Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit të 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se, më 28 maj, mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, edhe sot, dy prej gazetarëve më të mirë të Radio – Tiranës, që nga koha e krijimit të saj, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik, që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se, pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor, të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.
Më pas u arrestuan edhe shokë të tjerë të Fadilit dhe Vangjelit, poeti ushtarak, Trifon Xhagjika, gazetari Robert Vullkani, piktori dhe këngëtari Stavri Rafael, së bashku me vëllanë e tij, Thomain Rafael, edhe ai ushtarak si Trifoni e, të tjerë shokë të grupit që donte të arratisej, të cilët iu nënshtruan më pas një procesi të gjatë hetimor, që zgjati katër muaj.
Gjyqi
Ai u zhvillua në ditët e para të dhjetorit të vitit 1963. Aty doli qartë se ky grup, kishte bërë përpjekje për t’u arratisur nga Liqeni i Pogradecit, atë të diel korriku të vitit 1963, por ishte diktuar. Fadili, i ndodhur në makinën e dytë, për të humbur gjurmët, kishte vazhduar rrugën për në Korçë dhe që atje, ishte kthyer rishtas në Tiranë. Ja përse ai u arrestua më vonë, se shoku i tij, Vangjeli.
Qëllimi i pjesëtarëve të grupit ishte që, nga Jugosllavia, të shkonin në Bashkimin Sovjetik. Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, siç kemi përmendur më sipër, ishin njohur dhe dashuruar me gjithçka që kishte ndodhur atje, pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më 1956, që solli një frymë liberale, krejt të kundërt më atë që sundonte në Shqipëri gjatë sundimit tiranik të Stalinit.
Të mësuar me këtë frymë, ata, me t’u kthyer në atdhe, gjetën një atmosferë krejt të kundërt, të zymtë, në të cilën askush nuk guxonte, qoftë me shaka, të bënte ndonjë kritikë për gjendjen, në një kohë që, në Bashkimin Sovjetik për udhëheqësit, duke përfshirë edhe Hrushovin, tregoheshin haptas edhe barsoleta, madje edhe në tren, autobus a gjetkë. Po të shtohet këtu edhe fakti që ata, sidomos Vangjeli, kishte gruan dhe fëmijën në Moskë, kuptohet qartë dëshira e tyre, për të shkuar në Bashkimin Sovjetik.
Para prishjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, të kishe shoqëri me punonjës të ambasadës sovjetike, ishte krejt normale. Madje edhe unë shoqërohesha me Viktor Nerubaillon, punonjës i kësaj ambasade, të cilin e takova përsëri më 1991, kur ai, u emërua ambasador i parë i Rusisë në vendin tonë.
Dhe kjo sepse, gruaja e tij, Galina, kishte qenë studente në një kurs me mua, në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës,(1955-‘59) dhe unë, e kisha ndihmuar në lëndë të vështira, si; gramatika historike e gjuhës shqipe. Madje, me ta kisha shkuar jo vetëm në Klubin Sovjetik, por u kisha bërë vizita edhe në shtëpinë e tyre.
Kuptohet se marrëdhëniet e Fadilit dhe aq më tepër të Vangjelit dhe gruas së tij, Inës, me punonjës të tjerë të ambasadës sovjetike, qenë edhe më të ngushta, sidomos me një punonjës të quajtur Valentin, i cili fliste edhe shqip.
Pas mbledhjes së Bukureshtit, në qershor të vitit 1960, kur u pa se marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, ishin në zgrip, gjatë takimeve me Valentinin, Vangjeli, siç u tha atëherë, i kanë dorëzuar atij letra, të në të cilat kritikonin hapat e ndërmarra nga Enver Hoxha, për t’u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, ajo që pritej, ndodhi: marrëdhëniet midis të dy vendeve u prishën dhe një pjesë e mirë e grave sovjetike, siç e pamë, u larguan nga Shqipëria. Midis tyre edhe Ina, gruaja e Vangjelit.
