Nga Hysen Selmani
Pjesa e tetëmbëdhjet
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Istanbul 27 qershor 1939
Kryeministri Koço Kotta, mblodhi Këshillin Ministror në Legatën Mbretërore Shqiptare në “Kunt Palace”, Istanbul, ku u morr në bisedime me formimin e një komisioni për përpilimin e gjithë dispozitave dhe programin e veprimeve të Kongresit të përbërë nga kolonitë. Ai tha për këtë qëllim:
“Qeveria duhet ngushtësisht të jetë e ndërlidhur me kolonitë shqiptare: Turqi, Rumani, Bullgari, Egjypt, Jugosllavi, Francë, Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e, veçanërisht ‘Vatrën’. Duke i vënë në dijeni se Qeveria Mbretërore Shqiptare, ka përgatitur të gjitha projekt-programet e formimit të një kongresi prej kolonive”. Do të dërgohej menjëherë një material, që po ua dërgojmë për të zgjedhur sa më pare, nga 5-6 persona më të aftë e të kulturuar, që të na lajmëroni, se jeni gati që t’ju caktojmë datën e ardhjes në Istanbul, Turqi. Delegatët e zgjedhur do të kenë me vete aprovimin e kolonisë”.
Pastaj ai vijoi: “Prej delegatëve të kolonive, do të formohej Kongresi Kombëtar, që do të zinte vendin e një Parlamenti në mërgim. Kjo, me të gjitha të drejtat politike, administrative e financiare. Ku Qeveria pa aprovimin e kongresit, nuk mund të bëjë asnjë veprim, vetëm në marrëveshje e dakord Qeveria bashkë me Kongresin ose Parlamentin. Kjo do të mbahet në Istanbul. Gjithashtu, qëndrimi i tij do të bisedohet se ku është më i përshtatshëm për interesat e Atdheut, bashkë me Qeverinë”. Pastaj i bëri një panoramë të situatës diplomatike:
“Shtetet, që e kanë njohur zyrtarisht Qeverinë Mbretërore Shqiptare në mërgim, si dhe Legatat Mbretërore, me gjithë të drejtat e barabarta me të tjerët dhe nuk e njohin okupacionin Italian, janë: Turqia, Franca, Egjypti. Dhe, sa u përket Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, akoma nuk na kanë njoftuar. Vetëm se ministri ynë në Angli, Lec Kurti, ka lënë Legatën e ka shkuar në Tiranë. Po ashtu, Xhemil Dino, Rauf Fico e Tahir Shtylla dhe këta kanë shkuar në Tiranë.
Komisioni, që do të caktohet për hartimin e rregulloreve provizore dhe projekt – ligjet, do të përfshijë të gjithë përgjegjësitë që do të zhvillohen, si në fushën politike, ekonomike, financiare dhe administrative. Kur Kongresi të mblidhet, ka për t’i shqyrtuar në imtësi, duke marrë parasysh gjendjen që ndodhet bota mbarë, në lidhje me interesat e Shqipërisë. Veçanërisht, prej Kongresit do të zgjidhet edhe elementi i përshtatshëm, për të plotësuar disa dikastere ministrish që mungojnë, duke i dhënë një votëbesim kongresi”.
Këshilli Ministror, mbaroi bisedimet dhe u shpërnda, për t’u mbledhur të nesërmen, për caktimin e komisionit përgatitor, për të gjithë anekset e Kongresit të Kolonive.
Mbreti Zog, në bisedime me Milio Iliç, i kishte parashtruar atij këto fjalë: “Qeveria Jugosllave, është tepër e prekur në qëndrimin e saj, me rastin fatkeq të 7 Prillit. Por, Madhëria Juaj, jeni shumë mirë të njohur se kush ishin arsyet. Ta konsideroni se edhe ne, po ashtu si Shqipëria, ishim të izoluar dhe po ashtu ndodhemi edhe sot. Për Jugosllavinë, ajo ditë fatkeqe, është një krizë e rrezikshme, që shpejt do të jemi po në atë situatë që pësojë Shqipëria. Madhëria Juaj, çmoni mirë se interesat e Ballkanit, janë të njëjta, dhe kjo nuk kishte asnjë ndryshim me atë të vitit 1934.
