Nga Gjergj Titani
Pjesa e tetë
Memorie.al / Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.
Zoti Pandi, ju folët shkurt për Plenumin e Tetë të KQ të PKSH. Ndërsa një tjetër plenum mjaft i diskutuar është edhe Plenumi i 11-të i Komitetit Qendror të PKSH-së. Çfarë ju kujtohet nga punimet e tij?
Për të folur për Plenumin e Tetë, i cili përbënte fazën përmbyllëse të historisë së ligjshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë, mund dhe duhet të flisja më tepër. Madje, duhej të kisha thënë shumë për ato plenume, ku, me naivitetin tonë, por, edhe për shkak të gabimeve tona, që shpeshherë do të përbënin edhe faj politik, kemi ndihmuar pa dashje absolutizimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Një nga këto gabime, ishte përjashtimi me shumë lehtësi, i Sejfulla Malëshovës, që ishte efektivisht njeriu më i përgatitur teorikisht, e me përvojë më shumë se 20-vjeçare, në Lëvizjen Komuniste. Një tjetër gabim, ishte fajësimi, dënimi i shokut tonë të mrekullueshëm, Nako Spiru, i cili ishte produkt origjinal i lëvizjes përparimtare, e më pas lëvizjes komuniste e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas përjashtimit të këtyre të dy personaliteteve të fuqishëm, me ndërhyrjen keqdashëse, sovjeto-jugosllave, Byroja Politike, e pa veten, më të dobësuar e më të paaftë, për të zgjidhur problemet e ndërlikuara të periudhës fillestare, të ndërtimit të jetës së re. Ajo u bë më e nënshtruar, pas humbjes së këtyre dy talenteve, gjigantëve, të mendimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Këtu, zë fill, ai nënshtrim i pafalshëm, i cili u duk se rilindi në Plenumin e Dytë të Beratit, që shpalosi shpresën, për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë hallemadh. Por, tronditjet e mëdha për PKSH-në, sa kishin filluar, me përjashtimin e Sejfullait nga Komiteti Qendror dhe akuzat monstruoze për Nako Spirun, të cilat e shpunë atë djalë me guxim të veçantë, në vetëvrasje.
Pas vetëvrasjes së tij, Komiteti Qendror i PKSH-së, humbi kthjelltësinë, largpamësinë, guximin, për të mos qenë e nënshtruar ndaj të huajve, humbi elokuencën e dy mendimtarëve dhe veprimtarëve të mëdhenj. Pra, Plenumi i Tetë i Komitetit Qendror të PKSH-së, ishte mbyllja e një etape të suksesshme të Partisë Komuniste Shqiptare, ndërsa, Plenumi i 11-të, ishte fillimi i etapës më të zezë, që do të vazhdonte deri në vdekjen e diktatorit. Ky plenum, shënoi kapitullimin e PKSH-së, ndaj gjithçkaje ogurzezë, e mundësoi uzurpimin e saj dhe e la klasën punëtore, efektivisht, pa partinë që duhej ta përfaqësonte në të gjithë rrugën e vet. Plenumi i 11-të i PKSH-së, i zhvilloi punimet e tij të tej zgjatura, nga 13-24 shtator të vitit 1948, në një situatë, tej mase të rëndë dhe shtypëse.
Anëtarët e Komitetit Qendror, në fakt, diskutonin me pasion e arrogancë, bërtisnin e lëshonin “rrufe e vetëtima”, sipas udhëzimeve që kishin marrë nga Enver Hoxha e, pasuesit e tij. Ne, u ndodhëm thuajse të papërgatitur, për ç’ka, po kurdiste grupi i Enverit, në prapaskenë. Për shembull, ndërkohë që Enver Hoxha, nuk luante nga Tirana, e dërgoi Koçi Xoxen, si të deleguar të Komitetit Qendror, në përkujtimin e themelimit të Brigadës së Parë Sulmuese, në Vithkuq të Korçës. Madje, miratoi edhe një udhëtim të Koçit, në Panarit e rrethina, për të kujtuar edhe një herë ato vende, ku ishte luftuar në kohën e Operacionit armik të Dimrit!
