Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Pjerin Kçirës, nga qyteti i Shkodrës i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës, u mobilizua dhe shërbeu si gazetar, korrespodent i gazetës “Zëri i Popullit” dhe më pas hetues e nënoficer i Sigurimit të Shtetit, në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku punoi vetëm 13 muaj, deri në vitin 1948, kur u arrestua duke u akuzuar si “kryetar i një grupi antiparti që kishin shpërndarë trakte me përmbajtje kundër pushtetit popullor”. Dënimi fillimisht i Kçirës me 20 vite burg politik, pasi deklaroi në gjyq se armët në Kishën e Françeskanëve, duke u gdhirë data 17 nëntor e vitit 1946, i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit dhe më pas dënimi me vdekje e pushkatimi i tij, pasi kishte dekonspiruar inskenimin e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë e rralla të Padër Leon Kabashit, një prej dëshmitarëve të ngjarjes së “Armëve në Kishë” (e cila konsiderohet si një nga më të bujshmet e historisë së regjimit komunist në luftën ndaj Klerit Katolik) dhe disa prej ish-të dënuarave politik nga qyteti i Shkodrës, të cilët tregojnë se si ish-gazetari, hetuesi dhe nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, i ka shpëtuar ata nga torturat dhe dënimet me vdekje, duke u’a manipuluar procesin hetimor në favor të tyre.
Dëshmia e ish-të dënuarit me vdekje: “Jetën time i’a dedikoj, Pjerin Kçirës, më gjeti të varur në pemë dhe më çoi në spital”
D E K L A R A T E
I nënshkruari Ragip Fetah Meto, lindun e banues në Shkodër, vërtetoj si ma poshtë:
Me datën 6 prill 1946, jam arrestuar nga Sigurimi i Shkodrës dhe menjëherë kanë filluar hetimet për mu. Kam ndej 16 muaj në hetuesi duke hequr torturat ma çnjerëzore dhe në nëntor të 1947, jam dënuar me vdekje.
Gjatë hetuesisë, kam njoft Pjerin Kçirën, i cili më ka gjetë në tortura dhe një rast më ka gjet të varur për peme, 6 ditë pa hëngër dhe pa pi ujë. Mu personalisht më ka ndihmuar, duke më çuar në spital të Shkodrës, pasi e panë se isha në gjendje të rëndë, duke vdekë.
Vetëm kujdesi i Pjerinit, më shpëtoi jetën. Këtë ai e bëri me kokën e vet, me iniciativën e vet, pasi ai nuk ishte hetuesi im. Hetuesi im ishte nënkryetari i Degës.
Pra edhe njëherë, jetën ja dedikoj Pjerin Kçirës. Nga shokët e mi të burgut, asnjëherë nuk kisha digju ankesa për sjelljet e tij ndaj tyre.
Ja lëshoj këtë deklaratë familjes së tij, për ta përdor ku t’i nevojitet.
Dt. 8.II.1993 Deklaruesi
Ragip Feta Meto
Dëshmia: “Hetuesi Fadil Kapisyzi, më torturonte në mënyrë çnjerëzore, kurse Pjerin Kçira, më shpëtoi nga pushkatimi dhe u dënova vetëm 3 vjet”
Një ish-i burgosur politik, Met Licaj dëshmon:
Isha i arrestuar dhe kisha gjashtë muaj rresht, që torturohesha në mënyrë çnjerëzore nga Fadil Kapisyzi. Një natë, në orën 12, më marrin dhe më çojnë në hetuesi. Ishte Pjerin Kçira. Pasi nxori jashtë policët, filloi të më pyeste për çështjen dhe unë i përgjigjesha, duke mos pranuar kurrgjë.
Natën tjetër m’u drejtua me po ato pyetje dhe unë i dhashë po ato përgjigje. Por në atë dhomë, ku unë mendoja se ishim vetëm ne të dy, ishte dhe dëshmitari i fshehur, të cilin Pjerini e nxori me dëshmu. E njoha menjëherë, ishte dhe ai i arrestuar.
