Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Shemsi Totozanit me origjinë nga Delvina, i shkolluar fillimisht në Liceun Francez të Korçës dhe më pas në Universitetin e Strasburgut në Francë, ku ai studioi për disa vite për Letërsi, por pa mundur që t’i përfundonte dot ato, pasi u detyrua që të kthehej në Shqipëri, për arsye shëndetësore, dhe të fillonte punë si mësues në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Tregtaren e Vlorës, ku ai pati nxënës Hysni Kapon dhe ra në kontakt për herë të parë me idetë komuniste, duke u aktivizuar me “Grupin e të Rinjve” që kryesohej nga Sadik Premtja. Historia e Totozanit sipas autobiografisë që ai ka lënë të shkruar, si dhe dëshmive të djalit të tij, që nga: angazhimi në Lëvizjen Antifashiste si një nga kuadrot kryesorë të Luftës në Jugun e Shqipërisë, konfliktet me Miladin Popoviçin, arrestimi nga italianët dhe mbajtja në burgun e Tiranës, misioni në Greqi i dërguar nga Partia Komuniste, caktimi pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës, emërimi pas mbarimit të Luftës, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, konfliktet dhe goditja nga Koci Xoxe, si “armik”, rehabilitimi dhe dërgimi në vitin 1953 si ambasador i Shqipërisë në Paris, transferimi në Sofje dhe kthimi në Shqipëri, për shkak të goditjes dhe dënimit të baxhanakut të tij, Bedri Spahiut, emërimi dhe puna si Drejtor në Bibliotekën Kombëtare, ku përgjohej nga Sigurimi me aparate përkatëse, bisedat me miqtë e tij të ngushtë kundër Enver Hoxhës, e deri tek arrestimi i tij dhe dënimi si “armik i popullit”, me dhjetë vite burg, e internimi më pas në Belsh të Elbasanit, nga ku ai u lirua vetëm në vitin 1990, kur dhe ndërroi jetë pa e parë shembjen e regjimit komunist.
Goditja e parë në 1945-ën
Lidhur me atë periudhë kohe kur dhe filloi goditja e parë ndaj tij, në kujtimet që ka lënë të shkruara, midis të tjerash Shemsiu shprehet: “Pas çlirimit kam qenë Sekretar i Celulës në Ministrinë e Arsimit dhe më 1945 anëtar i Komiteteve të Dikastereve. Në këtë Komitet ku ka qenë Sekretar i Parë shoku Teodor Heba dhe Sekretar i Dytë, shoku Kahreman Ylli, ne të tre kemi ngritur shpesh raporte verbale dhe me shkrim, për çështje që nuk na dukeshin të drejta. Për këtë na është bërë kohë e pa kohë ndonjë këshillim nga ana e Pandi Kristos dhe më në fund, qëllimisht, krerët e Ministrisë së Brendshme, urdhëruan që ne të tre të ndaheshim nga njeri tjetri. Shoku Teodor u transferua në Durrës, si Sekretar i Parë i Partisë dhe shoku Kahreman, shkoi Ministër në Paris. Kam ngritur në një aktiv të ngushtë Partie, mungesën e demokracisë në Parti, mungesën e kritikës dhe autokritikës, çështjen e frikës së anëtarëve të Partisë për të shtruar drejt problemin, çështjen e deputetëve Riza Dani dhe Selaudin Toto më 1945. Këto i’a kam shtruar direkt edhe Koci Xoxes, i cili s’i ka quajtur të drejta. Kuptohet se pas këtyre kanë ardhur goditjet të njëpasnjëshme për mua. Në tetorin e 1946-ës më çuan në Ministrinë e Drejtësisë si Sekretar i Përgjithshëm dhe në dhjetor 1956, më dërgojnë Drejtor të Shkollës Pedagogjike “17 Nëntori”. Asnjë arsye nuk m’u dha për këtë trajtim, dhe asnjë arsye të fortë nuk munda të gjeja në veten time. Komiteti Qarkor i Tiranës, më hoqi “vërejtje të rëndë me paralajmërim me shënim në biografi”, për arsye se: “kisha folur kundër kooperativave”, “kisha shkuar në kundërshtim me vendimet e Komitetit Qarkor”. Që prej asaj date jam shikuar kudo me sy të keq, emri im përmendej kudo në organizatat e ndryshme të Partisë, si element armik dhe anti-parti. Shokët e vjetër s’guxonin të më flisnin, shpifjet për mua ishin në rendin e ditës dhe në çdo mbledhje të organizatës bazë të shkollës, do të më vinte ndonjë i deleguar i Komitetit të Rajonit, apo qytetit për të më goditur mua, pse isha “element i rrezikshëm”. Edhe Ministria e Arsimit në anën e saj mundohesh të më godiste. Këto ndjekje kundër meje kanë vazhduar deri në Plenumin e XI-të të Komitetit Central”, thuhet në kujtimet e Totozanit, lidhur me vitet 1945-1947, kur ai u godit nga Partia si “armik”. Po kështu për atë periudhë, dëshmonte edhe Selfixhe Broja (Ciu) e cila në mes të tjerash kujtonte: “Në një aktiv Partie, Shemsiu shtroi çështjen e mungesës së demokracisë në Parti, gjë e cila ndillte frikë për të shtruar çështje që dukeshin të gabuara, si p.sh., “Gjyqi i Deputetëve”. Pas kësaj, nisi goditja ndaj tij, duke u bërë shpifje nga më të paskrupulltat. Në ato kohë ai u detyrua dhe i’u drejtua me një promemorie Dikasterit, duke ngritur jo vetëm problemin e tij, por dhe rrugën pa krye ku ishte futur Partia”, kujtonte për Totozanin, ish-publicistja e viteve ’30-të, Selfixhe Broja, e cila në vitet e para të pas-Luftës ka punuar bashkë me të në Ministrinë e Arsimit.
