Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzetetetë
Memorie.al Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Marok, 31 Janar 1943
Për 10 ditë rresht, Franklin Roosevelti, Winston Churchill dhe Shtatmadhoria Anglo-Amerikane, u mblodhën në Casablanca në konferencë. “Atje kanë qenë edhe gjeneral De Gaule dhe Cirauld. Thuhet se ishin edhe disa vende neutral, si Spanja dhe një përfaqësues Filandez”. Konferenca mbaroi dhe Presidenti Roosevelt, mbërriti në Amerikë.
Për Churchill-in s’dihet gjë ende. Ushtarakët vazhdojnë konferencën e tyre. Në konferencë duket se u vendosën planet e vitit 1943 dhe u studiua veçanërisht lufta e nëndetëseve. U lajmërua se Fuqia Aleate, nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Boshtin, përveç një dorëzim pa asnjë konditë. Çështja franceze bëri pak përparime dhe u vendos ose mbetën që të dy grupet, të kenë një lidhje midis tyre. Komandanti i përgjithshëm i Forcave Aleate në Afrikë, është amerikan, gjenerali Eisenhawer. Kryetari i Shtatmadhorisë së Përgjithshme, është britanik, gjenerali Mountgomery dhe Komandanti i Forcave, franceze është gjeneral Cirauldis, shtetas francez.
Ndryshimet në Komandën e Ushtrisë të Afrikës, shpjegohen si prove, që përgatitet jo vetëm sulmi kundrejt Tunizisë, por edhe kundrejt Ballkanit dhe ishujve italianë. Gjenerali Catroux u emërua prej gjeneralit De Gaulle, si oficer lidhës me gjeneralin Cirauld. Kjo bën që gjendja të përmirësohet.
Thuhet se u bë një marrëveshje midis gjeneralit Cirauld dhe gjeneralit De Gaulle, në bazën e së cilës, i pari merr punët ushtarake, kurse i dyti, merr punët politike të Perandorisë Franceze. Gjenerali Catroux, mbetet si ndërlidhës i të dy shërbimeve.
Jugosllavi, 24 Janar 1943
Tani na vjen një situatë në Jugosllavi, e cila është e lidhur me situatën shqiptare: Duket se gjendja midis çetave të gjeneralit, Drazha Mihailoviç dhe të çetave partizane, është shumë e ashpërsuar. Ku çetat sllovene, kanë akuzuar Mihailoviçin si në lidhje me fashistët e gjeneral Nediçit. Duket se ndryshimi i fundit i Qeverisë Jugosllave në mërgim, kishte për qëllim të merren dhe dy kroatë. Kjo për të afruar pak kroatët që janë të zemëruar. Gjendja politike nuk u zgjidh akoma, në mes francezëve të lirë. Janë bërë disa arrestime të reja, ku u diktua një komplot për vrasjen e gjeneralit Cirauld dhe të ministrit amerikan, Murphy. Gjenerali de Gaulle, i bëri një propozim gjeneral Cirauld, për të gjitha forcat franceze. Pritet që ky propozim, do të sqarojë krejtësisht gjendjen me një mënyrë ose me një tjetër.
Stamboll 22 mars 1943
Madhëria e Tij, Mbreti Zog I-rë, dërgon një telegram udhëzimesh kolonel Husein Selmanit, në Legatën Shqiptare Istanbul. Në atë telegram, thuhet: “Kam marrë raportin tuaj të fundit, stop. Jam duke bërë të gjitha demarshet për shkuarjen tuaj në Shqipëri, stop. Mos humbni kontaktin me njerëzit në Shqipëri, stop. Bëni çështë e mundur për bashkim, stop”.
London, 22 Mars 1943 ZOG I-rë
Mesazhi i Mbretit Zog, drejtuar popullit shqiptar nga Londra
Madhëria e Tij, Mbreti Zog, bëri këtë mesazh që ja drejton popullit shqiptar, brenda dhe përjashta. Ky është teksti origjinal i mesazhit:
SHQIPTARE
“Po mbushet vjeti i katërt i okupimit të vendit tonë, prej anmikut të përbashkët dhe të popujve demokratik. Neve e kemi luftue invadorin dhe po e luftojmë ende. Por duhet që, edhe e drejta jonë, të përfshihet në Familjen Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkueme, pse n’as një mënyrë, nuk asht ma e vogël, se sa ajo e të tjerëvet.
Për arsye të çastit politik, na ende mbetemi jashtë. Të besojmë në kuptimin e drejtësisë të Britanisë së Madhe e, të Shteteve të Bashkueme dhe të Rusisë Sovjetike, e n’ato të Kombevet të Bashkueme e, t’intensifikojmë përpjekjet tona, për me sigurue me pranimin e Shqipnis me nji Qeveri Legale, si nji aliate e Demokracive. Kjo asht mënyra ma e mira, me sigurue independencën e vendit tone, me kufit kombëtarë.
