Nga Hysen Selmani
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Istanbul, 30 prill 1944
Këtu, po shënojmë disa letra që na vijnë urgjent nga disa shokë në Shqipëri. Ata tregojnë gjendjen kritike që po zhvillohet. Letrat janë këto:
“I dashuri Husein Bej. Gjendja është shumë e keqe, pothuaj populli ndodhet në këmbë për Madhërinë e Tij Mbretin. Shpresojmë për së shpejti, që do të kemi udhëzime prej tij. Juve është nevoja e domosdoshme, që të ndodheni këtu, se për ndryshe jemi të shkatërruar. Kujtoj për mjetet, që keni për të ardhur. Shumë përshëndetje.
I juaji Abas Kupi
Shumë i dashuri Husein Beg
Madhërinë e Tij, Mbretin, e adhurojnë krejt shqiptarët. Por, jemi shumë të okupuar me pastrimin e “grurit”, mbasi na është përzier një farë e keqe, që nuk i përshtatet aspak vendit tonë. Por, kemi bindjen se do ta pastrojmë. Koha është shumë e keqe në mes tonë. Juve lipset medoemos të jeni këtu, etj.
Rroftë Mbreti sa malet. Ju përshëndesim me shumë mall duke ju pritur këtu.
Vijojnë emrat e Fiqri Dine, Miftar Kaloshi, Dervish Luzha, Selim Kaloshi dhe Ali Maliqi.
Shumë i dashuri Husein Bej.
Kemi mbërritur deri diku, qëllimet në mes tonë. Vetëm se kemi nevojë të jeni ju këtu sa më parë, se mos ndodhja juaj në mes tone, asgjë nuk ka për t’u bërë. Gjithë shokët, ju lipin të jeni këtu edhe koha më nuk prêt.
Profesor Mustafa Gjinishi, u vra në Dibër, ku e kishin dërguar Nacional-çlirimtarja, për të propaganduar. Ai porsa kishte mbaruar misionin e tij dhe kur po nisej, sa ka dalë prej qytetit, hipur me një kalë, një pushkë e vetme, e lëshoi veten përdhe. Flitet se është vrarë prej Tempos dhe prej shokëve të tij.
Siç ju përshkruam, sot është dita për të sakrifikuar për Mbretin e Atdheun. Duhet ta dini se, në është se nuk do të gjeni mënyrë për të ardhur, vendi do të okupohet me siguri nga Nacional-çlirimtarja, d.m.th., prej komunistëve me ndihmën e Titos. Se kjo ka qenë edhe ideja që, e hoqën dhe profesor Gjinishin. Tani emrat e tillë, si: Myslim Peza, Haxhi Lleshi e Baba Faja, Spiro Moisiu dhe Faik Shehu, kanë mbetur në duart e tyre, si të thonë agjentët jugosllavë. Të gjithë popullit, nuk i dhimbset jeta për Mbretin. Rroftë Mbreti, Rroftë Atdheu. Po ju presim me duar hapur ju përqafojmë me shumë mall.
Vijojnë emrat e: Sul Kurti, Jusuf Selmani, Dyle Allamani, Jusuf Çela, Murat Basha, Hamza Drini, Ali Kurti, Ndrec Lufi, Bajram Mena, Halil Keta, Ahmet Perhati, Jashar Lela, Hasan Kalija, Mahmut Pervizi, Beqir Dervishi, Hafus Hasa, Fadil Allamani, Bajram Sata, Rahman Hysa, e shumë të tjerë.
Si këto letra edhe shumë të tjera, erdhën prej: Bilal Nivicës, Neshat Kolonjës, Sadik Shaskës, Qemal Shtinos, Riza Kishtës, Sul Zdravës, Beg Ballës, e të tjerëve, Ukë Camit, Demir Demës. Na vijnë në dukje se, siç ju kemi lajmëruar, që tani hyri edhe në Dibër, vëllavrasja me dëme të mëdhaja.
