Nga Hysen Selmani
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Larisa, më 16 prill 1939
Mbreti Zog, urdhëroi ministrin e Punëve të Jashtme, Ekrem Libohovën, që t’i telefononte ministrit tonë në Ankara, Asaf Xhaxhulit. Ai, në emrin e Mbretit, të paraqitej tek Kryetari i Republikës Turke, Ekselenca e tij, Ismet Inonue, e t’i thoshte se; Mbreti Zog, me familjen Mbretërore dhe Qeverinë, dëshiron të qëndrojë në Turqi. Edhe kjo të bëhet mundësisht sa më parë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, e thirri menjëherë në telefon ministrin, Asaf Xhaxhuli dhe i komunikoi urdhrin që mori nga Mbreti. Ministri Xhaxhuli, u përgjigj se: “Sot kam për t’u paraqitur në Pallat e, do t’i parashtroj Kryetarit të Republikës, Ekselencës së tij, Ismet Inonue dhe nesër ju parashtroj përgjigjen”. Shtoi ministri Xhaxhuli, se: “Qeveria Turke, mori vendimin për të njohur Legatën Mbretërore Shqiptare e, nuk njeh okupimin Italian”. Këtë ma komunikoi edhe zyrtarisht.
Ministri ynë në Ankara, Asaf Xhaxhuli, i parashtroi ministrit të Jashtëm, Ekrem Libohovës, e i tha: “Tani, kryeministri turk, Shyqyri Saraxhollu, më komunikoi se; Kryetari i Republikës Turke, Ismet Inonue, e fton Madhërinë e tij, Mbretin Zog, me gjithë familjen e tij dhe Qeverinë Mbretërore Shqiptare, me sa persona të dëshirojnë, të vinë në Turqi dhe tokën turke, ta konsiderojnë një Atdhe të dytë të tij”.
Larisa, 28 prill 1939
Kryeministri Koço Kotta, vuri në dijeni Qeverinë Greke, se; Lartmadhëria e tij, Zogu I-rë, bashkë me familjen Mbretërore dhe Qeverinë, suitën e tij, më 1 maj 1939, do të nisen për në Stamboll – Turqi. Kryeministri grek, Metaksai, i dërgon një letër kryeministrit së Mbretërisë Shqiptare Kotta, ku i shpreh: “Lartmadhëria e tij, Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, Madhëria e tij, Mbreti George II-të, ju ka vënë në dispozicion vagonin e tij, deri në Stamboll, si mik i Mbretit Zog. Ai i uron rrugë të mbarë, e suksese të ndritshme, për Kombin bujar e trim Shqiptar”.
Athinë 29 Prill 1939
Metaksai
Kryeministri i Greqisë
Larisa 1 Maj 1939
Stamboll, 3 maj 1939 – Ora 2 e mëngjesit
Më datën 3 maj 1939, në orën 2 të mëngjesit, arritëm në Sekerçi – Stamboll, ku u pritëm nga ministri, Asaf Xhaxhuli, Konsulli Shqiptar, Hajrullahi, Valiu i Stambollit dhe Polic Midiri i Stambollit dhe e gjithë kolonia shqiptare në Stamboll.
I gjithë personeli shoqërues, u rregullua në hotelet që ishin të rezervuar dhe u shpërndanë. Aty në hotel “Pera – Palace”, mbeta vetëm unë dhe ministri Asaf Xhaxhuli e, filluam duke biseduar mbi situatën turke, kundrejt Mbretit Zog.
Mbreti, në orën 9, ishte ngritur dhe veshur. Kishte dalë në sallon të apartamentit, duke pirë kafe. Pastaj, ka pyetur se kush është poshtë dhe i kanë thënë se, është koloneli me Asafin. Menjëherë na thirri lart dhe po bisedonim me ministrin Asaf. Ky i fundit, po i shpjegonte të gjitha, sa Turqia kishe bërë, si edhe qëndrimin e saj kundër Italisë fashiste. Mbreti, na urdhëroi që të shkojmë, për t’i bërë një vizitë Valiut dhe Polic Midrit, në emrin e Mbretit, duke e falënderuar.
Stamboll, 17 maj 1939
Këshilli Ministror, në orën 10, u mblodh për të shqyrtuar të gjitha ato telegrame e letra që vinin nga të gjitha anët e botës, për t’ju dhënë ndonjë përgjigje kurajuese. Gjithashtu, u studiuan ankimet e personelit në Turqi, në Jugosllavi, e Greqi, për t’ju bërë një ndihmë, deri sa t’u gjendet ndonjë mënyrë përkrahje. Po ashtu, u studiuan edhe shpenzimet e Legatave për t’ju dhënë një shumë, natyrisht, jo siç ishte buxheti i tyre, por shumë më pak, se akoma nuk kanë asnjë të ardhur nga kolonitë.
