Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e katërt
Memorie.al/ Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit të 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se, më 28 maj, mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, edhe sot, dy prej gazetarëve më të mirë të Radio – Tiranës, që nga koha e krijimit të saj, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik, që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se, pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor, të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.
Për këto probleme në dhjetor të vitit 1961, kur ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike u bë publike, kam biseduar gjatë me Fadil Kokomanin. Dhe kjo, sepse fillimthi në bisedë edhe me shokë të tjerë, pata krijuar bindjen se Enver Hoxha tanimë kishte gjasa të lidhej me Perëndimin. Me një fjalë, do të ndodhte pak a shumë ajo që kishte ndodhur me Jugosllavinë e Titos, kur Stalini e përjashtoi nga kampi socialist. Por Fadili, me largpamësi më thoshte se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Dhe nuk kishte si të ndodhte. Ai, siç thamë, vërtetë ishte filosovjetik, por, në të njëjtën kohë, ishte edhe filoperëndimor.
Dihet si rrodhën punët pas shkëputjes së Shqipërisë nga Rusia Sovjetike. Në një kohë kur tërë vendet e kampit socialist, të quajtura nga Enver Hoxha tashmë “vende revizioniste”, që kishin tradhtuar parimet marksiste leniniste, nisën të ndryshonin qëndrimin ndaj vendeve perëndimore, Shqipëria u lidh me Kinën, duke mbetur prapa në të gjitha drejtimet.
Dhe kur Kina vete, duke parë që kjo politikë po e izolonte nga bota, vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe nisi një kurs të ri, diktatori Hoxha, në vend që të ndiqte këtë politikë, u shkëput nga Kina, ashtu siç ishte shkëputur më parë nga Bashkimi Sovjetik dhe e futi Shqipërinë në një izolim të plotë nga bota.
Kjo ndodhi më 1978. Pikërisht në këtë kohë Fadili dhe Vangjeli nga një anë, e Xhelali nga ana tjetër, shkruan letrat e mësipërme. Ata u shtynë nga synime shumë të larta atdhetare, që t’u jepnin një sinjal byroistëve, të cilët më së fundi të kishin guximin që u kishte munguar, për ta hequr qafe Enver Hoxhën, për ta shpëtuar Shqipërinë, ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që kjo vështirë se mund të ndodhte.
Nga kjo pikëpamje më realiste ishte letra e Xhelalit. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë: Shqipëria ishte e lidhur me Kinën si mishi me thoin: “Dy luanë ka sot bota/Një Azia, një Evropa…”, këndonte populli. Sikur Enver Hoxha t’i shkonte pas Kinës, askush nuk do të habitej, jo më në Shqipëri, por edhe në tërë rruzullin tokësor, sepse këto dy vende njihnin tashmë një miqësi shumëvjeçare. Po të kishte ndodhur kjo, Shqipëria do të kishte hyrë në orbitën botërore që më 1978 dhe kuptohet se në ç’nivel do të ndodhej sot.
Sidoqoftë, nuk ka shumë rëndësi, nëse ishte letra e Xhelalit më realiste se ajo e Fadilit dhe Vangjelit ose e kundërta. Ajo që ngre lart figurat e këtyre pararendësve të demokracisë, është guximi i pashembullt i tyre: Nga skëterra i bënin një paralajmërim diktatorit dhe klanit të tij që të shkundeshin e të mendonin jo më për veten, por me së fundi për Shqipërinë, të sfilitur e të rrënuar.
Që të tre letërshkruesit e mësipërm u arrestuan dhe me një proces gjyqësor u dënuan më 10 vjet shtesë për agjitacion dhe propagandë.
Çuditërisht, Enver Hoxha nuk ndoqi sugjerimin e dorës së tij të djathtë, Hysni Kapos, për eliminimin fizik të tyre. Mos ndoshta u tregua zemërgjerë apo mos ndoshta Kapo dhe Alia nuk guxuan që t’ia jepnin për të lexuar ato letra të kobshme, që do ta kishin xhindosur diktatorin e pamëshirshëm?..
Megjithatë, vdekja do t’i qëndronte mbi kokë Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit si shpata e Damokleut deri në një çast tjetër që do të vinte shumë shpejt.