Kolonel Selmani, prapë pas këtyre letrave, iu desh që të thërriste Shefin e Zyrës të Informacionit Britanik në Istanbul, Kameronin. Duke patur prezent edhe kapiten Avni Dërallen dhe Prof. Peter Andonin. Ky, i shpjegoi hollësisht gjendjen e krijuar në Shqipëri, duke i përkthyer të gjitha raportet në anglisht. Dhe, ju lut që, t’i paraqesë Komandës Mesdheut, se siç më sugjeroi, akoma nuk është vonë, për ta marrë ne në dorë gjithë superioritetin e vendit. Mos e lini të bjerë pa dashje në dorë të sllavëve, i thamë se, i gjithë populli brohorit për anglo-amerikanët, duke thirrur se ata, janë mbrojtësit e shpëtimtarët tanë.
Po, në këtë mënyrë, – kujton adjutanti – përpilova një raport ku tekstualisht ishin letrat e Shqipërisë, raportin e bisedimet që pata me Shefin e Zyrës Britanike, raportin e paraqitur Komandës Mesdhetare, në Kairo. Dhe, pasi u zhvillua një bisedim i gjerë, unë i ndalova ata për drekë. Po ashtu, edhe Alfred Andoni, e Mahmut Cugu, kishin shkuar në Kairo, të thirrur po prej Komandës si përkthyesa, por ende nuk na kishin shkruar asgjë.
Të njëjtin raport, ja paraqita edhe Shtatmadhorisë Turke, në Istanbul, në turqisht. Se natyrisht me anën e tyre, merrnin postën për javë rregullisht prej Shqipërisë, me anën e Gafur Dibrës. Ky i fundit, ishte i ngarkuar për të ruajtur arshivat e Ambasadës Turke në Tiranë.
Pasi mbaruam drekën dhe bisedimet, Kameroni, bashkë me kapiten Avni Derallën, shkuan. Po në atë ditë, ata do të dërgonin letrat menjëherë me poste të veçantë, si në Kairo dhe në Londër, për Mbretin Zog. Pas kësaj, Avni Dërralla, do të shkonte në “Dyzem Biro” Turke, (Njësia e Shërbimit) për t’i dorëzuar po kopjen e të njëjtit raport.
Gjithë manovrat që fliten se, gjoja aleatët, do të shkarkojnë në Ballkan, janë të pabesueshme. Megjithëkëtë, dërguam në Ankara, Ministrin Fuqiplotë tonin, pranë Republikës Turke, Asaf Xhaxhulin, për të marrë një takim me Kryeministrin, Shyqri Saraxhollu. Për të hyrë edhe në këtë detaj, se natyrisht Turqit, mund të jenë në dijeni eventualisht, për një shkarkim të Aleatëve në Ballkan. Kjo pasi, Ishujt Italianë, po okupoheshin përgjithësisht e këtu do të kuptojmë se Turqit, si në konferencën e Teheranit, po ashtu në atë të Jaltës, janë mirë ne dijeni.
Ministri Asaf Xhaxhuli, vërtetë shkoi në Ankara dhe menjëherë mori takim me Kryeministrin Turk, Shyqri Saraxhollu. Ai i tha se; gjendja në Shqipëri është shumë e keqe dhe komunizmi, ka fut rrënjët në të gjithë anët e Shqipërisë e, sidomos në rininë. Grupi Komunist ka një traktat me Titon, si aleatë dhe furnizohet me materiale e çdo nevoje. Fatkeqësisht, nacionalistët nuk po tregojnë asnjë aftësi, kundër komunizmit dhe janë krejtësisht të pa organizuar e, në grindje njeri me tjetrin.
Një shkarkim i tillë prej aleatëve anglo-amerikanë në Ballkan, nuk mund të bëhet, se nuk i lejon Rusia, sipas marrëveshjeve që kanë. Edhe ne turqit atë dëshirojmë, po është e zorshme dhe bile e pamundur, sa i përket Shqipërisë, ne rast se nuk bashkohen nacionalistët dhe të sakrifikohen për interesin e tyre. Nesër komunistët, do t’i therin si qengja. Dhe mos të shikojnë këshillat e misionerëve britanikë, se ata janë të detyruar edhe jashtë dëshirës, për t’i ndaluar të veprojnë kundër komunistëve, por këta, të bashkohen vetë për interesin e Shqipërisë dhe të vetin personal”. Këto ishin fjalët e Ankarasë.
Stamboll, 14 prill 1944
“Dr. Rakip Frashëri, erdhi nga Shqipëria, direkt në shtëpinë e Husein Selmanit, në Istanbul, ku deklaroi, se: Babai, Mehdi Frashëri, më dërgoi tek ju, dhe Vehbiun e ka dërguar në Suisse. Që të mund të hyjë në kontakt me Madhërinë e Tij, Mbretin Zog, se Shqipëria, në rast se nuk i bini prapa, ka mbaruar krejtësisht. Atë do ta marrë komunizmi në dorë dhe kjo është qind për qind e vërtetë.