Ekzistenca e bashkimit tonë të shpejt, rreth të drejtës Legale të Shqiptarëvet, asht nji armë e madhe për luftimin tonë. Çdo shqiptar, ka vendin e vet në kët bashkim, pa dallim qëllimi politik ose shoqënuer. Për kët arsye, i ftoj të gjith ata shok bashk-atdhetar, pa përjashtim, me riforcue kët bashkim për me sigurue integritetin dhe indipendencën e Atdheut tonë.
Siç e kam shpall publikisht në Paris 1940 dhe në mesazhin tonë 1942, drejtues shqiptarvet të jashtun se, sapo të jetë vendi i ynë tanësisht i lirë, do të zgjidhet lirisht dhe demokratisht nji Asemble Kombëtare, prej popullit shqiptar. E cila do të ftohet me një here, me vendue regjimin politik e shoqënuere, të Shqipnisë së re.
Me kët shpirt, un jam gati me bashkpunue me të gjithë ata Shqiptar, që janë të gatshëm me luftue, për indipendencën dhe kufit e Atdheut tonë. Dhe, kërkoj prej jush, mos me u shmangë sakrificave, mbasi vllaznit tonë, nuk po kursehen me derdhe gjakun e tyne nër malet tona”.
Parmoor Henley Londër, 7 Prill – 1943
ZOG I-rë
Telegram Kenmore 6780
Albanian Orthodox, Church in America
Boston Massachusetts, 27 Maj 1943:
Your Majesty
Unë jam shumë i nderuar, për të pasur letrën tuaj dhe për të thënë, sepse koha nuk është shume larg, kur ne mund të takojmë njeri-tjetrin, për çlirimin e vendit. Le të shpresojmë se, do të jetë shpejt sepse, ne kemi shumë gjëra për të biseduar dhe është shumë e vështirë, për të ndryshuar pikëpamjet vetëm nëpërmjet postës.
Ndërkohë, unë kam shumë nevojë për t’ju siguruar se do të kemi shumë bashkëpunime për Frontin e Bashkuar shqiptar nën drejtimin tuaj. Dhe, në opinionin tim, kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë dhe po ashtu edhe Kombet e Bashkuara. Unë, jam duke shkruar me detaje nëpërmjet mikut tim, Z.Sotir Martini.
Gazeta “Times”, 9 korrik 1943
“Gazeta ‘Aksham’, boton një artikull të drejtorit, Zotni Nexhmedin Sadek. Ai shumë herë shpreh pikëpamjet e Ankarasë, në të cilën ai diskuton konditat, që Aleatët mund t’i venë Italisë. Excellenca e tij Sadek thotë se: “Turqia nuk ka dëshirë as të drejtë të përzihet me konditat e paqes, që fituesit do t’ju imponojnë të mujtunve si në luftërat e tjera. Por, duke qenë se vetë ajo, interesohet për paqen dhe veçanërisht në rrethin që ka të bëjë me sigurimin e saj. Turqia do të ndihmojë që të ndreqen hajdutllëqet ndërkombëtare, që u bënë në kurrizin e Shqipërisë dhe do të jetë në favor, të dëbimit të Italisë prej Ballkanit”.
Angli, 11 korrik 1943
Gjeneral Sikorski vdiq në një incident ajror të aviacionit dhe nuk u kthye nga Afrika. Zëvendësimi i tij, shkaktoi disa vështirësi. Në fushën ushtarake, u zëvendësua prej një gjenerali. Në formimin e Qeverisë, u ngarkua një anëtar i partisë katundare, i cili ka qenë Nën/Kryeministër. Duket se në mes të këtij të fundit, e të kryetarit të Republikës, ngjau një moskuptim, ose të themi një mosmarrëveshje.
Të gjitha çështjet e brendshme në Ingliter, si presione e tjera, u lanë mënjanë prej evenimentit ushtarak të javës që kaloj, nga vdekja e gjeneralit Sikorskit.
Stamboll 12 qershor 1943
Kolonel Husein Selmanit, në këtë ditë në shtëpi, i mbërrin shefi i Zyrës së Informacionit Britanik Z. Kameron. I cili i dorëzoi një letër të Mbretit Zog, nga Londra, ku i ka shprehur: “I dashtuni kolonel i im. Mora raportin tuej, më 5 Maj 1943. Jam shumë i kënaqur, që po shoh se keni mbetun gjithmonë po ai oficer luftëtar, që u kam njohur ka mot. E pëlqej propozimin tuej, që të shkoni në Shqipëri. Bile, më duket së udhëtimi juaj, është i ngutshëm e i domosdoshëm.
