Nga Gjergj Titani
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.
Zoti Pandi, po me pjesëtarët e tjerë të “Grupit të Koçi Xoxes” si u veprua?
Siç mësova më vonë, edhe ata i arrestuan në të njëjtën kohë, por u mbajtën në vende të ndryshme. Ndërsa ne, u arrestuam në mënyrë banditeske, aspak normale, më 28 nëntor të vitit 1948, siç mësova më vonë. Lajmi zyrtar, për arrestimin tonë, njoftonte se; ishim arrestuar më 2 dhjetor të po atij viti. Siç kuptohet, na ishte bërë një arrestim i paligjshëm, e që u shpall me pesë ditë vonesë. Bashkë me mua e Koçin, u arrestuan edhe Vaskë Koleci, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, që në atë kohë, kryente detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Nuri Huta, një nga kuadrot kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e Vango Mitrojorgji, shef i Sigurimit të Shtetit.
Për këta të tre të fundit, nuk e di me saktësi se ku u hetuan dhe u mbajtën të izoluar, pra të paraburgosur, por isha i bindur që, ishin në po ato ambiente. Mua, më mbajtën në disa vila që ishin rezidenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Hetuesinë, kryesisht e drejtonte Prokurori i Përgjithshëm, Bedri Spahiu dhe këmbëngulte, për të marrë prej nesh, procese të rregullta. Gjithsesi, ashtu siç edhe nënkuptohet, ai ngulte këmbë në vërtetimin e fajësisë, që ngrinte akuza. Gjatë procesit hetimor, një ditë erdhi Mehmet Shehu, i cili duke më goditur lehtësisht në tëmthin e kokës, më tha se; duhet të thosha atë që donin ata, e diçka tjetër kërcënuese, dhe më nuk u duk, sepse kërkova pezullimin e hetimeve dhe e paralajmërova Bedri Spahiun, se nuk pranoja kurrsesi, as të më kërcënonte ndokush dhe aq më tepër të përdorte dhunë fizike.
Gjithsesi, Hetuesia vazhdoi me metodat e saj të dhunshme, me presione fizike dhe psikologjike që tashmë, janë të njohura edhe nga shumë të tjerë e, që nuk kam dëshirë t’i kujtoj sot, në pleqërinë time. Periudha përmbyllëse e hetimeve, u zhvillua në Burgun e Vjetër, ku ne qëndronim në të ashtuquajturat biruca të Koçi Xoxes. Ato ishin pa dritare dhe ajroseshin nëpërmjet një baxhoje që ishte ndërtuar enkas në tavanin e tyre. Biruca ime, ishte përbri me atë të Koçit. Nëpërmjet një vrime të hapur në mur, nuk e di se nga kush, mbaj mend që u përpoqa të komunikoj me të. Koçin e njoha nga zërat që vinin prej andej. Xoxe, ishte shumë i kujdesshëm dhe mosbesues e filloi të komunikonte me mua, vetëm kur unë i futa nëpërmjet asaj vrime, fletën time të arrestit.
Një tjetër ditë, kur unë po shkoja në banjë, në korridor, ashtu si rastësisht, pashë të veshur me uniformë, shokun tonë, Stefo Grabocka, që me sa duket, hetuesia e kishte sjellë enkas, që unë dhe ai, ta shihnim njëri-tjetrin. Shikimi im, ishte qortues për të. Doja t´i thosha Stefos se, ai nuk duhej të manipulohej nga Prokuroria dhe Hetuesia. Në fakt ashtu ndodhi. Stefo Grabocka, ky militant i Grupit Komunist të Korçës dhe PKSH-së, komunist i vjetër dhe profesionist i shkëlqyer, i konspiracionit tonë, nuk shkeli kurrë në sinqeritetin, ndershmërinë dhe besnikërinë e tij, ndaj shokëve të vjetër të Luftës.
Kush ishte ngarkuar nga Enveri, për të hetuar “grupin” tuaj?
