Nga Tanush Mulleti
Memorie.al / Tanush Mulleti lindi në Tiranë në vitin 1944, prej nga është dhe origjina e familjes së tyre, ku Sulejman Pashë Bargjini (Mulleti), njihet si themeluesi i Tiranës. Mbas burgosjes së babait, Haki Mulleti më 1945-ën, familjarisht internohen, duke u larguar nga Tirana, fillimisht në Kavajë dhe më pas në rrethin e Shkodrës, ku qëndruan deri në shembjen e komunizmit dhe vetëm në fillimin e viteve ’90-të, mundën që të ktheheshin në Tiranë. Pas mbarimit të gjimnazit, Tanush Mulleti, shërbeu për disa kohë si arsimtar në fshatrat më të largët të rrethit të Lezhës, (në atë kohë përfundoi me korrespodencë dhe u diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë-Fizikë), por për arsye biografike, e larguan përfundimisht nga arsimi. Nisur nga kjo, Tanush Mulleti filloi punoi si punëtor në ndërmarrje të ndryshme të rrethit të Shkodrës, kryesisht në Ndërmarrjen e Bonifikimit të Ujërave, ku së bashku me Xhulio Baltazar Benusin, (i persekutuar politik), u dalluan si mjeshtra racionalizatorë. Në rrethin e Shkodrës ai qëndroi familjarisht deri në fillimin e viteve ’90-të, ku u angazhua dhe në proceset demokratike dhe për disa kohë shërbeu edhe si kryetar i Policisë Financiare të rrethit të Shkodrës. Më pas erdhi në Tiranë, ku u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë periudhës 1991-1994, ai ka bërë disa specializime nga Këshilli Evropës në Romë, Strasburg, Tiranë, etj., për Administratë Shtetërore dhe për Liritë e të Drejtat e Njeriut. Pas viteve ’90-të, përveç angazhimit në Shoqatën Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, (për disa kohë ka qenë kryetar i saj), ai ka bashkëpunuar me gazetën “Liria” dhe disa gazeta të tjera, duke shkruar me dhjetëra artikuj, kryesisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë. Tanush Mulleti është dekoruar “Pishtar i Demokracisë” dhe me disa medalje të tjera nga Presidentët e Republikës.
RRËNIMI
Si mbas një kronike të shkurtër
Troshan, 9 shkurt 1967. Ishte një nga ditët më të ftohta, binin copa akulli dhe jo shi, çdo gja në bojë të hinit, ngrica, acar, me një fjalë “gazep i Zotit”. Postieri solli gazetat në të cilat ishim abonue. Filluem të lexojmë në gazeta të ndryshme fjalimin e Enver Hoxhës të 6 shkurtit (kundër fesë e zakoneve prapanike).
Mbas leximit, At Filipi tha: – “Nuk më zenë Pashkët këtu”.
Me At Filipin, filluam të kujtojmë “vizitorët” e 18 muajve të fundit.
S’pari, ishte Dhimitër Shuteriqi, i cili vizitoi Kishën dhe i mbetën sytë te kunora mbretërore e artë, me gurë rubini të kuq (si të Orëve të Kremlinit) të Shën Mërisë. Kunorën ia kishte falë At Gjergj Fishtës, një konteshë hungareze dhe Fishta ia kishte dhurue kishës së fshatit të tij.(Në atë kohë kushtonte miliona dollarë). Në gazetën “Drita”, Shuteriqi shkroi: “Një udhëtim për dy cironka”.
Nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës erdhën për të ba punën në Troshan M. Gërcalliu Kryeredaktor i gazetës “Mësuesi” dhe P. Kureta, i gazetës “Sporti Popullor”. Me një rekomandim të Tonin Rrotës (ish-nxënës i Padër Filipit) ai iu përgjigj interesimit të tyre, për mësimin e muzikës në shkolla, i cili kishte mangësi të theksueme. At Filipi, si muzikant e pedagog, i tha për domosdoshmërinë e bandave muzikore. Para vitit 1944 çdo shkollë në Shkodër kishte bandën e saj.
Një ditë të bukur, në mes të oborrit të kishës, që ishte dhe i shkollës, u ndalën “GAZ”-at 69” të Petrit Dumes, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Hito Çakos, Komisar i Korpusit 8001 dhe Zv/Komandant i Korpusit. Me mospërfillje e kapadaillëk, vizituan në mes orëve të mësimit klasat dhe kishën përreth, lëshuan “fjalë urdhrin”: vitin tjetër zona rreth kishës, do të bëhet zonë ushtarake. Ishte e kuptueshme sepse Kisha e Shna Ndout në Laç të Kurbinit, ishte mbyllë dhe ba zonë ushtarake dhe prandaj populli pelegrinazhin e vazhdonte te kisha e Troshanit që ishte edhe ajo e Shna Ndout.
Kisha ose Kolegji i Troshanit është e hershme, me një arkitekturë mbresëlënëse, prej nga fusha e Zadrimës shihet si në pëllëmbë të dorës. Në këtë kolegj kanë studiue priftërinj që kanë lanë gjurmë në kulturën shqiptare, si: At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi etj. Troshanasit janë njerëz paqësorë, punëtorë, arsimdashës dhe katolikë të devotshëm.
Vizitorë të radhës ishin në Kishën e Troshanit zv/Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit Xhavit Struga (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit e Prokuror) dhe Dul Rrjolli, nga Dega e Punëve të Brendshme Lezhë. Ata, në prag të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ishin ngarkue që t’i merrnin At Filipit, (o me të mirë o me të keq), veprën operistike të At Martin Gjokës “Dy lule mbi vorrin e Skënderbeut” (mos gaboj, e vitit 1930).
