Nga Gjergj Titani
Pjesa e pestë
Memorie.al / Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjrjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndërrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndërrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.
Zoti Kristo, jemi në kohën kur po përgatitej zhvillimi i punimeve të Plenumit të Dytë të Komitetit Qendror. Ju jeni i pari shef i shërbimit të informacionit, apo siç jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh, shef i Zbulimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Mbi ç´kritere mbështetej puna juaj?
Në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, situata e përgjithshme ushtarako-politike në kontinentin tonë dhe rajonin e Ballkanit, ishte tepër e favorshme, për Koalicionin e Madh Antifashist. Trupat e Ushtrisë së Kuqe, në Frontin e Lindjes, tashmë po luftonin jashtë kufijve administrativë të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Ato po luftonin me sukses, në territoret e Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe në veri të shteteve skandinave. Ishte hapur Fronti i Dytë në Evropë, nga trupat aleate, duke kryer një desantim, desant detar dhe ajror gjigant, në brigjet perëndimore të Francës dhe duke thyer kësisoj mitin nazist, të “Murit të Atlantikut”.
Në gadishullin tonë, luftohej heroikisht nga jugu në veri, nga Greqia në Kosovë e, deri në Bosnje. Çlirimi i vendi tonë, Greqisë, e rajoneve të tjera të jugut të Jugosllavisë, ishte çështje ditësh. Gjithsesi, ne kishim të dhëna të sakta, nga burime tepër konfidenciale me forcat e EAM-it, se në verën e vitit 1944, ishte vendosur të zhvillohej një mbledhje e gjerë sekrete, e të gjithë emigracionit politik nacionalist antishqiptar, në qytetin e Selanikut, që kontrollohej nga forcat e EAM-it. Kjo mbledhje, kishte si okelio politike të saj: “E ardhmja e Shqipërisë së Jugut”, nënkupto edhe Epirin e Veriut, pas largimit të trupave pushtuese naziste. Në këtë mbledhje, e cila zhvillohej në kundërshtim flagrant, me frymën e Kartës së Atlantikut dhe të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe çlirimit nga pushtuesit e huaj, do të diskutoheshin çështjet e integritetit kombëtar.
Ne kishim dijeni se në këtë mbledhje, përveç masës së gjerë të emigrantëve politikë dhe personave të ndryshëm nacionalistë shqiptarë nga diaspora, do të ishin të pranishëm edhe mjaft personalitete të larta shqiptare, si ish-kryeministri shqiptar në emigracion Koço Kotta, Selim Mborja, Xhevat Leskoviku, e të tjerë, të cilët tashmë, si rezultat i vendimeve të Kongresit të Përmetit, kishin humbur të gjitha atributet e tyre zyrtare administrative, si: ministra, deputetë, oficerë të lartë të ushtrisë apo xhandarmërisë, gjykatës, prokurorë e të tjerë. Në këtë mbledhje, qeveria mbretërore greke, në emigracion, me vend-ndodhje në Kajro të Egjiptit, do të dërgonte përfaqësuesin e saj, i cili ishte ministri i Arsimit, që një nëndetëse e Flotës Luftarake Angleze, e solli në portin e Selanikut, ku zhvillohej mbledhja në fjalë.
Ne vendosëm që në bashkëveprim me Qarkorin e Korçës dhe forcat sekrete e legale policore greke të EAM-it, të dërgonim urgjentisht, nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, në Selanik, një grup të besuar, por edhe të specializuar, të njerëzve tanë më të mirë, trima e besnikë. Madje, nga shtabi i batalionit të Mbrojtjes të Shtabit të Përgjithshëm, nisëm një nga komandantët tanë më trima dhe shokë të ngushtë të Zaho Kokës, i cili më vonë do të bëhej një kuadër i vlefshëm i Zbulimit Ushtarak dhe madje, do të vihej në krye të këtij shërbimi, që do të shtrinte fushën e veprimtarisë së vet, jo vetëm ndaj shteteve fqinjë, si Jugosllavisë, Greqisë apo Italisë, por edhe më gjerë në Lindjen e Afërt e të Mesme, por edhe për përfitim përvoje pozitive deri në Vietnam, në konfliktin Izrael-Egjipt, Korenë e Veriut, Kinë e të tjera.