Këshilli Ministror, pasi studio me imtësi dhe rrahu mendimet mbi gjendjen e personelit, po ashtu të Legatave e, duke e marrë parasysh gjendjen e arkës, tepër të vogël, vendosi:
- Legatës në Turqi 6 muaj 002.000 000.000
- Legatës në Francë 6 muaj 001.000 000.000
- Legatës në Egjipt 6 muaj 000.800 000.000
Shuma për tu dërguar Legatave: 004.000 000.000
- Personelit në Jugosllavi 000. 000 004.000
- Personelit në Turqi 000.000 002.000
- Personleit në Greqi 000.000 001.000
Shuma për t’u dërguar: 000.000 007.000
Gjendja e arkës aktuale është: 008.000 032.000
Hiqen me pagesat e sotme: 004.000 007.000
Mbeten në arkë kjo shumë: 004.000 025.000
Këshilli Ministror, duke marrë parasysh nevojat e ngutshme të Legatave, gjithashtu dhe vështirësitë e personelit në Turqi, Jugosllavi dhe Greqi, vendosi pagesën e shënuar më lart. Natyrisht, caktimi i Legatave, për gjashtë muaj, është i pakët. Por, duhen brenda kësaj, të administrohen, deri sa të gjendet mënyra e fondeve. Kjo, se siç do të shohim në këtë tabelë, gjendja financiare në arkën e shtetit, nuk lejon më tepër. Shumë tepër e vogël, ju caktua hë për hë, urgjentisht, personelit, si në Jugosllavi, Turqi e Greqi. Kjo ndihmë e vogël, ishte provizorisht, sa për të përballuar nevojat e ngutshme. Dhe kjo shumë, u dërgua me anën e bankave.
Stamboll, 31 maj 1939
Mbreti Zog, në bisedime me rëndësi me kolonel Hysen Selmanin, i kishte udhëzuar saktësisht, në lidhje me bisedimet që do të referonte me Qeverinë Jugosllave. Kjo, për të sqaruar serbët hollësisht, mbi qëllimet e Musolinit kundrejt Jugosllavisë e Greqisë dhe njëkohësisht, për të rregulluar personelin, me ndihmën e shtetit Jugosllav. Madhëria e Tij, Mbreti Zog, pasi përfundoi bisedimet, me kolonel Hysen Selmanin, duke i dhënë të gjitha instruksionet, u ndanë dhe koloneli shkoj dhe pa Mbretëreshën e Princin Trashëgimtar.
Dhe i shoqëruar deri në stacionin e trenit nga ministri Asaf Xhaxhuli, dhe prej kryetarit të Parlamentit, Hiqmet Delvinës, u nis për në Shkup të Jugosllavisë, ku ishin të lajmëruar të gjithë oficerët dhe bajraktarët emigrant, që ndodheshin në Jugosllavi. Kolonel Hysen Selmani, më datën 2 qershor 1939, në mëngjes, arriti në Shkup. Në stacion, ishte pritur prej Murat Kaloshit, Aqif Lleshit, Himçe Kabës, Mehmet Ali Bajraktarit, major Abaz Kupit, major Murat Bashës, një major i Garnizonit, Profesor Mustafa Gjinishi, Hasan Reçi, Abedin Çiçi, kapiten Avni Deralla, e shumë oficerë e civilë.
Bëhej një numër pothuaj më tepër se 200 vetë. Aty, pasi u përshëndet me të gjithë, hipën nëpër automobila dhe shkuan në Hotel “Bistol”, ku ishte rezervuar vendi i qëndrimit. Aty mbasi pinë kafe dhe mbaruan bisedimet, kolonel Hysen Selmani, i shoqëruar prej major Murat Bashës e kapiten Avni Derallës, shkoi në Komandën e Armatës së Shkupit, për t’i bërë vizitën Komandantit të Armatës, gjeneral Nedel Koviçiç. Atje u prit me nderime, krejt miqësore. Kjo sepse, ata ishin miq dhe të njohur më parë, dhe në bisedimet e pakta që u zhvilluan dhe të kuptojë se ushtria, nuk ishte dakord me Qeverinë. Po, për të biseduar më gjatë, e lanë për të nesërmen. Në këtë kohë, kolonel Selmani, mori leje e doli, ndërsa gjenerali, e përcilli deri tek porta dhe i tha: “Jemi miq dhe çdo gjë ma thoni haptazi, sepse keni adjutantin tim, major, në dispozicion”. Pastaj, ata u përshëndetën dhe dolën.