Mbretërorët, janë shumë të fortë, por nuk bashkohen as nuk bashkëpunojnë me Ballistët. Dhe, as nuk i kundërshtojnë komunistët. ‘Balli Kombëtar’, vritet shumë rëndë me komunistët ditë për ditë. Ndërsa komunistët, me material dhe disiplinë, janë shumë më të fortë dhe kanë përkrahjen jugosllave, të Kominformit. Gjithsesi, sikur të bashkohen Mbretërorët me Ballin, ju sigurojmë se; brenda pak ditëve, të gjithë komunistët shkatërrohen dhe nuk ju mbetet më lule në Shqipëri. E, në rast se, Mbretërorët do të qëndrojnë indiferente, atëherë Shqipëria është e okupuar prej komunistëve”.
Pastaj, kolonel Husein Selmani, në prezencën e Murat Kaloshit e të Hasan Kaloshit, ju përgjigj Ragip Frashërit, se:
“Ne kemi dhënë të gjitha udhëzimet tona, por natyrisht se u shkaktuan disa mosmarrëveshje, sipas programit, që ata kishin në Jugosllavi. Pothuaj se u përçanë në mes tyre dhe një pjesë mjaft e fuqishme, u bashkua me Nacional-çlirimtaren. Shkak ishte, Profesor Mustafa Gjinishi. Dhe ai, tani u vra. Flitet se është vrarë prej shokëve të tij komunistë, sepse, nuk ishte dakord me ta. Po kjo, nuk dihet me siguri, që u vra porsa mbaroi konferencën në Dibër të Madhe”.
Sidoqoftë, i tha adjutanti bashkëbiseduesit të tij: Tani Mehdi Beu, e ka në dorë për t’i ndihmuar ballistët. Se në Qeverinë e formuar në gjermanët, keni vënë edhe njerëz të Ballit dhe Mit’hatin e Ali Këlcyrën, me Faik Qukun, si shefa të Ballit, i keni aty. Pse nuk i ndihmoni me forcat qeveritare, si edhe me materiale? Sepse, siç kemi lajme, keni formuar 3-4 batalione shëtitëse. Këto gjithnjë, në bashkëpunim me ‘Ballin Kombëtar’, kujtojnë se, është një ndihmë mjaft e madhe për sa u përket Nacional-çlirimtarëve.
Është e vërtetë se ata ishin të zotët, sepse kanë marrë edhe Italinë, me gjithë materialin e luftës. Dhe sot, luftojnë krah për krah me Nacional-çlirimtaren. Ata patën kurajën që, të okupojnë pjesët më të mëdhaja të materialit Italian. Ndërsa ‘Balli Kombëtar’, nuk ishin aq të forte, që të përfitonin nga ky material. Tani të vijmë përsa u përket Mbretërorëve, i shpjegoi adjutanti- siç duket është ‘Balli Kombëtar’ fajtor dhe jo Mbretërorët. Që nuk bashkohen për një luftë të përbashkët, në interesat e përgjithshme të Shqipërisë dhe sepse Mbretnorët, kur nuk e harrojnë “Beslidhjen e Mukajt”, ku u tradhtuan e u dogj krejtësisht Burreli dhe 34 katunde në Mat.
Kurse ‘Balli Kombëtar’, nuk mbajti besën e betimin e bërë, por i la të digjen e të derdhin gjak vetes, se i kishte Kominformi. Mbretërorët, janë përpjekur pas një bashkimi vëllazëror në luftën kundër okupatorit. Ndërsa, sa u përket reformave, këto t’u linin, mbasi të kemi fatin me pa Shqipërinë të lire, nga okupatorët. Dje, fashizmi, sot nazizmi. Ky është programi i Mbretnorëve, që është i hartuar qysh me qershorin vitit 1939, që me çdo sakrifice, kanë nderuar Kombin dhe kanë lartësuar moralin e popullit brenda. Siç mund t’i dini me këtë rast dhe sakrificat që u zhvilluan në luftën italo-greke. Që prej asaj kohe, Shqipëria do të ishte e bashkuar, por faji i kushtohet Qeverisë Greke”.