Ndërkohë, grupi i zbuluesve tanë, që ishte caktuar për kryerjen e këtij operacioni, tepër të rëndësishëm e të rrezikshëm, mbërriti në Selanik, me detyrë që, të binte qoftë edhe me anën e mashtrimit, ish-kryeministrin Koço Kotta e grupin e tij, dhe të realizonte transportimin e tyre, për në Shqipëri dhe me të mbërritur në vend, të organizohej arrestimi i tij. Duhet të theksoj se, ne nga qendra, drejtonim kryerjen me sukses të operacionit, duke mbajtur lidhje të rregullta, jo vetëm me grupin e zbuluesve tanë, por edhe me zbulimin e luftëtarëve antifashistë grekë, që drejtoheshin nga Partia Komuniste Greke. Ishte pikërisht ky Shërbim Informativ, që kishte rënë në gjurmët e këtij misioni antishqiptar, me rrezikshmëri të lartë, që vinte në pikëpyetje dhe sillte shqetësime të mëdha, tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Para se të kryhej ky operacion, ne ishim shumë të shqetësuar, për të mënjanuar vajtjen e përfaqësuesit të qeverisë kuislinge në Greqi, që ishte Dhimitër Fallo dhe të shtinim në dorë të gjithë dokumentacionin përcjellës të qeverisë shqiptare, në këtë konferencë famëkeqe. Mbaj mend se, nga raportet operative, që dërgoi në shërbimin operativ në qendër, mësova se njësiti gueril i Korçës, duke e njohur mirë Dhimitër Fallon, organizoi me shkathtësi eliminimin e tij fizik, i rrëmbyen çantën me dokumente përkatëse dhe i vunë në trupin e shtrirë një kartëvizitë “nga Partia Komuniste Shqiptare”. Duhet të theksoj se, Selim Mborja, si rezultat i dinakërisë së tij, mundi që t’i fshihej operacionit në Selanik, shpëtoi. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, për drejtimin e këtij operacioni, u ngarkua nga Shqipëria, vetë Koçi Xoxe, i cili e njihte shumë mirë situatën në Greqi.
Dihet tashmë se shoferi i vjetër dhe me shumë eksperiencë nga Korça, më saktë nga fshati Sinicë i Devollit, që transportoi grupin tonë dhe dy personat e kërkuar, ishte komunisti i urtë dhe antifashisti i bindur, Jorgo Deli. Koço Kotta dhe Xhevat Leskoviku, u gjykuan si armiq dhe u dënuan si kriminelë të Luftës, me burgim të përjetshëm. Për ironi të fatit, Koço Kotta vdiq në atë burg, të cilin e kishte ndërtuar vetë, kur ishte kryeministër i Zogut. Disa ditë pas, Koço Kottës, erdhi në Shqipëri edhe e shoqja, e cila, me sa kam marrë vesh, u internua në fshatrat e Lushnjes. Theksoj, se një rol jo të vogël në zbulimin e transportimin e ish-kryeministrit të Zogut, ka luajtur edhe grupi i ushtarakëve grekë.
Po me forcat tona që tashmë ndodheshin në Veri të Shqipërisë, ç’po ndodhte?