Po, në atë kohë, Franca nuk na këshilloi urtësi, por i tha Italisë: Ngadalë, se në rast që Jugosllavia hyn në luftë, unë e kam aleate e nuk mbetëm indiferentë. Por nuk duhet harruar se, në atë kohë, nuk kishte një Gjermani të përgatitur, siç është sot, që kërkon shkak për t’u zbrazur në luftë. Dhe këto tonat, ende nuk janë gati, se edhe Anglo – Francezëve, nuk ju pëlqen kjo. Derisa të jenë të gatshëm, atëherë ata do t’i thonë ndal, se ke të bësh me neve. Gjermanët, e dinë fare mirë këtë, prandaj siç e thoni Madhëria Juaj, do të përfitojë nga mosgatishmëria e tyre.
Madhëri, Qeveria Jugosllave, e çmon fare mirë gjendjen. Vetëm se, të keni pak durim, se do të vijë një ditë, për të biseduar. Bile haptas, e jo fshehtas si sot. Këtë e presim në çdo kohë. Ky që po ju them, është vendimi i prerë i ushtrisë jugosllave, në kundërshtim me Qeverinë e sotme, ku jam edhe unë brenda, por me zemër, jam me ushtrinë si edhe i lidhur me ta”.
Këto ishin fjalët e fundit të Milo Iliçit. Mbreti, i dëgjoi me vërejtje e tha: “Në bisedimet e tij ka një kuptim, pasi Milo Iliç, në luftën Ballkanike, ishte major i Shtatmadhorisë Jugosllave. E përdorte Qeveria edhe në politikë, sepse ai, ishte mjaft person i zgjuar, por natyrisht edhe ushtar”.
Mbreti Zog, i tha Iliçit: “Deri diku keni të drejtë e, sidomos mbi Shtetet e Mëdha, që nuk ishin të gatshëm. Po të njëjtat këshilla, na jepnin edhe neve, që të bëjmë një kompromis. Por, cili ishte kompromisi me Musolinin, që atij i është rritur hunda, derisa një ditë, do të thyejë qafën kryekëput. Sepse, ajo mendja e madhe e tij, nuk kalon shumë, pa ja dhënë mësimin e merituar.
E di fare mirë atë që më përmendet të vitit 1934. Por, di që edhe: një gjë që nuk ua fal ndërgjegjja, është që na penguat edhe për të luftuar kundër fashizmit, që sulmonte gjithë tokat shqiptare. Mirë që, nuk jeni në gjendje për të na ndihmuar materialisht, por të paktën moralisht, pse vepruat ndryshe. Por, u vutë përbri fashizmit si aleatë, me kërcënime e propaganda, jo burrërore kundër Shqipërisë, mike e fqinje. Na detyruat të dalim jashtë shtetit. Ndërsa ne, kishim vendosur për të luftuar të paktën 6 muaj, ndër shkrepat e maleve shqiptare, që kjo ishte edhe në interesin tuaj. Por, një ditë këto gabime e faje, do t’i paguani miku im. Tani t’i lemë këto dhe të shohim situatën përpara. Se për juve, do të jetë një ndihmë, një miqësi reciproke me ne”. Këto ishin fjalët e fundit që ju përgjigj Milo Iliçit.
Pas kësaj, Mbreti e pyeti gjatë e gjerë, mbi gjendjen e sotme, si në Jugosllavi dhe Greqi, ashtu edhe për fashizmin. Si e parashikonin të ardhmen? Sepse ky ishte shumë i zgjuar dhe i lidhur me informacionet jugosllave, qoftë të Qeverisë dhe të Ushtrisë. Milo Iliçi ju përgjigj: “Më falni se, ky është një mendim imi personal. Sot Madhëri, siç u bisedua, nuk ka për të kaluar aq gjatë, pa një ndryshim situate. Sepse, kjo furi e tmerrshme, e nazi – fashizmit, i zgjoi Shtetet e Mëdhaja, si Britaninë e Madhe e Francën, ashtu dhe Rusinë. E pra, nuk do të kalojë gjatë, pa u ndalë përpara këtyre diktaturave. Sepse tani këto, me një shpejtësi e pa rënë në sy, përgatiten. Britanikët janë forcuar, tamam si në kohë lufte dhe kanë Marinën në Mesdhe. Po ashtu, Franca, në pjesët e Mediterranës, si edhe shpejtësinë në armatimin ushtarak.
