Nga Hysen Selmani
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Gazeta “Daily Sketch London” 17.03.1942
“Mbreti Zog dha një këtë intervistë reporterit ‘Norman Hillson’, kujton adjutanti. ‘Do të desha që çdo njeri të kujtojë – tha me këmbëngulje – se vendi im, Mbretëria e vogël e Shqipërisë, ka qenë ajo, që e para i bëri një qëndrim një fuqie të armatosur me mjetet e reja të sulmit botëror. Kur u sulmua prej Italisë, pa lajmërim të premten e zezë 1939, megjithëqë kishim me atë një pakt mossulmimi, ne kundërshtuam me luftë. Nuk kishim asnjë shpresë, s’kishim tanke, aeroplanë, ose artileri, ndonjë gjë që të shënohet. U mundëm, por të paktën u munduam të rezistojmë. Deklaruam luftë. Shqipëria është në luftë dhe do të mbetet në luftë”. Bisedova me Mbretin, citohet gazetari, – dhe sugjestionin që kishte pas lënë Shqipëria, duke marrë me vete një shumë të madhe parash.
Mbreti u përgjigj: “Unë dhe Qeveria ikëm me afro vetëm 30.000 sterlina. Kjo shumë u përdor për Qeverinë provizore në Stamboll dhe për mbajtjen e disa Legatave prej të cilëve mbetën vetëm dy në Ankara dhe në Kairo. Kjo shumë e vogël mbaroi prej kohe.
Asnjë diplomat shqiptar s’merr rrogë tani. Është i kënaqur të dijë se, është duke punuar për Shqipëri. Jam një mërgimtar, por dëshiroj të shpjegoj pozitën time dhe pozitën e gjithë shqiptarëve. Jemi fortësisht me anën e Aleatëve dhe besojmë në fitoren përfundimtare aleate. Shqipëria e kishte kuptuar se s’mund të ekzistonte një miqësi e vërtetë me Italinë Fashiste, pas sulmimit kundrejt Abisinisë. Zemrat e tyre ishin gjatë luftës së zorshme dhe të barabartë me heronjtë abisinianë. Në Prillin 1939, Shqipëria u sulmua po prej atij shpendi të egër dhe pas pak, patën eksperiencë prej fatkeqësisë së luftës kundër armikut. Bashkatdhetarët e mi po luftojnë në male, katunde dhe në qytetet e Shqipërisë”.
Nga Pakistani dhe Damask Syrie
Më 1 Shtator 1928, Asambleja Konstituente e plotë në Tiranë, rivendosi Monarkinë Shqiptare duke zgjedhur Ahmet Zogun, si ZOG i I-rë Mbret i Shqiptarëve. Shumë shtete dërguan Misione Diplomatike dhe Legatat shqiptare u vendosën në kryeqytetet e Evropës dhe të Amerikës, e të tjera vende në Orient. E sidomos në Britaninë e Madhe. Të gjitha këto janë prova, se sipas ligjeve ndërkombëtare, Shqipëria ishte një shtet indipendent, i njohur nga Lidhja e Kombeve. Më 7 Prill 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë isha në Romë, prej më parë se një jave.
Kur dy ditë para sulmit, ambasadori britanik i tha Ministrit të Jashtëm Italian, Çiano se; çështja shqiptare, mund të cekte “Status-quo” në Mesdhe, siç e kishte caktuar marrëveshja e dy Fuqive, më 16 Prill 1938, ku mori sigurime se Italia do të respektonte krejtësisht independencën shqiptare. Dy ditë pas këtij sigurimi solemn, erdhi sulmi fashist Italian kundër Shqipërisë. Kur Konti Çiano i thoshte se duhet të bëhet një deklaratë mbi sulmin Italian kundër Shqipërisë, ai tha se; “Aveniri i vendit, varej prej vullnetit të popullit shqiptar”. A nuk ishte kjo një tallje për Europën?!
Parlamenti Shqiptar, i mbledhur në kryeqytetin në Tiranë, vendosi të rezistojë dhe i besoi Mbretit Zog, mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, sipas Statutit të vitit 1928. Ai edhe e veshi me fuqinë e përfaqësimit të shtetit dhe jashtë atdheut, bashkë me Qeverinë e tij, për të mbrojtur interesat e Atdheut. Shumë protestime, janë bërë prej botës muhamedane, kundrejt krimit Italian dhe megjithatë Lidhja e Kombeve, mbylli sytë.