Pas këtyre fjalëve, shkuam tek Asaf Xhaxhuli në Legatën Mbretërore, – kujton adjutanti- për t’i bërë një vizitë. Po ashtu edhe Dr. Ragip Frashëri, kishte një letër për kryetarin e Republikës Turke, Ismet Inonuen, prej Mehdi Frashërit. Ai dëshironte që, të shkojë pas dy ditëve në Ankara, por kërkonte që, ndërkohë Ministri ynë, Asaf Xhaxhuli, t’i merrte një takim me Ministrin e Jashtëm Turk në Ankara, Hasan Saken.
Ministri Asaf Xhaxhuli, mori në telefon Ministrin e P. Jashtme Turk në Ankara, por doli shefi i Zyrës dhe u përgjigj se, zyrtari nuk ndodhej aty. Asafi i kërkoi: “ju lutem sa të vijë Ministri, t’i thoni që të rezervojë një audience, për Dr. Ragip Frashërin, që vjen nga Shqipëria, i cili ka një letër për Kryetarin e Republikës, Excellencën e tij, Ismet Inonue, prej Sh. K. Tij, Mehdi Frashërit në Shqipëri”. Zyrtari i tha se; brenda dy orëve, ju lajmëroj dhe kështu Ministri Xhaxhuli, na ndaloi për drekë, – vazhdon adjutanti.
Më poshtë adjutanti kujton se: “Po bisedonim mbi gjendjen në Shqipëri, si edhe mbi veprimet, që kanë mundësi të zhvillohen në interes të Atdheut, në lidhje me interesat britanike. Përndryshe, ne nuk ju ndihmojmë kundër komunistëve, na kujtonin ata. Se sot siç e shihni, është e vërtetë se grupi Nacional-Çlirimtar, ndihmohet jo vetëm nga Tito, por edhe nga Aleatët. Këto janë zonat e influencave, që janë të ndara në mes Aleatëve. Por ne, kemi bindjen e plotë se, kjo që po zhvillohet në Shqipëri, po përgatitet edhe në Greqi. E këtu anglezët, nuk kanë për të duruar, sepse, lipset edhe një fuqi e dytë e fortë në Shqipëri, që mos t’i mbetet vetëm Nacional-çlirimtares, krejtësisht në dorë. Por, kur të vijë koha, do të bëhet një zgjedhje në popull”.
Në këto bisedime, erdhi në Ankara në telefon, dhe kërkuan Ministrin Xhaxhulin. Ata i lajmëruan se, Dr. Ragip Frashëri, “pasnesër, pranohet prej Ministrit, në ora 10 para dite”. Kështu, ministri Xhaxhuli, i dha edhe një letër rekomandimi për Kryeministrin, Shyqri Saroxhollu. Pas kësaj, unë bashkë me Ragipin dolëm, e shkuam në Kadikoj, në stacionin e trenit. Ai kishte dëshirë me pa vendet dhe nuk shkoi me aeroplan. Prandaj, u nis menjëherë për në Ankara. Pak më vonë, adjutanti shkruan se:
“Ragip Frashëri, u kthye nga Ankaraja shumë i kënaqur. E ka pritur shumë mirë Ministri Jashtëm Turk, Hasan Saka dhe kanë biseduar gjatë e gjerë, mbi gjendjen e Shqipërisë. Pasi kanë mbaruar bisedimet, i kanë dhënë letrën e Mehdi Frashërit, për Kryetarin e Republikës Turke, Ismet Inonue. Ata i kanë thënë se: ‘Sot pasdite, kanë me i dorëzuar letrën si edhe do t’i parashtrojë gjithë sa më thatë, mbi Shqipërinë. Po ju, mos u mërzisni, se do ju kërkoj me ju thënë përgjigjen e Presidentit’. Kështu kanë dalë të kënaqur.