Na vuri përballë njëri-tjetrit dhe i tha fol. Dëshmitari i arrestuar filloi të flasë. Fjalët e tij ishin të vërteta, por unë në asnjë mënyrë, nuk pranoja asgjë dhe kundërshtoja fort. Atëhere Pjerini u kthye nga dëshmitari. Thirri policët dhe e nxori jashtë. Mbasi ikën të gjithë, më zgjidhi duart dhe më tha të ulesha. Ai vazhdoi: “Mos kujto se ma hodhe, unë i di të gjitha, e di se edhe fjalët e dëshmitarit, janë të vërteta. Por ti je burrë dhe qëndron dhe unë i ndihmoj njerëzit që i rrinë fjalës. Tash ti ke me e pa se kush asht Pjerin Kçira. Po të pyes për diçka: A ke besë?
Dhe pastaj vazhdoi: Ti e ke vendimin me u pushkatu, por në rast se e ke fatin, me ndej deri në fund të hetimit me mu, ti as nuk do të pushkatohesh, e as nuk do të dënohesh rëndë. Në qoftë se kanë me të çue te ndonjë hetues tjetër, do t’i thuash kështu: “Më torturoni, më rrihni, më mbytni, bëni ça të doni me mu, veç në dorë të Pjerin Kçirës, mos më çoni ma”. E tash thuaj se çka kërkon prej meje. I thash me bë të mundur, mos me shtërngue fort duart në pranga, dhe me m’ë pru pak buk e duhan. Të gjitha këto kërkesa, indirekt m’i plotësoi.
Të gjithë e dimë se sa vlerë kishin fjalët e të pandehurit para trupit gjykues, por procesi që kishte bë për mu hetuesi Pjerin Kçira, bëri që unë jo vetëm të mos pushkatohem, por të dënohem vetëm me tre vjet burgim. Pjerin Kçira, ishte ai që ma shpëtoi jetën. Më vonë kur isha në burg, morra vesh si Pjerin Kçirën e kishin pushkatuar.
Me nderime
Met Licaj
Dr. Pjetër Pepa: “Ja e vërteta për ngjarjen e ‘Armëve në Kishë”
Kur At Çiprian Nika, dëshmonte: “Armët nuk i kam pas vetë. Ishin disa mbeturina të lëna nga gjermanët, kohë më parë, që kur ishin strehuar dhe kishin banuar në seminarin tonë”, mendonte se bëhej fjalë për 3-4 mbeturina rrangallë të mbetura, si trofe pas ikjes së gjermanëve dhe me sinqeritet e thoshte edhe atë, pa e ditur se do të dilte në fotografi, pranë një mori pushkësh fare të reja, që ishin futur një mëngjes, në atë kuvend e në atë kishë.
“Njeriu e ka për detyrë të thotë gjithmonë të vërtetën, por jo të thotë gjithë të vërtetat”, – porosit Aristoteli, por ishte koha e Lilo Zenelëve dhe jo e Aristotelëve.
“Gjithë arkivin me vlerë historike e futëm në dy arka të mëdhaja, – dëshmon At Zef Pllumi. – Ishte një pasuri e pamasë dokumentesh, të Rilindjes Kombëtare, si dhe shkrimet, letrat, kujtimet e dorëshkrimet e Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, imzot Doçit, imzot Bumçit etj. Ishin dhe dokumentet e Gjeçovit, fondi i Fishtës etj. Dorëshkrimet përgjithësisht i sistemuam në valixhe metalike, që kishin qenë dikur arka municioni dhe ishin lënë bosh, nga gjermanët, sepse ishin të përshtatshme kundër lagështirës. E ironia e dhimbshme konsistonte në faktin se në libra, revista dhe ekspozita, nxirrnin fotografitë tona para atyre arkave, të shoqëruar me nënshkrimin: ‘Ja municioni i fshehur në kishë, në ato arka që me shkrimet e tyre gjermanisht, kishin diçka të tillë lidhur me municionin…’ Natyrisht, ishte kjo një djallëzi ‘e vogël’ e Sigurimit, e vështirë për ta kuptuar cilido”.