Ambasador në Francë
Goditja ndaj Shemsiut vazhdoi deri në fundin e vitit 1948, kur u mbajt Plenumi i XI-të, i cili njihet ndryshe edhe si “Kthesa e Partisë”. Në atë kohë Enver Hoxha sipas udhëzimeve që kishte marrë nga Moska, goditi Koci Xoxen, të cilin e shihte si rival të tij në krye të Partisë dhe i’a ngarkoi atij të gjitha “gabimet” që ishin bërë. Në atë kohë u rehabilituan një numër shumë i madh komunistësh, që ishin cilësuar “elementë anti-parti e armiq” dhe në atë kuadër, u rehabilitua edhe Shemsi Totozani, i cili si fillim u emërua Drejtor i Arsimit në Ministri. Ai nuk pranoi që të fillonte punë pa sqaruar më parë pozicionin e tij dhe i kërkoi takim Tuk Jakovës, i cili në atë kohë mbante funksionin e Sekretarit të Dytë të Komitetit Qendror. Në atë takim me Tukun, përveç çështjeve personale ai ngriti edhe probleme të tjera, që e komprometonin rëndë demokracinë në Parti, të cilat Tuku jo vetëm që i’a mirëpriti, por dhe e ndihmoi, duke e propozuar për ambasador të Shqipërisë në Paris. Kështu në vitin 1953, Shemsi Totozani shkoi në Francë, me detyrën e ambasadorit dhe disa nga ish-kolegët e tij të asaj kohe, dëshmojnë se Totozani ka qenë një nga përfaqësuesit më dinjitozë të Shqipërisë në Paris. Njëri nga kolegët e Totozanit, shprehet se: gjatë dorëzimit të letrave kredenciale dhe pas ceremonisë, Presidenti i Francës, Sharl De Gol, mbeti krejt i befasuar dhe u mahnit nga gjuha frënge (të cilën Shemsiu i fliste krejt rrjedhshëm, njëlloj si shqipen) dhe kultura e tij e gjerë. Që në momentet e para të atij takimi, Presidenti francez i’u shpreh Totozanit, duke i thënë se: nga të gjithë ambasadorët e akredituar në Francë, që ai kishte pasur mirësinë që t’i priste, nuk kishte rastisur asnjë që ta fliste frëngjishten në atë mënyrë. Lidhur me periudhën që Shemsiu shërbeu në ambasadën shqiptare në Paris, Selfixhe Broja, dëshmonte: “Me kulturën, edukatën dhe mprehtësinë që e karakterizonte Shemsiun, ai diti të përfaqësohej në mënyrën më dinjitoze në të gjitha qarqet diplomatike në Paris. Por në atë kohë ai pati mjaft problem, të cilat erdhën si rezultat i mungesës së rakordimit me kuadrin, i cili kishte vartësi të dyfishta dhe sidomos barrikada që i bëri ai shpërdorimeve financiare dhe shpenzimeve të dyshimta, që bënte Llambi Peçini (Shefi i Zbulimit, pranë asaj ambasade) i cili në atë kohë kishte pavarësi të plotë. Shemsiu u shpreh hapur kundër shpenzimeve financiare të pallogaritshme për subvencionin që u jepej në atë kohë marksistëve, të cilët ai i qunte me neveri: “Horrat e Europës”. Por denoncimi që i’u bëri Shemsiu atyre problemeve në ambasadën shqiptare të Parisit, i krijoi konsekuenca të shumta në Tiranë, duke e atakuar personalisht me Enver Hoxhën, i cili kishte firmosur dhe financimet për grupet marksiste-leniniste, të cilët paguheshin rregullisht dy herë në muaj nga ambasadat shqiptare në Paris e Romë”.