Si domosdoshmëri e kohës, ishte krijuar dhe forcuar gradualisht Shërbimi i Informacionit dhe Zbulimit në forcat e armatosura. Ishin krijuar seksionet operative të këtij shërbimi, të cilat, me gjithë vështirësitë e fillimit, po punonin me mjaft sukses. Një nga informatorët me shembullorë të Ushtrisë, ishte kuadri shumë i përgatitur, me kulturë dhe trim, Xhaferr Cenko Lubonja, të cilin, unë e kisha njohur kohë më përpara, kur ishte një nga drejtuesit e forcave partizane, të zonës së Vithkuqit e Kolonjës, e më pas, zëvendës-komisar i batalionit të katërt, të Brigadës së IV-të Sulmuese. Ai u vra në Mirditë, së bashku me zëvendëskomandantin e kësaj brigade, Pano Xhamballo, një kuadër i shkëlqyer dhe me shumë perspektivë i Luftës, në rrethana të vështira dhe disi enigmatike.
Unë kisha marrë disa raporte sekrete nga Xhaferi, se ai, kishte arritur të krijonte mirëkuptim, me krerët nacionalistë të Veriut dhe ishte në tratativa, për të organizuar një kuvend të madh me ta, për një bashkëpunim midis këtyre forcave kundërshtare, të cilat vepronin në Zonën e bajraqeve të tyre, por qëndrimi sektar dhe shumë i dëmshëm i Liri Gegës, e cila kishte marrë urdhër nga Miladini dhe Dushani, për vrasjen pas shpine të Mustafa Gjinishit dhe krerëve të tjerë nacionalistë të Veriut të vendit, bëri që ky proces, jo vetëm të dështonte, por solli përplasje të ashpra dhe të armatosura, midis forcave tona dhe atyre nacionaliste. Xhaferri, ishte ndoshta e ardhmja e Informacionit dhe Zbulimit Shqiptar të pasluftës, por fati i hidhur, bëri që ky kuadër i shkëlqyer, të ndahej shumë shpejt nga jeta.
Në këtë mënyrë, po konsolidohej një nga shërbimet më të domosdoshëm dhe më të nevojshëm të shtetit të ri që po formohej. Le të mos harrojmë se, Shërbimi i Informacionit dhe Zbulimit të shtetit të ri që po krijohej, ishte syri, veshi, mendja, analiza dhe konkluzionet e gjithçkaje të padukshme antishtetërore që ndodhte dhe mund të ndodhte, në të gjitha kohët. Ne, për këtë angazhuam kuadrot më të devotshëm dhe ishim të bindur se, po vepronim drejt. Nuk do të flas këtu për rezultatet e këtij shërbimi kaq fisnik, që do të reflektoheshin me kalimin e viteve. Në këto rrethana, po përgatitej Plenumi i Dytë i Beratit, për të cilin kam mendimin që, njerëzit që ishin kundër zhvillimit të tij, qenë Miladini, Enveri, Mugosha (që tashmë ishte larguar nga vendi ynë, për në Jugosllavi), Liri Gega e ndonjë tjetër.
Plenumi i Beratit, thuhet se ishte një nga më të rëndësishmit në historinë e PKSH-së dhe të vendit. Çfarë mendimi keni ju për të?
Plenumi i Dytë i Komitetit Qendror të PKSH-së, u mblodh në Berat, nga 23, deri më 27 nëntor, të vitit 1944 dhe sikur të mos kishte qenë festa e 28 nëntorit, të cilën ne duhet ta festonim në Tiranën e çliruar, ai do të vazhdonte edhe për shumë ditë të tjera. Me këmbënguljen e Velimir Stojniç, Niaz Dizdareviç, Koçi Xoxes, Sejfulla Maleshovës, Nako Spirut, në kundërshtim me dëshirën e Miladinit, u përgatit ky Plenum. Dua të theksoj se, në pragun e zhvillimit të punimeve të Kongresit të Rinisë në Helmës, mbërritën përfaqësuesit e dy aleatëve të mëdhenj të Koalicionit të Madh Antifashist, BRSS-së dhe USA, si dhe përfaqësuesit e Partisë Komuniste Jugosllave, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me përjashtim të Velimir Stojniçit dhe Niaz Dizdareviçit, të cilët, ishin edhe përfaqësues pranë Komitetit Qendror të PKSH-së.