Kolonel Selmani, shkoi direkt në orën 11 tek Bani, Guvernatori i Shkupit, për t’i bërë vizitën. Ky e priti shumë mirë. Pastaj e mori për krahu e, shkuan në sallon. Duke biseduar, u prek fatkeqësia e 7 prillit. Ai i tha kolonelit se: “Këtë radhë, munguam për t’ju ardhur në ndihmë, interesave të përbashkëta, e jemi me plot faj”. Por koha, do ta tregojë arsyen. Ishte në dijeni se, do të vizitoja emigrantët shqiptarë dhe më tha: “Ju lutem si mik, për çdo nevojë më lajmëroni. E kam dhënë urdhrin, që kudo, të jeni i lirë”. E falënderova dhe pastaj dolëm. Ai më përcolli deri tek porta, shumë i sinqertë.
Pasi ishte vonë për t’i bërë vizitën Komisarit të Policisë, dërgova kapiten Avni Derrallën, që ta lajmëronte që: Pasdite, do të dëshiroja për t’i bërë një vizitë, unë me major Murat Bashën. Me majorin jugosllav, shkova në hotel, se aty nga pritnin të gjithë. Në atë vend, i telefonova Princ Xhelal Zogut dhe e pyeta se si ishte. I thashë se, do të vij pasdite, për ta parë. Kur më tha: “Jo, unë do të vij tani aty në hotel, për t’ju parë”, dhe vërtet erdhi. Si u përshëndetëm, shkuam në sallonin e bukës, ku pothuaj më tepër se 60 persona, hëngrëm drekën dhe biseduam.
Pasi mbaruam drekën dhe kemi biseduar, në këtë kohë, do të shkoja, ashtu si e kisha llogaritur, tek Komisari i Policisë, për t’i bërë vizitën, se më priste. Mora kapiten Avni Derrallën, e shkuam. Ky na priti shumë miqësisht. Ishte malazez, dinte dhe pak shqip e biseduam gjatë e gjerë. Ndërsa, kur u ngrita për të dalë, më futi krahun me bujari dhe më tha se; do t’ju lë një komisar policie në dispozicion, i cili di dhe shqip. E falenderova, por i thashë se; Komandanti i Armatës, më ka lënë një major dhe nuk është nevoja”.
“Jo, jo, – më tha duke qeshur, – ai e bën për vete dhe unë e bëj me urdhrin e Banit e, me dëshirën time”. Pastaj, u falëm dhe dolëm. Në këtë ditë, në orën 6 pasdite, më vjen Komandanti i Armatës, gjeneral Nedel Koviçiç dhe Kryetari i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral Kovaçeviç, në hotel. I pritëm shumë mirë dhe ju dhamë nga një pije. Dhe kemi biseduar shumë gjëra. Ky ishte krejtësisht në kundërshtim me Qeverinë dhe me gjeneral Nediçin, si ministër i Luftës. Unë edhe atë e kisha mik, por më foli shumë keq për të, e më tha: “Sikur mos të kishim këtë Qeveri, më 7 prill, nuk kishte mundur të zbarkonte në tokën shqiptare Italia fashiste. Por do t’i përngjante asaj kohe të ’34-ës, kur ishte Mbreti Aleksandër gjallë, sepse, i njëjti program musolinian, ka qenë. E pra këtë, çdo jugosllav e kupton, po kjo, shumë shpejt, do të vijë tek portat tona”, etj.
Me këto biseda krejt të sinqerta e të tjera, vazhduam. Pastaj i thashë ushtarëve serbë se: “Nesër dëshiroj të shkoj deri në Gostivar, për të parë emigrantët shqiptarë. Dhe kur të kthehem, do t’ju lajmëroj që po të gjeni kohën, dëshiroj që të bisedoj, përsa i përket emigrantëve, oficerë dhe civilë”. Më tha: “Shumë mirë. Ja, ku e keni majorin me vete, po dëshiruat gjë tjetër, më thoni”. Pastaj, më shtoi: “Kur të dëshironi, në komandë të vini, se unë jam mik e, ju dua dhe bile, do t’ju pyes edhe për Madhërinë e Tij, Mbretin Zog, sepse ai, më njeh mirë. E kam një sipmpati po të njëjtë, me Mbretin tim. Kam patur shumë herë bisedime me Madhërinë e Tij. Major Iliçin, unë ja kam pas dhënë në dispozicion”, etj. Me këtë fjalë, e përcollëm deri tek automobili e, u përshëndetëm e shkuam.