Gjithashtu po marrin masa të shpejta, në bazat veriore, por këto lajme, siç ju parashtrova, janë nga sa unë parashikoj, e dëgjoj. Pra, jo një formë zyrtare e shtetit tim. Një gjë Madhëri, ditën që Gjermania, do të sulmojë Poloninë, Anglo-Francezët, automatikisht janë në luftë. Kjo është fatkeqësia e Jugosllavisë dhe e Greqisë, por sidoqoftë Greqia, mund të mbrohet nga Flota Britanike dhe fashizmi, nuk është dhe aq i fortë. Por, Jugosllavia, është në tmerrin më të madh prej Gjermanisë. Sepse, ose do të bëhet aleate, të paktën nën dirigjimin gjerman, ose do ta okupohet”.
Me këto fjalë, Mbreti Zog, e falenderoi Milo Iliçin, për të gjitha sa i parashtroi dhe e urdhëroi kolonel Husein Selmanin, që mikun tone, ta shëtiste në vendet e Istanbulit, si në Muze, etj. “Deri sa të nisem unë, ky është miku ynë. E nuk ka për t’u nisur, pa u rehatuar këtu”.
Natyrisht, ky ishte në Hotel “Pera Palace”, mik i Mbretit, dhe me këto fjalë, nderuam Mbretin e dolëm. Megjithëse ishte vonë, shkuam në ‘Bjuk Ada’ e ‘Sarijere’. Atje hëngrëm një drekë shumë të mire, në Sarajevë, se atë vend, e kishte një shqiptar me emrin Emin Alla, që ishte shumë i pasur dhe burrë fisnik.
Udhëtimi i Mbretit Zog, në drejtim të Evropës
Qëllimi i tij, është të udhëtojë në drejtim të Francës dhe Anglisë, sepse, janë këto vende që do të diktojnë luftën. Mbreti, ndërkohë, do të bëjë një tur të plotë evropian, për të parë një mundësi më shumë, për të ardhmen e tij. Vazhdon që të shpresojë se: shumë nga ata që do të takojë, do ta ndihmojnë. Por nuk është kështu. Nga Polonia, duket se nuk ka shenja të mira, prej frikës. Beson tek mbreti Karol, që e ka takuar më parë. Dhe vërtetë, pritja në Rumani, i kalon parashikimet e tij. Monarkët, bisedojnë dhe arrijnë një akord, për të mbështetur njeri-tjetrin.
Mbreti udhëton drejt e në Letoni dhe prej andej, në Suedi e më pas në Oslo. Nga ana tjetër, ndjek situatën në Shqipëri: “Me lajmëtarët e fundit, kemi lajmëruar komandantët e batalioneve, major Ndrec Prengën, major Fuat Dibrën, major Spiro Moisiun, major Mahmut Golemin, major Xhafer Shkëmbin, kapiten Xhafer Balin, që në asnjë mënyrë, nuk është mirë që të arratisen ushtarët, se prej kësaj, nuk ka një dobi, vetëm se dëme e një ditë…”! Ndërkohë, përgatitet delegacioni, për protestën e pushtimit të Shqipërisë, ne Lidhjen e Kombeve.
Stamboll, 10 mars 1940
Kryeministrit Kotta, i erdhi përgjigja prej kryeministrit grek Metaksait. Ky e lajmëronte se, do te ishte tepër e nevojshme, që të bëhej një bisedim në interesa të dy shteteve, që lidheshin me ngjarjet e përbashkëta. Me fjalinë: “Ju pres në Athinë”, përfundonte letra.
