Nga Romeo Gurashi
Memorie.al / Kur e pashë të më afrohej me një hap që mezi e hidhte, me një trup pak të kërrusur e, me një dorë gati të pajetë, i dhashë moshën e një plaku që i ka kaluar të 80-tat. Por, rrëfimi i tij, që zgjati gati dy orë, ulur në bar restorant “Kosova”, më zhgënjeu. – “Që të të them se jam i nëntorit të 1951, me këtë pamje të rrënuar që kam, s’do të më besosh. Gjithçka e kam peshqesh, nga ai qen pushtet që, jo vetëm më rrënoi fizikisht, por më shkatërroi dhe familjarisht. Dhjetë vjet diskriminim, fundosur nëpër galeritë e Spaçit, sa për 20 vjet të mbledhura bashkë. Kam qenë djalë i bëshëm e i pashëm, me trup kollos, plot muskulature, sa më kishin zili të gjithë, kur u arrestova më 22 janar të 1980 dhe kur u ktheva në banesën time, këtu në “Hekurudha” të plazhit të Durrësit, pas dhjetë vjetësh, askush nuk më njohu.
Kisha ndryshuar aq shumë, saqë dy motrat që nuk i lanë asnjëherë të vinin e të më takonin tek hekurat e burgut, më morën për një tjetër njeri e, jo për vëllain e tyre. E mbaj mend si sot, atë mëngjes të së martës së 22 janarit, mëngjesi që më “vodhi” lirinë.
Sapo kishte zbardhur, kur në derën e vilës që e kish blerë babai që më 1934, u shfaq kryetari i Frontit Demokratik, Ramazan Kaçani, e më kërkoi që ta ndiqja nga pas, gjer në zyrë, se duhej të sqaronim, një problem të vogël.
U vesha dhe pa u përshëndetur me askënd në shtëpi (ah sa pishman më ka mbetur që nuk u përqafova me të afërmit e mi) dhe u nisa drejt e në zyrën ku më kërkonin. Me të hyrë brenda, e mbyllën derën dhe në emër të Prokurorit të Përgjithshëm, më vunë prangat.
Më arrestuan Pehlivan Malaj nga Vlora dhe Isuf Kola, nga Shishtaveci i Kukësit dhe pa më dhënë asnjë sqarim, më nisën nga zyra e Frontit Demokratik të Lagjes numër 11 e, drejt e në birucat e policisë, së burgut të Durrësit. Më akuzonin për dy nene, që ato vitet ishin më të tmerrshmit, për agjitacion e propagandë dhe për tentativë për arratisje.
Gjashtë muaj në birucat e Durrësit, pa më nxjerrë në gjyq e, më 23 qershor të vitit 1980, në sallën e ish-Fabrikës së Cigareve “Telat Noga”, u bë një gjyq, ku ata që u lejuan të futeshin në sallë, u pajisën me ftesa, por pati edhe foto-reporterë.
Atë ditë, nuk isha vetëm unë që dënohesha, por ishin edhe 8 vetë të tjerë. Dora ime, ishte e lidhur me pranga, me dorën e një agronomi të moshuar nga Shijaku, i quajtur Mitat Turkeshi.
Gjyqi, zgjati tre ditë rresht, gjyq me të cilin shteti që drejtonte, donte të tregonte para popullit, fuqinë e tij; ja si i ul në bankën e të akuzuarve, armiqtë e popullit. Dënimet më të rënda në atë gjyq i mora unë, me 15 vjet heqje lirie dhe ai që mbahej si kryetar i grupit, me 20 vjet.
Të tjerët u dënuan me vite më pak se dhjetë vjet. Pas gjyqit, na mbajtën edhe tre muaj në qeli, gjoja për apelim, por kjo metodë, ishte vetëm një formalitet, sepse për mua, se vuri kush ujin në zjarr.
Në muajin nëntor më larguan nga biruca e më nisën për tek kaushat e Tiranës e, që prej andej, drejt e në galeritë e Spaçit. Me të mbërritur atje natën, nuk më lanë që të pushoja, po drejt e në turnin e tretë. Kur futeshe në minierë, e dije që futeshe i gjallë, po nuk e dije se do të dilje më.
Aty ishte “Ferri” i Dante Aligerit. Skllavi i regjimit komunist duhej te bënte medoemos normën ose duhej të jepte shpirtin. Kishe apo s’kishe fuqi, vagonët duheshin mbushur. Norma ishte tepër e çmendur. Duhej të mbusheshin 70 deri në 100 vagonë në turn dhe kjo duhej bërë realitet, në kushte pune tepër mizerabël.