Për këtë hetim dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjyqit, Enver Hoxha, kishte ngarkuar Bedriun, i cili me rreptësinë dhe konsekuencën e tij, e vazhdoi procesin, konform regjizurës që i ishte ngarkuar. Ia vlen të theksohet, se më pas, Bedri Spahiu do të ishte njëri nga viktimat e proceseve diktatoriale të Enverit dhe do të dënohej me 25 vjet burg. Në këtë proces të turpshëm, ai do të ishte në bankën e të akuzuarve, së bashku me të mrekullueshmin Tuk Jakova, që pas Kongresit të Parë, u zgjodh në postin e Koçi Xoxes, pra, kryente detyrën e Nën kryeministrit të vendit dhe Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së. Bedri Spahiu, në një shkrim të madh në shtypin shqiptar, pas përmbysjes së diktaturës me titull, “Bedri Spahiu, revizionon Bedri Spahiun”, mban një qëndrim të shkëlqyer dhe tregoi vitalitetin e jashtëzakonshëm dhe besnikërinë e qëndrimit të tij, karshi regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.
Ai kësisoj, denoncoi dhe hodhi poshtë së pari, vetveten, duke bërë një autokritikë brilante, për atë proces të turpshëm, kriminal, me regjisurë dhe skenar stalinisto-enverist. Them se, ky shkrim i Bedriut, që ishte një model autokritike, auto-akuze, dhe pretence, që ai i bënte regjimit të urryer të instaluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, e pasuesit e tyre, nuk iu bë jehona që i takonte. Nga këtu, duhej filluar përmbysja e të gjitha trillimeve e, shtrembërimeve të proceseve të inskenuara të Enverit.
Çfarë ju kujtohet nga procesi gjyqësor?
Gjyqi filloi më 10 maj të vitit 1949, me Kryetar të Komisionit Hetimor dhe Prokuror të Përgjithshëm, Bedri Spahiun, dhe anëtarë të komisionit: Gaqo Floqin e Sotir Qiriakon. Kryetar të Gjykatës së Lartë, që përfaqësonte Gjykatën e Faktit, Frederik Nosin dhe anëtarë të saj, Vasil Trimçev e Niko Zoton. Grupi ynë, siç e kam përmendur, u quajt: “armiqësor, antipopullor dhe antimarksist”, dhe sipas tyre, “me ndihmën e klikës trockistë të Titos, synonte që të rrëmbente plotësisht në duart e veta udhëheqjen e partisë dhe të shtetit”. Gjykata konkludoi se; Koçi Xoxe dhe unë, ishim përgjegjës plotësisht, për të gjitha “shtrembërimet”, që ishin vërejtur deri atëherë, në gjirin e PKSH-së, kishim shkëputur Partinë nga shteti dhe e kishim vendosur atë, plotësisht nën kontrollin e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
U quajtëm agjentë dhe spiunë të Titos, që kishim krijuar një rrjet të gjerë spiunazhi, me anën e të cilit informonim revizionistët jugosllavë, me informacione të karakterit të gjithanshëm, për gjendjen e brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë. Shihni, ju lutem, me gjakftohtësi, se ç’akuza ngrinte Gjykata e Faktit, mjafton, që të merrte një vendim kapital, të kënaqte kërkesat e “Baba Stalinit” dhe të lante duart njëherë e përgjithmonë, me bërthamën proletaro-punëtore të PKSH-së. Qëllimi, ishte mëse i qartë. Josif Broz Titoja, i cili ndër të parët i kishte dalë hapur diktaturës staliniste, duhej të cilësohej agjent ndërkombëtar dhe vegël qorre e imperializmit amerikan e, atij botëror.
Nëpërmjet këtij gjyqi, që ishte i pari në vargun e gjyqeve tragjike në Evropën Lindore, si ai i Trajço Kostovit, në Bullgari, të cilin e varën në një nga sheshet qendrore të Sofjes, të Sllanskit, në Çekosllovaki, gjithashtu i rehabilituar, të Rajkut, në Hungari, edhe ky i rehabilituar, të Patrashkanut e të tjerë në Rumani, Shtajnerbergut e shumë të tjerëve, në Republikën Demokratike Gjermane. Të gjithë këta, do të sillnin një muzg të gjatë deri sa, të shpërthenin ditët demokratike të Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ç’ka në Shqipëri, nuk do të vinin kurrë, sepse diktatura enveriste, sundoi fizikisht, praktikisht, politikisht dhe ideologjikisht, deri në vitet ‘90-të, kur u përmbys administrativisht diktatura komuniste. Unë pyes se: a u përmbys mentaliteti i zymtë që la diktatura gjysmëshekullor e Enver Hoxhës? A ndryshuan mentalitetet e ngulitura aq thellë, të kësaj diktature? Përgjigja ime është, fatkeqësisht jo. Kurrsesi, jo.