Duke mundur të kujtohen përsëri me plot frymë prej Lartësisë së Tij, Aga Khanit, i cili fliste në emrin e gjithë Muhamedanëve dhe i dyti prej demonstratave popullore, në Damask Sirie. Atje, ku Flamurët Islamikë të ulur, u bënin fjalime ku thuhej: “Ka vetëm një perëndi”, dhe se “Musolini është armiku i Zotit”.
London 14.03.1942, Aga Khani
Stamboll, 8 prill 1942
Për këtë datë, kujtohet se: Ministri Turk, Nexhmedin Sadek, boton në Gazetën “Akshame”, këtë artikull në titullin: “Një mëvitje e vogël, e humbun brenda në shumicën e shqetësimit”, ku zyrtari turk, shkruan se: “Tamam tri vjet ma parë, nji zë përhapte në gjithë botën, lajmin e një fatkeqësie. Ky zë ka qenë ai i radio së Tiranës, i cili lajmëronte botën se; Italia po sulmonte Shqipërinë. Fatkeqësisht, u duk për gjithë botën, si i vogël dhe pa rëndësi. U harrue, kur zani që kërkonte ndihmë pushoi dhe asnjëri nuk dha ndihmë.
Ka tri vjet si sot, që Italia zaptoi Shqipërinë dhe disa e kuptuan rëndësinë e fatkeqësisë. Instalimi Italian në Ballkan, shënonte mbarimin e sigurimit dhe të qetësisë në këtë distrikt. Me të vërtetë, ato që kërkonte Italia, nuk qenë malet të rrepta të Shqipnisë, por Ballkanin. Sot njeriu kupton më mirë arsyet e zaptimit, të Shqipërisë. Zaptimi synonte ‘vdekjen e Greqisë, dhe të Jugosllavisë’, sepse ato dy shtete, nuk kuptuan mirë fatkeqësinë që ra mbi fqinjën e tyre. Në rast se Jugosllavia dhe Greqia, të kishin pasur njerëz, që mund të kuptonin gjendjen që u vinte në kokë, nëse kishin mjaft ushtar, ose më mirë të mos kishin pranuar politikën me qëllim të mërzisin njëra tjetrën e, nën mbulesën e aleancës, nëse nuk ishin të angazhuar në politikën e mbështetjes mbi miqësinë tradhtare të Italisë, mundet që Italia, të mos kishte menduar kur të vejë këmbën mbi Shqipëri.
U lehtësua në këtë veprim, duke qenë e sigurt se as Greqia, as Jugosllavia, nuk do të tundeshin. Me të vërtetë, qe të dy u prapësuan, para mundësisë që t’i japin ndihmën më të vogël Shqipërisë. Dhe, duke mbyllur sytë para rrezikut, u angazhuan në rrugën e marrëveshjes me Italinë. Kjo politikë e fqinjëve të mirë, pati pak jetë, ky sulm i parë, lindi fatkeqësisht të tanishmen. Në një artikull që botuam një ditë pas zaptimit të Shqipërisë, kemi shkruar mbi qëllimin e Italisë, e cila është: Që ta përdori Shqipërinë, si një rrugë për të hyrë m’u thellë në Ballkan, ose a thua se është e mundur të ketë qëllim të ndihmojë ballkanikët, për të ndaluar një sulm drejt lindjes.
As zaptimi i Çekosllovakisë prej gjermanëve dhe as zaptimi i Shqipërisë prej italianëve, nuk janë veprime me qëllim në vetvete. Janë përgatitje të para, për zbatimin e një plani më të madh, në atë kohë. Ata më pas kuptuan se, një gjë të tillë, nuk ishte një veprim i madh. Ndërkohë që demokracitë, rrinin pa veprim dhe pse kishin frikë nga lufta e donin paqe dhe nuk i varnin veshin për viktimat. Anglia dhe Franca, përgatiteshin fatkeqësisht. Por për fatkeqësinë e tyre të tanishme, duke bërë gabime dhe duke bërë koncesione në Ballkan. E megjithatë, Gjermania intervenoi. Koincidencë e çuditshme sot, ishte mëvitja e zaptimit të Shqipërisë prej Italisë, dhe dje qe, mëvitja e sulmit gjerman kundrejt Jugosllavisë dhe Greqisë. Ajo s’ka natyrisht asnjë vleftë për t’u kujtuar, për këto kujtime të hidhura, por duhet për t’i mbajtur me nxjerrjen e një mësimi për nesër”.
