Nga Hysen Selmani
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Pastaj unë shkova në Hotel. Kur u ktheva në Hotel ishte ora 1 pasdite. Aty ishin i gjithë komisioni. Ne shkuam në sallën e bukës dhe duke ngrenë ju thashë: “A doni ndonjë pije”?
“Po, – më thanë duke qeshë Himçe Kaba, – unë dhe Haxhiu e pimë, ndërsa këta të tjerët nuk e di”.
“Jo edhe unë – tha Profesor Gjinishi, – e duke qeshur e thirrëm kamerierin, e ai u solli lloj lloj pijesh. Por ata nuk pinin, vetëm thonin sa për shaka. Si hëngrëm bukë, dërgova Avni Derallën për të blerë dy ora dore ari.
Njërin për majorin e Komandës së Armatës dhe tjetrin, për një komisar të policisë, që ma kishin lënë në dispozicion. Në këtë kohë, unë me njerëzit e parësisë, shkuam për pak në një kafe në breg të Vardarit. Atje, ishte një lulishte shumë e mirë. Madje, i thashë kapiten Avniut, “se do të na gjenin në atë lulishte”. Aty kemi ndenjur mjaft.
Shkup 23 qershor 1939
Pas lajmërimit që u bë për nisjen e kolonel Husein Selmanit për Turqi, kishin ardhur në Shkup, prej Gostivari e vende të tjera, mëse 600 vetë, oficerë, bajraktarë e nëpunësa të tjerë. Për këtë qëllim, ishin mbushur të gjitha sallonet e hotelit dhe bahçet rreth e qark tij. Sa një pjesë, që nuk e kisha parë më parë, u detyrova që t’i marr brenda, në sallon të hotelit. “Në orën 12 të ditës, vijnë në hotel, Guvernatori, Komandanti i Armatës, gjeneral, Nedel Koliç, Kryetari Shtatmadhorisë Armatës, gjeneral Kovaçeviç dhe Komisari i Policisë. Erdhën për të më thënë rrugë të mbarë, kujton adjutanti, dhe më bënë një vizitë. Dhe, kur hymë brenda në sallon të hotelit, ishin mbushur të gjithë ambientet e tij me shqiptarë. Ne i pamë dhe i pritëm shumë mirë, e më plot miqësi”.
Menjëherë, kolonel Selmani i la shqiptarët dhe ju priu. Ata shkuan me një sallon privat dhe duke qeshur, i thanë Guvernatorit se: “Këtu po e ndjejmë veten, si në vendin tonë”. Kur, m’u përgjigj Guvernatori: “Ju urojmë më gjithë zemër, që sa më shpejt, t’ju shohim në Atdheun tuaj të lire, e indipendent, me Mbretin e Shkëlqyeshëm e të dashur tuajin, Zog I-rë në krye”.
Më poshtë, Guvernatori shtoi: “Më pëlqen shumë sjellja juaj bujare, kundrejt bashkatdhetarëve tuaj, sepse përpjekjet tuaja, bënë që të plotësohen nevojat e tyre. Dhe këta, ju simpatizojnë së tepërmi, e ju duan fort. Duket se keni pasur marrëdhënie të ngushta, me popullin në Shqipëri. Kjo, edhe ne, na jep një mallëngjim”.
Dhe, u kthye duke folur me Akif Lleshin, se e njihnin njeri-tjetrin mirë. Pastaj, më thanë se: “Ju urojmë rrugë të mbarë! Këtu, kurdo që të dëshironi, jeni mik i çmueshëm. Ta ndjeni veten si në vendin tuaj”.
Pastaj, me plot sinqeritet, më kanë thënë se: “Madhërisë së Tij, Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, i urojmë plotësimin e gjithë veprimtarisë, duke u realizuar këto me çlirimin e Atdheut”. Pastaj ata më kanë përqafuar. Natyrisht, i përcollëm deri tek makina.
Të gjithë, i rrethuan me një simpati të plotë dashurie dhe shkuan. Pasi shkuan, autoritetet e Shkupit, në hymë brenda e donim të shkonim në sallon, por pengoheshim se aty ishin një shumicë e madhe. Unë mora vetëm 100 vetë në drekë. Ndërsa, të tjerët, u shpërndanë nëpër restorante. Nuk ishte shtrenjtë, por po u përgatisja, për t’u nisur në Stamboll.
