Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Bedri Spahiut nga ana e dy hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti, më dt. 17 janar 1958
“APROVOHET”
Kryetari i Degës Hetuesisë
Kolonel Nevzat Haznedari
VENDIM
(Mbi njoftimin e akuzës)
Në Tiranë, me 17 janar 1958. Unë hetuesi Drejtorisë Sigurimit Shtetit, Rexho Hyseni, mbasi pashë materialet e dosjes hetimore mbi akuzën e të pandehurit Bedri Spahiu.
GJETA:
Se Bedri Spahiu për disa vjet me radhë, duke qenë në pozita armiqësore kundër Komitetit Qendror dhe vijës së përgjithshme politike dhe ekonomike të Partisë dhe qeverisë s’onë, duke synuar për ndryshimin e organeve të larta të Partisë e të pushtetit, për këtë qëllim ka zhvilluar agjitacion e propagandë aktive ndërmjet personave që e rrethonin.
Ai është ngritur kundër masave kryesore të Partisë dhe të shtetit në fushën e politikës jashtme dhe të brendshme. Ka shpifur kundër disa udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit, ka bërë thirrje për rishikimin e vendimeve principiale të Komitetit Qendror dhe qeverisë.
Në bazë të sa u tha më sipër dhe i udhëhequr nga neni 127 të Kodit Procedurës Penale të Rep. Pop. Shqipërisë.
VENDOSA:
Që Bedri Spahiun ta marr si të pandehur dhe ta akuzoj për: krimin e agjitacionit dhe të propagandës që parashikohet nga neni 72 i Kodit të Rep. Pop. Shqipërisë.
Këtë vendim t’ja njoftoj të akuzuarit duke i marrë dhe firmën e tija.
HETUESI
Rexho Hyseni
Vendimi mu njoftua me 17/I/1958
I pandehuri Bedri Spahiu
Proces – verbal
Në Tiranë, me 18 Janar 1958. Unë Kolonel Nevzat Haznedari dhe Rexho Hyseni, hetues të Drejtorisë Sigurimit Shtetit, muarëm në pyetje të pandehurin Bedri Spahiu, i cili deponon se më poshtë:
Pyetja filloi ora 10:00
Pyetja mbaroi ora 12:30
Pyetje: Dihet që në vitin 1955, juve jeni përjashtuar nga Komiteti Qendror i Partisë dhe nga Partia për veprimtari anti parti. Tregoni karakterin e veprimtarisë tuaj anti parti?
Përgjigje: Unë s’kam bërë asnjë veprimtari armiqësore kundër Partisë Punë së Shqipërisë.
Pyetje: Mbas përjashtimit nga Komiteti Qendror dhe Partia, me kë nga elementët anti parti kini mbajtur lidhje?
Përgjigje: Mbas përjashtimit time unë nuk kam mbajtur asnjë lidhje me element anti parti. Nuk kam mbajtur asnjë lidhje me elementët anti parti.
Pyetje: Mbas përjashtimit nga partia me cilët element të përjashtuar nga partia jeni takuar?
Përgjigje: Mbas përjashtimit tim nga Partia, unë jam takuar me Tuk Jakovën, Frano Jakovën që kanë ardhur për punë të tyre në Elbasan.
Pyetje: Kur kanë ardhur Tuk Jakova e Frano Jakova në Elbasan, e me çfarë pune kanë ardhur?
Përgjigje: Ndoshta në vjetin 1956 që nuk më kujtohet mirë data, ka ardhur në Elbasan, Tuk Jakova të marrë dërrasa në Elbasan, ndërsa Franua, ishte në kalim për Tiranë, e për mungesë hoteli, kthente në shtëpinë time.
Pyetje: Po Tuk Jakova, ju ka ardhur në shtëpi, a po jeni takuar në ndonjë vend tjetër?
Përgjigje: Mbasi erdhi Tuku në Elbasan për arsyet që tregova më lart, ai më erdhi më takoi në zyrë, mbasi u takuam i thashë që në qoftë se mbetej pa hotel të vinte në shtëpi, dhe bile ftova të vinte pa tjetër se do të më mbetej qejfi, dhe sa herë që të kishte ardhur në Elbasan, unë do ta prisja në shtëpi.