“Ky lajm, na gëzoi së tepërmi. Kjo na dha të kuptojmë që tani erdhi koha për një marrëveshje me Greqinë. Mund të bisedohej për një aleancë reciproke, në mes të Greqisë e Shqipërisë dhe këtë prisnim, po të shikonim se Italia, nuk do të shkonte shumë gjatë pa e mësyrë Greqinë”, kujton adjutanti.
Kryeministri Kotta, me një mënyrë krejt sekret, i parashtroi Mbretit Zog, përgjigjen e kryeministrit grek, Metaksai. Ai shfaqi një këshillë: “Vetëm se, mos të bjerë në veshin e italianëve”. Dhe priste instruksione, para se të nisej për Athinë. Përgjigjen e kryeministrit Metaksai, nuk e vuri në bisedim në Këshillin Ministror, kryeministri Kotta. “Kjo ishte një gjë shumë sekrete dhe përveç meje e Asaf Xhaxhulit, askush nuk e dinte. Gjithsesi, nisja natyrisht ishte e ditur. Po, jo kjo e Metaksait”, kujton adjutanti.
Stamboll 12 mars 1940
Major Murat Basha, dërgon një raport urgjent nga Jugosllavia, ku thotë se: Lajmëtarët u kthyen nga misioni i ngarkuar brenda në Shqipëri, të cilët deklarojnë: Prapë sot kanë kaluar kufirin në Strugë e vende të tjera, 2 oficerë e 16 n/oficerë dhe 83 ushtarë. Gjithsej, janë 101 vetë. Ata na deklarojnë se; do të arratisen të gjithë dhe se nuk rrinë në shërbimin italian. Në atë ditë, janë arratisur shumë oficerë e ushtarë, në kufirin grek, por Greqia, nga frika italiane, i ka internuar të gjithë, nëpër ishujt e saj.
Italianët, kanë filluar prapë të internojnë me shumicë dhe i dërgojnë në Itali. Prej këtyre, shumica janë profesorë e mësues dhe kreshnikë. Por, menjëherë kemi dërguar lajmëtarët, që në asnjë mënyrë, nuk duhet të arratisen oficerët dhe ushtarët, po të qëndrojnë në vendet ku janë caktuar. Derisa, do të marrin udhëzimet e veprimtarisë së tyre. Kjo na dëmton, sepse interesi, është të jenë brenda personeli, në kohën e duhur. Gjithashtu, kemi folur edhe mbi mos hapjen e alarmit, para kohës, se këto internime, na feblojnë (dobësojnë). Pas kësaj, lajmëtarët u dërguan menjëherë, me plot afishe.
Toger Jusuf Alushi, nga Kukësi, ishte komandant i kompanisë dytë të Batalionit “Taraboshi”, është arratisur prej Tepelene. Ai deklaron se; gjithë ushtria shqiptare, është gati të arratiset, vetëm se pret urdhër, prej këndej. Ata, njëkohësisht presin udhëzime që, në rast se Italia ka për të mësyrë Greqinë, këta të fundit, do i binë ushtrisë italiane dhe do të bashkohen me ushtrinë aleate greke, kundër armikut të përbashkët. E tani italianët, nuk kanë besim në Ushtrinë Shqiptare. Ata kanë filluar të tërhiqen, prapa vijave të tyre, se kanë një lajm se; Ushtria Shqiptare, në rast të një lufte italo-greke, këto do vihen përbri ushtrisë greke, tamam në kohën e mësymjes.
Në ushtrinë italiane, ka filluar një grindje në mes tyre, dhe ndihet një demoralizim i madh, me fashizmin. Në rast të një lufte të fortë, që mund të bëjë Greqia, këta janë gati të hedhin armët, se nuk pajtohen aspak oficerët e karrierës, me ato të fashizmit, se ato janë si të dehur, dhe shihen përditë ngjarje në mes tyre.