Shkup, 23 qershor 1939
“Tani jam me Kryetarët e Qendrave, duke biseduar mbi funksionimin e lajmëtarëve dhe caktimin e tyre si dhe duke biseduar me Akif Lleshin, Himçe Kabën dhe Haxhi Lleshin”, kujton adjutant, për këtë ditë. Se, këta po sa të nisem unë, edhe këta do të nisen për Dibër. Ata kanë për të vënë në funksionim qendrën e lajmëtarëve në atë zonë, që është më me rëndësi.
Pasi i kisha mbaruar të gjitha bisedimet, shton adjutant – si me Lleshajt dhe me kryetarët e tjerë, dola në lulishten e hotelit, duke biseduar me të gjithë emigrantët. Kjo, duke ju dhënë kurajo, si dhe duke i këshilluar, që të sillen shumë mirë me njëri tjetrin, si edhe me një bindje e disiplinë të plotë, kundrejt eprorëve të tyre.
“E lipset të jeni një shembull, para autoriteteve të vendit?! Mos të mërziteni, se unë kam për të ardhur prapë këtu dhe ju kemi siguruar të gjitha nga autoritetet e vendit. Vetëm prej jush, dëshiroj një qëndrim burrëror e të bindur, para autoriteteve e superioreve, që këta ju nderojnë dhe ju plotësojnë eventualisht, gjithë nevojat e tjera”.
Në orën 4 pasdite, u mblodhëm të gjithë në Hotel “Bristol”, Princ Xhelal Zogu, me gjithë familjen, Murat Kaloshi, Myftar Kaloshi, Dan Kaloshi dhe dy vetë të tjerë të Murat Kaloshit, toger Sefedin Çollaku e toger Hajredin Hallulli, Ismail Shema e Nezir Biba. Të gjithë këta, donin të vinin me mua në Stamboll. Aty ishin edhe pothuaj mëse 600 oficerë parësie, profesorë, nëpunës, studentë e të gjithë që pritnin për të më shoqëruar në stacion.
Kolonel Husein Selmani, kujton se i tha Princ Xhelal Zogut dhe të tjerëve, si edhe Murat Kaloshit, për të shkuar në stacion: “Do të jetë më mire, që të zini vend me kohë në tren, se unë vij më vonë, me kapiten Avninë dhe majorin Jugosllav, e komisarin e Policisë. Ata kanë marrë urdhër, për të më shoqëruar deri në kufirin bullgar. Dhe unë, me ato bashkë, do të vij”. Shkuan këta të gjithë dhe Princi me familje.
Unë, në këtë kohë, i thashë kapiten Avniut që, të thërrasë në telefon N/ministrin e Jashtëm të Jugosllavisë, Loitiçin, që ta përshëndes dhe t’i flas pak. Menjëherë erdhi në telefon dhe më shumë simpati e miqësi, më tha: “Urdhëroni mik i dashur”.
Unë i thashë se: “Tani po nisem për Stamboll, vetëm dëshiroj që Milio Iliçi, të vijë brenda kësaj jave, se Madhëria e Tij, Mbreti Zog I-rë, niset për Francë. Kjo më detyroi edhe mua, të nisem shpejt, pasi më 25, duhet të ndodhem në Stamboll”.
Më tha: “Shumë mirë, tani po ja komunikoj Iliçit. Sepse dhe ai dëshiron të niset sa më parë. Dhe e pres atje, të vijë direkt në Hotel ‘Pera Palace'”. Ai më uroi rrugë të mbarë, e gjithë të mirat. Po në këtë kohë, më kërkon: “Një minutë sepse, do t’ju përshëndesë ministri, Çinçar Markoviç”. Ky më tha se: “Miku im, kemi mbetur tepër të kënaqur, në bisedimet miqësore, dhe ju them të vërtetën, që këtu keni lënë kujtimet më të mira, si një burrë fisnik, e kurdo që t’ju jepet rasti, këtu jeni po si në Atdheun tuaj.