Veprimi juej në Atdhe, ka për të qenë organizimi e shtimi i antarëvet e drejtim i guerillavet mbas planit të përgjithshëm dhe direktivave të Komandës Britanike, me të cilën do të jeni në kontakt. Keni për të pasun rast edhe me bindun miqt tanë britanikë, që pretendimet e disa ish nënpunsave të pakënaqur, se gjoja nuk paskemi përkrahjen e popullit tone, janë pa themel.
Veprimi juej për tash, do të ketë një karakter çetash, pa marrë hovin e gjoksin e një kryengritje turmash, se ndryshe, po të plaste para kohës një lëvizje e ktillë, do të dilte e damshmë, si për ne vetë, po ashtu edhe për miqtë tonë britanikë. Mbasi të gjitha mundësitë tona, duhet t’i ruejmë për çastin ma’ të volitshmin, për mos me i shkuem kot pa kohë. Po, në këtë mënyrë, i kanë udhëzimet e mija edhe njerëzit tonë në Shqipni. Kur të vijë dita e veprimit të madh, keni për të marrë prej meje, urdhrin e nevojshëm. E ndoshta kam me qenë edhe vetë, në mest tuej.
Ndërkaq, unë kam besimin ma të plotin në juve, personalisht e në besnikërinë tuej. Ju dërgoj përshëndetjet e mija të përzemërta.
Parmoor Henley – 8 Qershor – 1943
ZOG I-rë
Rekomandime special, nga Mbreti Zog
- Nisja e juej, duhet të mbahet e mshefët. Gjithashtu dhe largimi jueje prej Istanbuli, deri sa të mbërrini në Shqipni. Gjithë miqtë e të afrit tuej, duhet mos me dit kurgja. Përveç jush vetëm, e gjithashtu dhe zyra e Shërbimeve kompetente britanike, asht në dijeni. Kjo asht e nevojshme, për sigurimin e juej, se për mbi juve, varet suksesi i operacionit dhe sigurimi i miqve që janë me juve.
- Përkthyesi, që do të merrni eventualisht me vedi, duhet mos të ketë asnji lidhje me rrethin e agjentave të anmikut.
- Tue marrë parasysh, kapacitetin e zgjutësinë e madhe të gjeneral Parianit, e sidomos ndër elementat e Shërbimit të Informacionit të tij, duhet me qenë shumë i rezervuem komplet, kundra njërzvet në shërbimin e tij.
- Në Shqipni, duhet të merrni kontakte, me tanë oficerët e kreshnikët, e gjithashtu me gjith komitetet dhe me ata që deklarojnë, të jenë kundër nesh. Vetëm duhet me kujdes me u rujtun prej miqëve të anmikut. Tash duhet me i harrue të gjith anmiqësitë personale, po me bashkpunue vllaznisht. Për arsy se, ky asht një qëllim e nji mision seriozë, e importantë.
- Ma vonë, kam për me ju vue në lidhje me Krenët e Kosovës”.
Parmoor Henley – 8 Qershor – 1943
ZOG I-rë
“Lexova letrën e Mbretit dhe detajet që më urdhëronte. Pastaj i kërkova Shefit të Zyrës Britanike të Informacionit, që të rrinte për drekë dhe kuptohet, Z. Kameron pranoi me kënaqësi”. Aty të dy personalitetet, do të bisedonin për të gjitha. Ndërmjet të tjerave, Z.Kameron, më tha se: Gjenerali Aleksandër në Kairo, pret një përgjigje prej jush. Të njëjtën letër ka edhe ai, e më duket se duhet pak shpejt. Pastaj edhe njerëzit që do të vijnë me ju, ndodhen në Kairo”.
Unë iu përgjigja:
- I parashtroj nderimet e mia gjeneralit Aleksandër, se që sot, jemi gati për t’u nisur në shërbimin e urdhëruar të cilin, e kam pritur me kohë dhe e kam dëshiruar që të jemi në shërbim me Armatën tuaj, kur janë interesat e përbashkëta.
- Siç ju thashë, unë jam gati për t’u nisur dhe nuk e shoh të nevojshme, që të marr shumë oficerë me vete. Kjo sepse i kemi të gjithë atje në Shqipëri. Prej këtej, do të marr 4 oficerë, që është e nevojshme të jenë në Shqipëri.
- Siguroni gjeneralin se, miqtë tanë britanik, që kanë për të qenë në krye të këtij misioni, në çdo pikëpamje, kanë për të qenë të sigurt, as që kanë për të ndierë asnjë vuajtje, për asgjë dhe këtë përgjegjësi, e marr unë përsipër.
- Ju jap fjalën se, në mes të grupeve të ndryshme, sot në Shqipëri, ka për të mbërritur një bashkëpunim vëllazëror, gjithmonë në udhëzimet që Armata shpëtimtare Britanike, ka për të na kërkuar. Ne do të jemi si një pararojë e rregullt, me një fuqi mjaft të konsiderueshme dhe përveç kësaj, kam bindjen se shërbimi, do të arrihet në tepër se ç’dëshirohet.