Stamboll, 8 Prill 1942 Nexhmedin Sadek
Letërkëmbimi i Mbretit të Shqiptarëve me Faik Konicën
“Z. Cordell Hull, bëri një deklaratë në emrin e Shteteve të Bashkuara, javën që kaloi dhe Z. Molotof po bën këtë gjë sot. Shqiptarët, megjithëse vendi i tyre, ishte sheshi i luftës gjatë konfliktit Italo-Grek, nuk ka treguar rezistencë aq të madhe. Për këtë i referohen kohës, kur u larguan italianët prej vendit të tyre, më 1920-ën. Por, kjo feblese (dobësi) i detyrohet italianëve, të cilët kanë përdorur aleancën mbrojtëse të vitit 1927, si një mjet për të fituar fuqi të plotë në Shqipëri, mbi ekonominë e ushtrinë e vogël, të vendit”.
Pas një deklarate të Departamentit të shtetit Amerikan, Faik Konica, ka rimarrë përsëri pozicionin e tij, si përfaqësues i Shqipërisë, në vitin 1942. Por, kjo nuk zgjat shumë, sepse ai do të ndërroje jetë papritmas. Mbreti Shqiptar, e shpreh haptazi mërzitin, ndërsa vendin e tij, pa asnjë dyshim, i takon Imzot Nolit.
Konferenca në Persi, Iran, 10.10.1942
Konferenca e Aleatëve në Teheran, ka qenë shumë entuziaste dhe shpjegohet si provë që Aleatët, u morën vesh mirë, sidomos në lëmin e operacioneve ushtarake të ardhshme. Persia, mori sigurime për tërësinë e independencës dhe ndihmën, si do të gjejë me aleatët pas luftës. Ndërsa në Egjipt, konferenca midis Rooseveltit, Churchillit dhe Ismet Inonu, u duk se pati mjaft sukses. Por, u shënua se, Turqia erdhi pa eksperiencë ushtarake. Në këtë konferencë, morën pjesë edhe rusët, megjithëse ata kanë aleancë me Turqinë.
Churchilli u takua me shumë personalitete aleate në Egjipt dhe u mundua të zgjidhi problemet franceze dhe jugosllave. Pas kësaj konference të Egjiptit, u shpërndanë duke mos dhënë asnjë lajm, në vendimet e marra hollësisht.
Washington, 20 nëntor 1942
Departamenti i Shtetit Amerikan, thirri dhe tani në fund Imzot Nolin dhe Faik Konicën, Kryetar i Pan-federatës Shqiptare në Amerikë “Vatra”. Arsyeja, ishte për të shprehur mendimet e tyre, mbi mënyrën sesi mund të organizohej Qeveria Shqiptare, në mërgim. E midis pikave, që shënuan ishin:
- Vetëm një lëvizje shqiptare, që të përmbledh gjithë personalitetet shqiptare, do të ketë mundësinë për të thirrur gjithë popullin, që të bëjë diçka për Kombet e Bashkuara.
- Mbreti Zog, është personaliteti me më rëndësi si në Shqipëri e ne shqiptarët. Dhe përjashtimi i tij, do të zhveshi lëvizjen prej forcës së saj.
- Që asnjë anëtar i këtij fronti të përbashkët, nuk do të detyrohet të heqë dorë, derisa të sigurohet independenca edhe integriteti shqiptar, në Konferencën e Paqes. Pas së cilës, çdo njeri do të rifitojë lirinë e veprimit të tij.