Si u zhvillua procesi gjyqësor?
Këtij procesi, në ditët e para të tij, iu dha karakter disi i rregullt zyrtar. U krijua përshtypja, sikur pas dëgjimit të akuzave, të pandehurit do të dëgjoheshin normalisht, por ndodhi krejt, e kundërta. Kur Koçi Xoxe, denoncoi atë që i ishte bërë gjatë qëndrimit në qeli, ia prenë fjalën disa herë dhe nuk e lejuan të fliste. Në një tjetër rast, kur Koci, kërkoi që të thirreshin në gjykatë, me cilësinë e dëshmitarit në proces, Enver Hoxha, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Tuk Jakova, Manush Myftiu, Kiço Ngjela, Nesti Kerenxhi, Naxhije Dume, si dhe t’i jepej mundësia për të lexuar proces-verbalin hetimor, për t’i bërë atij, shtesat dhe vërejtjet që duhet t’i bëjë i pandehuri, sipas parashikimit të ligjit, nënkuptohet, gjykata mori një vendim qesharak, për të mos i thirrur dëshmitarët, pasi, rrethanat që kërkonte të sqaronte Koçi, ishin mjaft të sqaruara, nga zhvillimi i gjyqit.
Mbaj mend se, Trupi Gjykues, e arsyetoi afërsisht kështu, kërkesën e dytë të Koçit, nëse mund të jem i saktë: “Meqenëse, i pandehuri, ka dhënë shpjegime dhe ka patur mundësi në lidhje me akuzat e ndryshme që të bëjë vazhdimisht vërejtjet dhe konstatimet e tij, dhe pasi leximi i proces–verbalit prej më shumë se 130-faqesh, nuk i shërben çështjes”. Këtë vendim e miratoi shumica e Trupit Gjykues, por nuk e miratoi anëtari tjetër i gjykatës, Niko Zoto, i cili, u shpreh: “Jam kundër vendimit të shumicës, për refuzimin e kërkesës së drejtë të Koçit, për të lexuar proces-verbalin hetimor, për arsyen se proces-verbali i Komisionit Hetimor, është prova kryesore, ku mbështetet akuza. Ndaj, duhet t’i jepet të pandehurit për ta lexuar dhe në fund, të pyetet nëse i pandehuri, e pranon ose jo, e pastaj të bëhen vërejtjet, në ato pika që ai mendon”.
Edhe kjo kërkesë kaq e natyrshme, kaq e ligjshme, vërteton edhe një herë, ngutjen e regjisorëve të këtij procesi të montuar, për ta mbyllur sa më shpejt atë. Pas kësaj, Kryetari i Trupit Gjykues, pyeti Prokurorin e Përgjithshëm, të pandehurit dhe avokatët mbrojtës të tyre, nëse kishin gjë tjetër për të zgjeruar hetimet, apo jo. Prokurori, mbajti pretencën duke analizuar të gjitha provat e sajuara, ai deklaroi fajësinë tonë. Koçi Xoxe, u dënua me vdekje, me pushkatim, unë me 20 vjet, heqje lirie dhe punë të detyruar, Vaskë Koleci, me 15 vjet burg, Nuri Huta, me 12 vjet dhe Vango Mitrojorgji 7 vjet burg dhe punë të detyruar. Në datën 6 qershor, në orën pesë pasdite, u caktua dita për të bërë mbrojtjen.
Dua të shtoj se Koçi Xoxe, me gjithë gjendjen e mjeruar fizike, gjatë procesit, mbante shënime dhe ishte përgatitur për të mbrojtur veten. Në seancën e 12-të të procesit, në gjyq u paraqitëm vetëm unë, Vangua dhe Nuriu. Në këtë kohë, prokurori deklaroi se, Koçi Xoxe kishte refuzuar të paraqitej në gjyq, si dhe të lëshonte një deklaratë me shkrim, se refuzonte të paraqitej në mbrojtjen e fundit. Trupi gjykues, vendosi të sillej forcërisht Koçi, që të bënte mbrojtjen e fundit dhe nëse nuk do të bënte mbrojtje, ta deklaronte këtë, përpara trupit Gjykues. Ndërkohë, unë pashë me keqardhje që pas pak, Koçi Xoxen, e sollën zvarrë, duke e shtyrë forcërisht dhe vendosën në vendin e të akuzuarve. Pas kësaj, ai u ngrit me nervozizëm dhe deklaroi: “Më sollën forcërisht, nuk erdha vetë”.