Goditja pas Bedri Spahiut
Ajo krisje që u krijua në mes Totozanit dhe Enver Hoxhës, në atë kohë që ai ishte ambasador në Paris, konçidoi edhe me goditjen që Enveri i dha atëherë Bedri Spahiut, baxhanakut të Shemsiut. Pas kësaj Enver Hoxha e hoqi Shemsiun nga Franca dhe fillimisht e dërgoi ambasador në Sofje të Bullgarisë, transferimin i cili nënkuptonte një të ardhme krejt të zymtë për të. Lidhur me këtë, i biri i Shemsiut, Vojo Totozani dëshmon: “Në atë kohë që u godit Bedri Spahiu, Enver Hoxha thirri në Tiranë të gjithë ambasadorët e Shqipërisë, me qëllim që t’u sqaronte arsyet e shkarkimit të tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Në atë kohë babai ndodhej në një mbledhje në Gjenevë dhe kur erdhi në Tiranë, Enveri i komunikoi transferimin nga Parisi për në ambasadën shqiptare të Sofies. Gjatë një feste zyrtare në atë kohë, kur erdhi radha për të takuar ambasadorët, Enver Hoxha në mënyrë demonstrative, e kaloi Shemsiun pa i’a dha dorën. Arsyeja kryesore e atij transferimi dhe qëndrimi, bëhej për shkak të goditjes së Bedri Spahiut, bashkëshortja e të cilit, ishte motra e nënës sonë dhe ajo lëvizje, ishte dhe zanafilla e goditjes së rëndë që do të pësonte babai më vonë, sepse atë e hoqën edhe nga Bullgaria dhe e sollën në Tiranë. Pasi e lanë afro dy vjet si nëpunës në Ministrinë e Jashtme, aty nga viti 1957, atë e hoqën edhe që andej dhe e caktuan Drejtor të Bibliotekës Kombëtare, ku ai ishte vazhdimisht nën përgjimin e organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat i kishin vënë deri dhe përgjues në ambientet e zyrës. Edhe në ato kushte, babai punonte me përkushtimin më të madh, duke e pasuruar fondin e Bibliotekës me libra nga më të përzgjedhurit, por edhe për atë gjë ai u ndesh në pengesa të mëdha dhe u akuzua nga lart se po fuste në bibliotekë ideologjinë reaksionare. Tepër i revoltuar nga ajo situatë në të cilën ndodhej, babai herë pas here shfrynte mllefet e akumuluara me miqtë e tij më të ngushtë, si: Profesor Eqerem Çabej, Selfixhe Broja, Zef Mala, Nonda Bulka etj., të cilëve i’u thoshte: ‘Mjer ky popull, që i mohohet edhe ushqimi shpirtëror e mendor’. Po kështu me ata miq të tij, në atë kohë babai diskutonte edhe për shpërdorimet e privilegjet e udhëheqjes së lartë që banonte në “Bllok”. Të gjitha këto ndikuan në përjashtimin e tij nga Partia në vitin 1956 dhe motivacioni që i’u tha atëherë ishte:
- Ke shfaqur pikëpamje të huaja për Partinë.
- Je shprehur kundër lidhjeve e miqësisë me Kinën.
- Në Francë ke pasur lidhje me armiqtë e Kombit.
- Ke propaganduar kulturën perëndimore.
Në fund të asaj mbledhje, ku i deleguar ishte Faik Shehu, babai u shpreh: ‘Jam i bindur se një ditë Partia, përsëri do më pranojë në radhët e saj’. Faik Shehi i tha: ‘Për cilën Parti e ke fjalën, për atë të Enver Hoxhës’? babai i’u përgjigj: ‘Jo, për Partinë e Punës të Shqipërisë’. Qëndrimi i tij në Komitetin Qarkor ishte shumë burrëror dhe ai nga i akuzuar, u kthye në akuzues”. Këtë gjë e pohon edhe Selfixhe Broja e cila midis të tjerave dëshmon: “Pas atyre akuzave, kur i thanë Shemsiut që t’i kërkonte falje Komitetit Qendror dhe të denonconte shokët e tij, ai u përgjigj: Quhem Shemsi Totozani dhe kam qenë gjithë jetën i ndershëm e do të vdes i tillë”.