Më datën 4 qershor 1939, koloneli, shkoi në Gostivar. Aty ishin të gjithë oficerët, profesorët, civilët, mëse 800 veta. Me vete kisha Murat Kaloshin, Aqif Lleshin, Himçe Kabën, major Murat Bashën, Haxhi Lleshin, Kapiten Avni Derrallën, majorin Jugosllav, Profesor Mustafa Gjinishin e, disa të tjerë. Kur mbërritëm në Gostivar, na pritnin kapiten, Hamza Drini, kapiten, Shyqëri Baftjari, kapiten, Shaban Tirana, Profesor, Abedin Çiçi, Profesor, Mustafa Gjinishi dhe Myftar Kaloshi e, kapiten Sali Llanin. Detyra ishte, për të përpiluar një listë për t’ju bërë një pagesë për gjashtë muaj. Si sekretar, ishte toger Qemal Shtino. Veçanërisht në këtë ditë, kishim porositur 60 qingja të pjekur e, disa gjëra të tjera, që kemi ngrënë të gjithë një drekë së bashku, si në një piknik.
Kështu si u përpilua lista, ju dhashë një shumë të hollash, 6 muaj rrogë, por në napolona letër. Ata u kënaqën së tepërmi dhe në darkë, pasi u përshëndetëm me ta, ju kam thënë se: “Nuk kam për të ikur, pa ju rregulluar ju mirë. Do t’ju shoh shpesh. Kështu, shkuam në Shkup”.
SHKUP 5 QERSHOR 1939
Në orën 12 të kësaj date, kur po bisedoja me gjithë përgjegjësit e emigracionit, më vijnë në hotel “Bristol”, Guvernatori, bashkë me Kryetarin e Shtatmadhorisë të Armatës, gjeneral Kovaçeviç. Ata më kanë kthyer vizitën me këtë rast. I pritëm shumë mirë dhe krejt miqësisht, si dhe duke qeshur. Pastaj më thanë se: “Si kaluan miqtë tuaj, emigrantë? A kanë qenë të kënaqur, kur ju panë juve”? Pastaj Guvernatori, më shtoi se: “Mos u bëni aspak merak, se do të merren masat e ndihmave të tyre, sa më shpejt, si për oficerët, ashtu dhe për civilët”. Pastaj, bëmë edhe bisedime të tjera. Qëndruam deri në orën 13, por ata mbetën shumë të kënaqur dhe, duke kërkuar leje për të dalë, më shtuan se: “Për çdo gjë, jemi gati t’ua plotësojmë”. I përcollëm dhe dolëm me këtë rast.
Pasi tani ishte koha e bukës, ramë në sallon të bukës. Ishim bashkë me të gjithë përgjegjësit si oficerë, Pari dhe profesorë, etj. Sa filluam bukën, më vijnë Profesor Mustafa Gjinishi dhe toger Ibrahim Farka, e më thonë: “Kemi një telegram prej nja 15 studentë, që kanë mbetur në Qaf-Prush”. Menjëherë, i thashë kapiten Avni Derrallës dhe Profesor Mustafa Gjinishit: “Po, sa të vijë ora 4 pasdite, shkoni tek Guvernatori dhe i rregulloni në mënyrë, që ata të lejohen të vijnë në Shkup me tren. Shpenzimet, janë tonat”.
“Mirë, – më thanë, ndërsa ishim në bisedime të tjera, mbi formën e një organizimi. Sa për darkë, kisha Myslym Pezën dhe Neim Starovën. Këta, ishin bashkë me Profesor Mustafa Gjinishin, e toger Ibrahim Farkën. Këta do të shkonin në Shqipëri dhe kështu me këtë të dy, në të gjitha programet, mbetën dakord. Menjëherë pas buke, këta të dy do të niseshin për në Ohër dhe Strugë, Tiranë, ku do të kryheshin disa veprime të marra përsipër.