Atëherë, Frederik Nosi, i tha se; Trupi Gjykues, vendosi ta sjellë përdhunisht dhe nëse nuk donte të mbrohej, duhet ta deklaronte para tyre. Atëherë, Koçi Xoxe, deklaroi se nuk donte të bënte mbrojtjen, pasi nuk kishte besim tek gjyqi dhe tek avokati dhe se prokurori, kishte bërë një pretencë të poshtër dhe false. Avokatin, e ndaloi të fliste në emrin e tij. Falë përvojës së gjatë, që unë kisha, nga përvoja e persekutimeve të mëparshme, nuk fola gjatë, dhe nuk jepja shpjegime, por kur u pyeta për Plenumin e VIII-të dhe rezolucionin e tij, për të cilin, siç e kam përmendur më lart, ishin të një mendjeje të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror, thashë se, dokumentet e këtij plenumi, i kishin miratuar të gjithë dhe se Koçi atje, doli flamurtar.
Më kujtohet se Koçi, ka qëndruar rreptë dhe trimërisht në gjyq. Kur, ai është akuzuar për survejimin e Enver Hoxhës dhe shokëve të tjerë, nuk pranoi asgjë të tillë, dhe ka thënë se, për përgjimet, censurimet, survejimet, vëniet në ndjekje, apo pushkatimet, janë bërë gjithnjë me miratimin e Komandantit, kështu i thoshim ne, Sekretarit të Përgjithshëm. Koçi, deklaroi në gjyq se, Enveri, në kundërshtim me ato që thotë, apo në kundërshtim me akuzat e Prokurorit të Përgjithshëm, nuk është survejuar kurrë. Në vijim, ai deklaroi fuqishëm se:… Këtu unë po shoh një komplot të kurdisur kundër meje dhe duke qenë i revoltuar, në një provë shkresore, që i paraqiti Bedriu, me anën e një flete të daktilografuar, gjoja me karakteristikat e udhëheqësve të partisë, Koçi deklaroi: “Kjo fletë me këto shënime karakteristike, për udhëheqësit e Partisë, i keni gjetur në materialet e Byrosë, kur është diskutuar ky problem dhe jo në arkivat e Ministrisë së Brendshme, apo dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Ndaj, unë them se, ky është një bllof i madh dhe ka pesë muaj që s´kam bërë gjë tjetër, veçse, si më kanë thënë e imponuar këta të hetuesisë. Të gjitha janë shpifje, provokacione. Më kanë bërë provokacione fizike, psikike dhe morale, më kanë lënë rreth 2 muaj të lidhur këmbë e duar, më kanë bërë presione familjare. Ky është një turp i madh. Frederik Nosi, e porositi disa herë Koçin që të tregohej gjakftohtë, madje, i tha se duhet të kishte respekt për trupin gjykues, kurse Bedriu, ligjëronte me të madhe: “Shikoni shokë, fytyrën e tradhtisë. Ja, se ç´do të thotë trockizëm”.
Kur Bedri Spahiu, konkludoi në fjalën e tij se, Koçi Xoxe, jo vetëm kishte survejuar udhëheqësit dhe kishte grumbulluar informata për ta, Koçi Xoxe deklaroi: “Kjo është shpifje, jo me dy brirë, por me katër. Unë kërkoj që të bëhet gjyqi, me dyer të hapura që ta dëgjojë populli”. Kur prokurori pyeti, nëse ka patur dualitet midis Enverit dhe Koçit, dualitet parti-pushtet e të tjera, Koçi e mohoi këtë dhe insistoi të bëhej gjyq i hapur, përpara popullit. Atëherë, Prokurori i Përgjithshëm, kërkoi që Koçi Xoxes, t’i hiqej e drejta e fjalës dhe të mos i merrej parasysh kërkesa, ç’ka Trupi Gjykues, e miratoi unanimisht. Pikërisht në këtë kohë, Xoxe deklaroi se, nuk do të fliste më, por do të akuzonte.