Të nesërmen, vijon adjutanti, po në orën 10 para dite, e kanë thirrur dhe i kanë thënë tekstualisht fjalët e Kryetarit të Republikës Turke, Ismet Inonue, kështu: E lexova me shumë vërejtje letrën e një patrioti, Sh. Mehdi Frashërit, për të cilin kam një admiracion. Bashkë me të falat e mija, i paraqiti Sh. K. tij Mehdi Frashërit, sot për sot këto:
“Kam kuptuar mirë gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria. Ne, qysh të na vijë përdore, për interesat shqiptare, nuk do të kursehemi. Do t’i mbrojmë. Por, siç e dini edhe ju vetë, Turqia, nuk është në luftë. Kjo nuk do të thotë se: Ne nuk do të interesohemi dhe kurrë, nuk kemi për të lënë pas dore, çështjen shqiptare, e të popullit shqiptar. Por, thuaj:
Sot, detyra më kryesore për të mirën e Shqipërisë, është që me çdo sakrifice e, me çdo kusht, të bashkohen me nacionalistët shqiptarë, për ta marrë sundimin e vendit në dorë. Dhe, mos me ua lënë komunizmit. Ajo do të jetë një vdekje e Shqipërisë, kur të hyjë nën zgjedhën e Kominformit Sllav. Dhe, mos shikoni se qysh ju thonë anglo-amerikanët, se ata nuk munden t’ju këshillojnë ndryshe. Këto, janë vendimet e Tehranit dhe e atyre u duket një gjë e vogël, por Shqipëria, lëshohet në rrezik. Duhet të dini se, në Konferencën e Teheranit, Ballkani u la nën influencën e Rusisë Sovjetike dhe Kuartieri i Përgjithshëm, për Ballkanin, është nën kryesinë e Marshallit Tito.
Me këtë vendim, këto kanë lëshuar edhe Greqinë, po në të njëjtin rrezik, si Shqipërinë. Më në fund, Grekun mund t’a shpëtojë Britania e Madhe, sepse ajo ka interesat e saja detare. Ju të bashkoheni dhe t’i jepni grushtin e vdekjes komunizmit, në Shqipëri, e mos shikoni sepse ju zemërohen aleatët, e ju këshillojnë. Nuk duhet të pengoni Nacional-çlirimtaren, se për ata, sot Shqipëria e vërtetë, nuk luan ndonjë rol, sa luan influenca e Titos. Por, ju shihni interesat e Shqipërisë, e natyrisht së bashku me interesat e Aleatëve, luftoni të bashkuar kundër okupatorit. Por, mos lejoni një fuqi komuniste, që t’ju dominojë”.
Këto ishin fjalët e Dr. Ragip Frashërit, që na solli nga Ankaraja. Dhe tani, po bisedojmë mbi mënyrën se si ka mundësi që të kemi një bashkim Mbretëror, me ‘Ballin Kombëtar’. Duke formuar një besim në mes tyre, me një qendër dirigjuese të përbashkët, e me një program bashkëpunimi, si sot, po ashtu në të ardhmen.
Dr. Ragip Frashëri, na u përgjigj se: “Gjermanët nuk na përzihen në administratën e brendshme. Ne lëshojmë pasaporta vetë, po të dëshironi, për të dërguar ndonjë person në Shqipëri, që të këshillojnë Mbretnorët. Se unë me Abas Kupin e Jusuf Selmanin dhe me Sul Kurtin, jam takuar shpesh herë. Por ata, pa udhëzimet e këtushme, nuk bëjnë asgjë, se edhe ata vetë, tani e shohin se edhe ata që kishin miq, si; Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Spiro Moisiun e Faik Shehin, pas vrasjes të Profesor Gjinishit, nuk kanë më atë miqësi e besim në ta.
Përsa i përket një akordi me ‘Ballin Kombëtar’, këtë e marrim përsipër ne, që eksponentët e Ballit, sinqerisht të bashkëpunojnë me Mbretnorët, pa asnjë ndryshim tendence, derisa të vijë koha, që populli të jetë i lirë e, të shfaqë lirisht vullnetin e tij, përsa i përket reformës të Shqipërisë, në të ardhmen. Sot, duhet me një Kuartier të përbashkët, të bashkojnë forcat e të luftojnë Kominformin, që nuk pajtohet me ideologjinë e vendit tonë. Dhe kjo, duhet sa më shpejt se, koha po kalon”,- tha Dr. Ragip Frashëri, duke sjellë porosinë e Mehdi Frashërit.