Zoti Ministër, Boston, 5 Nëntor 1942
Mora letrën tuaj të datës 27 shtator 1942 dhe kam nderin t’ju informoj që, pranoj të jem përfaqësuesi i Mbretit në Uashington. Duhet që Madhëria e Tij, t’i dërgojë një letër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Londër, duke i lutur që transmetojë përmbajtjen e letrës, në Washington. Në këtë letër, duhet t’i thotë për përjashtimin e dhimbshme që i është bërë Shqipërisë, duke mos iu njohur Qeveria e saj në mërgim, dhe në të njëjtën kohë, hyrjen në luftë të Italisë. Të bëjë të ditur, dërgimin e një ministri zyrtar në Washington, por, nga ana tjetër, siç do të bëhet dhe me evidente, që Shqipëria mund të luajë në të ardhmen e afërt një rol të dobishëm në çështjen e aleancave. Mbreti, mendon që të emërojë në Washington si përfaqësuesin e tij personal, Faik Konicën, i cili ka qenë që nga 1926 deri në 1939, i dërguari i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Diçka e ngjashme do të mjaftonte, për mendimin tim dhe për vendosjen e pozicionit tim, si përfaqësues jozyrtar.
Ju përshëndes, Zoti Ministër dhe ju siguroj për konsideratën time më të lartë, kundrejt personit tuaj.
Shkëlqesisë së tij, Sotir Martini
Faik Konitza
Përfaqësuesi i M.S. Mbretit ZOG I rë
Gazeta ‘Manchester Guardian’ më 4 dhjetor 1942
Nga Edith Durham
“Shqipëria, më 28 Nëntor 1912, u proklamua në Vlorë për Pavarësinë e Shqipërisë. Më vonë, ajo edhe u njoh prej Fuqive të Mëdhaja. Edhe më vonë, Shqipëria u pranua si anëtar prej Lidhjes së Kombeve dhe gjendja e saj si shtet independent, është e konfirmuar.
Megjithëkëtë, kur vendi i vogël u sulmua prej një force të madhe e të mekanizuar, asnjëri prej bashk-anëtarëve të Lidhjes së Kombeve, nuk intervenoi që ta shpëtojë një vend të vogël. Flota Madhështore, mbeti rehat dhe flota italiane, transportoi trupa pa asnjë ndërhyrje. Në realitet, ia ofruan Shqipërisë si një viktimë njerëzore për të përkëdhelur Musolinin, duke mos kujtuar se është e pamundur, të kënaqë një aventurier të pangopur dhe duke i dhënë më shumë ushqim. Cili ka qenë përfundimi i veprimit ose më mirë i mosveprimit tone? Adriatiku, u bë një det i mbyllur për Boshtin. Dhe italianët zotërojnë hyrjen e tyre. Derisa, të shkatërrojmë këtë gjendje, Boshti mundet dhe sigurisht e bën të ndërtojë nëndetëse çfarëdolloj në sigurinë e portit të Triestes (që ka qenë më parë baza e Flotës Austriake e Polës dhe e Fiumes). Ndërkaq, shqiptarët janë lënë në një pasiguri plot dhimbje, mbi fatin e vendit të tyre.
Tani është koha për t’i shpëtuar prej thonjve të pangopur dhe për të siguruar independencën e tyre, e cila do të rivendoset dhe integriteti tyre do të garantohet. Kjo, vetëm është mjaft për një kryengritje kundrejt sulmuesit Italian. Lufta e çetave, vrasja e italianëve dhe sabotazhet, vazhdojnë pa pushuar, por frika është se pas ikjes italianëve, vendi i tyre mund të ndahet midis fuqive ballkanike. Dhe, kjo shkakton një pasiguri midis shqiptarëve, brenda ose jashtë Shqipërisë, mbi rrugën që duhet vazhduar. Hiqeni këtë shqetësim! Lejoni shqiptarët të ndihmojnë, në pastrimin e gojës të Adriatikut, prej armikut. Garantoni independencën e integritetin e Shqipërisë dhe nuk do të keni miq më të besës e të zotët, se sa shqiptarët. Sigurohuni se Harta e Atlantikut, nuk është një kartë pa kuptim. Lejoni të ndihmojnë në hapjen e rrugës, që të çon tek Pola dhe tek Trieshta”.
E juaja me besë M.E.Durham;
London. N.W.3.12.1942.