Në këtë kohë, unë, për herë të parë në jetën time të pas çlirimit, isha me pushime të zgjatura në Pogradec. Atje, Enveri bashkë me familjen tonë, dërgoi edhe Nexhmijen! Ç’të ishte kjo zemërgjerësi e Enverit, mos e shoqja e tij, do të luante rolin e vëzhgueses sonë të rreptë?! Enver Hoxha, gjatë gjithë kohës parapërgatitore të punimeve të Plenumit të 11-të dhe Kongresit të Parë, nuk lëvizi nga Tirana. Këto kohë, na ndërruan makinat, shoferët dhe shoqëruesit e grupit tone, me shoqëruesit e grupit të vet, për arsye që nuk është e vështirë të kuptohen. Plenumi i 11-të, revizionoi në mënyrë të kundra ligjshme dhe anti statuore, të gjitha dokumentet, deklaratat, rezolucionet, vendimet e të tjera, që nga Plenumi i Dytë i Beratit e këtej.
Ai e quajti Ministrin e Brendshëm, zëvendëskryeministrin dhe Sekretarin Organizativ të Komitetit Qendror të PKSH-së, si “përçues të vijës jugosllave” dhe se ai i përdori këto poste, për të venë partinë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Enveri, duke përdorur në parti metoda të drejtimit policor, ka shkelur rëndë centralizmin demokratik, si në parti, ashtu edhe në qeveri. Pasojat dihen. Tashmë, mungonte totalisht, fryma e kritikës dhe autokritikës parimore e, ishte dobësuar, disiplina e të tjera. Plenumi i 11-të, shpalli botërisht se, armiku kryesor i Shqipërisë dhe i gjithë njerëzimit, ishin imperialistët amerikanë dhe anglezë.
Titua, sipas vendimeve të Plenumit të 11-të, ishte udhëheqësi tradhtar, revizionist, armik i marksizëm-leninizmit, kampit socialist dhe vendit tonë. Këto, ishin deklaratat pompoze të këtij plenumi, që do të hidhte bazat e një persekucioni të gjatë gjysmëshekullor, që shënoi viktima të jashtëzakonshme, burgime, internime dhe zhdukje fizike, të mijëra e mijëra kuadrove, jo vetëm komunistë, por edhe atyre që mendonin ndryshe nga Enveri, apo idetë që propagandonte ai. Pra, në vend që të lulëzonte një demokraci e re, lulëzoi një diktaturë e shfrenuar dhe e paparë ndonjëherë, deri atëherë.
Dua të theksoj se, përpara zhvillimit të punimeve të Plenumit të 11-të, Enver Hoxha, mblodhi rreth vetes, pa dijeninë e Komitetit Qendror, një grup besnikësh të tij, si: Manush Myftiu, Hysni Kapo, Haki Toska, Peço Kagjini, Beqir Balluku, Behar Shtylla, Petrit Dume, Hito Çako, Spiro Koleka, e të tjerë dhe veçmas, lexoi e komentoi letrat “e famshme, dritëdhënëse”, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të cilat nuk kishin të bënin fare, me aktivitetin e PKSH-së, por ishin letra të firmosura nga Stalini dhe Molotovi, që akuzonin dhe stigmatizonin pa baza, shumë rëndë me epitetet “tradhtar, trockistë, renegatë, revizionistë, këlyshë të imperializmit, e të tjera”, Partinë Komuniste Jugosllave, Qeverinë Jugosllave dhe ushtrinë e saj
Ndërkohë, unë, Koçi, Naxhija, Nesti, Vaskë Koleci e të tjerë, nuk kishim absolutisht asnjë dijeni, për këto veprime të Enverit, i cili, këto dokumenta, i kishte marrë në rrugë kofidenciale, nga ambasadori Çuvahin, i cili ka patur për mision të tij special, ngarkuar nga Moska, që të mbante krahun e Enverit.