Iliçin e kemi porositur dhe nesër mund të niset për në Stamboll, me avion dhe bisedoni atje. Ju uroj rrugë të mbarë e, plotësimin e gjitha sa dëshironi. Dhe me një Shqipëri të lirë me Mbretin Zog I-rë në krye”. Pas kësaj u ndamë. Pasi mbarova me Beogradin në telefon, i telegrafova ministrit tonë në Stamboll, Asaf Xhaxhulit, që po nisesha për Stamboll.
Shkup 23 qershor 1939
Në orën 5.30, kolonel Selmani, u nis prej hotelit për në stacion të Shemendiferit, në këmbë bashkë me të gjithë shqiptarët, që kishin ardhur për ta përshëndetur: oficerë, bajraktarë, profesorë, nëpunësa, studentë, ushtarë emigrantë.
“Pasi shkova në stacion, kujton adjutanti- aty i mora në qafë gjithë me radhë, por nuk më lëshonin. Saqë, kur erdhi koha për t’u nisur treni, ai majori Jugosllav, që ishte në dispozicion, e ndaloi trenin, deri sa koloneli të mbaronte me to. Dhe kështu hyri brenda në tren, me kapiten Avni Derallën dhe majori e Komisari i Policisë, që do të na shoqëronin deri në kufirin bullgar”.
Sa hyri brenda kolonel Selmani, treni filloi të nisej e koloneli qëndroi në portë të trenit, duke përshëndetur e duke u përqafuar me të gjithë bashkatdhetarët. Aty shpërtheu një thirrje “Rroftë Mbreti Zog I-rë”, “Rroftë kolonel, Husein Selmani”, “Rroftë Jugosllavia, mike jonë”, e të tjera. Kjo vazhdoi, derisa treni u largua dhe nuk dukej më. Pasi u largua treni, koloneli bashkë me Avni Derallën dhe majorin jugosllav, e komisarin, shkuan në dhomat e tyre të vagonit. Ata menjëherë shkuan në sallon, për të marrë nga një kafe, dhe aty u dërgua edhe kapiten Avni Derallën, për të marrë Princ Xhelalin dhe Murat Kaloshin, që të vinin në sallon. Erdhën Princi dhe Zonja e tij dhe Murat e Miftar Kaloshi. Aty, duke biseduar dhe morën dikush kafe, dikush ndonjë pije të vogël dhe kaluan pothuaj një orë.
Pas kësaj u shpërndanë. Kolonel Selmani më parë vizitoi Princin, pastaj Murat Kaloshin, nuk ishin mirë. “Dëshirojmë që t’i ndërroni dhomat”, u tha koloneli. Por, ata nuk dëgjonin, sepse donin të rrinin në ato dhoma, ngaqë ishin më të lirë. Dhe nuk donin që të ndahen nga njëri tjetri. Princi, ishte më Zonjën e fëmijët dhe me një infermiere. Ishin gjithsej 7 vetë. Ata donin që të rrinin së bashku dhe Murat Kaloshi, ishte vetë i pesti. Edhe ky nuk donte që t’i ndante shokët. Kështu ata mbetën po në atë dhomë dhe nuk donin me ardhë në Vagonli.
Kolonel Husein Selmani, me kapiten Avni Derallën dhe majorin e komisarin jugosllav, ishin vagonli. E kur erdhi koha e darkës, dërguan Avninë të merrte Princin me Zonjën, si dhe Murat e Miftar Kaloshin, për të ngrënë bukë. Por, Princi kishte qenë zhveshur, e nuk dëshironte se kishte marrë bukë me vete dhe nuk donte të ndaheshin nga fëmijët. Po ashtu, Murat Kaloshit i kishte ardhur ajo sëmundja e zakonshme, e akoma nuk ishte në mend.
Kështu, ata nuk erdhën. Ishte vetëm kolonel Selmani, kapiten Avni Deralla, majori i Armatës, Komisari i Policisë jugosllave, e toger Sefedin Çollaku dhe toger Hajredin Hallulli. Të gjithë, shkuan në sallën e bukës dhe aty kanë qëndruar një orë e gjysëm, duke folur dhe duke ngrënë bukë e duke pirë kafe. Kjo deri sa kaluan Nishin.
