Taisa Batkina Pisha
Pjesa e njëzet e pestë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Varrimi i Mines dhe humbja e varrit pas një viti!
I thanë të dilnin të dielën për ta zëvendësuar ditën e humbur, por… nuk i lejuan. Nadiren për shumë kohë nuk e lanë të dilte nga kampi, nga frika se ikte nga puna dhe shkonte në varreza. Sepse kjo mund të quhej arratisje dhe rrezikonte ta rigjykonin vajzën. I’a mbushëm mendjen gardianes më të mirë dhe ajo i’u lut drejtorit, t’i jepnin Nadires punë në kamp. Nënën e njoftuan për vdekjen e Mines, ajo erdhi në takim me Nadiren dhe vajti në varreza. Pas një viti, në kodrën, ku ndodheshin varrezat, shpërtheu zjarr, u dogjën të gjitha bimët e thata, shkurret, drurët dhe shenjat në varre. Kështu humbi edhe varri i Mines. Nadirja u lirua bashkë me ne, me amnistinë e vitit 1986. Dëgjova që ishte martuar… nuk di tjetër për fatin e saj.
Krisanthi nga Korça
Në Korçë jetonte një familje e zakonshme, që jetonte si shumica e banorëve të këtij qyteti, në shtëpinë e saj. Nuk qe ndonjë familje e madhe, nëna plakë, vajza e pamartuar, tanimë e moshuar dhe djali beqar. Vajza ishte fotografe, e njihte mirë dhe e pëlqente muzikën, lexonte shumë. Djali ishte mësues. Jetonin të qetë, jo keq. Djali, më në fund, vendosi të martohet dhe e pruri në shtëpi nusen e re. Nuk e di si u krijuan marrëdhëniet e reja të këtyre njerëzve, por pas njëfarë kohe, nusja kërkoi të merrte për vete shtëpinë dhe gjithçka kishte në shtëpi. Dhe shkruan një kallëzim, që i shoqi dhe e motra e tij, po bëjnë plan të arratisen jashtë shtetit. Kaq! Kallëzimi u bë dhe ‘makina’ u vu në lëvizje. Kjo ndodhi në mesin e viteve ’70-të, në kohën e përndjekjeve më të egra. Krisanthin dhe vëllanë e saj, i arrestuan. Krisanthi pati hetim shumë të rëndë. E rrihnin hetuesit, por edhe disa vajza të reja, të arrestuara edhe ato, që i futën në qeli enkas për këtë punë, me premtimin se do t’i lironin. Krisanthi nuk pranoi asnjë akuzë, nuk firmosi gjë. Pasi “fitoi” 8 vjet burg dhe veshka të dërrmuara, ajo rrinte shtrirë në shtrat dhe thurte. Prodhimet e saj, veçanërisht dorashkat, nuk i dalloje dot nga ato të fabrikës. Ajo ishte shumë e sëmurë, veshkat e dëmtuara i’u infektuan, nefriti i kaloi në azotemi. E shtruan në spital, por ishte tepër vonë për t’a shpëtuar. Krisanthi vdiq po aq pa zhurmë, si jetoi. Edhe i vëllai ishte në burg, i kishin dhënë një afat astronomik, a 20, a 25 vjet…!
Për fatin e nënës së tyre plakë, më tregoi në kamp një grua e re, që e sollën nga Korça. Plakën e drobitur, të verbër, e përzunë nga shtëpia e saj. Fqinjët e strehuan në një kamare. Ajo me shumë vështirësi dilte nga shtëpia, u lutej fëmijëve të komshinjve, t’i blinin bukë apo qumësht. Një ditë fqinjët hynë në kamaren e saj dhe… e gjetën të vdekur. Kaq! Ky qe fati i njërës prej 70.000 të burgosurve dhe te persekutuarve në Shqipëri, në vendin që ndërtonte socializmin…!