Më së fundi – dënimi me vdekje
Disa muaj më pas drejtuesit e kampit të përqendrimit në Spaç, me anë të agjentëve të tyre “zbuluan” se Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Xhelal Koprencka, nuk ishin mjaftuar vetëm me dërgimin e letrave të mësipërme, por edhe kishin krijuar organizata brenda në kamp. Kjo solli si pasojë që dhjetë të burgosur, ndër të cilët dy krijuesit e këtij grupi armiqësor, pra Fadili me Vangjelin, e bashkë me ta Fatos Lubonja, Robert Vullkani, e të tjerë të akuzoheshin se “… kanë marrë pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, antisocialiste të krijuar nga të arrestuarit… për të kryer krime kundër shtetit, si dhe kanë agjituar e propaganduar kundër shtetit, krime këto të parashikuara nga nenet 57 dhe 55/I të Kodit Penal”.
“Ishte një pasdite e freskët, fillim maji, – kujton Robert Vullkani, – kur befas u dëgjuan tingujt e kambanës së kampit që njoftonin të burgosurit të mblidheshin në shesh. Pa kaluar disa sekonda, aty ia behën komandanti i kampit dhe ushtarakë të tjerë.”
“Midis jush ka armiq të rrezikshëm që nuk ndreqen kurrë, – ulëriu ai. – Një i tillë është Xhelal Koprencka, që ne po e arrestojmë në emër të popullit”.
Ne të tërë u stepëm. Por Xhelalit nuk i bëri syri bef.
“Në emër të armiqve të popullit dhe jo të popullit më arrestoni”, – tha pastaj ai me shpoti.
“Fjalë ari”, – shtoi befas me zë të lartë Ramiz Melçja, një i burgosur shkodran që u ndodh pranë Xhelalit, i cili vetëm për këto fjalë u dënua edhe me dhjetë vjet të tjera burg.
Bashkë me Xhelalin u arrestuan në çast Fadili dhe Vangjeli, të cilit e prisnin një gjë të tillë.
A ishte e vërtetë që ishin organizuar grupe të tilla në kamp? Për inkuizitorët komunistë kjo nuk kishte rëndësi. Zhdukja fizike e Fadilit, Vangjelit, Xhelalit e mbase edhe të tjerëve, ja ç’kishte më shumë rëndësi për ta. Ndaj ishin të gatshëm të sajonin gjithçka.
Procesi gjyqësor kundër të pandehurve të mësipërm u zhvillua në një nga sallat e hetuesisë së Tiranës në Burgun e Ri, në ditët e fundit të majit të vitit 1979.
Gjatë këtij procesi duke u mbështetur edhe në të dhënat e librit “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, që ka qenë i pranishëm si i pandehur në këtë proces, si Fadili, ashtu dhe Vangjeli, mbajtën një qëndrim të papërsëritshëm në procese të tilla gjyqësore.
“Pushteti në Shqipëri, – tha midis të tjerash Fadili gjatë këtij procesi, – është uzurpuar nga udhëheqja staliniste… Kam qenë dhe jam kundër terrorit dhe kundër gjakut që ka derdhur Stalini dhe që është derdhur edhe në Shqipëri nga politika staliniste e Enver Hoxhës.”
Gjatë pretencës së tij prokurori vuri në dukje:
“Në nëntor të vitit 1978, të pandehurit Fadil dhe Vangjel u ri dënuan për veprimtari armiqësore. Megjithëse u ri dënuan, këta armiq të betuar nuk pushuan veprimtarinë e tyre kriminale, por e thelluan atë duke synuar të siguronin “suksesin” e qëllimeve të organizatës nëpërmjet një revolte, e cila duhej të udhëhiqej nga anëtarët e saj, të pandehurit e tjerë që gjykojmë sot.”
Pastaj ai u ndal edhe në grupin tjetër kundërrevolucionar që përfaqësohej nga Xhelal Koprencka, që kërkonte rrëzimin e pushtetit dhe në varësi të kësaj, lidhur me politikën pro-ruse e pro-amerikane që duhej të ndiqte vendi ynë.
Në fund të fjalës së tij prokurori kërkoi:
“Për të pandehurin Fadil Kokomani: Të deklarohet fajtor për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare, në bazë të neneve 57 dhe 31 të Kodit Penal, të dënohet me vdekje, pushkatim…
I pandehuri Vangjel Lezho… (vazhdoi i njëjti formulim i gjatë si dhe për Fadilin) përfundimisht dënohet me vdekje (pushkatim)…
Fatos Lubonja… të dënohet me 20 vjet heqje lirie…”
Kështu prokurori vazhdoi edhe dënimet për të tjerët.
Erdhi tani radha e fjalës së mbrojtjes së të të pandehurve. Të parit natyrisht iu dha fjala Fadil Kokomanit. Siç kujton Robert Vullkani, Fadili shpalosi plot fletë të shkruara para dhe prapa tyre me shkrim të dendur dhe të imtë. Kishte nevojë për një palë syza, të cilat çuditërisht ia dha pa ngurruar një nga të pranishmit në sallë që ishte mbushur plot, veç të tjerëve që qëndronin më këmbë.