Ja, pra, dhe një shtysë tjetër e të dy miqve, për t’u arratisur në Bashkimin Sovjetik, ku Fadili pati rast të shkonte për pushime në shtator të viti 1960. Ai më foli atëherë, shumë më i hovëzuar nga gjithçka që kishte parë atje për dy javë.
Që nga viti 1957, kur ai ishte kthyer në atdhe, pas mbarimit të studimeve në Leningrad, kishte vënë re ndryshime të dukshme. Njerëzit ishin më të shpenguar, më të lirë. Edhe niveli i jetesës, sidomos në krahasim me vendin tonë, kishte nisur të ndryshonte. Mbi të gjitha, ishin shpeshtuar ardhjet e delegacioneve të huaja nga të gjitha fushat, dukuri që dëshmonte se Bashkimi Sovjetik, pavarësisht nga kundërshtitë në fushën ideologjike, kërkonte gjithnjë e më shumë afrimin, veçanërisht me vendet perëndimore.
Për sa u përket letrave të mësipërme, publicisti i njohur, Fatos Lubonja, i cili siç do të shohim më poshtë, do të jetë protagonist i këtij cikli, në dëshmitë që sjell në librin e tij “Ridënimi”, me vlera të mëdha artistike botuar më 1997, thekson: “Teksti i letrave të tyre u afishua në stendat e Kongresit të 22 të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që u mbajt në Moskë, më 1962. Mbi to ishte shkruar: “Ja se ç’thonë komunistët e vërtetë shqiptarë”. Enver Hoxha dhe të tjerët, u tërbuan krejt dhe urdhëruan të gjendeshin me doemos autorët e letrave” (“Ridënimi”, faqe 148).
Gjatë procesit gjyqësor, doli hapur veprimtaria e këtij grupi, mbështetur qoftë dhe nga trakti që kemi përmendur më sipër, i cili, kërkonte përmbysjen e regjimit stalinist të Enver Hoxhës, që mbahej me dhunë të pashembullt.
Nisur nga akuza, për tradhti të lartë në formën e spiunazhit, për shkak të letrave të dërguara me anë të ambasadës sovjetike, të trakteve që bënin thirrje publike për kryengritje, për terrorizëm, sepse kishin menduar edhe për një atentat të mundshëm kundër Enver Hoxhës, si dhe për tradhti ndaj atdheut me, përpjekjen për t’u arratisur, prokurori, kërkoi dënimin me vdekje të Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Trifon Xhagjikës e Thoma Rafaelit, që ishin ushtarakë.
Në vendimin e trupit gjykues, më 6 dhjetor të vitit 1963, dënimi i Vangjelit dhe Fadilit, u kthye në 25 vjet burgim, kurse për të dy ushtarakët, mbeti në fuqi dënimi me vdekje.
Mbaj mend se atë paradite të lagësht, kur ishte dhënë vendimi i mësipërm, po prisja zemërdredhur rrëzë godinës së Gjykatës, e cila ndodhej në “Rrugën e Durrësit”, jo larg ndërtesës së Radios, që të dilnin që andej të dënuarit, gjyqi i të cilëve kishte tronditur Tiranën.
Kisha dëshirë të shihja për herë të fundit Fadilin dhe Vangjelin. Ca më tutje, më zunë sytë Dr. Llukan Xhagjikën, mjek i njohur kardiolog, që kishte studiuar edhe ai në Bashkimin Sovjetik. Me sa dukej, ndodhej në këmbësoren para Gjykatës, në pritje të daljes së të burgosurve, midis të cilëve ndodhej dhe vëllai i tij, Trifoni.
Me ta parë atë më pranga, ai bërtiti me tërë forcën e zërit të tij, që ushtoi dridhshëm: “Mbahu Trifon, mbahu!…”! Policët menjëherë kthyen kokën rrëmbimthi nga doktori dhe, sa të hapësh e mbyllësh sytë, e shtynë vrazhdësisht. (Më pas atë e internuan për vite të tëra, në vise të largëta të Veriut). Pastaj vështrimi im, rrëshqiti dhe u ndal mbi dy miqtë e mi, Fadili dhe Vangjeli. Sa qenë ligur, sa qenë dobësuar në ato katër muaj të mynxyrshme të kaluara në birucat e hetuesisë…!
