështjen e Xhelal Beg Bushatit e Malush Kosovës. Mbreti Zog, me një kujdes më tha: “Po, djali Sulçe Begut”. “Si urdhëron, – i thashë. Oh, sa mirë, keni bërë kolonel,- më tha Mbreti. Tani m’i sillni këtu tek unë, t’i pyes”.
Menjëherë i mora dhe i paraqita tek Mbreti, i cili si u dha dorën dhe i uli, porositi kafe dhe i pyeti, mbi te gjitha. Ai urdhëroi kolonel Selmanin, që t’i rregullojë mirë në një hotel pension dhe ju tha se, sa herë të dëshironi, të vinin këtu, ishin si në shtëpinë e tyre. Nga ana tjetër, veçanërisht urdhëroi kolonelin, me i rregullu pasaportat e, çdo dokument tjetër. Dhe kur u ngritën me dalë, morën leje e i puthën dorën Mbretit. Por, Mbreti, i ndaloi dhe i tha kolonelit: që të thërrasë Mbretëreshën dhe Princin Leka e, te falen me ta. Se është djali i Sulçe Begut.
Menjëherë, erdhën Mbretëresha dhe Princi Trashëgimtar, Leka. Aty, ata u habiten, kur panë se Princi, ishte i rritur shumë e u shpërthyen lotët. I puthën dorën Mbretëreshës, por nga mallëngjimi, nuk mujtën me fol, dhe kështu, morën leje e dolën. Mbreti, i dha kolonel Selmanit, nga 10 lira egjiptiane, t’jua jepte, që t’i kishin për shpenzime. I shpërndava nga 10 lira Xhelal Begut dhe 10 Malush Kosovës. Më pas, ai i dërgoi në Hotel “Bourivazhe”, për të fjetur dhe për të ngrënë si mysafir i Mbretit Zog. Ata u kënaqen së tepërmi sa që nuk dinin se si të shpreheshin.
Mbasi kolonel Selmani, ju rregulloi pasaportat e të gjitha dokumentet, këta dëshironin të shkonin në Siri se, Sheuket Sulejmanin, e kishin të tijin e, ju kishte premtuar shumë sende. “Kur më thanë, që dëshironin të shkonin sa më parë, bile kolonel Selmani, Malosh Kosovën deshi ta ndalojë, si kuzhinier në Pallat. Sepse, ai ishte shumë i zoti, për gjellbëres. Se ky ka patur restorantet, më të mira në Durrës. Por, nuk mundi të rrinte, se i kishte dhëne fjalën me shku në Syri, Damasco”. Pas 10 ditëve, në Aleksandri, kolonel Selmani, sipas urdhrit të Mbretit, ju dha biletat e vaporit me anën e shoqërisë “Farros” për Beirut. U dha edhe pak te holla, që t’i kishin me vete dhe vetë i dërgoi e i futi në vapor, e kështu u nisën për Siri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016