Cilat qenë masat shtrënguese që mori Enver Hoxha në prag të Plenumit të 11-të dhe Kongresit të Parë të PKSH-së?
Gjatë kësaj periudhe, u bë një ri dislokim i fshehtë i trupave të hequra nga zonat kufitare të Leskovikut, Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës, përreth qytetit të Korçës dhe kodrave të Tiranës, nën komandën e Pandeli Varezit, i cili, siç kam mësuar më vonë, u dënua nga Gjykata Ushtarake, me 25 vjet burg. Kështu, trupat e komanduara prej tij, u vendosën përreth kodrave të Saukut, Kasharit, Petrelës dhe mbanin nën vëzhgim qytetin e Tiranës. Patrullat ushtarake të këtyre reparteve, lëviznin në kryeqytet dhe shpeshherë, ndesheshin natën me ato, të policisë. Veç kësaj, për të larguar nga Tirana, trupat e policisë, që vareshin nga Ministria e Punëve të Brendshme, e që quheshin besnikë të grupit të Koçi Xoxes, u dërguan, si forcë krahu e thjeshtë, për të punuar në hekurudhën Durrës-Tiranë.
Pandeli Varrezi, tregon se si Hito Çako, që ishte në atë kohë komandant i Garnizonit Ushtarak të Tiranës, ishte i pakënaqur, me këto veprime, që binin ndesh me rregullat e paracaktuara ushtarake. Ai, pyeste vazhdimisht, plot nervozizëm: “Kush të ka sjellë ty në Tiranë? Ç’bën ti, këtu, me këto patrullat e tua”, e të tjera e të tjera. Ndërsa në Korçë, forca të tjera, ishin vendosur në Boboshticë, Drenovë, Mborje, e Voskop dhe mbanin nën vëzhgim qytetin, pa dijeninë e askujt. Madje, për këtë dislokim të paligjshëm, nuk dinte gjë, as Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. Tashmë, unë di shumë hollësira, për këto dislokime dhe kjo është e vërteta, por ç’vlerë do të kishte analizimi me hollësi, i të gjitha veprimeve të mbrapshta të atyre ditëve, që, veç vlerës historike, nuk kanë asnjë vlerë tjetër.
Për mendimin tim, e them këtë, pasi jam menduar gjatë, atëherë, ishte duke u përgatitur në fshehtësi, një grusht shteti ushtarak, nën drejtimin e Enver Hoxhës, si Komandant Suprem, apo Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PKSH-së, i cili mbeti në tentativë, sepse nuk kishte asgjë të tillë, nga ç’pretendonte ai. Në plenum, diskutova edhe unë. Me naivitet, bëra edhe autokritikë, ç’ka ishte e pavlerë, sepse pas plenumit, nuk u paraqita më në punë, pasi u vumë nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Si i manipuloi Enver Hoxha shokët e vjetër të Grupit Komunist të Korçës, për t’ju kritikuar ashpër në mbledhjen e aktiveve të Partisë në rrethe?
Pas kësaj, nëpër qarqe, vazhdonin aktivet e Partisë për të vënë masën e gjerë të komunistëve në dijeni, sipas dëshirave të Enverit, për vendimet dhe rezolucionin e Plenumit të 11-të. Në aktivin e Partisë në Korçë, ishin të pranishëm, përveç Enverit dhe grupit që e shoqëronte atë, edhe Koçi Xoxe e unë. Në kritikat e paskrupullta, që na bëheshin nëpër aktive, e konkretisht edhe në atë të Korçës, madje nga shokët tanë, militantë të vjetër, si: Miha Lako, Pilo Peristeri e të tjerë, ne stigmatizoheshim me epitete nga më monstruozët. Për shembull, partizania e vjetër, Efti Iftica, pyeti presidiumin: “Çfarë deshte të bënte Koçi Xoxe me gjithë këto kritika që i atribuohen atij?” Në këtë moment ndërhyn, Pilo Peristeri, një veteran i Grupit Komunist të Korçës, me të cilin kishim ndarë të gjitha hallet e kohës së Mbretërisë, pushtimit dhe të luftës dhe thotë: “Nuk e kuptoni?! Jau them unë. Desh të bëhej Mbret…”!