I shoqërova me sy deri në derën e pasme të auto-burgut, me shpresë se, shikimet tona do të kryqëzoheshin, por më kot. Dhe ishte hera e fundit që i shihja të gjallë…!
Më pas, morëm vesh se si Fadili, ashtu edhe Vangjeli po kalonin dënimin në kampin e “riedukimit” ose më saktë të përqendrimit, të Laçit. Madje atje, herë pas here, luajtën edhe rolin e përkthyesve të specialistëve kinezë, që drejtonin punimet për ngritjen e disa fabrikave.
Pastaj nuk pata asnjë informacion për ta. E vërteta ishte se edhe mund të dija më shumë, sepse një motër e Fadilit, punonte në nja nga sallat e studimit të Bibliotekës Kombëtare të Tiranës dhe me të njihesha mire, edhe para arrestimit të Fadilit. Por, kur e pyeta një herë, vura re se ngurroi të më përgjigjej. Nuk kishte asnjë faj. E kisha vënë në pozitë të vështirë.
Nuk mjaftoi kjo, por pa kaluar dy vjet nga arrestimi e dënimi i Fadilit dhe Vangjelit, një ngjarje tjetër po kaq e rëndë, na tronditi në mënyrë të befasishme. Në përpjekje për t’u arratisur në kufirin shqiptaro-jugosllav, diku në zonën e Përrenjasit, u kap së bashku me vëllanë e tij, një tjetër gazetar i Radio Tiranës, Abdulla Sallaku, i cili ishte komentator politik në redaksinë e informacionit.
E kisha shok fëmijërie dhe koleg. Ashtu si edhe Fadili, edhe ai kishte prejardhje komuniste, por kjo nuk e pengonte të mbante qëndrim kritik, duke u nisur që nga përplasjet që kishte pasur Fadili me drejtor-diktatorin e Radios, Thanas Nano.
Abdullai me vëllanë e tij, Nuriun, dhe shokët e tjerë, kaluan një proces të gjatë hetimor dhe pastaj gjyqin, ku ai pati debate te forta me prokurorin dhe u shpreh hapur se, donte të arratisej në Perëndim dhe atje të punonte gazetar, për të dëshmuar se në ç’gjendje të rëndë, ndodhej populli shqiptar. Kjo solli dënimin e tij me 18 vjet burg të rëndë, me këtë motivacion:
“Me vendimin nr. 41, datë 10.7.1965 të Gjykatës së qarkut të Tiranës, dënohet për krimin e arratisjes jashtë shtetit, mbetur në tentativë dhe për agjitacion dhe propaganda, me 18 vjet heqje lirie. Me vendim nr. 12.1.1980 në Gjykatën e rrethit të Tiranës, për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dënohet edhe me 10 vjet heqje lirie.”
Edhe Abdullai kaloi në disa kampe përqendrimi, ku u takua me Fadilin dhe Vangjelin, me të cilët njihej mirë, që kur punonin në Radio.
Tre të dënuar nga Radio-Tirana brenda më pak se dy vjetësh…! E po t’i shtoje edhe Vehip Demin, që përmendëm më sipër, kuptohet se si ky institucion, u vu gjithnjë e më shumë në shënjestrën e Komitetit Qendror dhe Ministrisë së Brendshme. Dhe, me të vërtetë, pa kaluar mirë 10 vjet, do të shpërthenin ngjarjet e Festivalit të 11 të Këngës në RTVSH, që do të sillnin arrestimin edhe të dy të tjerëve, përsëri nga RTVSH, të Drejtorit të Përgjithshëm, Todi Lubonja, dhe të udhëheqësit artistik, Mihal Luarasi, e më pas të gazetarit Gramoz Mborja.