Po vitet e burgut dhe persekucionit politik si i kujtoni tashmë?
Ndërkohë që, Koçi Xoxe u pushkatua, unë u dërgova në Burgun e Vjetër të Tiranës, Burgun e Ri, në Burgun e Artizanatit në Tiranë, dhe në Burrel. Në vitin 1949, bashkë me Vaskë Kolecin, Musine Kokalarin, e një tjetër grua, që nuk ia mbaj mend emrin, u dërguam në regjim burgu, në Burrel. Në atë kohë, zhvilloheshin provokacionet masive në kufirin shtetëror me Greqinë. Në burgun e Burrelit, kam qëndruar për një kohë të gjatë. Komanda dhe të dënuarit, janë sjellë korrekt me mua. Në vitin 1963, u lirova nga burgu dhe erdha pranë familjes time, e cila vazhdonte të ishte në Tiranë.
Pas një muaji, me vendim të Komisionit famëkeq të dëbim-internimeve, më 5 nëntor të vitit 1963, më dëbuan nga Tirana në Lushnjë, ku punova në Kooperativën e Artizanatit, në profesionin tim të vjetër të këpucarit. Sikur të mos ishte e mjaftueshme, gjithë ajo kohë e gjatë persekucioni, në muajt e parë të vitit 1983, mua, më thirrën fillimisht në hetuesinë e Lushnjës, e mandej, në atë qendrore dhe më pyetën intensivisht për Mehmet Shehun dhe donin që unë, atë, ta nxirrja tradhtar, agjent, poliagjent, spiun të regjur të imperializmit. Unë u thashë vetëm dy fjalë: “Enver Hoxhën e keni gjallë. Pyeteni atë, pse e mbajti kaq gjatë Mehmet Shehun, kryeministër. Unë nuk kam asgjë për t’u thënë”.
Insistimi tjetër i hetuesisë, ishte: Pse në procesin e Koçi Xoxes, të arrestuan ty dhe jo zëvendësin e tij që ishte Nesti Kerenxhi? Natyrisht e kuptova menjëherë se pas vrasjes së Mehmetit, kishte filluar një proces, nga më të mëdhenjtë dhe më të komplikuarit që kishte ndodhur ndonjëherë në Shqipëri dhe se Nesti Kerenxhi, ishte arrestuar. Ndoshta, së bashku me gruan e tij, Naxhijen. Gjithsesi i zemëruar, por i përmbajtur, iu thashë: “Ju keni ende gjallë arkitektin e atij procesi të montuar. Pyeteni t’ua thotë të gjitha hollësitë. çfarë mendoni ju, se sot, mbas 40-vjetësh, doni të bëni gërmime dhe zbulime, mbi atë proces”?! Kaq, u thashë unë dhe iu luta, të më linin të qetë në pleqërinë time. Më vonë, me vendim të posaçëm të komisionit të mësipërm, më 11 maj të vitit 1983, më internuan familjarisht në Çermë të Lushnjes.
Në internim me sa di, keni humbur edhe gruan tuaj të shtrenjtë çfarë kujtoni nga ajo ngjarje e dhimbshme?
Në 7 janar të vitit 1984, humba gruan, shoqen time të jetës, që kishim përjetuar së bashku, të gjitha vështirësitë e kohës së Luftës, të pasluftës dhe të persekucionit të gjatë e të rëndë, që na i bëri peshqesh, ajo Parti, të cilën e krijuam me mundin dhe gjakun tonë, e cila tashmë, nuk ekzistonte. Gruaja ime, Dhora, për një kohë të gjatë, u shtrua në spital dhe u kurua nga një reformatori kronik, por i plotfuqishmi i zonës së Çermës, Bujar Peza, një përbindësh i vërtetë, që ju ka rënë në qafë sistematikisht të përndjekurve politikë, as që nuk e lejonte të kurohej rregullisht në spital. A mendoni se sa në vështirësi, e kam ndjerë veten, kur nuk kisha se si ta transportoja gruan për në varreza, sepse nuk desha të implikoja askënd.