Londër, 20 dhjetor 1942
Vdekja e papritur e diplomatit të shquar, Faik Konitzës
“Lajmi, tepër i ithët më 20 Dhjetor 1942, që u dha mbi vdekjen e patriotit e diplomatit Faik Konicës, Mbretin Zog I-rë, e tronditi thellësisht. Kjo ndodhi tamam, në këtë moment kritik të Shqipërisë. Faik Konica, ka qenë një nga kampionët e independencës shqiptare. Shkrimtar, që ka botuar qysh në rininë e tij dhe botimet e tij vazhduan në lënda atdhetarizmi.
Faik Konica, më 1926-ën u emërua Ministër Fuqiplotë në Amerikë dhe qëndroi në detyrë deri më 1939, të vitit fatal kur Shqipëria u sulmua prej Italisë fashiste, të ‘Premten e Zezë’. Veprimi i fundit, pas okupimit të Shqipërisë prej Italisë, ishte që Departamenti i Shtetit, i njohu Faik Konicës, që s’mund të gëzonte privilegjet diplomatike më. Pasi s’kishte më Shqipëri dhe Legata shqiptare në Washington, u mbyll. Ajo ka qenë periudha e politikës së përkëdheljes, por deri më 1939-ën, për t’i bërë qejfin Musolinit. Por këta, nuk e njihnin Musolinin, se ai ishte i pangopur, e tani së fundit, e panë që u bashkua në luftë me Gjermaninë dhe tani Shtetet e Bashkuara, u detyruan të hyjnë në luftë kundër Italisë e Gjermanisë. Kurse, shqiptarët të harruar prej të gjithëve, nuk e lanë luftën kundër Italisë dhe gjithnjë, vazhdojnë në malet e Shqipërisë.
Më në fund, Washingtoni dhe Londra, e kuptuan se shqiptarët vazhdonin në mundësitë e tyre në luftën kundër Boshtit dhe mund të ishin një përkrahje për Kombet e Bashkuara. Kështu erdhi deklarata historike e Sekretarit të Shtetit, Cordell Hull, më 10 të këtij muaji. Me anën e së cilës, Shqipëria u sigurua se do ta rifitojë independencën e saj, sipas Hartës së Atlantikut. Mbreti Zog, duke u bazuar në fjalët e Z.Hull, riemëroi Faik Konicën si përfaqësues të tij, në Washington dhe kërkoi njohjen e tij, si Kryetar të Qeverisë Shqiptare në mërgim. Faik Konica, u paraqit menjëherë në Departamentin e Shtetit, në emrin e Mbretit Zog, mbi këtë njohje dhe ky ka qenë veprimi i fundit i Konicës”.
Zotni Kordell Hull, në deklaratën e tij historike mbi Shqipërinë, më 10 Dhjetor tha: “Në vazhdim të politikës së saj të mirë-vendosur, Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nuk njohu okupimin tokësor të bërë me forcë dhe nuk njohu kurrë aneksimin e Shqipërisë, prej koronës italiane. Në rast që kjo deklaratë, ka ndonjë kuptim, ky kuptim është se, Shtetet e Bashkuara, do të njohin Mbretin Zog, e jo Mbretin e Italisë, si Mbret i Shqipërisë.
Xhesti i bukur, ka dhe një tjetër prove se: Përgjigja e Departamentit të Shtetit, do të jetë favorabile. Qeveria Amerikane, vendosi të dërgojë kufomën e Faik Konitzës në Shqipëri, kur do të vijë koha në mbarimin e Luftës. Një kortezh i tillë, u bëhet zakonisht vetëm diplomatëve të huaj, që vdesin në shërbim aktiv”.
Kjo do të thotë se Faik Konica, njihet si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare dhe se vdiq në shërbim aktiv. Nga ana tjetër, e çmojmë shumë këtë xhest fisnik të Qeverisë Amerikane dhe dimë se Faik Konica, e vlente. Vlen të gjejë prehje të vazhdueshme në vendin, që shërbeu gjithë jetën me besnikëri e lealitet. Tani, vendin e të ndjerit Faik Konicës, do ta rimarrë Magr. Noli, personi më i përshtatshëm, i cili ka bashkëpunuar me Konicën dhe është i njohur në politikën shqiptare dhe atë Botërore. Shpresohet që në Departamentin e Shtetit, ky të zërë vendin e Konicës me një Dekret të Mbretit Zog. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016