Por le të kthehemi te ngjarjet që lidhen me fatin e mëtejshëm të të dy protagonistëve të rrëfimit tonë…!
Letër e Fadilit dhe Vangjelit nga kampi-burg, kundër Enver Hoxhës
Që nga dita e dënimit e deri në fillim të vitit 1979, kur do të niste kalvari i tyre i tmerrshëm, Fadil Kokomani e Vangjel Lezho kaluan një jetë të mynxyrshme në kampe-burgjet e Fushë-Krujës, Elbasanit, Skravotinës, Spaçit, në burgun famëkeq të Burrelit, pastaj në kampin e përqendrimit të Tepelenës dhe së fundi përsëri të Spaçit.
Kuptohet se, të jetosh një periudhë kaq të gjatë nëpër burgje e kampe përqendrimi, kur nuk e di se a do të dalësh një herë gjallë prej tyre, është një trysni vdekjeprurëse. E tillë ishte kjo periudhë ferri edhe për të dy miqtë. Megjithatë, ata nuk u pajtuan ne këtë gjendje.
Në kushte shumë të rënda, ashtu siç vepronte shkrimtari i njohur Pjetër Arbnori, që fshehurazi shkruante vepra, të cilat po fshehurazi i nxirrte jashtë burgut, (për t’i botuar vetëm pas rrëzimit të diktaturës komuniste), ashtu edhe ata u morën me krijimtari artistike. Së pari përkthyen vepra të kolosëve të mëdhenj të letërsisë ruse e botërore, nga Çehovi deri te Shileri, si dhe vepra origjinale, tregime e romane si “Dashuri dhe urrejtje”, “Kambanoret e shkretëtirës” e të tjera.
Mjerisht, ashtu siç u zhdukën nga fonoteka e Radio-Tiranës tërë emisionet e Fadilit dhe Vangjelit, ashtu u zhdukën nga njerëzit e Sigurimit, edhe veprat e mësipërme të tyre.
Duke ndjekur shtypin, duke parë se nga dita në ditë, Enver Hoxha po vazhdonte me këmbëngulje të verbër, një rrugë që po e veçonte Shqipërinë, gjithnjë e më shumë nga bota, në verën e viti 1978 ata vendosën që nga Spaçi, ku kryenin dënimin, t’i shkruanin një letër Hysni Kapos e Ramiz Alisë, bashkëpunëtorë të ngushtë të diktatorit Hoxha. Ishte një letër tepër e guximshme që, deri atëherë, nuk kishte guxuar ndonjë i burgosur, jo më ta dërgonte, por, as t’ia shkruante ndonjë udhëheqësi, si Enver Hoxha, aq më tepër atij, që konsiderohej si Perëndia e Shqipërisë.
Mbase kërkonin falje prej tyre?! Aspak. Në këtë letër ata u sugjeronin byroistëve në fjalë, të merrnim masa për të frenuar Enver Hoxhën, që po e çonte vendin në katastrofë të plotë dhe e akuzonin, për krimet ndaj popullit shqiptar, që s’kishin asnjë ndryshim, nga krimet monstruoze të Stalinit.
Vite më pare, kam pasur rast të takoj Robert Vullkanin, bashkëvuajtës me Fadilin dhe Vangjelin, i cili më ka folur rreth këtij akti të pashembullt të shokëve të tij. Ai atëherë, i kishte këshilluar ata të dy që, të mos ndërmerrnin një veprim të tillë, që do t’i shpinte në plumb. Por si Fadili, ashtu edhe Vangjeli, ishin treguar të palëkundur.
Në librin e tij “Ridënimi” që cituam më sipër, Fatos Lubonja shkruan: “Një hetues që u dënua më vonë dhe erdhi në burg, tha lidhur me këtë histori se, letra ishte kthyer në Ministrinë e Brendshme, me shënimin e Hysni Kapos: “Të dënohen me vdekje”! (“Ridënimi”, 1997, faqe 66).