Gjyshe Lena
Nuk e dija në cilin kapitull të shkruaja për Lenën, në këtë, apo në kapitullin “trupi diplomatik”. Ajo ishte shqiptare, por e bënë “spiune sovjetike” dhe e futën në grupin “Nadja-Zoja-Nina”. Me Nadjën dhe Zojën, ajo njihej shumë pak; shiste disa gjëra të modës, kurse ato i blinin. Marrëdhënie të tjera nuk kishin dhe s’mund të kishin, sepse ishin njerëz krejt të ndryshëm dhe mbanin pozicione krejt të ndryshme në shoqëri. Kur e arrestuan, Lena ishte 67 vjeçe. Kishte mbetur shumë herët e ve, rriti të birin, pastaj nipin. Bashkëpunonte me organet e Sigurimit. Kishte qenë dado, pastruese, kuzhiniere dhe, natyrisht, informatore. Nganjëherë punonte në shtëpitë e diplomatëve, të personaliteteve të lartë, madje kishte qenë kuzhiniere në ambasadën e Shqipërisë në Moskë. Me siguri, edhe shitja e veshjeve të modës, bëhej me porosi të organeve të Sigurimit. Vinin gratë, blinin, llomotitnin. Nuk e di ç’faj kishte bërë Lena para organeve, përse deshën të hakmerreshin me të; ajo nuk tregonte, por vetëm me këtë, me asgjë tjetër, s’mund të shpjegohej arrestimi i saj. “Grupin e spiunazhit” e sajuan për Lenën, “spiunet” i gjykuan, i dërguan në kamp, kurse atë e arrestuan më vonë, e bashkuan me këtë grup pa qenë nevoja dhe pa asnjë bazë. Ajo nuk pranoi gjë, asnjë akuzë, por kjo nuk e ndihmoi. I dhanë 15 vjet. Duket, se mëria paskësh qenë tepër e rëndë! Sepse mund t’i jepnin vetëm 7-8 vjet, të sajonin ndonjë padi sipas nenit “agjitacion e propagandë”, siç ndodhte rëndom. Kështu, Lena e pa veten në burg.
I biri e mohoi Lenën!
I biri e mohoi, nuk i vinte, nuk e ndihmonte. Në shtëpi kishte mbetur i vëllai, i moshuar, i sëmurë dhe i vetëm. Ai i shkruante nganjëherë dhe diçka i dërgonte. Nga natyra Lena ishte grua shumë e gjallë dhe gazmore. Ishte e zënë gjatë gjithë ditës. Nuk rrinte dot pa punë, kërkonte t’i jepnin të bënte diçka; shpesh e linin të dilte tej gardhit me tela, për të pastruar pranë ndërtesës së komandës ose rreth kampit. E shkurtër, e mbushur, asaj i pëlqente të ngërdheshej, qeshte shpesh, bënte shaka. Ishte grua shpirtmirë, përpiqej të ndihmonte sa të mundej më shumë, por edhe atë e donin, e ndihmonin. Lena Nikaj, “gjyshja me barrë”, pasi u lirua nga burgu, i dërgoi Lenës në kamp 800 lekë, në shenjë falënderimi për ndihmën e saj dhe mbështetjen. Çdo mëngjes, veshur me rrobat e burgut, me kovë dhe fshesë në duar, Lena rreshtohej me brigadat, që do të niseshin në punë në ara. Pasi dilnin brigadat dhe ishte bërë numërimi, i vinte radha brigadës, që punonte rreth kampit, në kopsht, te derrat, ose në punë të tjera. Kova e Lenës ishte diçka me shumë vlera; ajo gjoja ishte për plehra, por zakonisht kthehej në kamp me ndonjë perime, që ajo arrinte ta merrte matanë gardhit. Kam shkruar për kuzhinieren e komandës. Asaj i vinte keq për Lenën dhe bashkë me mbeturinat, hidhte në arkë perime të freskëta.
Lena gjithçka e ndante me të gjithë. Por mosha bënte të vetën. Forcat po e linin Lenën. Gjatë 2-3 viteve të fundit, ajo u dobësua shumë. Pastaj mori lajmin për vdekjen e të vëllait. E përjetoi shumë rëndë humbjen e tij. I ranë në vesh fjalë, që apartamentin i’a kishin zënë të tjerë, plaçkat i’a kishin flakur jashtë. Ajo s’deshi ta besonte. Lenës i’u shpif sklerozë e rëndë…! Lenën e liruan nga burgu me amnistinë e vitit 1986. Ishte… 77 vjeçe. Bëri 10 vjet burg. Deri në Tiranë udhëtuam në të njëjtin autobus. Rrugës kërkoi të zbriste pranë shtëpisë së saj. Megjithëse të gjithë deshën ta bindnin të ecte edhe pak, sepse apartamentin i’a kishin zënë, se sipas rregullit, organet e Sigurimit duhej ta ndihmonin, ajo nuk dëgjoi, zbriti nga autobusi, duke shtrënguar fort në duar çelësin e shtëpisë. Por nuk e qasën as te pragu. E plakur, e sëmurë, e ngarkuar, Lena mezi arriti në degën e Ministrisë së Brendshme, ku fjeti deri në mëngjes, në korridorin e ftohtë, pranë zyrës së oficerit të shërbimit. I biri nuk doli ta priste. Pastaj e ndihmuan, e rregulluan në hotel, por djali nuk e mori në shtëpi, vinte nganjëherë e shihte, vinte edhe mbesa, mbesa e dashur e gjyshes, për të cilën Lena na fliste aq shpesh në kamp. Por tashmë Lena ishte e sëmurë rëndë, shtrohej në spital, kthehej sërish në hotel. Pasi doli nga burgu, jetoi vetëm disa muaj.