“Kur sosëm në kufirin bullgaro-jugosllav, kujton adjutanti, – aty u ndalua treni dhe këtu majori jugosllav e komisari do t’u ndalonin, për t’u kthyer prapë në Shkup. I mora në sallon dhe ju porosita nga një pije të vogël. Në bisedë e sipër, ju thashë se: “Këtë e pimë për avenirin e mirë të Jugosllavisë mike e fqinje, si edhe për shëndetin e miqve të mij në Shkup, të Guvernatorit, Komandantit të Armatës, Shefit të Policisë, e të tjera”.
Majorit i thashë: “I jepni ato nderimet e mia më miqësore, Komandantit, gjeneral Nedel Koviç. I thuaj se; gjithmonë ruaj miqësinë më të çmueshme, kundrejt bujarisë e burrërisë së tij të pashoq, dhe i dhashë një sahat ari dorë. Po ashtu, i dhashë edhe komisarit, një sahat ari. Pastaj u ndava dhe u përshëndeta.
Caribrod, 24 qershor 1939
Në orën 7 të mëngjesit të kësaj date, arritëm në kufirin jugosllavo-bullgar, në Caribrod, vazhdon në kujtime adjutanti. “Këtu, pasi ju fola dhe ju dhashë gjithë mirënjohjen time, për gjeneral Nedel Koviçin dhe u dhurova nga një sahat dore të artë si kujtim, dhe kur po i përqafoja, atyre u kanë shpërthyen lotët. Kanë qëndruar deri sa treni kaloi, e nuk u pa më, duke nderuar, e natyrisht edhe unë, duke i salutuar në dritaren e trenit”.
Pastaj u nisëm për Stamboll, kur më vjen kapiten Avni Deralla e më lajmëron se, Murat Kaloshi është shumë i sëmurë: “Menjëherë shkova e pashë. Ishte përmirësuar e kjo ishte po ajo sëmundja e zakonshme. E mora më vete, si Muratin dhe Miftarin e shkuam në sallon me pi nga një kafe. U përmirësua krejtësisht dhe dukej se ishte mirë aty. I thashë pastaj se: Këtu do të hamë edhe drekë bashkë, se bëjnë bukë të mirë”. Pastaj i thashë Avniut: shkoni pak tek Princi, që po të dëshiroj të vij me gjithë Zonjën këtu, se; “shohim ma mirë gjithë këtë panoramë dhe pimë nga një kafe, e kalojmë kohën”.
Shkoi Avniu dhe pas pak erdhën bashkë me Princin e Zonjën. U kënaqën aty, ndërsa Princi mori një kafe, kurse Zonja mori një shabeshe. Duke biseduar, kaloi mjaft kohë. Kur u afrua koha e drekës, i thashë Avniut të na rezervojë një vend të mire, për 8 persona, në sallën e bukës, sepse ishin Princi me Zonjën, Murati e Miftar Kaloshi, Sefedim Çollaku, Hajredin Hallulli dhe unë e Avniu, 8 persona.
Aty hëngrëm një drekë aq të mirë, e duke qeshur edhe kjo e shëndoshi krejt Murat Kaloshin, as që dëgjojë më nga ajo sëmundja. I kënaqur, hëngri mire, duke pirë duhan e kafe. Kemi kaluar një drekë, sa që nuk kemi dalë nga salloni i bukës, deri sa mbërrimë në Edrene, kufirin turk. Atëhere, jemi ngritur e shkuam nëpër dhomat, për t’u përgatitur, se brenda një ore e gjysëm, do të arrinim në kufirin turk.
“Po të dëshironi, mund të hamë edhe darkën së bashku”, u thashë. Murati tha: “Unë, po me ty, do ha darkë”. Kështu u shpërndanë për të pushuar pak. Në orën 8.30 të mbrëmjes, prapë dërgova Avninë për t’i marrë. Por, Princi kishte rënë të flinte, e Murati e Miftar Kaloshi, erdhën. Pastaj kemi qeshur se, Miftari e Hallulli, kishin dëshirë nga një pije shlivavice, e ata jua sollën. Por, ju sollën edhe meze të mire, e ne merrnim prej mezes. Ata nuk e kishin dëshirë që t’ju hanim mezen. Pastaj kaloi një mbrëmje, shumë e mirë. Hëngrëm bukë deri në orën 12 të natës, aty shkuam të pushonim, por të kënaqur se tepërmi, si nga darka, ashtu edhe që kaluam kohën shumë mirë.