Në këtë aktiv, vetëm Nesti Gambeta, i doli në mbrojtje Koçi Xoxes dhe e ftoi Enverin, që të tregohej më shoqëror, por kjo mbrojtje e Nestit, ishte si një pikë uji në oqeanin e helmuar, të shpifjeve dhe të akuzave. Dua të rrëfej edhe një rast tjetër, të cilin e mësova nga i mrekullueshmi Xhavit Qesja. Pasi dolëm nga burgu, Xhaviti, më foli për një gjë interesante që kishte ndodhur në aktivin e dikastereve, Tiranë. Sotir Vullkani, një nga themeluesit e Grupit Komunist të Korçës dhe të Partisë Komuniste Shqiptare, i porsa kthyer nga Gjermania, ku ishte për shkëmbim përvoje, në përbërje të një delegacioni të ministrisë së Punëve të Brendshme, i indinjuar nga përmbajtja e diskutimeve të delegatëve, ku, po punoheshin materialet e Plenumit të 11-të, u takua me Enverin dhe i tha se; këto probleme dhe akuza që ai ngrinte kundër Koçit, Pandit e të tjerëve, janë gabime që i kishin bërë të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror, ndaj propozoi, që këto të zgjidheshin mes tyre dhe të mos shtroheshin në plenum, se, sipas tij, përveç fjalëve, nuk kishin asnjë vlerë tjetër. Sotiri, i rekomandoi Enverit që fundja, të zgjidhnin një Komitet Qendror të ri, e këtu merrnin fund të gjitha.
Gjatë kësaj kohe a kini pasur ndërhyrje provokative nga ndokush?
Sulmi i grupit të Enver Hoxhës, vazhdonte sipas porosive të ardhura nga Moska. Kam një rast flagrant. Më vjen në zyrë, Spiro Koleka dhe më thotë: Të pret në takim ambasadori sovjetik, Çuvahin, për të biseduar rreth diskutimeve me Koçi Xoxen, rreth problemeve që shtroheshin në materialet e plenumit. Unë ju përgjigja negativisht ftesës, nëpërmjet të tretëve, që më bënte ambasadori sovjetik, duke i thënë Kolekës se, nuk kisha përse të shkoja tek ai. Nuk kisha biseduar asgjë, rreth këtij problemi me Koçin. Këtë rast, po e përmend për të vërtetuar atë, se jo vetëm ambasada ruse, po kryente veprime të paligjshme e të pazakonta në praktikën diplomatike ndërkombëtare, aq më tepër, midis dy vendeve, që e quanin njëri-tjetrin, mëmë e vëlla.
Këtë e deklaroj, për të treguar se, kishte kohë që ishte vënë në jetë skenari Stalinist i goditjes së madhe, kundër Titos dhe Partisë Komuniste Jugosllave, konflikt ky, me përmasa kontinentale, e që do të merrte, nën rrënojat e tij, shumë e shumë njerëz, në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Hungari, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, Poloni, dhe ca më shumë, akoma në vetë Bashkimin Sovjetik. Plenumi i 11-të, u finalizua me punimet e Kongresit të Parë të PKSH-së, për të cilin kam një përshtypje tepër të hidhur, në përvojën time jo të vogël, në Lëvizjen Komuniste.