Ndërkohë, Miladin Popoviçi, bënte çmos për të mos lejuar emisarët e rinj jugosllavë, që kishin ardhur me frymë të re pranë Komitetit Qendror të PKSH-së, dhe për ta zëvendësuar atë. Në plenum, morën pjesë të gjithë anëtarët e vjetër të Komitetit Qendror dhe mjaft personalitete drejtuese të PKSH-së dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që parashikoheshin të kooptoheshin, në organet drejtuese të PKSH-së. Doemos, në punimet e këtij plenumi, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët, sollën frymën e re që kishte dërguar udhëheqja jugosllave dhe mareshali Tito. Më kujtohet mirë se, fryma e punimeve të plenumit, ishte nga më transparentet dhe më demokratiket që ishte zhvilluar deri në atë kohë.
Mungonte krejtësisht fryma e komandimit, e kultivuar prej gati katër vjetësh, nga Miladini dhe Enveri. Raportin e pare: “Mbi situatën politike”, e mbajti Sejfulla Maleshova dhe do të isha shumë i lumtur, ta lexoja edhe një herë atë. Raportin e dytë “Mbi vijën politike të PKSH-së”, me cilësinë e Sekretarit Politik, të Komitetit Qendror të PKSH-së, e mbajti Enver Hoxha, që pretendon se atë variant të raportit, që ai kishte përgatitur, nuk ja lanë ta paraqiste. Të jetë i vërtetë vallë ky pretendim i Enverit?! Unë them jo, përderisa përbri këtij raporti, qëndron një raport autokritik, shumë i zgjeruar i Enver Hoxhës, të cilin unë do ta konceptoj, vetëm me dy fjalë, që ai ka thënë në plenum: “Të tjerët kujtonin se unë isha nga krerët e Grupit Komunist të Korçës, por unë isha vetëm një simpatizant i tij, nuk isha anëtar….! Unë mendoja, si mendonte Aliu (Miladini), dhe asnjë presje më tepër”.
Ndaj, po citoj edhe disa fjalë që më kanë mbetur në mendje nga diskutimi i Tuk Jakovës në plenum: “Partia jonë s’ka qenë kurrë indipendente. Ajo ka qenë e përqendruar vetëm në duart e Miladinit dhe Dushanit”. Para tij kishte folur me shumë ashpërsi Sejfulla Maleshova, i cili kishte deklaruar se; Enver Hoxha, ndonëse është konsideruar si shëmbëlltyra e sukseseve tona të LANÇ-it e PKSH-së, në të vërtetë, ishte sinteza e gabimeve të tyre…! Më poshtë, do të vazhdonte me guximin e tij, proverbial: Sektarizmi, jo vetëm në Parti, por edhe në ushtri, degjeneroi gradualisht në terror dhe s’është aspak e çuditshme se, si ky terror degradoi në krim, madje në krim të organizuar”. Sejfullai i mençur, nuk do të ngurronte të proklamonte me guxim në Plenumin e Beratit, madje edhe dy vjet më vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e Komiteti Qendror të PKSH-së, se: “po vazhduat në këtë rrugë, do të ktheheni shumë shpejt në një klikë, madje në një klikë vrasësish….”!