Mbrojtje para vdekjes duke sulmuar
Për mendimin tim, fjala e mbrojtjes së Fadilit, që është në të njëjtën kohë edhe e Vangjelit, përbën një nga faqet më tronditëse të publicistikës shqiptare, e pse jo, edhe botërore, po të marrim parasysh argumentet aq bindëse që derdhën në ato fletë të zverdhura tani nga koha, të cilat ndodhen në dosjet e arkivave të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Mbrojtja e shprehur në ato fletë ngërthen në të njëjtën kohë kulturën e gjerë që kishin fituar këta dy gazetarë, falë studimit të vëmendshëm dhe sistematik për vite e vite me radhë, plazmuar në të njëjtën kohë me një nivel shumë të lartë artistik, sikur të dhënat dhe faktet e cituara në mbrojtjen e tyre t’i kishin skeduar nga libra, të cilat i kishin lexuar në fakt para vitit 1963, pra para se të kalleshin nëpër burgje e kampe përqendrimi ku kishin kaluar deri atëherë rreth 16 vjet, dhe, çuditërisht i mbanin mend si përkufizime shkencore.
Është me të vërtetë për t’u habitur se si të burgosur që e dinin se do të vdisnin, të shkruanin në një qeli të errët faqe me aq pjekuri, frymëzim dhe urrejtje, gjë që do të mund ta bënte një shkrimtar, madje i shquar, por në kushte komode, për më tepër i qetë, i frymëzuar dhe pa asnjë shqetësim në shpirt a zemër.
Në fjalën e tyre të mbrojtjes, që do të doja të botohej një ditë e plotë, falë hulumtimit që ka bërë publicisti i njohur Fatos Lubonja mund të gjesh citime filozofësh, deduksione, aforizma, anekdota, mllef, urrejtje, ironi, sarkazëm, prej të cilave ke ç’të mësosh. Dhe të gjitha siç thamë, të shkruara nga dora e dy të burgosurve që i kishin ditët e numëruara.
Me fjalë të tjera, kjo ligjëratë ka shumë gjëra të përbashkëta me “Ditarin e Ana Frankut” ose me librin “Reportazh me litar në grykë” të Julius Fucikut. Nuk po zgjatem, por për të bindur lexuesit po citoj vetëm disa fragmente të shkurtra nga fjala e mbrojtjes së Fadilit dhe Vangjelit, lexuar nga i pari gjatë procesit gjyqësor:
“Deri më sot unë, ashtu si Vangjeli, kemi kaluar në dy gjykime: një herë në vitin 1963, të dytën herë, më 1978 (gjyqi që po zhvillohej ishte i treti dhe i fundit shën. imi – S. K). Në plenumin e 4 të Komitetit Qendror të PPSH, më 1973, vetë sekretari i parë Enver Hoxha ndër të tjera thotë: “Burgu është forma e fundit e edukimit”. Bukur fort! Po ç’na del nga kjo procedurë e fundit hetimore kundër nesh? Na del se burgu na qenka edhe forma e fundit e mashtrimit, torturës dhe vdekjes së ngadalshme. Akuzantët na propozojnë: “O mangi questa minestra, o salti fuori dalla finestra”.
Jo, zotërinj akuzantë, ne nuk do ta hamë këtë supë helmatisëse dhe as do të hidhemi nga dritarja, por do të kërkojmë energjikisht që përgatitësit e kësaj kornize dhe anemizmi faktik të procedurës hetimore, të kësaj hakmarrjeje pa doreza (dhe kjo sipas mendimit tonë, kryesisht për letrat e dërguara), të vijnë këtu e të japin llogari në vendin tonë e ne të shkojmë ne hesapin e në hallin që na ka zënë, për të vazhduar vuajtjet. Ne, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho… jemi muzikantë e gazetarë dhe gjithmonë themi të vërtetën dhe veshi ynë kap çdo stonaturë në muzikën e madhërishme të kësaj aperture njerëzore që quhet jetë-liri-revolucion-patriotizëm. Pjesë nga aperturat e aktakuzës dhe procedurës hetimore u përpoqëm t’ia paraqesim kolegjit gjyqësor të këtij procesi.