Të gjitha qendrat në Jugosllavi, janë ngarkuar për të ndaluar arratisjen e oficerëve dhe ushtarëve nga vendet ku ndodhen të sistemuar. Prandaj, menjëherë janë marrë masat e shpejta, duke dërguar me mijëra afishe që të shpërndahen në qendrat dhe nëpër oficerët e profesorët. Siç do ta shihni, ku po ju dërgojmë një kopje edhe lajmëtarët janë porositur që, të marrin kontakt me shumë persona të caktuar”:
Shpallja:
VËLLAZËR SHQIPTARË
Ora e çlirimit, nuk është akoma. Mos dëmtohemi para kohës, mos i jepni shkas arratisjeve, burgimeve, internimeve etj. Italia fashiste, do të dërmohet. Skllavëruesit e popujve, fashistët zullumqarë, shpejt do japin hesap.
Shqipëria, do të jetë varri i fashizmit dhe epopeja e Vlorës, do të përsëritet. Zaptuesit e vendit tone, do të flaken në det përfundimisht, ndërtesa e gënjeshtërt që fashizmi musolinian, e ka ngrehur si vegla, do shemben. Tradhtarët, do t’a paguajnë me kokë tradhtinë e tyre.
Pra, hë për hë, rrini të qetë. Mos i jepni asnjë shkak dëmtimeve, se për së shpejti, do ju lajmërojmë orën e arritjes, për të çliruar Atdheun, për të qenë të gjithë të bashkuar, e të organizuar, në detyrën e shenjtë që shpejt do na kërkojë.
“Rroftë Shqipëria”, “Rroftë Mbreti”
Duhet të keni durim, se çdo gjë, ose lëvizje para kohe, shkakton humbjen e fitores, e për këtë, ju këshillojmë urtësi e durim. Mos i jepni në asnjë mënyrë, mosbesimit që t’ju shpërndajnë.
Versaçe Diber Valjava
Mustafa Gjinishi, Akif Lleshi, N/kolonel Kuçuk Ullogaj
Hasan Reçi, Jusuf Selmani, Major Murat Basha
Abedin Çiçi, Himçe Kaba, Kapiten Shyqri Baftjari
Shaban Tirana, Haxhi Lleshi, Kapiten Hamza Drini
Këto ishin Kryetarët e Qendrave në Jugosllavi, që ishin shumë aktivë. Ata i kanë kryer shërbimet, me plot sakrifica e ndershmëri, vazhdon adjutanti.
Stamboll 20 mars 1940
Mbreti Zog, në këtë ditë, i dërgoi një letër udhëzimi kolonel Husein Selmanit, siç po e shënojmë:
“I dashuri kolonel. Raportet që më dërgonit me datë 7 mars 1940, si tuajat, po ashtu pjesët e Grupeve në Jugosllavi, i lexova me shumë vërejtje. Ato, më kanë bërë përshtypjen më të madhe. Ju faleminderit, për të gjitha veprimet aktive.
Derisa të piqemi së bashku, veproni siç jeni duke vepruar. Ka qenë një vepër shumë e madhe, ajo e sigurimit të ndihmave, të elementit në Jugosllavi, të gjitha grupeve në veprim, e sidomos atyre në Jugosllavi. Ju komunikoj: Kam ndjekur veprimet tuaja me vërejtje, pra veprat patriotike e sakrificat, në zor të madh, që ju i përballoni e, jeni të gatshëm kohë në kohë, në krye të detyrës. Këto, më japin shpresa të mëdhaja.
Jemi duke bërë çmos për rregullimin e gjendjes, në të cilën ndodhemi, ku shpresojmë se, çasti i volitshëm që presim, s’ka për të vonuar shumë. Ne kemi ndërmend, për t’ju përmbledhur në vendin e qëllimeve që po ndjekim.
Pra, durimi, urtësia, patriotizmi juaj, më jep shpresat se në atë çast, të na jepet mundësia për të hyrë në radhët e Aleatëve. Nuk kanë për të ndodhur kurrë, akte të papëlqyeshëm. Jam tepër i kënaqur, nga durimi e patriotizmi juaj, të cilat janë të njohura prej nesh. Për së shpejti, shpresoj t’ju jap udhëzime të tjera, me këtë rast ju dërgoj përshëndetjet e mia të përzemërta”, citon letrën adjutanti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016