Tani besoj se u mirëkuptuam. Këto ia parashtrova Exelencës së tij, gjeneralit Aleksandër. Mbetem në pritjen e urdhrave dhe është e vërtetë se, na kërkojnë me këmbëngulje që të shkojmë në Shqipëri, (si fakt, i thashë kapiten Avni Dërallës, që të lexonte raportin e fundit).
Kuptohet se shefi i Zyrës së Informacionit Britanik, Z. Kameron, mbeti shumë i kënaqur. Të njëjtën gjë, të cilën i propozova gjeneralit Aleksandër, me anën e misionit britanik, po këtë i parashtrova edhe Mbretit Zog në Londër. Me këto fjalë, Kameroni kërkoi leje e shkoi. Po me anën e Kameronit, i parashtrova një telegram shifër Madhërisë së tij Mbretit, në Londër, duke i vënë në dijeni se, i mora letrat dhe se jam në kontakt me Komandën në Kairo dhe kuptohet se gati për t’u nisur. I kam parashtruar kopjen e letrës, që i dërgova gjeneralit Aleksandër në Kairo, si edhe për Murat Kaloshin, Avni Dërallën, Haxhi Xhilagën, Rexhep Radomirën, që do t’i kem me vete. “Askush deri sa të mbërrijmë, nuk ka për të kuptuar kurgjë, mbi nisjen tonë” – premtoi ai.
Stamboll, 17 Qershor 1943
Shefi i Zyrës Britanike në Stamboll, Mr. Kameron, më vjen dhe më komunikon se, gjenerali Aleksandër, është tepër i kënaqur prej fjalëve burrërore që i kishim premtuar. Ai më dha këtë urdhër: “Është duke përgatitur kohën e udhëtimit. Rrini të gatshëm se sa të jetë rasti, do t’ju thërras në Kajro, aty ka për t’ju prezantuar edhe misionin britanik, që do të vijë me ju. Veçanërisht, aty do të merrni të gjitha instruksionet mbi veprimin në Shqipëri”.
Këto ishin fjalët e Kameronit. Natyrisht që ne, tani ishim të gatshëm dhe kishim vënë në dijeni miqtë tanë, se po bënim një shëtitje deri në Adana e Urfa të Andaollit, për mos i dhënë të kuptonin asgjë në humbjen tonë, për sa ditë që nuk do të ndodheshim aty.
Stamboll, 28 Qershor 1943
Më vjen një telegram në dorë nga Z. Kameron, Shefi i Informacionit Britanik. Ai më lexoi diçka, ishte një letër nga Komandanti i Armatës Britanike të Mesdheut, gjenerali Aleksandër. Ja përmbajtja e letrës:
“Të pyetet kolonel Hysen Selmani, se çfarë mjetesh ka për të hyrë në Shqipëri që të rregullohemi edhe me misionarët tanë, (pres sonte, përgjigje)”. Kjo ishte një gjë krejt qesharake, natyrisht i thashë këtë përgjigje: “Kolonel Hysen Selmani, nuk ka mjetet të tij në dispozicion, por është gati për t’u nisur me ajër, me det, me këmbë, me çdo mjet që ta ketë më të kollajtë. Së paku të dalë në ndonjë breg të tokës shqiptare dhe kudo atje do të ishte në gjendje të marshonte në këmbë. E nuk duhet të vonohemi, se kemi vënë në dijeni disa qendra tonat në Shqipëri dhe do të nisemi bashkë me miqtë britanikë”.
Zoti Kameron, mori këto shënime dhe më tha se menjëherë do t’ja parashtrojë gjeneralit Aleksandër në Kajro. Pastaj, ai mori leje dhe doli. I dhashë kapiten Avni Derrallën me vete, bashkë me një telegram shifër për Madhërinë e Tij, Mbretin Zog në Londër, duke e vënë në dijeni, mbi këtë që më kërkon gjenerali Aleksandër.
Si shkuan Kamerioni dhe Avniu, ju thashë shokëve: I bëra të njohur Murat Kaloshit e Haxhi Xhilagës, po ashtu dhe Rexhep Radomirës, se më habiti ky ndryshim i gjeneralit Aleksandër, sepse Komanda Britanike në Mesdhe, i ka të gjitha mjetet si aeroplanët dhe nëndetëset e tjera. Por kjo më lë të dëshiroj, që mos të jetë ndonjë mënyrë pengimesh prej kujtdo që dëshiron që ne të jemi brenda në Shqipëri. Dhe këtë, vetëm nëse ka rënë në veshin e komunistëve, por le të shohim përgjigjen”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016