Ç’përfaqëson Kongresi i Parë në historinë e PKSH-së dhe cili është mendimi juaj për të
Kongresi i Parë i PKSH-së, i cili u zhvillua nga 8 deri në 22 nëntor të vitit 1948, ku morën pjesë rreth 550 delegatë, me të drejtë vote dhe 300 delegatë, me të drejtë vote konsultative, që përfaqësonin afërsisht 45.000 anëtarë dhe kandidatë partie, do të ishte një kopje e zmadhuar e punimeve të Plenumit të 11-të. Por, do të thoja, një kopje më cilësore, sepse provat gjenerale të tij, ishin bërë në aktivet e partisë, në qarqe, në njësitë ushtarake dhe në Plenumin e 11-të. Ky kongres, kishte për rend dite, raportet: “Mbi punën e Komitetit Qendror dhe detyrat e reja të PKSH-së”, “Mbi planin ekonomik të shtetit”, “Mbi çështjet organizative dhe të projekt-statutit të partisë” dhe zgjedhjet e Komitetit Qendror të ri, e Komisionit të Revizionimit.
Mbaj mend që, qëndrova vetëm ditët e para, pastaj u largova, sepse nuk mund të duroja, për trembëdhjetë-katërmbëdhjetë ditë, shtrembërimet, të bërtiturat dhe akuzat, nga më monstruozet. Jam i bindur se, kur t’i lexojnë brezat e ardhshëm, nëse do të kenë durim, materialet e Kongresit të Parë të PKSH-së dhe atyre që vazhduan më pas, do të habiten me manipulimet dhe prapështitë e gjyshërve të tyre, që patën guximin ta çlirojnë Shqipërinë, nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit dhe po me kaq “guxim”, të shkatërrojnë atë, që me shumë gjak e sakrifica, e fituan në ditët e zjarrta të Luftës. Veç të tjerave, dua të them se, sipas vlerësimeve që bënte Xhavit Qesja, pas lirimit nga burgu, në ato ditë të pakta, që mundëm të takoheshim dhe të bisedonim së bashku.
Ky njeri, që ishte lidhur me problemet e Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PKSH-së, e sidomos personalisht me Koçin, m’a përforcoi mendimin, se raportin e këtij kongresi: sipas tij, pjesën për lindjen dhe zhvillimin e Lëvizjes Komuniste në Shqipëri, krijimin dhe aktivitetin e Grupit Komunist të Korçës, apo, themelimin e PKSH-së, e ka shkruar në plazhin e Durrësit, personalisht Koçi Xoxe. Këtë pjesë të raportit, si dhe pjesë të tjera të tij, Enver Hoxha, i mori dhe i përdori tekstualisht ashtu, në raportin që mbajti në kongres. Kongresi i parë i PKSH-së, zë një vend të veçantë në historinë e Partisë, por le të mos harrojmë, jo sipas deklarimeve të Enverit, që shënoi një kthesë të madhe në jetën e Partisë dhe të vendit. Përkundrazi, ky kongres, shënoi fazën fillestare të rrugës stalinisto-enveriste, që do të ndiqte për më shumë se 45-të vjet, Shqipëria dhe PPSH-ja, e që në themel të saj, do të ishte diktatura enveriste e bazë, lufta e klasave.
Nuk kishte më të turpshme, kur lexova në internim kushtetutën e trumbetuar me aq bujë nga Enver Hoxha e lakenjtë e tij: “Shqipëria është shteti i diktaturës së proletariatit”. A mund të mburrej kush me këtë cilësim, me këtë deklaratë? Kurrsesi jo. Në kongres, pati edhe shokë, që hapur edhe heshturazi nuk i mbështetën kurrë, materialet e këtij kongresi të përbindshëm, i cili, vulosi vijën diktatoriale të Enverit, e cila vazhdoi deri në vdekjen e tij. Këto që po them, vërtetohen edhe me faktin, se nga ajo periudhë e “lavdishme” e sundimit enverist, tashmë, ka mbetur vetëm pluhuri i atij mali të madh me shkresurina, e vepra “madhështore, dritëdhënëse, udhërrëfyese, jo vetëm për ne, por për të gjithë botën”, nuk duhet të harrojmë se sipas Enverit, ne ishim: “feneri ndriçues i të gjithë globit”.