Ato nisnin që tek Baraka. në hyrje të galerisë, ku visheshin rreckat e punës. që dhe varfanjaku më i madh i botës, nuk i përfillte, e jo më punëtori i galerisë, me çizme të çara, me lecka të ngrira nga akulli dhe nga piriti i ngrirë kallkan.
Puna niste me vendosjen e duarve në vagonë, që kishin ngrirë nga akulli, që me zor shtyheshin nëpër ca shina të prishura, e të pa-niveluara. Mos harroni, se duhej t’i shtynim nëpër ujë, niveli i të cilit, vinte në gjysmë metri lartësi. Kandilat, nga karbiti i dobët, fikeshin pa u ndezur mirë.
Hyje në frontin e punës, e aty niste vuajtja, fillonin lopatat për të mbushur vagonët, merrej vagoni e transportohej në trinosh ,(vend-derdhja e mineralit) dhe kalohej në nivel qendror. Nivelistit i duhej ta shtynte vagonin e zbrazur drejt hyrjes nga 4, deri në 20 km.
Kjo punë, ishte llahtari më vete, sepse vagonët, nga nivelimi i keq i shinave, rrëzoheshin mbi disa herë, kështu që për ta ngritur vagonin, duhej ta stakoja trupin, e të bëheshe gjak. Kishte raste, që i vetëm s’mund ta ngrije dot, kështu që mblidheshin gjithë ato veta, për ta rivënë edhe njëherë në lëvizje.
Kishte raste, që punonim vetëm me mbathje, sepse temperatura arrinte gjer në 60 gradë, kjo temperature, vinte si rezultat i nxehtësisë që lëshonte piriti. Sikur të mos mjaftonin këto, në galeri, kishte shembje e, para syve tanë, vdisnin shokët që për t’i nxjerrë për t’i varrosur, na duheshin orë, pse jo edhe dy ditë.
Tek nxirrnim shokët mes lotëve që rigonin si shi, drejtuesit gëzonin dhe e shprehnin hapur kënaqësinë e tyre, se u mbeti një armik më pak.
Kjo punë tejet e rëndë dhe e vështirë, kërkonte një trajtim ushqimor, të cilësisë së lartë, por dieta e të burgosurit, ishte vetëm 18 lekë të vjetra, baras me një paketë cigare “Partizani” të asaj kohe.
Në mëngjes, na jepnin për të ngrënë llapë orizi, pa vaj, në drekë; bishta pras jeshil, me sallo rumune e, me salcë që ngjiste si graso, ndërsa në darkë; çaj pa sheqer. Lum ata të burgosur, që ndihmoheshin me ushqime e para nga familja, se ushqimi i burgut, nuk të mbante të gjallë.
Shumë nga të burgosurit, e kishin këtë mundësi, ndërsa ishim 5 veta, që nuk e gëzonim këtë të drejtë, sa për gjatë jetës sime në burg, emri im, nuk u thirr asnjëherë për ndonjë letër e, jo më për ushqime e para nga familja, apo të afërmit dhe shokët. Kështu që burgu im, qe dopjo burg.
Jetova si oktapodi, që kur s’ka se ç’të hajë, ushqehet me mishin e tij. Duke mos lejuar të afërmit e mi, për të ardhur për të më takuar, ata bënin eksperimente me mua, për të më eliminuar fizikisht, por mua më ruajti vetëm shpresa, tek i madhi ZOT.
Vërtet tre ulje të vogla mu bënë, por prej tyre përfitova 5 vite jetë burgu, që po t’i kisha kryer dhe ato, padyshim që do të kisha vdekur ose, do të isha çmendur. Llahtaria e urisë, arrinte gjer aty, sa kur shihje një kore bukë, të dukej sikur kishe gjetur një margaritar. Kërciste grushti midis nesh, kush ta bënte të veten.
Kish dhe më keq, sa disa, që e kishin humbur toruan, kur shikonin të tjerët të nxirrnin zorrët e barkut, duke vjellë, i mblidhnin ato me grushte dhe i futnin në gojë. Më e tmerrshmja, vdiste shoku që kishe pranë, e nuk bëhej asnjë lajmërim për disa ditë, vetëm që t’i merrnim racionin e ushqimit.
Gjëja më e çmuar, për të cilën bëhej festë e lajmin e gatimit të saj e prisnim me duartrokitje, ishte grosha. Groshë, gatuhej vetëm njëherë në muaj e, në pjatë, t’i bije gjithë ditën lëngut me lugë, me zor se gjeje një kokërr, kishte raste që na jepnin marmelatë, copa e racionit, ishte sa një kallëp shkrepëseje.