“Në të dalë të dritës, – tregon At Zef Pllumi, – forcat e Sigurimit shpërthyen brutalisht kuvendin, mblodhën gjithë fretërit, organizuan atë ‘kontrollin e imët’ deri ndër altare dhe në njërin prej tyre, gjetën me shumicë armë…”. I nxorën gjithë fretërit në oborr, shumica përfunduan në pranga, shuplakë e pështymë, shkelma e sharje, çka s’ishte parë asnjëherë, në asnjë vend të botës. Kuvendi ishte shkelë në atë mënyrë, sa banorët përreth s’e harrojnë ende sot. S’vonuan shumë dhe ia behën të ftuarit dhe autoritetet. U gjendën menjëherë prezent telekamerat jugosllave, për të dokumentuar këtë ngjarje, zjarri i së cilës sapo ishte vënë.
E përballë kësaj të vërtete, ja se si bëhej propaganda: “Armët e shumta dhe të llojeve të ndryshme, që u gjetën të fshehura në seminar, kuvend e institucione të tjera, – pohon provinciali françeskan Mati Prendushi, – ne i ruanim me shumë kujdes. Depot me armë, një pjesë të pushkëve, të mitralozave, të bombave dhe mortajave e municionin përkatës, ne i patëm marrë nga ushtria italiane”. (Rakip Beqja, f. 72).
Në altarin e zemrës së Krishtit, në ish-kishën françeskane Shkodër, sipër dhe në fund të tij, janë fshehur armë lufte (fishekë, mitraloza e bomba), për t’u përdorur kundër pushtetit popullor. (Idem. f.80).
“Në altarin e Shën Ndout, në kishën françeskane u gjetën armë brezi. Disa ditë më vonë edhe në kishën e madhe në Shkodër, u gjetën armë lufte të markës gjermane dhe arka me municion”, – thuhet në një vend tjetër. “Më 16 dhjetor 1946, seksioni i Sigurimit të Shtetit, zbuloi në abacinë e Mirditës, brenda në kishë e në qelë, armë e materiale të tjera komprometuese”, – njofton përgjegjësi i Sigurimit të Mirditës, togeri Bardhok Biba.
“Më 1946 u zbuluan me shumicë armë lufte, pushkë, bomba e mitraloza, të fshehura nga klerikët në argjipeshkvinë e Shkodrës… Prifti Donat Kurti, mbasi ka prishur murin e dhomës së tij, tregon vendin ku gjendej depoja e armëve të fshehura, që kleri katolik kishte marrë nga gjermanët”, – thuhej në një vend tjetër.
E përballë kësaj propagande që bëhej në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, si mund të zbulohej e vërteta, kur dëshmitar i vetëm, ishte Zoti e frat (vëlla) Ndou, portieri i kishës? Ai nuk pranoi të dorëzojë çelësat e të hapë portën, për të futur armët e reja e pa pluhur, pushkët e gjata e mauzeret e llustrosura, rreth orës 4.30 të mëngjesit të asaj dite të zezë. Për këtë veprim, e masakruan si mos më keq!
“Ishim te burgu i Ulqinakut, – kujton Terezina Zorba. – Natën erdhën e morën At Mati Prendushin. Të nesërmen na tregoi se bashkë me At Pal Dodën, Donat Kurtin e Çiprian Nikën, ata i çuan në kishën e françeskanëve, hapën elterin e Shna Ndout, u vunë pushkë e mitraloza, në krahë dhe i fotografuan disa herë”
- AKTI I DYTË – ZBULOHET E VËRTETA
Të vërtetën e dinte vetëm Zoti e frat Ndou, portieri, të cilit i kishin kërkuar çelësat… por tashti edhe ai nuk mund të fliste, sepse e kishin çuar edhe atë tek Zoti… Çfarë mund t’i ketë mbetur pa thënë kësaj drame të përgjakshme? Nuk kanë kaluar as katër muaj nga pushkatimi dhe një valë e re arrestimesh, shpërthen sërish në Shkodër, e bujshme dhe tepër e veçantë për llojin e saj. E veçanta konsistonte te të arrestuarit. Është një grup tashmë të rinjsh, 20-25 vjeçar, tre nga të cilët janë jo vetëm anëtarë partie, por edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit.
Më 28 korrik 1948 do të arrestohen:
1. Pjerin Kçira– 25 vjeç, anëtar partie, aspirant në seksionin e sigurimit Shkodër, korrespondent i “Zërit të popullit”.
2. Gjovalin Mazreku – 20 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.
3. Lin Çollaku – 23 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.
4. Zef Bardhoku – 24 vjeç, anëtar partie, nëpunës.
5. Nush Simoni – 22 vjeç, nëpunës banke.
Edhe për ta – rituali i zakonshëm. Po cila ishte akuza?