Silvana
Më ndodh shpesh, kur tregoj diçka për jetën në Shqipëri, që dëgjuesi nuk më beson, nuk e merr dot me mend, se kjo mund të ketë ndodhur me të vërtetë. Por në Shqipëri kishte nga të gjitha, kishte shumë fate të sakatuara. Një rast i tillë ishte edhe fati i Silvanës dhe i familjes së saj. Familja e Silvanës jetonte në një fshat të rrethit të Kukësit, në Veri të Shqipërisë. Në vitet ’50-të, babai i Silvanës me familjen kaloi kufirin dhe u vendos në Jugosllavi, më pas u shpërngul në Australi. Mirëpo puna nuk i eci, babai e braktisi gruan dhe katër fëmijët. Nëna e pati shumë të rëndë, duhej të punonte, të rriste fëmijët. Por nuk e dinte anglishten. Silvana na tregonte, se si i mësonin nënës fraza të thjeshta në gjuhën angleze, që ajo të mund të punonte dhe të shfrytëzonte mjetet e transportit. Dalëngadalë jeta nisi të rregullohej, fëmijët rriteshin, shkonin në shkollë. Silvana, vajzë me dhunti të falura nga natyra, vizatonte mirë, në shkollë luante në rrethin e dramës. Më pas nisi punë retushiste në një foto-atelie, mësonte në një studio teatrore. Mirëpo Sigurimi i Shtetit, i’a gjeti fillin edhe familjes së saj. Duhet të theksoj se qeveria shqiptare, nuk i kursente paratë, për t’i kthyer emigrantët shqiptarë në atdhe, në parajsën komuniste. Qëllimi kryesor ishte të hakmerrej ndaj të arratisurve jashtë shtetit, t’i ndëshkonte, t’i frikësonte të tjerët, por dhe t’u provonte të gjithëve, brenda dhe jashtë vendit, që shqiptarët kthehen me kënaqësi në vendin e tyre. Rolin e agjitatorëve e luanin punonjësit e ambasadave, përfaqësive tregtare, shpesh edhe njerëzit e dërguar enkas për këtë qëllim.
Kthimi i familjes së Silvanës nga Australia!
Nëna e Silvanës nisi të merrte letra nga Shqipëria, nga vëllezërit e saj, të cilët i bënin thirrje të kthehej në Kukës; i shkruanin sa mirë jetonin, i premtonin parajsën. Kuptohet, letrat i shkruanin me detyrë nga organet e Sigurimit, mirëpo gruaja e gjorë, as e mendonte diçka të tillë. Kishte vite pa i parë njerëzit e saj të afërt dhe ndihej shumë e vetmuar në dhé të huaj. Për t’u kthyer në atdheu, u përpoqën ta bindnin edhe përfaqësues të autoriteteve shqiptare. Më në fund, ajo vendosi të kthehej. I propozuan të niste fillimisht për në Shqipëri të birin, Kujtimin. Me demek, djali do të rregullohet, kurse ju vini më vonë tek ai. Por me të shkelur në tokën shqiptare, Kujtimin 18-vjeçar e arrestuan dhe e akuzuan për spiunazh. Djaloshi pësoi krizë nervore, u sëmur rëndë dhe e humbi fare gjykimin. Familja në Australi nuk dinte gjë për fatin e Kujtimit dhe përgatitej të kthehej në Atdhe. Kur nëna e Silvanës me tre fëmijët zbritën shkallët e avionit, u habitën që nuk e panë Kujtimin midis njerëzve që e pritën. “Po kryen shërbimin ushtarak, nuk e dimë, përse nuk i dhanë leje”, – i thanë nënës së shqetësuar. Vetëm pas një muaji, nënës, që nuk po kuptonte se ç’bëhej dhe torturohej nga e panjohura, vëllai i tregoi të vërtetën e tmerrshme. Nëna e Silvanës humbi ndjenjat. Kur e sollën në vete, vunë re, se fatkeqja kishte humbur gojën! Disa muaj nuk foli. Por, megjithëse djali ishte i sëmurë, Kujtimin e gjykuan, i dhanë 13 vjet heqje lirie, të cilat duhej t’i kalonte në Spitalin Psikiatrik. Familjen e lejuan ta shihte Kujtimin. Gjendja e tij qe shumë e rëndë, djali nuk njohu njeri nga të tijtë.