Pyetje: Përveç Tukut dhe Franos, ju ka ardhur dhe jeni takuar me ndonjë person tjetër?
Përgjigje: Njerëz të tjerë përveç Tukut dhe Franos nuk ka ardhur asnjë person tjetër.
Pyetje: Po Frano Jakova ka fjetur në shtëpinë tuaj, apo jeni takuar në ndonjë vend tjetër?
Përgjigje: Frano Jakova, ka ardhur më duket nja dy herë dhe ka fjetur në shtëpinë time, që në dy raste të kalimit ose kthimit nga Tirana për mungesë hoteli.
Përgjigje: Me Franon në rastin e parë më duket, kur më erdhi në shtëpi për mungesë hoteli, në bisedë e sipër ai më tha se është shitës në një dyqan në Gramsh dhe merrte si rrogë tremijë lekë. Gjithashtu më tha se e kishin përjashtuar nga Partia dhe e kishin transferuar nga Tirana në Gramsh. Edhe unë i shpjegova se punoj në Ndërmarrjen e Grumbullimit, si krye referent i statistikës dhe se paguhem me 3.800 lek rrogë në muaj.
Ndërsa me Tukun më kujtohet që kemi biseduar çështjen e racionalizimeve që kishte bërë ai në punën e tijë atje, dhe ato që kisha bërë unë në ndërmarrjen tonë. Në këtë rast, Tuku më tha se ishte përjashtuar nga Partia, d.m.th., që u përjashtua me rastin e punimit të vendimit të Komitetit Qendror të qershorit vitit 1955. Mund të kemi bërë edhe biseda të tjera me karakter ordiner, që unë nuk i mbaj mend.
Pyetje: Çfarë pikëpamjesh kini patur juve lidhur me elementët anti-parti, mbas përjashtimit tuaj nga partia?
Përgjigje: Për Tuk Jakovën kisha pikëpamjen që ishte përjashtuar nga Partia, për masën që kishte marrë Komiteti Central, sepse kishte shtruar disa teza në Komitetin Qendror, d.m.th. se Tuku në tezat e tija me sa më kujtohet, kishte shtruar se; Partinë e kishte organizuar Miladini dhe jo Enveri edhe kishte shtruar se në qoftë se kjo është gabim e pranoj, ndërsa çështjet e tjera nuk më kujtohen.
Gjatë kohës në Komitetin Qendror unë i kam dënuar këto teza të Tuk Jakovës, si gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror, është gabim të pretendohet se Partia e jonë në konditat e krijimit e të organizimit të saj, është organizuar prej një njeriut.
Pyetje: Më vonë juve jeni pajtuar me këto teza?
Përgjigje: Mbas përjashtimit nga partia, jam shkëputur nga jeta politike dhe nuk jam marrë me politikë dhe ndodhën ndryshime të mëdha që unë nuk i di, e prandaj në vijim të këtyre ndryshimeve, unë nuk jam në gjendje të kem e të shfaq mendime mbi çështjet politike.
Pyetje: Përveç takimeve në shtëpinë tuaj me Tuk Jakovën e me Frano Jakovën, keni mbajtur ndonjë lidhje tjetër?
Përgjigje: Në qoftë se doni të thoni lidhje korrespondencë ose takime, apo lidhje me anën e të tretëve ose të katërtëve, apo çfarë do lidhje tjetër që mund të kuptohet, unë nuk kam pasur as me Tuk Jakovën e as me Frano Jakovën.
Lidhur me përgjigjen e pyetjes në se jam takuar me element të përjashtuar nga partia, ato që thashë më lart janë të vërteta.