Natyrisht, do të bëhej shpejt e shpejt edhe për ta një…!
Proces-verbal: Prokuroria ushtarake e Tiranës me funksion në Shkodër, me Aktakuzën e saj datë 26.5.1949 i sjell për gjykim kësaj gjykate çështjen penale për të pandehurit Pjerin Kçira… me shokë se:
– Kanë qenë anëtarë të një grupi të organizuar në mbledhje të fshehta.
– Kanë bërë agjitacion e propagande me gojë e me shtyp.
– Kanë marrë vendime që të kryejnë atentate kundër funksionarëve të partisë e të pushtetit dhe kanë kërkuar të bëjnë atentat kundër një anëtari të sigurimit, por që nuk e kanë kryer nga frika se mos diktoheshin… etj.
Kur u formua dhe çfarë ishte ky grup?
Mbi bazën e dokumenteve rezulton që grupi u krijua më 18 korrik 1948, dhe se në një mbledhje të rregullt me votime kanë zgjedhur kryetar Pjerin Kçirën.
“Koçi Xoxe nuk ka dominuar mbi sekretarin e parë të partisë, E. Hoxhën, prandaj ky i fundit është fajtor e përgjegjës për gjithçka që po ndodhte në Shqipëri”. Ishte ky mendimi i anëtarëve të këtij grupi në atë periudhë të turbullt, kur një “tradhti” zbulohej në Shqipëri e që me vonë (3 mars 1949) u hiqej mandati edhe vetë Koçi Xoxes e Pandi Kristos (Arkivi i Kuvendit Popullor). Pra, veprimtaria e grupit rezulton të jetë zbuluar në krye të dhjetë ditëve… Të ishte një armiqësi apo truk që organizonte Sigurimi, i cili nuk kursente as edhe shërbëtorët e vet kur duheshin zhdukur gjurmët?!
Dhe, hetimet do të zgjasin njëmbëdhjetë muaj, e natyrisht edhe torturat me devocion të posaçëm po i realizonin Ali Xhunga, Kasem Troshani e shumë të tjerë, që deri dje kishin qenë shokë të tyre…! Madje, gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit akuzojnë për këto tortura dhe të mësipërmit detyrohen të vijnë dhe të dëshmojnë në gjyq siç e ka kërkuar mbrojtja. Por natyrisht, as që mund të ndodhte ndryshe. U provua “katërcipërisht” se deklaratat e të pandehurve ishin marrë “pa asnjë detyrim e presion”! Akuzohen gjithashtu për atentate që kishin dashur të bënin kundër Abaz Lazes, Lilo Zenelit, Ali Begut etj.
Dhe… një proces-verbal tjetër:
“Sot, më datën 28.5.1949 trupi gjykues, i përbërë nga kapiten i parë, Vangjel Kocani, kryetar, dhe toger Haxhi Beqiri e kapter Ali Tirana, anëtarë, me prokuror, kapiten i parë, Harito Nashin, hapin gjyqin kundër të pandehurve…”
Për të arritur kështu në pretencën e prokurorit që dënon Pjerin Kçirën e Nush Simonin me 20 vjet, Zef Bardhokun me 15 vjet, Gjovalin Mazrekun me 13 vjet e Lin Çollakun me 8 vjet. Të nesërmen, më 11.6.1949, pas mbrojtjes formale, gjykata vendos për Pjerin Kçirën dënim me vdekje, me pushkatim e gjithçka merr fund. Kjo, së paku zyrtarisht në bazë të dokumenteve të arkivuara.
Pjerin Kçira dërgohet tek Zalli i Kirit e pushkatohet, siç ishin pushkatuar shumë të tjerë para tij e siç do të pushkatoheshin edhe shumë të tjerë pas tij.
Ku qëndron e veçanta? Fatkeqësisht, dokumentet e arkivit nuk na ndihmojnë… Ato ose janë zhdukur, ose me qëllim janë ndryshuar që të mos përmendet fare ai sekret që lidh bashkë këto dy akte të kësaj drame të përgjakshme.