Isha rregullisht i lidhur me telefon me Stambollin, me Hotel “Pera Palace”. Bisedova mbi të gjitha dhe duke ju dhënë të kuptonin se, kam të gjitha lehtësirat, më tepër se mendonim. Kjo, jo vetëm që do të sigurohen ndihma për personelin emigrant, por, do të më lejojnë edhe për një organizim punimi. Po, natyrisht, gjithmonë të fshehta, e pas tre ditëve, do të shkoja në Beograd. I vura në dijeni mbi 16 studentë të Shkollës Teknike, të cilët hë për hë, ishin nën kujdesin e Profesor Mustafa Gjinishit.
Pas kësaj, thirra të gjithë përgjegjësit, si për oficerë, Pari, dhe profesorë e rini, në Hotel “Bristol”: Aqif Lleshin, Murat Kaloshin, Mehmet Ali Bajraktarin, major Murat Bashën, Profesor Mustafa Gjinishin, kapiten Avni Derrallën, kapiten Shaban Tiranën, kapiten Hamza Drinin, kapiten Shyqëri Baftjarin, Agronom Abedin Çiçin, Jusuf Selmanin, Jashar Lelën, Sali Llanin, e, profesor Stavro Bojaxhinë.
Me këta, u zhvillua një bisedë rreth mundësive mbi një organizim punimi për sa na nevojitet. Që të jemi të lidhur sa më mirë, me elementët e brendshëm. Që të mos humbnim aspak shpresat e fitores së shpejtë, për çlirimin e atdheut. Por që natyrisht, ky organizim, duhet të ishte krejtësisht i fshehtë, pa rënë në sy të armikut. Kjo, jo vetëm që do të shkaktonte protesta kundër Jugosllavisë, por, do të sillnin edhe shumë dëme në elementin e brendshëm. Për arsye se, mund të shpërthente një ngjarje para kohe dhe vendi ku ishim, mund të merrte masa e, të na ndalonte. Për këtë qëllim, unë kam biseduar dhe deri diku më kanë lejuar mënyrën, se si duhej bërë ky veprim. Pa rënë në sy krejtësisht. Për më tepër, edhe në vendin ku jemi, organizimi u bisedua kështu.
SHKUP 6 QERSHOR 1939
Pasi u bënë shumë bisedime mbi studimin në imtësi, ai u pëlqye prej të gjithëve. Në mënyrë më të përshtatshme, ajo ishte një veprimtari e dobishme, për sa i përket emigracionit në Jugosllavi. U vendos në këtë mënyrë funksionimi. Ai do të ishte në tre qendra të ndryshme. Dhe çdo qendër, është përgjegjëse mbi programin e organizimin që i përket. Ashtu siç po shënojmë këtë poshtë:
A.- Qendra Ushtarake:
Do të jetë përgjegjës për t’u ndërlidhur ngushtësisht, me të gjithë oficerët, siç do ju caktohet programi, kohë pas kohe. Çdo veprim, mbahet në fshehtësinë më të madhe, që në asnjë mënyrë, mos të bjerë në vesh të armikut, as të vendit.
- – Qendra e intelektualëve:
Kjo qendër, duhet të ndërlidhet ngushtësisht me të gjithë mësuesit e studentët, që këta njohin. Flitet për ata që nuk kanë asnjë kontakt me shërbimin e Fashizmit. Këto kontakte, do të bëhen në bazë të një programi me institucione, radha-radhës. Me kusht që, asgjë të mos bjerë në vesh të askujt
- – Qendra e Parisë
Do të jetë ngushtësisht e lidhur, me oficerët kreshnikë, por me kusht, vetëm për ata që i njohin mirë. Dhe, mos të jenë në shërbim të armikut e, me një kujdes të madh. Sepse, njëra prej të trejave të kuptohet, dëmtohen të treja dhe mbetemi në situatë të keqe. Këta, ishin përgjegjës që u zgjodhën nga komisioni që u mblodh në Shkup, nën kryesinë e kolonel Hysen Selmanit, më 6 qershor 1939. Kryetarët e qendrave të funksionimit, për Valievo, ishin: N/Kolonel Kuçuk Ullagaj.
Për Shkupin, ishte Aqif Lleshi dhe Profesor Mustafa Gjinishi. Këta, pranuan zhvillimin e punës, në bazë të një programi, i cili do të ndryshonte sipas gjendjes. Ata morën përsipër, gjithë mbarëvajtjes së punimeve. Në pasqyrën tjetër, shënohen qendra rreth kufirit. Pasi u zgjodh elementi i përshtatshëm e, i aftë në qendrat e funksionimit, në harmoni të plotë me njeri tjetrin, ata pranuan të gjithë përgjegjësitë e veprimeve, në bazë të programit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016