I pandehuri HETUESI
Bedri Spahiu Rexho Hyseni dhe Nevzat Haznedari
Në Tiranë, me 18 Janar 1958. Unë Kolonel Nevzat Haznedari dhe Rexho Hyseni, hetues të Drejtorisë Sigurimit Shtetit, muarëm në pyetje të pandehurin Bedri Spahiu, i cili deponon se më poshtë:
Proces – Verbal
Në Tiranë, më 19 janar 1958. Neve hetuesit e Drejtorisë Sigurimit Shtetit Rexho Hyseni dhe Nuredin Kërxhalliu, morëm në pyetje të pandehurin Bedri Spahiu.
Pyetje: Edhe një herë ju themi se juve jeni arrestuar për punë armiqësore dhe veprimtari anti-parti, karshi Paritsë e Shtetit. Hetuesia don ta dijë, për këtë veprimtari tuajën?
Përgjigje: Unë s’kam bërë as një veprimtari anti-parti, porse puna e ime ka qenë pro partisë dhe shtetit.
Pyetje: Na tregoni se për ç’arsye juve jeni përjashtuar nga partia dhe kur?
Përgjigje: Unë jam përjashtuar nga Partia e nga Komiteti Central, në vitin 1955, me rastin që u hetua çështja e Tuk Jakovës. Mua më përjashtuan pse dyshonin se mos më kishte thënë Tuku edhe çështje të tjera përveç atyre që më kishte thënë, gjë që unë i kundërshtova dhe pretendova se këto kundërshtime, do t’i bëja dhe në organizatën e Partisë ku të shtrohej vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror.
Pyetje: Në deponimet e para juve keni thënë se; Tuk Jakova në plenum ka shtruar disa teza. Në këtë plenum që Tuku ka shtruar këto, ju keni marrë pjesë?
Përgjigje: Në këtë plenum që shtroi Tuku disa çështje kam qenë edhe unë.
Pyetje: Me qenë se në plenum keni qenë kur shtroj këto teza, ju kujtohen çfarë tezash?
Përgjigje: Në plenum Tuku shtroi çështjen se nuk përmendet roli i Miladinit në organizimin e Partisë tonë, thuhet tha se shoku Enver është organizatori i Partisë tonë, por në qoftë se është fjala për organizator, ky organizator është Miladini.
Në Muzeum shkova dhe pashë se është vënë Spiro Koleka si udhëheqës, tha, te libri abetares, sepse është bërë toskërisht dhe (gegërisht) nuk është bërë siç ka qenë, të tjera nuk më kujtohen dhe po të mi thoni juve, unë dhe u’a them.
Pyetje: Juve ishit dakord me këto teza të Tukut që shtroi në Plenum?
Përgjigje: Siç do të shihet nga diskutimi jem në plenum, dënova ato sikurse të gjithë të tjerët, duke thënë se këto nuk janë pikëpamje të drejta këto që shtron Tuku.
Pyetje: Para se të shtroheshin në plenum nga Tuku këto teza, juve keni qenë në dijeni për këto?
Përgjigje: Kam qenë në dijeni vetëm për çështjen e abetares, të çështjes që në propagandën tonë në Shkollën e Partisë, nuk del roli i Meladinit në ndihmë të Partisë tonë edhe për dy çështje të tjera që nuk më kujtohen. Këto teza i ngriti si konstatime nga poshtë dhe më tha se do t’i bisedoj me shokun Enver. Këtë vendim që ka pasur Tuku, e tha në një farë mënyre edhe në diskutimin e tij edhe në Komitetin Qendror.
Pyetje: Ku i kini biseduar këto teza që do të shtronte Tuku ju kujtohet, dhe këto bisedime ishin në rrugë partie?
Përgjigje: Ato që më ka biseduar mua, ishin krejtësisht në rrugë partie, por nuk më kujtohen se ku. Këto ishin në rrugë partie i tha si konstatime të terrenit, se roli i Miladinit është përcaktuar në Kongresin e I-rë dhe në qoftë se në terrenin praktik të propagandës partisë lihet mënjanë, është një shkelje e vijës së partisë dhe kjo nuk lejohet.
Pyetje: Teza të tjera që shtroi Tuku nuk ju kujtohen, porse po tua kujtojmë, mund të na thoni për to?
Përgjigje: Po në qoftë se do të m’i kujtoni juve, unë do t’jua them./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016