Arrestimi i Silvanës pas arratisjes së motrës së saj!
Unë gjithmonë qaja kur përfytyroja gjendjen e nënës së gjorë të Silvanës. Por jeta vazhdonte, nëna kishte edhe tri vajza, duhej jetuar, punuar, për t’i nxjerrë ato në jetë. Atyre u dhanë shtëpi në Kukës. Silvana punonte, të motrat mësonin në shkollë, pastaj edhe ato hynë në punë. Nuk është zor të përfytyrohet,se sa të vështirë e kishin vajzat e bukura, të emancipuara, të rritura në Australi, të mësuara të jetonin në Melburn, të përshtateshin me kushtet e jetës në Kukës, në atë qytet të vogël, të varfër, mes maleve në veri të vendit, ku ngjarja kryesore e ditës, ishte ardhja e autobusit të linjës. Gjithçka në këtë qytet ishte ndryshe, shtëpitë, njerëzit dhe, kryesorja, mentaliteti. Merret vesh, vajzat atje ishin si… sorra të bardha. Disa vite më vonë, motra më e vogël, nuk duroi dot, kaloi kufirin dhe iku nga vendi “mikpritës” i të parëve. Silvana me nënën dhe të motrën menjëherë u internuan në një fshat të vogël pranë minierës së kromit, ku punuan në fabrikën e pasurimit. Pas disa muajve arrestuan Silvanën. E mbajtën gjatë në izolatorin e hetuesisë, paraqitën akuza fantastike për spiunazh, diversion etj. Më në fund, i dhanë 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në aktpadi përmendej midis të tjerave: “Ka shprehur mendim pozitiv për artikujt australianë”.
Kur Silvanën e prunë në kamp pas muajve të tmerrshme të kaluara në burg, ajo për shumë kohë nuk po vinte dot në vete, ishte në zgrip të çmendurisë. Rrinte me orë të tëra pa folur, pastaj papritur brofte në këmbë, dilte me vrap te shkallët, bërtiste, mbante fjalime, dikujt i kanosej, pastaj strukej në një cep dhe diçka shkruante. Në kamp për një kohë të gjatë nuk mundi të mësohej, të përshtatej, por dora-dorës u qetësua, megjithëse shpesh fshihej diku dhe shkruante. Shkruante vjersha në anglisht, të gjata dhe me siguri të bukura. Nganjëherë m’i lexonte mua. Unë nuk kuptoja thuajse asnjë fjalë, por tingëllonin bukur. Në fushë Silvana nuk mund të punonte, sepse edhe nervat nuk i duronin, por edhe shëndeti nuk ia lejonte, shpesh i përsëriteshin kriza të radikulitit dhe nuk lëvizte dot pa ndihmën e të tjerëve. Në kohën e lirë ajo vizatonte, lexonte, thurte dhe… numëronte ditët deri kur do të vinin për ta parë nëna dhe motra. Një herë në gjashtë muaj ato i lejonin të largoheshin nga vendi i internimit dhe të vinin të shihnin Silvanën dhe Kujtimin. Në fillim shkuan në spital te djali, pastaj te Silvana. Silvana kthehej nga takimi me sytë, që i shkëlqenin nga gëzimi, tregonte të rejat dhe thoshte se vëllai ishte më mirë, e kishte njohur nënën dhe motrën. Ne e kuptonim, se ajo e ngatërronte dëshirën me realitetin, por përpiqeshim të mos e zhgënjenim. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016