Kjo tregon se sa false, e sa hipokrite ishin këto slloganë, e qindra tonë bojë është shpenzuar kot. Në këtë mënyrë, nuk dua të them kurrë, se si se në kohën e Republikës Popullore të Shqipërisë, është bërë vetëm punë e keqe dhe e zezë, kurrsesi jo. Populli dhe klasa punëtore e Republikës Popullore të Shqipërisë, apo Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, siç e riemëroi shtetin tonë, njëri nga kongreset e PPSH-së, punoi me dinjitet dhe tepër i preokupuar dhe ndërtoi me shumë sakrifica, vepra të mëdha, rrugë të shumta, hekurudha, tharje kënetash, zhdukja e analfabetizmit dhe e malaries, elektrifikimi dhe telefonizimi i vendit, arsimimi masiv i popullsisë, mjekimi falas e të tjerë e të tjera.
Por, nuk duhet të harrojmë kurrsesi, se vendi ynë u shndërrua në një kamp të madh, rrethuar me tela me gjemba, i ndarë faktikisht nga bota e civilizuar, ku nuk ekzistonte, dhënia pa kufizim e pasaportave për udhëtime jashtë shtetit, ku bënte ligjin agjitacioni dhe propaganda armiqësore e, persekutohej pa asnjë ngurrim jeta, ëndrrat e të rinjve shqiptarë, ku në çdo hap mbizotëronte, i plotfuqishmi i lagjes dhe operativi i Sigurimit, ku nuk zbatohej asnjë e drejtë, apo liri e individit. Unë deklaroj, se do të isha plotësisht dakord, me ndëshkimin dhe persekutimin tonë, nëse, do të vinte një kohë më e mirë e më demokratike, se koha kur ne ishim në udhëheqjen e shtetit, por fatkeqësisht, ndodhi krejt e kundërta.
Deri sa vdiq Stalini, diktatura komuniste, lufta e klasave vazhdoi me tërbim deri në zenit, e mandej, kur me guximin dhe kurajën e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u zhvilluan punimet epokale të Kongresit të XX-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe kur lindi shpresa, se edhe në Shqipëri, ashtu siç ndodhi në vendet e tjera të Lindjes, do të riparoheshin e do të rehabilitoheshin kuadrot, që e kishin pësuar nga ato shtrembërime e akuza të përbindshme, që u bënë ndaj tyre. Por, shpejt, kjo shpresë u venit e u shua përfundimisht, si rezultat i qëndrimit, herë lajkatar e dredharak, e herë konservator e ekstremist, të Enver Hoxhës dhe grupit të tij, por edhe për neglizhencën e pafalshme të Nikita Hrushovit e, specialistëve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bolshevike të Bashkimit Sovjetik, për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Demokracisë Popullore.
Atyre nuk u falet mefshtësia dhe indiferenca për këto vende, ndërkohë që, në Bashkimi Sovjetik dhe në jetën e partisë dhe qeverisë së tij, u bënë ndryshime të mëdha epokale. Si ishte e mundur që, regjimi diktatorial enverist, u la i lirë të sundonte në Shqipëri?! Këto do të thoja unë, për punimet e Kongresit të Parë të Partisë, që përfundoi me arrestimin tim dhe të grupit të ashtuquajtur të Koçi Xoxes, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1948, në prag të festës kombëtare të Jugosllavisë, ndërkohë, që i kishim marrë ftesat, për të shkuar ne selinë e ambasadës jugosllave. Më kujtohet si sot, ajo ditë kur më thirrën në Komitetin Qendror, gjoja, për një punë të rëndësishme, dhe aty, në godinën e përdhosur të Komitetit Qendror, ku ishin arrestuar e do të arrestoheshin sa e sa të tjerë pas meje. Unë e ndjeja dhe isha i përgatitur shpirtërisht, se kjo dramë e dhimbshme do të ndodhte…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm