Nga Hysen Selmani
Pjesa e nëntë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Tiranë më 5 Prill 1939 ora 1 pasdite
Zogu i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, urdhëroi mbledhjen e përgjithshme parlamentare, Parlament e Qeveri së bashku, për ta studiuar e për ta vënë në votë ultimatumin italian. Ai kuptohet u refuzua. Asambleja Kombëtare u mblodh në ora 2 mbas dite të kësaj date dhe shqyrtoi në imtësi ultimatumin italian. U pa se është i papajtueshëm dhe cënon independencën e Shqipërisë, si shtet i lirë. Prandaj ky institucion, unanimisht vendosi që është i papranueshëm dhe në qoftë për luftë, do të vdesim për Atdhe e për lirinë tonë. Ai u votua kundër prej të gjithëve. Asambleja Kombëtare, në këtë mbledhje, i dha votëbesimin Madhërisë së tij Zog i I-rë. Ky votëbesim është i fuqishëm brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të mbrojtur të drejtat e Atdheut.
Asambleja historike e 5 prillit 1939, që vendosi unanimisht për mospranimin e ultimatumit italian dhe që pranonte gjendje më të vështirë që mund të lindë edhe luftë, Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, nën kryesinë e kryeministrit Koço Kotta, i veshur prej fuqive të dhëna rishtazi, mori votëbesimin unanimisht prej Parlamentit, e në bazë të vendimit që u mor nga Asambleja Kombëtare, përpiloi notën përgjegjëse të ultimatumit Italian. “Duke pranuar gjendjen më kritike, që mund të lindi nga kërkesa e pavend musoliniane, ultimatumi u refuzua në mënyrë të prerë”. Qeveria Mbretërore Shqiptare, pasi refuzoi ultimatumin Italian, dërgoi telegrafisht protestë kundër Italisë, Shteteve të Europës, SHBA-së, Lidhjes së Kombeve, shteteve ballkanase, e botës mbarë, mbi të gjitha këto mbi veprimet ushtarake fashiste, kundër Shqipërisë, e cila ishte aleate e Lidhjes së Kombeve.
Përbërja e Qeverisë Shqiptare, që mori votëbesimin rishtazi, ishte: Kryeministër dhe Ministër i Botores, Koço Kotta, Ministër i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, Ministër i Drejtësisë, Faik Shatku, Ministër i Brendshëm, Musa Juka, Ministër i Financave, Kolë Thaçi, Ministër i Arsimit, Abdurrahman Dibra, Ministër i Bujqësisë, Rrok Gera. Ky kabinet, i Kottës i 1939-ës, bashkë me pjesën më të madhe të Parlamentit, pas pushtimit, u tërhoqën në emigrim. Kjo qeveri, vazhdoi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Stamboll të Turqisë, ku u njoh zyrtarisht nga ky vend dhe deri në fund të Luftës në Stamboll, nuk mungoi në shërbimet e saj, siç kanë për t’u shpjeguar më vonë.
Tiranë më 5 Prill 1939 ora 5 pasdite
Më 5 prill 1939, në orën 5 pasdite, të gjithë organizatorët italianë, kishin marrë urdhër për t’u kthyer menjëherë në Itali. Por pasi studentët ushtarakë shqiptarë, ndodheshin në Itali, kjo ju ngarkua Ministrit të Jashtëm, Ekrem Libohovës dhe komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasit, që të mos lejonte organizatorët italianë, të shkonin pa marrë masat, në mënyrë që oficerët tanë që ndodheshin në Itali, të ktheheshin në Shqipëri e, të merren masa që të niseshin sa më parë. Në orën 6 paradite, të po kësaj date, erdhi ministri i SHBA-së Hugh Grant, dhe menjëherë Mbreti e pranoi në audiencë. Ku miku i madh i Shqipërisë, Grant, bëri ç’është e mundur që, “Shtete e Bashkuara të Amerikës”, të ndërhynin për të ndalur këtë rrezik, që po i thurej Shqipërisë së vogël dhe që ishte e pa përkrahur, prej askujt”.
Unë, kisha marrë urdhër për të vizituar trupat në Shijak dhe Durrës. Mora me vete dhe major Gjon Dvoranin e, kapiten Gjergj Moskon, komandant i baterisë 75/27, që do të sistemohej në zonën e Durrësit. Aty shkova në Komandën e Garnizonit, pasi mbarova të gjithë kontrollin, kërkova kërkova Prefekt Mark Kodhelin, por më thanë se, kishte shkuar në Tiranë. Pasi konstatova se çfarë më ishte urdhëruar, u ktheva në Tiranë e, drejt në Komandën e Xhandarmërisë. Aty gjeta dhe major Abaz Kupin e i thashë se, e kërkova në Durrës, po mirë ishte edhe që e takova aty: “Ju jeni i ngarkuar si Komandant i Mbrojtjes së Durrësit e, ndër trupat e caktuara, a keni ndonjë të metë që t’ju plotësohen menjëherë”?!
Ai mu përgjigj se: “Unë, përveç 60 xhandarëve, tjetër fuqi nuk kam. As që më është dhënë, e as që kam ndonjë urdhër”. Kjo më habiti. Ju përgjigja: “Po Batalioni i Xhandarmërisë, nën komandën e kapiten Xhemal Herrit, nuk ka mbërritur akoma në Durrës”?! “Nuk kam asnjë dijeni”, më tha Abaz Kupi. Pas kësaj, nën prezencën e Abaz Kupit, thirra gjeneral Xhemal Aranitasin. Po aty, ishte edhe kolonel Shefki Shatku, në Komandën e Xhandarmërisë. Ju thashë mbi organikën e forcës së mbrojtjes së Durrësit, që brenda këto 7 orëve, duhet të plotësohen dhe të vihen në komandën e Abaz Kupit.
“Një Batalion i Xhandarmërisë, nën komandën e kapiten Xhemal Herrit, një Batalion i Rojës së Kufirit, Komanda e Garnizonit, dhe Toga e Marinës, një Bateri 75/27, nën komandën e Kapiten Gjergj Moskos, 600 kreshnikë nga Kruja e Kavaja, një Kompani Z.M. nën komandën e Toger Ferhat Barutit. Kjo është e gjithë fuqia që lipset të keni në dispozicion, i thashë Major Abaz Kupit, dhe menjëherë dërguan kamionët për të transferuar Batalionin e Xhandarmërisë, që ndodhej duke marshuar në afërsi të Rrogozhinës.
I thashë majorit që të nisej për në Durrës e, të merrnin të gjitha masat e mbrojtjes, përsa i përket Xhenios, Artilerisë, Batalionit të Kufirit, dhe Marinës, i keni gati në Durrës. Tani komanda, do të japë urdhrin e tyre, dhe një kopje të urdhrit e merrni ju me vete. Sapo të arrini në Durrës, më telefononi menjëherë për fuqitë, siç ju thashë e për çdo mungesë, më lajmëroni mua. Do t’ju dërgoj 200 armë nga Garda dhe të armatosni të burgosurit, se kam folur vetë me ta dhe i keni dhe ata një fuqi, vetëm se duhet ta dini se, nga mbrojtja e Durrësit, varet i gjithë problemi.
Pasi u nis major Abaz Kupi, i thashë komandantit për major Sabri Gjilanin, për mbrojtjen si mbështetës i Durrësit, që të dërgohen menjëherë fuqitë në Shijak. Në mënyrë që ato të sistemohen me kohë, se tani nuk ka më asgjë që të na pengojë. Çdo veprim të bëhet haptazi”. Kur u thirr major Sabri Gjilani, bashkë me major Mul Delinë, që ishte komandant i Batalionit “Deja”, i cili ishte i pajisur në organikë lufte, me një Bateri mali 65/17, si dhe një stacion lidhjeje me Radio R-3, e 300 kreshnikë, nën Ramazan Jellën. Këto ishin për Shijakun, dhe dy kompani Këmbësorie, që u u nisën menjëherë me kamionë.
“Bisedova mbi Vlorën, për aq sa kolonel Ali Rizaja, ankohet dhe kërkova t’ju plotësohen mungesat. Pastaj shkova në Pallat. Kur hyra brenda, Mbreti më kishte kërkuar e më tha se; çfarë bëre?! Ia parashtrova të gjitha, si në Durrës. Po ashtu i plotësuam forcat e Durrësit e, dërgimin e tyre në Shijak, si dhe Abaz Kupit, i thashë të më lajmëronte në telefon, për çdo të metë e jam duke i dërguar 200 armë, për të armatosur të burgosurit, se kam folur vetë me ta”.
“Shumë mirë”, tha Mbreti. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, ishin aty. Si mbarova, ju ktheva Musa Jukës e i thashë që; kërkova Prefektin Mark Kodhelin, por nuk e gjeta, sepse më thanë se kishte ikur në Tiranë. Musai kur i thashë këtë, u shqetësua e menjëherë tha: “Më duket se paska ikur, tradhtari”.
Kryeministri Kotta, i kërkoi Mbretit që ta lejonte të fliste. “Fol” i tha Mbreti. “Nuk ka ndonjë rëndësi, ikja e Prefektit të Durrësit, Mark Kodheli. Ajo nuk luan asnjë rol, por është Ushtria e Xhandarmëria, që luajnë rol. Dhe unë, për t’u siguruar në të gjitha, shoh nevojë të domosdoshme, të shpallet shtetrrethimi nën direksionin e kolonel Hysen Selmanit. Kjo, ka për të detyruar çdo ent ushtarak e civil, që të plotësojë detyrën, përndryshe asgjë nuk do bëhet. A nuk e shihni akoma, që Durrësi dhe Shijaku, janë këtu dhe ende pa asnjë instruksion, as rendim trupash, saqë sot, me këmbëngulje i paska vënë deri diku në vend koloneli” tha Kryeministri Kotta.
Mbreti tha: “Po edhe ajo mund të bëhet, po të shihet nevoja. Por përsa i përket kolonel Selmanit, e ka detyrën e vet dhe po i kryen energjikisht. Sepse, direksioni i shtetrrethimit, i përket komandës që ta formojë. Por të shohim se, ky Mark Kodheli, do të jetë larguar, i tha Musa Jukës, e ende s’dimë gjë mbi të”.
“Jo Madhëri,- tha Musai, se është 99 përqind italian e dija, por siç tha kryeministri, nuk luan ndonjë rol pesha e Mark Kodhelit”.
Unë i parashtrova Mbretit, në prezencë të kryeministrit Kotta dhe ministrit Musa Juka, se ekzistonin këto fjalë. “Madhëri, ministri i Brendshëm, Musa Juka, komandanti i Mbrojtjes, gjeneral Xhemal Aranitasi, dhe komandanti i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, nuk janë në harmoni të mirë me njëri tjetrin dhe i kthejnë shpinën njëri-tjetrit, për ta mposhtur. Gjeneral Aranitasit, i është mbushur mëndja se luftohet prej Musait, Abdurrahmanit, dhe Shefkiut e kjo, do të thotë që të mos e bëjë detyrën e tij. Ai thotë se, nuk e lënë të punojë, pra ky vetë, ose ka luajtur, ose është më mirë që t’i thërrasë vetë Madhëria Juaj, që të tre ata, bashkë me Musanë dhe Shefkinë. Këtë ja parashtrova Mbretit. “Keni të drejtë”, më tha Mbreti. E di, po nuk duhet të bazohemi aspak te ai. Nga gjendja e keqe, për të mos rënë në sy të italianëve, e lamë që ta thërrasim këtu, me Musanë dhe Shefkinë, në orën 10-të, të tre bashkë.
Më datën 5-6 prill 1939, në orën 2 pas mesnate, në oborr vjen Mehmet Konica dhe Ferid Dervishi, këta, sapo vinin prej Legatës Jugosllave dhe dëshironin të paraqiteshin tek Mbreti. Ky i fundit, i pranoi menjëherë. Ndërsa hynë brenda, të dy i parashtruan tekstualisht kështu:
“Na thirri Ministri i Jugosllavisë, Milciçi, i cili na komunikoi përgjigjen që, kishte marrë nga ministri i Jashtëm Jugosllav, Çinçar Markoviç. Ky, i thoshte tekstualisht kështu: “Nuk është aspak e vërtetë se, Italia ka vendosur për ndonjë veprim kundër Shqipërisë, ose ka marrë masa ushtarake. Arsyeja është se dje, vetë ministri i Jashtëm Italian, Konti Çiano, siguroi ambasadën tonë në Romë, që; asnjë veprim nuk kemi kundër Shqipërisë. Por Qeveria Shqiptare, ajo vetë me sjelljet e saj, jo të pëlqyeshme, do që të bëhet nxitëse, e një lufte në Ballkan.
Prandaj Jugosllavia, këto sjellje nuk i shikon me sy të mirë, e në qoftë se Shqipëria, nuk heq dorë nga këto veprime kundër Italisë, që mund të sjellin një katastrofë shumë të rëndë kundër Ballkanit mbarë, këshillon që, mos të bëhet nxitëse e ngjarjeve. Se Qeveria Jugosllave, që sot, është vënë në dijeni se në rast të ndonjë ngjarjeje, nuk ka për të lejuar, asnjë lëvizje në afërsi të kufirit dhe i është dhënë urdhër ministrit të Luftës Jugosllave, që të marrë masa, kundër ndonjë ngjarjeje të tillë, për sigurimin e interesave jugosllave, përsa i përket kufirit shqiptaro-jugosllav.
Fjalët që sollën Mehmet Konica e Ferid Dervishi, thonin se; Qeveria Jugosllave, ia komunikojë Miliciçit, për t’ia komunikuar Qeverisë Shqiptare. Dhe nesër, Qeveria Jugosllave, do të lajmëronte zyrtarisht, Ministrin e Punëve të Jashtme Shqiptare. “Kjo, d.m.th., se Jugosllavia, është e shtrënguar edhe pa dashje që të bëhet aleate e Fashizmit, për të zezën e vet nesër…”- tha Mbreti Zog.
Kjo sjellje e Jugosllavisë, e mërziti shumë Mbretin Zog, pasi, nuk e priste një veprim të tillë nga Jugosllavia, sepse, ishte e ditur që, do të mbetej neutral, as pro e as kundër, por jo në këtë mënyrë, t’i tërheqë vërejtje Shqipërisë, sepse, mbron tokën e saj dhe të marrë masa ushtarake kundër Shqipërisë, kjo nuk pritej”.
Mbreti Zog, si bisedoi më gjerë me Mehmet Konicën e Ferid Dervishin, të cilët i thanë edhe të tjera gjëra private, që ua kishte ministri Milciç, u trondit mjaft. Sa dolën këta, më urdhëroi të thërras kryeministrin Kotta, ministrin e Brendshëm Musa Juka, komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasin, komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkun, të paraqiten menjëherë tek ai. Ora ishte 3 pas mesnate. Menjëherë i lajmërova me telefon, brenda një gjysëm ore, ata erdhën.
Ai i lajmëroi mbi qëndrimin e Jugosllavisë, gjë e cila bënte që të ndryshonte i gjithë programi i rendimeve të mëvonshme, në afërsi të kufirit jugosllav, që të mos kenë shkak, por e gjithë rëndësia, t’i jepet nga kufiri grek. Kjo na ka penguar shumë, sepse sjelljen jugosllave, nuk e besonim të ishte në këtë mënyrë. Mbreti pastaj shpjegoi, përsa i kishte parashtruar Mehmet Konica dhe Ferid Dervishi, mbi qëndrimin jugosllav e ju tha:
“Siç ju kam urdhëruar, që më 24 shkurt 1939, për të marrë masat e mbrojtjes të Atdheut, për të plotësuar mundësisht, kuadrin e disa reparteve ushtarake, e gjithashtu, sa i përket batalioneve të Xhandarmërisë, duke i pasur edhe ndihmat e nevojshme prej Prefektëve, shpresoj se sipas sigurimeve që më keni dhënë, në bazë të një plani që ju vetë më keni paraqitur, ja ky është. Pra, sot ju urdhëroj, që haptazi e pa asnjë pengesë, lipset të plotësohet çdo mungesë dhe për të qenë të gatshëm, për çdo kërcënim, për të mbrojtur Atdheun, ora ishte 3 pas mesnate, e datës 6 prill 1939.
Më pas, Mbreti shtoi: “Trupat e Mbrojtjes Bregdetare, duhet të luftojnë trimërisht, kundër armikut, i cili pritej minut pas minuti. Rezistenca bregdetare, duke pranuar sakrificat më të mëdha, nuk duhet të tërhiqet prej vendeve, pa urdhër. Komandat mbështetëse bregdetare, në kohë, duhet të bëjnë detyrën, për të ndihmuar vijat e para të tyre, duke përballuar me çdo kusht, mësymjet armike, që janë të ndërlidhura ngushtësisht, me krahët e tyre.
Komandat e zonave me rezervat e tyre, kanë në dispozicion, në momentin e volitshëm ,siç janë urdhëruar, duhet pikë për pike, të kryejnë detyrat kundrejt armikut, në mësymjet në kohë dhe duke mos shkëputur në asnjë mënyrë, kontaktin me trupat e tyre, që ndodhen me armikun. Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, natyrisht, do të jetë ngushtësisht, në lidhje të afërme me të gjitha komandat e zonave, për t’ju dhënë urdhrat e përkrahjet e nevojshme, në kohë dhe për të disponuar në kohë, çdo gjendje që mund të lindë, e për të siguruar ndërlidhjet, në mes të zonave e komandës, në çdo minutë në kontakt.
Komanda, rezervën e saj do ta mbajë në qendrën e saj, ku nevojat më të dobishme, do ta kërkojnë që të bëjë detyrën e shkëlqyer, që i përket në kohën e volitshme, e cila të lartësojë traditat dhe famën shqiptare. Komandanti i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, mbetet ndihmës i komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral, Xhemal Aranitasi, duke vënë të gjitha forcat e Xhandarmërisë e, çdo forcë e armatosur, nën urdhrat e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare. Ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, ka për të urdhëruar Prefektët, që ngushtësisht, të jenë të lidhur me komandat e Ushtrisë, duke u dhënë përkrahjet më të mëdha, që do t’ju nevojiten.
Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, mund të mobilizojë mjetet dhe kafshët që i nevojiten për Ushtrinë, prej popullit, me anën e Prefekturave, Komandat e Mbrojtjes Kombëtare, që sot, e merr gjithë situatën e brendshme në dorë, saqë Ministri i Brendshëm, lidhet ngushtësisht me Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, për të siguruar çdo gjendje. Meqë e gjithë fuqia e armatosur varet prej Komandës së Mbrojtjes, e cila kur do të shohë nevojën, mundet të kërkojë prej Kryeministrit, shpalljen e shtetrrethimit.
Pas këtij urdhri, nuk kam për të pranuar asnjë ndryshim dhe nuk duhet të humbim minutën”, tha Mbreti. “Për nevojat që mund të nevojiten, as një pengesë nuk ka më, që na ndalonte fshehtësia, për të mos rënë në sy të italianëve etj. Propagandës jugosllave, mos t’i vihet veshi. Sepse kjo, mund të bëhet e të shpiket prej italianëve, kjo duhet t’u tregohet edhe komandantëve të zonave, si rrezik që po i thurej Shqipërisë së vogël dhe që ishte e pa përkrahur prej askujt”.
Unë, kisha marrë urdhër për të vizituar trupat në Shijak dhe Durrës. Mora me vete dhe major Gjon Dvoranin e kapiten Gjergj Moskon, komandant i Baterisë 75/27, që do të sistemohej në zonën e Durrësit. Aty shkova në Komandën e Garnizonit, pasi mbarova të gjithë kontrollin, kërkova Prefekt Mark Kodhelin, por më thanë se, kishte shkuar në Tiranë. Pasi konstatova se çfarë më ishte urdhëruar, u ktheva në Tiranë e, drejt në Komandën e Xhandarmërisë. Aty gjeta dhe major Abaz Kupin e, i thashë se e kërkova në Durrës, po mirë ishte dhe që e takova aty: “Ju jeni i ngarkuar si Komandant i Mbrojtjes së Durrësit e, ndër trupat e caktuara a keni ndonjë të metë që t’ju plotësohen menjëherë”?!
Ai mu përgjigj se: “Unë përveç 60 xhandarëve, tjetër fuqi nuk kam. As që më është dhënë, e as që kam ndonjë urdhër”. Kjo më habiti. Ju përgjigja: “Po Batalioni i Xhandarmërisë nën komandën e Kapiten Xhemal Herrit, nuk ka mbërritur akoma në Durrës”?! “Nuk kam asnjë dijeni”, më tha Abaz Kupi. Pas kësaj, nën prezencën e Abaz Kupit, thirra gjeneral Xhemal Aranitasin. Po aty ishte kolonel Shefki Shatku, në Komandën e Xhandarmërisë. Ju thashë mbi organikën e forcës së mbrojtjes së Durrësit, që brenda këto 7 orëve duhet të plotësohen dhe të vihen në komandën e Abaz Kupit.
“Një batalion i Xhandarmërisë, nën Komandën e kapiten Xhemal Herrit, një batalion i Rojës së Kufirit, Komanda e Garnizonit, dhe Toga e Marinës, një Bateri 75/27, nën komandën e kapiten Gjergj Moskos, 600 kreshnikë nga Kruja e Kavaja, një kompani Z.M. nën komandën e toger Ferhat Barotit. Kjo është e gjithë fuqia që lipset të keni në dispozicion, i thashë Major Abaz Kupit, dhe menjëherë dërguan kamionët për të transferuar batalionin e Xhandarmërisë, që ndodhej duke marshuar në afërsi të Rrogozhinës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016