At Filipi rezistoi disa here, por mbas 2-3 javësh ua dha një kopje. Në dhomën e pritjes ishte dhe një pikturë e Skënderbeut, në gjunj para Papës, gjatë bekimit, vepër e piktorit austriak, At Jozef Dochman.
(Në 500-vjetorin e Skënderbeut si vepra operistike dhe piktura nuk u publikuan, mbasi autorët ishin priftërinj katolikë dhe se historiografia komuniste e mohonte bekimin e Skënderbeut nga Papa).
At Filipi, si njeri sportiv, ishte gjuetar “me emër”, kishte një çifte të madhe dhe dy zagarë, “Limon e Vocrin”. Dikush nga lart ua kishte vu synin dhe i’a morën çiften, me pretekstin pse ke qitë me çifte, mbas mbylljes së sezonit të gjuetisë.
E vërteta ishte se kur dasmorët vinin në kishë me vu kunorë, si mbas traditës e zakonit, gjuenin me pushkë dhe At Filipi u përgjigjej me çifte.
Mbas fillimit të Revolucionit Kulturor, At Filipi besonte se do të lënin një kishë për çdo rreth dhe bante paralele me historinë e Bashkimit Sovjetik, i cili nuk i kishte mbyllë të gjitha institucionet fetare.
Si mbas këtij arsyetimi, ai besonte se kisha e Troshanit mund të qëndronte, mbasi mbulonte Zadrimën e Kashnjetin e Mirditës.
Në të vërtetë, e fundit që i qëndroi asaj fortune, ishte kisha e Troshanit. Disa ditë para pashkëve dhe asaj i vunë një fletë-rrufe dhe ajo u mbyll.
Komisioni i ngarkuar për të marrë në dorëzim kishën erdhi nga qendra. Mbasi morën Kurorën Mbretërore, shandanët e artë e gjërat që duheshin, librat e bibliotekës, fetare e jo fetare figurat etj., i qitën në mes të oborrit dhe u vunë flakën.
At Filipi nuk u largua nga fshati, lëshoi qelën dhe rregulloi jerevinë, ku rrinin dikur bagëtitë dhe jetoi aty me të atin, gati 100 vjeç (ish-mësues i vjetër në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë) dhe me murgeshën, “Motra Tone”.
Jeta e puna na ndau. Unë shkova ushtar në Repartin e Punës dhe mbas ushtrisë, fillova punën në Shkodër.
E vizitova At Filipin në Troshan një herë, së bashku me nipin e tij, dhe herën e dytë, kur i vdiq baba Pjetër. Herën e tretë, shkova me e vizitue, diku rreth vitit 1977. Fjeta atë natë aty, bisedova gjatë dhe u gëzova që fshatarët e respektojshin dhe se komunistët vendas, nuk i binin në qafë. Fundi i fundit dhe ata katolikë ishin. At Filipi, kishte qëndruar në fshat si rrjedhojë e një mesazhi, që vetë fshatarët me funksione e pozitë, i kishin çue atij.
At Filipin, të gjithë e njohin për njeri sa të kulturuar dhe të qeshur, por tashti ishte i zbehur pak nga sëmundja, por ma shumë se populli po detyrohej me forcë të largohej nga besimi e zakonet që e karakterizojnë.
Si shembull më solli tragjedinë e një çifti të ri, ku midis të tjerash ai tregonte: “Burri oficer (pa parti) dhe e shoqja mësuese, ishin shtue me një fëmijë. Në shtëpi të re e ma mirë se kurrë, jetonin me babën e nanën së bashku. Një natë prej netësh plaka e shtëpisë (gjyshja) merr fëmijën dhe pa i thanë kujt, fshehtas e çon e pagëzon fëmijën. Mbas disa kohe gjyshi, pa i thanë kujt, natës fshehtas e çon me pagëzue fëmijën. Po kështu edhe e ama e fëmijës, pa i thanë kujt, e pagëzon fshehtas.
Një natë tjetër baba i fëmijës, oficeri, pa i thanë kujt, e çon me e bekue te prifti. Prifti i thotë: mor zotni, këtë fëmijë e kam pagëzue katër herë deri sot!
Të nesërmen, i ati i fëmijës pyet plakën e plakun dhe ata e pranojnë, se e kanë pagëzue fëmijën fshehtas, nga frika duke i thënë se ju nuk besoni dhe mos ju heqin nga puna. Në darkë pyet gruan dhe ajo pranon duke i thënë se kam pasë frikë me të lajmërue. Në një gjendje tepër të randë psikologjike, babai i fëmijë kaloi në depresion dhe që atë ditë u rrënue krejt.
Mbas dy muajsh, po rrijsha me Ing. Ndoc Naraçin, (i diplomuar në Vjenë), ish-ministër i Botores në kohën e Zogut dhe pionier i radiofonisë në Shqipëri. Mbasi i tregova tragjedinë e asaj familjeje, më tha: Tash do ta mbulojë e keqja të mirën. Barrikadat ose shtyllat e kombit, si: feja, zakonet, traditat, kanuni, këto barrikada, që ndalonin të keqen, u hoqën, u dogjën e u poqën. Kuptohet qartë që e keqja e ka të lehtë të mbulojë të mirën. Ky asht rrënimi ma i madh i karakterit të personalitetit të njeriut, në historinë e kombit të shqiptar. Koha do ta vërtetojë”.
Shumica e këtyre njerëzve kanë ndërruar jetë, po profecia e tyre u vërtetua. Kemi 32 vjet pluralizëm, “liri fjale”, tranzicionit të stërzgjatur dhe vërtet po ndiejmë çdo ditë, se mungon njeriu me virtytet fisnike, me personalitet e karakter serioz e të sinqertë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016