Në të njëjtën kohë, një letër pak a shumë e tillë, i ishte dërguar Komitetit Qendror, nga i burgosuri tjetër, Xhelal Koprencka, familjarisht i persekutuar prej vitesh dhe dënuar për agjitacion dhe propagandë.
Për Xhelalin, raportet e tij me Fadilin dhe Vangjelin si dhe letrën e tij, do të flas më pas.
Xhelal Koprencka, përballë Vangjel Lezhos dhe Fadil Kokomanit!
Siç dëshmojnë ata që e kanë njohur edhe para burgosjes, Xhelal Koprencka, vinte i dobët e shëndetlig. Rridhte nga një familje e persekutuar, që në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe prej vitesh, kishte kaluar dënimin në kampin e Belshit e, më pas ishte dërguar në atë të Spaçit.
Me këmbëngulje të habitshme, kishte mësuar gjuhë të huaja në atë nivel sa edhe të përkthente. Dhe, nga që kishte edhe një krah të paralizuar, ngarkohej të përkthente materiale, për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat herëpashere, siç më tregonte Robert Vullkani, ua rrëfente të burgosurve të tjerë, plot emocion dhe dramatizëm.
Në librin e tij, “Ridënimi”, Fatos Lubonja hedh idenë se, Xhelal Koprencka, e dërgoi letrën e tij Komitetit Qendror, i nxitur nga letra që kishin nisur më parë në këtë adresë, Fadili dhe Vangjeli.
Ç’është e vërteta, një akt i tillë, ishte për t’u pasur zili nga të burgosurit, por kuptohet që, këtë nuk kishte zemër ta bënte kushdo, kur dihej që ky veprim, ishte vetëmohim i pashembullt. Por ja që Xhelali, shtat imët e thatanik, ndoqi shembullin e Fadilit dhe Vangjelit.
Pra, brenda një kohe të shkurtër, drejt “Kupolës së Kuqe” u nisën dy letra shkundulluese. Për sa i përket letrës së Xhelalit, ndryshimi i vetëm, ishte se, në qoftë se Fadili e Vangjeli, në letrën e tyre ngulnin këmbë, veç të tjerash, që Shqipëria të niste procesin e demokratizimit, duke ndjekur rrugën sovjetike, Xhelali, sugjeronte që ajo të vazhdonte rrugën e Kinës, që kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA-ës.
E shoh të arsyeshme që të ndalem në këtë pikë, sepse edhe sot e kësaj dite, ka mbetur i hapur diskutimi se kush nga të tre – Fadili e Vangjeli, mënjanë, e Xhelali, nga ana tjetër, kishte më shumë të drejtë. Madje, një pjesë e mirë e atyre ish-të burgosurve, që kanë marrë e marrin pjesë në diskutim e të kësaj natyre, i japin më shumë të drejtë Xhelalit, duke i cilësuar dy të parët, si komunistë që donin në letrën e tyre, vetëm që vendi ynë të bashkohej me Bashkimin Sovjetik.
Por problem, nuk duhet parë kaq thjeshtë. Së pari, duhet theksuar se si Fadili, ashtu edhe Vangjeli, ishin komunistë. Madje, siç më thoshte disa herë vetë Fadili, jo vetëm prindërit dhe vëllezërit, por edhe ai, ndonëse i vogël, kishte ndihmuar Lëvizjen Antifashiste, madje edhe ishte internuar bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Edhe në shkollë kishte qenë veprimtar rinie. Pastaj, duke qenë nxënës i shkëlqyer, kishte fituar të drejtën të studionte në vendin e sovjetëve për gazetari. Këtu kishte nisur shndërrimi i tij sepse vitet e para të studimit në Leningrad, kishin përkuar me periudhën pas-staliniste.