Ndoshta e veçanta kishte filluar që më herët… Ajo kishte filluar që atëherë kur Pjerin Kçira nga A-P kthehej në a-p po me një ndryshim tepër të madh… Pra, nga anëtar partie, në armik i popullit. Dikur, anëtar partie me privilegje e favore. Dikur, aspirant i sigurimit të shtetit e përgjegjës i burgut të kishës. Dikur, hetues i At Mark Harapit, dom Anton Muzajt e sa e sa të tjerëve. Dikur, i njohur e i fuqishëm me miq e shokë, oficerë e hetues të sigurimit. E tashti, përsëri a-p, por me vulën e zezë si armik i popullit. Pra, antipod i asaj çka kishte qenë dikur; nga persekutor, në i persekutuar e kaq menjëherë e papritmas…!
Për hir të së vërtetës duhet pohuar që të rinjtë kishin qëlluar trima dhe realizuan një gjyq që do të kujtohej për shumë kohë për llojin e vet. Të 16 seancat do të vazhdonin njëra pas tjetrës, për të arritur në pikën kulmore, kur kryetari i gjykatës do t’i mbyllë gojën Pjerin Kçirës. Ai, për të pastruar ndërgjegjen, nxjerr një sekret që e digjte prej kohësh, por që do të binte si bombë mbi trupin gjykues e mbi të gjithë sallën:
“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!”.
Natyrisht, kjo shokoi plotësisht kryetarin e trupit gjykues, që deri atëherë me zor po e mbante veten e po zotëronte situatën. Nuk kishte rrugë tjetër. Seanca duhej të mbyllej.
– Neve që kishim radhën të gjykoheshim mbas Pjerinit, – dëshmon Ernest Përdoda, – gjyqi do të na bëhej me dyer të mbyllura… Deklarata e tij për futjen e armëve në kishë i kishte futur frikën…
Ndërsa bashkëvuajtësi i qelisë, zoti Ahmet Bushati kujton çastet e fundit: “Erdhën duke kënduar himnin kombëtar e menjëherë sapo e futën në birucë, me sinjalin që kishim filloi menjëherë të më tregojë për qëndrimin e tij dhe vendimin e gjyqit…! U përpoqa t’i mbush mendjen se nuk mund ta pushkatojnë, por ai fare i qetë m’u përgjigj: – Jo, jo! Që do të më pushkatojnë atë e di mirë, jam i sigurt, sepse i kam dekonspiruar aty ku atyre u djeg më fort, por unë e bana timen”.
– Të nesërmen ne u ndamë se Pjerinin e çuan në Burgun e Gestapos. – Ishte viti 1949, – kujton ish-i burgosuri Gjon Ljarja. Gjendesha i arrestuar në burgun e sigurimit, të quajtur Burgu i Gestapos. Tek një birucë-nevojtore, ku zakonisht ndrynin të dënuarit me vdekje, ato ditë kishin futur të dënuarin me pushkatim Pjerin Kçira! Një paradite dëgjova që u hapën hekurat e dyert dhe dikush u fut tek ai e sapo u largua, Pjerini filloi të këndojë me zë të lartë: “Por si fleta e Ejllit të Zotit” e këngë të tjera patriotike… Nga darka mundi të më tregojë se i kishin komunikuar pushkatimin e se në drekë ishte takuar edhe me nënën dhe të fejuarën për të fundit herë para pushkatimit.
-Deshëm t’i japin shpresë, – vazhdon një tjetër dëshmitar, – duke i thënë se kemi ndërhyrë te Tuk Jakova e se do t’i falej jeta, por përsëri jo!
– Gjithçka ka marrë fund! – ishte përgjigjja e Pjerinit, – veç ju lutem më sillni një prift që të rrëfehem për të fundit herë. E nëse nuk do ta lejojnë si prift, le të maskohet e të vishet si fshatar e të vijë tek unë, se e pres patjetër për rrëfimin e fundit”. Më tej zoti Gjon Ljarja vazhdon: -Rreth orës 22 dëgjuam sërish zhurmë çelësash e dyersh, na e mori mendja. Pjerini filloi të thërrasë me zë të lartë: “Lamtumirë, ma bani hallall shokë!” E kështu, doli në oborr ndërsa zhurma e motorit të një makine që u nis përfshiu gjithçka. Pastaj, prapë heshtje varri…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016