I nderuar kolegj gjykues,
Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritën e saj: në të vërtetë nuk ndriçon as edhe një fije bari. E njëjta gjë ndodhi edhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor. Ajo u venit dhe shpresojmë se do të venitet edhe përpara gjykimit tuaj, sepse siç thonë filozofët e Greqisë së lashtë, një opinion i krijuar mbi gënjeshtrën dhe mbart në vetvete këtë gënjeshtër, fishket, vdaret, mugëtiset shpejt…”
Siç dëshmojnë disa nga ata që kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, të tërë kishin mbetur të ngrirë gjatë fjalës së mbrojtjes së Fadilit edhe në emër të Vangjelit, lexuar me një qetësi olimpike, sikur pas kësaj ligjërate, ata të dy do të dilnin të lirë, për të shkuar kudo dhe të takonin këdo që të donin, kur në të vërtetë nuk do të takonin veçse vdekjen.
Të nesërmen i erdhi radha kryetarit të trupit gjykues të jepte vendimin.
Duke sjellë ndërmend ato çaste kur e ndjente veten më afër vdekjes se jetës, Robert Vullkani kujton se priste që fjala e kryetarit, e si pasojë edhe vendimi i tij, të ishin më të butë, të paktën për Vangjelin, i cili duhej t’i shpëtonte plumbit. Por kryetari qe po aq i ashpër sa edhe prokurori. Ishte e qartë. Vendimi ishte diktuar që më parë nga lart e, pse jo, edhe nga vetë diktatori Hoxha.
Gjithë çështja ishte pra të dëshmohej se nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit kishte të dënuar që paraqisnin rrezikshmëri shumë të lartë, madje deri në atë shkallë sa të krijonin grupe, ku të rekrutonin sa më shumë të dënuar dhe kështu një ditë të shpërthenin në revolta të tjera, jo vetëm në Spaç, por kudo në kampe të tjera përqendrimi. Dhe ata që mund të krijonin organizata të tilla ishin në radhë të parë Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal KOPRENCKA.
Ata i kishin dërguar letra Komitetit Qendror, ata pa dyshim që kishin marrë edhe mendimin e të tjerëve për këtë qëllim. Ndaj, krahas tyre, duheshin bërë kurban edhe të tjerë. Ja përse në pretencën e prokurorit ishin nënvizuar edhe këto radhë:
“Të pandehurit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho si organizatorë e drejtues të organizatës kundërrevolucionare “Revizioniste e majtë”, pasi mësuan ekzistencën e organizatës tjetër kundërrevolucionare “Nacionaliste”, të krijuar nga i arrestuari Xhelal KOPRENCKA, e cila në objektivin e saj kishte të njëjtin qëllim armiqësor përmbysjen e pushtetit popullor, kanë zhvilluar polemikë të gjatë me ta se ç’rrugë do të ndjekë Shqipëria në të ardhmen”.
Deri këtu kishte disa të vërteta, por arrestimi i të burgosurve të tjerë më arsyetimin se në kampin e Spaçit “ishin krijuar grupe” përbënte shkakun kryesor për ri dënimin dhe zhdukjen fizike të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit.
Dhe kësaj po i mëshonte edhe më shumë kryetari i trupit gjykues, sepse i druhej argumenteve që shtroi Fadili gjatë fjalës së mbrojtjes, ku midis të tjerash, veç atyre që përmendëm më sipër theksoi: “… Edhe në këtë moment aktakuza rrëshqet në dërrasë të kalbur dhe bie, me dashje apo pa dashje, me vetëdije ose jo, në falsitetin faktik “të materialit” të psonisur pa përgjegjësi … saqë kushdo që e lexon vë duart në kokë e thotë: “Në Spaç qenka bërë nami, qenka zbuluar një organizatë, e cila paska pasur dashur t’i vërë minat pushtetit popullor, paska pasur në plan t’u vijë në ndihmë forcave kundërrevolucionare të brendshme (të cilat për mendimin tonë nuk ekzistojnë fare)… paskan pasur ndërmend t’u vinin në ndihmë forcave ushtarake sovjetike që të pushtonin Shqipërinë!!!… Gaboheni rëndë zotërinj, gaboheni shumë rëndë!”
Këto argumente dërrmonin katërcipërisht qoftë aktakuzën e prokurorit, qoftë vendimin që po lexonte kryetari.
“Nga provat e shqyrtuara, deklaroi ai në mbyllje të fjalës së tij, i bindur me siguri në absurditetin e pseudo fakteve që parashtronte, rezultoi e vërtetuar plotësisht se të pandehurit … duke qenë armiq të vjetër të partisë dhe te të shtetit, njerëz të degjeneruar politikisht… u grupuan në një organizatë kundërrevolucionare që kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor…/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016