Më parë marmelatën, e kishte biruar miu e, ne na e servirnin bashkë me kakërdhie miu. Burgu është i tillë, që e bën njeriun të harrojë vezën, vajin, sheqerin, ëmbëlsirën, kripën, qepën, pra të kthen në një kafshë, saqë dhe perëndia, nuk të do.
Ishe i destinuar, se s’kisha nga t’ia mbaje, ndaj do të haje në kazanin e ndotur të burgut, që s’besoj se do të jetë larë ndonjëherë. Ky ishte trajtimi ushqimor, që nuk i bënte ballë, një urie të jashtëzakonshme.
Shumë njerëz u çmendën nga uria, të tjerë që s’duronin më, u hodhën tek telat e, mbetën të vrarë nga ushtarët, që qëllonin pa lajmëruar, shumë ecnin kuturu, duke folur përçart, sa burgu nuk e kish më emrin burg, po spital psikiatrik. Të burgosurit, shanin ç’tu vinte nëpër gojë, kish shumë nga ata, që jastëku ku mbështetnin kokën, u bëhej në ëndërr, si krodhe buke dhe nisnin ta mbllaçitnin, për të shuar urinë.
Pse ta mohoj, një nga ta kam qenë edhe unë. E me këtë trajtim ushqimor, duhej të realizoje normën. Puna ishte me tre turne, e po të mos realizoje normën, dënimi ishte tepër shtazarak. Të nxirrnin nga galleria, vetën në të mbathura e në kanotiere, të lidhnin mbrapa një shtylle me tel dhe si kundërpeshë, të vinin një rrotë vagoni dhe kjo ndodhte më shumë, kur binte dëborë.
Kishte dhe ndëshkime të tilla, të tërhiqnin zvarrë me litar, nga galeria deri në birucë. Atje të zhvishnin e, të linin në çimento vetëm me një batanije, që ta sillnin në orën nëntë të darkës e, ta hiqnin në orën katër të mëngjesit. Duke qenë i shtrirë, në mes të të ftohtit në çimento, të binte të fikët e, ashtu të ngrirë kallkan, të merrnin e të çonin në infermieri, të bënin një gjilpërë e, të sillnin sërish në birucë.
Kam vite që jam rikthyer në banesën që pati blerë babai, ish-fotografi i Oborrit Mbretëror, Palush Gurashi, i cili më ka lënë 6 vjet e gjysmë, sepse vdiq në burg, më 13 maj 1958. Në diagnozën që lëshuan për vdekjen e tij, shkruhej se; ka vdekur nga të verdhët e zi, po nga ça na kanë thënë ish-kolegë të tij të burgut të Durrësit, atij i kanë injektuar një gjilpërë dhe këtë, e ka bërë drejtori i spitalit të Durrësit në ato vite dhe doktor në shërbim të policisë, Koçi Moisiu.
Tani jetoj një burg të dytë, i izoluar totalisht me moral të thyer e gjendje shëndetësore të shkatërruar. Nuk kam asnjë bazë ekonomike, për të jetuar, jam pa pension, pa asnjë stimul moral. Jam i sëmurë.
Para dy vjetësh, kalova një trombozë, që më ka marrë një krah e një këmbë. Unë që vuajta për të ardhur në fuqi ky pushtet, sot nuk shoh prej tyre, asnjë dritë jeshile. E ardhmja e këtij vendi, nuk do të ketë fare korrigjim.
Në pushtet, kanë ardhur neokomunistët, të cilët i kanë mbetur besnik atyre që i pollën, kurvës Rusi, kopilit, Mihail Gorbaçov, ku zbatohen vendimet e mbledhjes së Katovicës.
Komunizmi, ka qejf të hajë vetë, të pijë, të dëfrejë, vetëm se ndërron lëkurën, duke i bërë pinjollët e tij afaristë, trafikantë, fabrikantë, t’i dërgojë drejt shkollave të Perëndimit, që të ketë në dorë pushtetin politik dhe ekonomik. Ky është statuti i mbledhjes së Katovicës.
Unë si Romeo, i qëndroj idesë sime, e cila është; “Ndërmjet të gjitha të këqijave, zgjidh atë që është më pak e keqe”. Për mua, më pak e keqe nga të gjitha regjimet, është Monarkia, pra jam dhe do të mbetem, besnik për Mbretin. Këto parti që ekzistojnë, janë pjellë e mitrës së partisë së Enver Hoxhës. Memorie.al