Kolonel Husein Selmani, në prezencën e Ministrit Asaf Xhaxhulit dhe të Murat Kaloshit e të Haxhi Xhilagës, ju përgjigj kështu:
“S’ka dyshim mbi ndjenjat patriotike të Mehdi Beut. I gjithë mendimi i tij, është me plot vend dhe është e vërtetë se, po në atë mënyrë, sot ekziston vendi ynë. Por, mos harroni se e gjitha kjo katastrofë, erdhi për herën e parë, nga agjentët e Kominformit Ruso-Jugosllav. Ata gjetën fole në një organizatë më të organizuar të Nacional-çlirimtares, ku aty në gjininë e tyre, hyri dhe një grup komunistësh. Ishin mjaft të stërvitur e të vendosur deri në fund, pa komplimente dhe ata ju shtruan çdo sakrifice. Aq sa mundën të fusin në Kuartierin e tyre organizatorët e Kominformit Sllav. Më vonë, ata kanë lidhur edhe një traktat në Bihore, me Kominformin jugosllav si aleatë. Kjo, duke përfituar, si në propaganda, po ashtu edhe në materiale si; armatim, veshmbathje, ushqime e deri në medikamente. Ata ju shtruan një disiplinë të fortë dhe organizuan konferenca e trakte të pareshtura, e tjerë.
Kurse kundrejt këtyre, më vonë na del ‘Balli Kombëtar’ me një program në vete. Po ashtu ky, nuk pajtoi aspak me atë që ushqenin e luftonin Mbretnorët, kundër okupatorit. Këto e tronditën edhe më tepër bashkimin kombëtar. Mbretnorët, siç ju përmendëm, qysh në Qershorin e vitit 1939, ishin me një program lufte kundër armikut fashist, që na ka okupuar vendin të bashkuar. Dhe, sa i përket një të ardhme, populli shqiptar siç ka deklaruar vetë Mbreti Zog, me mesazhin e Tij, kjo do t’i lihet popullit, ta zgjedhë me vullnetin e vet. Në fakt, kjo nuk u përfill nga ballistët. E dyta, pabesia që u bë në ‘Besëlidhjen e Mukajt’, kjo që ka zemëruar dhe ka formuar një mosbesim në masën Mbretnore. Jo për t’u justifikuar, por mbi këto, lipset të jepen prova. Kjo sepse, sot ballistët janë të përgjakur me Nacional-Çlirimtaren, kurse Mbretnorët, janë akoma asnjanës e po presin.
Tani, në këto kohët e fundit, një pjesë e madhe prej kuislingëve, të ashtuquajtur: “Qeveri e Fashizmit”, janë grumbulluar në Orosh, tek Kapidan Gjon Markagjoni. Ata janë Mustafa Kruja, Maliq Bushati, Kol Mirakaj etj. Ata kanë kërkuar të pranohen në Këshillin Mbretnor, por akoma nuk i kanë pranuar. Kujtoj që nuk do të pranohen, prandaj mundohen të formojnë edhe ata një parti më vete. Ju, mbasi e paskët në dorë të lëshoni pasaporta, kujtoj që do të jetë shumë e favorshme, që Murat Kaloshi, Haxhi Xhilaga, Rexhep Radomira, të hyjnë në Shqipëri, se është një forcë e madhe. Por, këto natyrisht se vijnë dhe janë me një program të njëjtë, që sot ka Këshilli Mbretnor në Shqipëri. Kjo sipas vendimit të Kongresit të Herraj, ku keni qenë edhe ju vetë aty”, përfundoi adjutanti.
Me këto bisedime, ne mbetëm dakord me Dr. Ragip Frashërin, dhe ai po sa të arrijë në Tiranë, do të bisedojë me Sh.T.Mehdi Frashërin. Me këtë rast, ka për të dërguar urgjent këto tre pasaporta, të Murat Kaloshit, Haxhi Xhillagës e Rexhep Radomirës, në bazë të cilës u bisedua. Natyrisht, këta kanë për të pasur me vete edhe një udhëzim-program, prej Madhërisë së Tij, Mbretit Zog, si për vete, po ashtu për të gjithë Mbretnorët. Kameronit, i dhashë raportin për të dërguar në Londër, me postën e posaçme, për Mbretin Zog. Duhet thënë se gjithmonë, si telegramet shifër, ashtu dhe raportet, i dërgonim me anën e misionit Britanik. Këtu Ragipi u nis për Tiranë dhe e përcollëm deri në Sekerxhi, në tren. Ai shkoi i kënaqur dhe qëndroi mëse dy javë, në Stamboll e Ankara. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016