Istanbul, 25 qershor 1939
Është momenti i mbërritjes në Stamboll, pas një turi të gjatë bisedimesh në Jugosllavi, për të ardhmen e rezistencës në mërgim. Ja çfarë kujton, adjutanti i Mbretit, Hysein Selmani: “Në orën 8 të mëngjesit, po të kësaj date, mbërritëm në stacion Sekerrci, Istanbul. Aty, Princin Xhelal, e dërguam në një hotel afër Sekerchiu. Ndërsa, Murat Kaloshin e shokët e tjerë, në një hotel tjetër. Këtu kishte dalë ministri, Asaf Xhaxhuli, Sotir Martini dhe Hiqmet Delvina, e disa të tjerë, ku ai u kishte rezervuar këto hotele.
Avniu me Ismail Shemen e, Nezir Bibën, shkuan në apartamentin tim. Ndërsa, Sefedin Çollakun e Hajredin Hallullin, i mora me vete. Unë, ministri Xhaxhuli, Sotir Martini, Hiqmet Delvina, shkuam direkt në Hotel “Pera Palace”. Në të njëjtën kohë, Konsulli Shqiptar, Hajrullahi me Sefedin Çollakun e Hajredin Hallullin, vijnë mbrapa me një makinë. Porsa, hymë në Hotel “Pera Palace”, aty në sallon, ishte Mbreti bashkë me Kryeministrin Kota”.
Unë u paraqita. Mbreti u ngrit dhe më mori në grykë, duke më thënë: “Mirë që erdhe kolonel dhe miku yt Iliçi, erdhi dje e bisedova pak me ta. Ju lavdëron shumë juve, për të gjitha që keni zhvilluar në Jugosllavi”. Unë, pas këtij falenderimi, u fala me Kryeministrin. Edhe ky më tha: “Bravo kolonel, keni bërë punë te mëdhaja sepse, unë vetë, asgjë nuk pata mundësi të realizoj në Greqi”.
Mbreti, më pyeti gjatë e gjerë për gjeneral Nediçin dhe për gjeneral Nedel Koviçin. Aty i shpjegova pak se, gjeneral Nediçi, është Ministri i Luftës, por e ka humbur gjithë simpatinë në ushtri. “Këtë, ma tha dhe ai vetë, por si mik, është po ai që ka qenë. Ndërsa, komandanti i Armatës së Shkupit, gjeneral Nedel Koviçi, është shumë i fortë, kryekëput kundër kësaj Qeverie dhe shumë armik, me gjeneral Nediçin. Ka pothuaj, të gjithë simpatinë, më të madhe në ushtri dhe është kryekëput, mik i vërtetë. Kjo do të duket edhe në raportin që do t’ju parashtrojmë”.
Mbreti iu kthye Kottës duke i thënë: “Ja, koloneli bëri shumë punë në Jugosllavi, aq sa ka fituar besimin e plotë, para miqve dhe armiqve në Qeverinë Jugosllave. Këtë, ma konfirmoi edhe Milo Iliçi. Po ashtu, edhe mënyrën sesi arriti të sigurojë ndihmat për emigrantët, më së miri. Janë 30 dinarë në ditë, për person, si edhe studentët, i rregulloi me bursa etj. Oficerët, nga ana e tyre, kanë të drejtë të njëjtë me oficerët jugosllavë, në Klubin e Oficerëve dhe janë të lire, të shëtisin kudo.
E, më tepër,- vazhdoi Mbreti – një gjë që nuk e besoja, që ka organizuar tri qendra funksionimi në Jugosllavi: Një për oficerët, një për profesorët, një për kreshnikët. Ju vetë, do të shikoni më vonë programin, që është një vepër e madhe, si edhe janë siguruar katër qendra sigurimi, për lajmëtarët: një në Strugë, një në Dibër, një në Topajan të Lumës, një në Prizren dhe një në Podgoricë, me etiketë Jugosllave. E pastaj na tha, – këto në hollësi, do t’i bisedojmë pas dite”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016