“Atëherë, më thoshte Fadili një ditë, pashë se ç’ndryshim kishte komunizmi sovjetik, me të ashtuquajturin komunizëm enverist, që nuk ishte gjë tjetër veçse, një variant i verbër i komunizmit, që kishte ndjekur Stalini. Këtë e kuptova mire, që atë ditë marsi të vitit 1953, kur Enver Hoxha, detyroi tërë popullin në sheshin “Skënderbej”, të gjunjëzohej në shenjë dhimbjeje, për vdekjen e Stalinit.
Kjo për mua, nuk duhej të ndodhte. Pse të arrinte deri këtu nderimi, për këtë diktator që Enveri e adhuronte marrëzisht?! Dhe kur bisedoja me shokë sovjetikë, kjo bindje, përforcohej edhe më shumë, sepse, ata më flisnin me urrejtje për Stalinin dhe kursin e ri, që po ndiqej pas kongresit të XX-të, të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e quanin të logjikshëm.
“Në fakt, vazhdoi Fadili, atëherë u zbut në mënyrë të ndjeshme e ashtuquajtura luftë e klasave, u rehabilituan jo vetëm udhëheqës të dënuar nga Stalini, por edhe plot e plot viktima të tij, një pjesë e madhe e të cilëve, pas vdekjes, dhe qenë me mijëra e mijëra, që u liruan nga burgu dhe kampet e përqendrimit. Një gjë e tillë, ndodhi vetëm për pak kohë ne vendin tonë, aty nga viti 1956 dhe kjo për shkak të fjalimit të Hrushovit në Kongresin e XX-të, dhe shpejt, rifilloi lufta e klasave. Madje më e ashpër”.
Kjo e shtyu Fadilin dhe më pas edhe Vangjelin, ta urrenin dhe më shumë komunizmin enverist. Ndaj, ndonëse ishin ende më studime në Bashkimin Sovjetik, ndoqën me dhembje ngjarjet tragjike të Konferencës së Tiranës, më 1956, ku u mbyt zëri i komunistëve të ndershëm, që kërkonin demokratizimin e jetës së partisë, në frymën e Kongresit të XX-të.
Në Bashkimin Sovjetik, Fadili dhe Vangjeli, siç e kemi parë, u njohën nëpërmjet shtypit, letërsisë dhe arteve, edhe me sukseset e kulturës botërore, qenë vetë dëshmitarë të ndryshimeve që ndodhën edhe në botëkuptimin e psikologjinë e qytetarëve sovjetike, që ishin edukuar deri atëherë, me idenë se; Perëndimi ishte gogol.
Ky fakt, u bë edhe më i qartë, kur vetë Hrushovi vizitoi Amerikën dhe pa me sytë e tij se, ç’ishte ai… kapitalizëm që e kishin demaskuar aq shumë, kur kishin mjaft për të mësuar prej tij. Kjo ndodhi, pikërisht në vjeshtë të viti 1959, kur unë sapo kisha nisur punë në Radio-Tirana.
Më vonë, Fadili më pati thënë se, kjo vizitë kishte pasur shumë rëndësi në ecurinë e mëtejshme të Bashkimit Sovjetik drejt normalizimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, midis këtyre dy superfuqive. Dhe kjo sepse, Fadili dhe Vangjeli, ishin komunistë liberalë, që donin se ato që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetik, të viheshin në jetë edhe në Shqipëri. Pra, lidhje me Perëndimin, nëpërmjet Lindjes.
Këtë politikë, që po zbatonte Hrushovi me ndërgjegje, si stalinist i flaktë, nuk donte ta ndiqte në asnjë mënyrë Enver Hoxha, sepse, shpejt do të vinte një ditë dhe atë, do ta priste ajo që priti tërë stalinistët në vendet e tjera socialiste. Eliminimi i tyre i plotë i politik dhe zëvendësimi me udhëheqës të rinj.
Kjo ishte dhe një nga arsyet themelore, që solli prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, të cilën Enver Hoxha me zgjuarsi dhe dinakëri, e justifikoi gjoja me luftën e PPSH-së, për të ruajtur pavarësinë, nga diktati sovjetik. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016