10 vite burg dhe internimi në Belsh
Pasi Shemsiu nuk kërkoi falje dhe nuk bëri autokritikë, Enver Hoxhës u shpreh: “Le të shkojë në Elbasan, ta fillojë nga e para”. Lidhur me periudhën që ai jetoi atje ku dhe u arrestua më pas, i biri i tij, Vojua dëshmon: “Në qytetin e Elbasanit, babai punoi disa kohë si mësues dhe në vitin 1967 ai doli në pension si arsimtar. Gjatë asaj periudhe e deri në vitin 1974, kur babanë e arrestuan, ai vazhdimisht shoqërohej kryesisht me Qamil Çelën, (komunisti i parë në Shqipëri), të cilin e kishte mikun më të ngushtë. Po kështu përveç Qamilit, në shtëpinë tonë vinin dhe Ymer Dishnica, Peço Kagjini, Muhamer Spahiu e disa intelektualë të tjerë si, Perikli Sheti, me të cilët ne kishim shoqëri familjare. Nga miqtë e Tiranës ata që nuk e harruan asnjëherë babanë edhe kur e çuan në Elbasan, ishte Dalan Shapllo me vëllezërit e tij. Babai kishte një humor të jashtëzakonshëm dhe me ata miq e shokë ai i rrinte vazhdimisht edhe në kafene, ku midis bisedave të tjera diskutonin edhe për Enver Hoxhën.
Duke perifrazuar Viktor Hygonë në poezinë e tij për Napolonin e Tretë, babai u thoshte vazhdimisht shokëve të tij: ‘Nëse do të mbeteshin 1000 kundërshtar të tij, një prej tyre do të isha unë, nëse do të mbeteshin 100, përsëri një prej tyre do të isha unë, ndërsa po të mbetej edhe një kundërshtar i tij, ai do të isha unë’. Të gjitha këto u bënë shkak që në vitin 1974, babai të arrestohej dhe pasi u mbajt për gjashtë muaj ne hetuesi, ai u dënua me dhjetë vjet burg politik dhe sekuestrim të pasurisë. Në fillim Shemsiun donin ta dënonin si “agjent të UDB-së”, por pasi nuk gjetën dot dëshmitarë, atë e dënuan për “agjitacion e propaganda”. Gjatë seancave gjyqësore, babai u kthye në një akuzues dhe ajo gjë atëherë pati jehonë të madhe. Ndër ata miq të babait të cilët nuk pranuan të jepnin dëshmi të rreme kundër tij, ishin: Ferik Toto, Faik Çoçoli dhe Leonidha Qirjako, të cilët patën edhe presionet të mëdha dhe konsekuenca të rënda më pas. Po kështu Qamil Çelës që nuk pranoi të dëshmonte kundër babait, i prenë pensionin jetik. Në atë kohë që u dënua babai, nënën tonë Sidon, e cila ishte komuniste e 1941-it, e përjashtuan nga Partia dhe e hoqën nga puna duke i kërkuar llogari, se: pse priste në shtëpi vjehrrën e Bedri Spahiut, që njëkohësisht ishte nëna e saj. Burgun, babai e vuajti kryesisht në kampin e Ballshit dhe prej andej u lirua në vitin 1982, duke përfituar nga amnistia që u dha atëherë për të moshuarit mbi 60 vjeç. Pas lirimit nga burgu, babai më shumë qëndronte në shtëpi ku merrej me hartimin e një Fjalori Frazeologjik frëngjisht-shqip, të cilin e kishte filluar që prej 10-vitesh. Atë fjalor i’a sekuestruan hetuesit kur e arrestuan, duke menduar se do kishte materiale komprometuese dhe i’a dhanë përsëri më pas. Por babai nuk qëndroi shumë kohë i lirë, sepse në 1986-ën, kur ishte 75-vjeç, së bashku me nënën i internuan nga Elbasani për në Belsh. Në qytezën e Belshit, babai shkoi duke u zvarritur dhe i mbajtur prej krahësh nga nëna, sepse ai ishte shumë i sëmurë. Atje Shemsiu qëndroi i internuar deri në nëntorin e vitit 1990-të, kur dhe u shkri Komisioni i Internim-Dëbimeve. Gjatë asaj kohe, pikëpamjet prej disidenti komunist, e çuan babanë në një metamorfozë të plotë ideo-politike dhe ai e quante Enver Hoxhën “Tradhtar të idealeve të Luftës”. Në nëntorin e vitit 1990-të, të dy me nënën u kthyen në Elbasan, por nga vuajtjet e shumta të burgut e internimit, ai nuk jetoi më shumë se dy muaj”, e përfundon rrëfimin e tij të dhimbshëm, Vojo Totozani, për babanë e tij, Shemsiun, një nga komunistët e ndershëm dhe idealist, i cili nuk u pajtua kurrë me diktatin e Enver Hoxhës dhe si rezultat i rebelimit të tij, vuajti për 15-vjet në burgje dhe internime./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016