Në këto kushte, njoftova kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, që doemos, e dinte fatkeqësinë që më kishte ndodhur, dhe i thashë se, e vdekura kishte kohë që ndodhej në mes të shtëpisë dhe nuk kishim se si ta varrosnim. Atëherë, ai dërgoi katër punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe kështu, u bë i mundur edhe riti tradicional i varrimit, të një njeriu të zakonshëm. Kur vdiq Enver Hoxha, unë u gëzova pa masë, por nuk ma mori mendja që krimineli, Bujar Peza, do të organizonte dhe urdhëronte, fëmijët e shkollës, të më zinin me gurë dhe të më përqeshnin rrugëve të fshatit. Përfytyroni se në ç’gjendje të vështirë, ndodhesha unë, kur duhej të paraqitesha dy herë në ditë, në mëngjes dhe pas dite, në ritualin torturonjës të apelit, të të internuarve politikë. U desh denoncimi energjik, i vajzës, para tij dhe në të gjitha instancat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të ndërprerë atë persekucion të ndyrë, që organizonte operativi i zellshëm i zonës.
Kur u rikthyet në Tiranë?
Në 11 maj të vitit 1993, u lirova nga internimi dhe erdha në Tiranë. Fillimisht në shtëpinë e motrës sime Vangjeli, dhe më pas në shtëpinë e dhëndrit tim. Nuk po flas fare për kohën e çuditshme që ishte krijuar atëherë në Tiranë e qytetet kryesore të vendit, sepse këto, janë momente që i di gjithkush. Do të flisja me pathos për ato ditë, por nuk besoj se ka ndonjë interes të veçantë për mendimet e mia, të atyre ditëve. Nëse do të kem mundësi, do t’i përmbledh kujtimet e mia në një libër me titullin: “Gjykimet e një byroisti”, ku do të shpreh në mënyrë më të zgjeruar e, më të studiuar, mendimet e mia për lëvizjen komuniste në Shqipëri, krijimin e Grupit Komunist të Korçës e Partinë Komuniste Shqiptare, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe ato katër vjet të pasluftës, kur ne ishim në udhëheqje, arrestimin, gjyqin, burgun, internimin, lirimin, e të tjerë.
Por le t´i lëmë ëndrrat, të vazhdojmë bisedën tonë. Tashmë, tragjikomedia nuk mbaroi me kaq, sepse një ditë të bukur, kur rinia dhe populli i Tiranës, shpërtheu ambasadat e huaja, me urdhër të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes, vjen përpara shtëpisë sime një makinë e tipit “GAZ”, nga ato që i gjithë populli ynë i njihte mirë se ç’ishin, dhe më çon përsëri në internim në Çermë, pa më dhënë asnjë shpjegim. Këtu ndodh paradoksi më i madh. Vjen vajza ime, Asambleja dhe më mori forcërisht nga Çerma, e më solli në Tiranë. Askush nuk pyeti më për mua, askush nuk trokiti në portën e shtëpisë, askush nuk pyeti kurrë, a jetoja apo jo. Më në fund kishin ardhur edhe dy ditë të lumtura për mua plakun. Fillova të takoj shokët, madje ata më të mirët. Fillova të shkoj edhe unë për vizitë tek ata, me gjithë moshën e thyer dhe tepër i lodhur, pas atij persekucioni të gjatë.
Ato ditë ishin nga më të bukurat e më të qetat e jetës sime. Nuk kishte më gardianë burgu, policë biruce, të plotfuqishëm zone, kryetar Dege, hetuesi me kohë, e pa kohë. Takova me dashuri nipër e mbesa, motrën, dhe fola në telefon me njerëzit e mi që filluan të shpërndaheshin, si zogj shtegtarë nëpër botë. Kishin ardhur kohë të çuditshme. Unë iu gëzova pa masë rrëzimit të monumentit të diktatorit dhe heqjes së simboleve të tjera, që na kujtonin kohën e shkuar dhe për të cilat ne, kishim luftuar aq shumë, por të jem i sinqertë, nuk ushqeja dhe nuk ushqej ndonjë respekt e dashuri, sepse brezit tonë dhe më të rinjve, ato simbole u shkaktuan dhimbje të mëdha. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016