Por, le të vazhdojmë me kujtimet e mia, për Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të PKSH-së. Raporti i tretë: “Mbi vijën organizative të PKSH-së”, u mbajt me cilësinë e Sekretarit të Organizativ, të Komitetit Qendror të PKSH-së, nga Koçi Xoxe. Nga diskutimet për çështjet organizative të Partisë, doli në dritë se, Miladin Popoviç, kishte nënshtruar me çdo kusht, Byronë Politike të KQ të PKSH-së, por deri-diku, edhe qarkorët apo komandat e shtabet e njësive, për t’ju imponuar atyre në të gjitha drejtimet. Anëtarët e Plenumit, në diskutimet e tyre, theksuan se, vetëm pas largimit të Popoviçit, këto muajt e fundit, ata mundën të çlirohen dhe të marrin frymë lirisht, në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Ata kishin kujtuar, se me ardhjen e emisarëve jugosllavë, që nga themelimi i Partisë, do të gjenin tek ata përkrahjen, ndihmën dhe mbështetjen e plotë, por, theksonin delegatët e plenumit, ishin zhgënjyer, sepse ai, bashkë me Enver Hoxhën, kishin bërë gabime të mëdha politike dhe organizative e, i kishin dhënë veprimtarisë së PKSH-së, shtrembërime të jashtëzakonshme. Por, nëse Enveri pranoi që në fillim disa nga gabimet e tij, ndryshe qëndronte puna me karakterin e Miladinit, ai ishte i ashpër dhe nuk pranonte asgjë. Dua të theksoj se, Enveri, në Plenumin e Beratit, u kritikua përgjithësisht dhe konkretisht, si një vegël qorre e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, të cilët mbajnë përgjegjësi të madhe historike, që përzgjodhën këtë njeri, për ta ngritur në postet më të larta të udhëheqjes së Partisë, të Frontit, të Ushtrisë dhe të Pushtetit, ndonëse ky, siç e pohoi edhe vetë gjatë atyre ditëve kritike, por realiste të plenumit, nuk ishte dalluar për aftësi të veçanta, si udhëheqës i LANÇ-it, si Komandant i Suprem, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, e të tjera.
Kështu, punimet e plenumit, paraqitën një imazh krejt ndryshe të Enverit, nga versionet zyrtare që paraqesin materialet e PPSH-së dhe veprat e këtij njeriu të pashpirt e të paaftë, të cilat pa pikë turpi, e paraqesin atë si anëtar të Grupit Komunist të Korçës, që na paska bërë ligjin në këtë grup, themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, organizator i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, themelues i Frontit Demokratik Shqiptar, krijues i Ushtrisë, arkitekt i pushtetit popullor, si një nga luftëtarët më të flaktë të planeve titiste, në punët e brendshme të Shqipërisë, e të tjera. Por, duke e njohur aftësitë e shtrembërimeve diabolike të Enver Hoxhës dhe jo vetëm të Enverit, por edhe të lakenjve të tij, duke e ditur paraprakisht se, ky mashtrim i madh, një ditë do të demaskohej e do të dilte në shesh, siç e thashë më lart, ai nuk nguron të shtrembërojë vërtetësinë e fakteve historike, që nga viti 1935-‘36, e deri sa mbylli sytë, me përjashtim të pauzave të qetësisë, që krijonte në fragmente kohore të ndryshme.
Unë, nuk marr përsipër të bëj analizën e këtij plenumi historik dhe të madh do të thoja, sepse, nuk jam sot në gjendje të bëj analistin apo historiografi, apo sociologun. Unë, jam thjesht një ish-udhëheqës i PKSH-së, tashmë i moshuar, që po i transmetoj brezit të ri, mendimet e mia, kujtimet e mia dhe ndonjë emocion të jetës sime. Tronditëse, ishin kritikat për krimet dhe sektarizmin e madh, që ishte treguar në krahina të ndryshme. Nga një diskutim i Manush Myftiut, mbaj mend se u trondit e gjithë salla, kur dëgjuam se, komanda e Brigadës së Pestë, kishte mbledhur fshatin, në një të ashtuquajtur konferencë dhe aty kishin pushkatuar 22 vetë. Ose, kur forcat e Brigadës hynë në Kurdari të Matit, përveçse dogjën 10-15 shtëpi, në një mëhallë të tij, vranë pa gjyq, 20 fshatarë të pafajshëm.
U kritikuan ashpër në plenum, qëndrimet e vazhdueshme sektare e terroriste, të Liri Gegës, kur ajo dhe Dushani, ndodheshin në Qarkun e Vlorës, apo terrori që ushtroi Brigada e Parë, duke pushkatuar me dhjetëra e dhjetëra fshatarë të pafajshëm, në Lushnje e, të tjerë. Më kujtohet që, diskutime shumë interesante, mbajtën: Nako Spiru, Tuk Jakova, Kadri Hoxha, Bedri Spahiu, Gogo Nushi, Koçi Xoxe, Naxhije Dume, Ramadan Çitaku, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Kristo Themelko, Alqi Kondi, Kiço Ngjela, e të tjerë, duke e marrë fjalën, disa herë lirisht, por midis këtyre, dua të përmend një diskutim shumë prekës, të mikut tim, Gogo Nushi, i cili theksoi se, kishte marrë një direktivë nga Komiteti Qendror i PKSH-së, për zhdukjen e disa personaliteteve të mëdha, si: Sotir Kondi, i cili theksoi se ishte një atdhetar nacionalist demokrat, që aderoi në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe më vonë, u zgjodh kryetar i tij, apo zhdukjen fizike të anëtarit të vjetër të Partisë, Anastas Plasari, intelektual i njohur, një ndër udhëheqësit e Grupit Komunist të Zjarrit, që marsin e vitit 1943, kur unë drejtoja Qarkorin e Korçës, ai u pranua anëtar i PKSH-së. Një personalitet i shquar, i cili më vonë është persekutuar padrejtësisht, për një kohë të gjatë.
Më tej, Gogo vazhdon se: “Ne morëm direktiva të vrisnim Zef Malën, por ishim të bindur se, urdhri që na u dha, ishte i gabuar dhe nuk e zbatuam atë. Por si mund ta shpjegojmë vrasjen e Gjinishit, apo vrasjen e Mynir Xhindit, anëtar i Komitetit Qarkor të Vlorës? Këtë frymë kriminaliteti, e kemi vërejtur ditët e fundit në Tiranë, nga ‘Batalioni i Disiplinës’ janë vrarë rreth 60 vetë dhe po të vazhdojë kështu, numri i tyre, mund të kalojë mbi 100. Unë nuk kam qenë dakord, sepse këto akte tregojnë pazotësinë tonë”. Po të vazhdonim kështu, me diskutimet e tjera, do të krijohej një tablo aq e zymtë sa, do të ishte tepër e trishtueshme, për ato forca, të cilat ishin në pragun e çlirimit të vendit. Pyes; se përse u duhej fitimtarëve ky terror, kur këta ishin në përfundimin e Luftës dhe duhet të ngjallnin entuziazmin e fitores? Ç’ishte ky shpirt kriminaliteti? Asgjë tjetër, veç shpirti i kultivuar gjatë katër vjetëve nga “miqtë” tanë internacionalistë.
Sot, pas kaq vitesh, mund të them se; jo kohëzgjatja e punimeve të plenumit, ishte kryesore, por transparenca, analiza e thellë e veprimtarisë së Komitetit Qendror të PKSH-së, sinqeriteti i diskutimeve, deri dhe i denoncimeve në këtë Plenum, përmbajtja e thellë e këtyre diskutimeve, dhembja dhe shqetësimi që shprehnin anëtarët e Komitetit Qendror për gabimet e bëra dhe jo ato që deklaronte pas kaq vitesh, Enver Hoxha, në librin e tij “Titistët”, mua më ka habitur, guximi prej bixhozxhiu i Enverit. Kurajoja, për të mos pasur aspak respekt për faktet dhe të vërtetat historike të Partisë e të tjera. Plenumi i Dytë i Beratit, ishte e vetmja mbledhje, që i ngjante një kongresi, një analize të madhe kombëtare, ku është shfaqur një shpirt i madh demokratik dhe një transparencë e jashtëzakonshme. Mendoj se, po të kishte vazhduar analiza partiake dhe veprimtaria e PKSH-së, në atë frymë, historia e Shqipërisë dhe PKSH-së, nuk do të kishte qenë aq tragjike dhe e përgjakshme…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm