Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e mbledhjes së 11 janarit të vitit 1946, kur qeveria komuniste e kryeministrit, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me anë të një “Asambleje Kushtetuese” që u formua më 10 janar dhe e përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ndryshoi formën e regjimit duke e shpallur Shqipërinë Republikë. Si u çel seanca e parë e mbledhjes, nga fjala e hapjes së Kryetarit të Këshillit Antifashist, Dr. Omer Nishani, i cili ja dha fjalën deputetit më të vjetër, Dr. Petarq Popa nga Korça, te zgjedhja e tre sekretarëve të përkohshëm dhe komisionit prej 20 vetash, që do të kontrollonin mandatet e deputetëve. Si u zbatuan procedurat për ndryshimin e formës së regjimit nga Monarki në Republikë, kush ishin misionet ushtarake dhe përfaqësuesit e huaj që asistuan në atë mbledhje nga SHBA-ja, Britania, Franca, BRSS-ja, Jugosllavia e Misioni i UNRRA-s, çfarë tha kryeministri Enver Hoxha në fjalën e tij, pasi delegatët në sallë nuk pranuan dorëheqjen e qeverisë, cilat ishin agjensitë e huaja të shtypit prezentë në sallë dhe çfarë u tha aty për Mbretin Zog dhe vendimet që u morën për mos kthimin e tij në Shqipëri?
76 vite më parë, më 11 janar të vitit 1946, vetëm 14 muaj pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, me anë të një asambleje të përbërë nga 82 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, të mbledhur në sallën e Shtëpisë së Arteve (aty ku sot është godina e Akademisë së Arteve në Tiranë), ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Republikë Popullore, nga Monarki që ishte që prej vitit 1928.
Si u pasqyrua ngjarja nga gazeta “Bashkimi”
Formimi i Asamblesë Kushtetuese më 10 janar, Shpallja e Shqipërisë si Republikë Popullore më 11 janar të vitit 1946, u përcoll me bujë dhe vëmendje të veçantë nga propaganda e regjimit komunist të Tiranës, e cila nëpërmjet Radio-Tiranës dhe gazetës “Bashkimi”, i bëri një jehonë të madhe asaj ngjarje. Nën titullin e madh:”Sot ora 10 çelet Asamblea Kushtetonjëse” dhe nëntitujt korsivë: “Ajo do t‘i japë popullit shqiptar Statutin Themeltar-Frut i luftës së përgjakshme dhe i punës së tij të palodhur”, në gazetën “Bashkimi” të datës 10 janar 1946, ndërmjet të tjerash shkruhej: “Sot më 10 Janar, ora 10 çelet Asamblea Kushtetonjëse, në sallën e Theatrit të ri që është në Shtëpinë e Arteve në Sheshin “Qemal Stafa”. Ata që do të hyjnë në sallë kanë ftesa të posaçme. Populli do të dëgjojë zhvillimin e seancave nga altoparlantët ose me anë të radios. Pas pesë vitesh lufte të pashembullt dhe pas një viti e 44 ditë, që kur në truallin tonë, nuk mbeti më këmbë shkelësi, pas një viti e 44 ditë, fitoresh të mbëdha, erdhi më së fundi edhe data e 10 Janarit, dita që përfaqësonjësit e popullit mblidhen në Asamblenë Kushtetonjëse. Këtë ditë të shënuar për historinë t‘onë, populli ynë e kremton me një gëzim të pa treguar se në Asamblenë e tij, që është e para Asamble me të vërtetë e tij, ai pret sanksionimin me ligj për ato që ai fitoi me gjak. 2 Dhjetori ishte për popullin t‘onë një festë e madhe. Atë ditë populli ynë i lirë zgjodhi të 82 përfaqësonjësit e tij, që sot mblidhen në Asamble. Po dita e sotme është një festë akoma më e madhe, sepse Asamblea do të konsakrojë solemnisht frytet e luftës së përgjakshme dhe të punës së palodhur, të popullit tonë me Statutin Themeltar; është akoma më e madhe sepse kjo është e para Asamble e popullit. Asamblea e fshatarëve, punëtorëve dhe KUSHTETONJËSE”. Aty punëtorët akoma janë duke ndrequr diçka, akoma teknikët diçka zbukurojnë. Që në hyrje duken ekspozitat e ndryshme të Ministrive të ndryshme, midis të cilave shquhen ajo e Ministrisë së Bujqësisë, sepse mu në derë qëndron një bujk i pikturuar, që ka këputur zinxhirët e feudalizmit dhe që mban në dorë, tapinë e tokës së tij që ia dha pushteti i tij. Me të hyrë në sallën ku sot mblidhen asamblistët, të bije menjëherë në sy parulla e madhe, që qëndron në krye të skenës me: “Rroftë Asamblea Kushtetonjëse”, nga e djathta është parulla “Rroftë pushteti popullor i punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve”, nga e mëngjërta parulla “Rroftë Ushtria Kombëtare mburoja e Shqipërisë së Re”. Janë 82 vende të ndara në dhjetë grupe-grup, të asamblistëve të çdo prefekture dhe çdo vend ka mbi tryezë emrin e përfaqësonjësit, që është caktuar të rrijë. Në krye të tribunës janë dy seri vendesh. Për-kundruall këtyre vendeve qëndron kjo parullë: “Asamblistë! Populli u besoi vullnetin e tij. Mbetet tek ju të bëni detyrën ndaj tij. I siguroni popullit me Kushtetutën, një jetë më të lumtur. Dhe fitoret e luftës e të rindërtimit le të bëhen mbështetje për fitore të reja…”
E premte 11 Janar, hapja e seancës së parë të Asamblesë
Seanca e parë e Asamblesë Kushtetuese u hap nga nga Dr. Omer Nishani Kryetar i Këshillit Antifashist, i cili pas një fjale të shkurtër, ftoi deputetin e Korçës, Dr. Petraq Popa, si përfaqësuesin më të vjetër në moshë, që të kryesonte përkohësisht mbledhjen. Pas fjalës së tij, u zgjodhën tre sekretarë të përkohshëm. Lidhur me këtë seancë, në mes të tjerash në shtypin e asaj dite, shkruhet: “U zgjodhën tre sekretarë të përkohshëm. Përfaqësonjësit e popullit dorëzojnë certifikatat e zgjedhjes së tyr, të lëshuara nga komisionet e qarqeve. U zgjodhën 20 veta për të vërtetuar mandatet. Dje në ora 10 paradite, u bë mbledhja e parë e Asamblesë Kushtetonjëse. Kryesia e Këshillit Antifashist, në bazë të ligjit mi Asamblenë Kushtetonjëse numër 123 datë 27.IX.1945 propozoi këtë rend dite:
- Hapja e mbledhjes prej Kryetarit të Kryesisë së Këshillit Antifashist.
- Ftesa e përfaqësonjësit në moshë më të madhe për të kryesuar përkohësisht mbledhjen.
- Pranimi i tre përfaqësonjësve të propozuar nga Kryetari, për të kryer detyrën e sekretarit të përkohshëm.
- Dorëzimi Kryetarit të Asamblesë nga ana e përfaqësonjësve të popullit të certifikatave të zgjedhjes së tyre të lëshuara nga Komisionet e Qarqeve.
- Zgjedhja nga ana e asamblesë e një komisioni prej 20 vetash për vërtetimin e mandateve dhe caktimi i kryetarit të këtij komisioni.
Në sallë, përfaqësuesit e SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Britanisë dhe Francës
Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1946, në sallën e Akademisë së Arteve, ku ishin mbledhur asokohe Asambleja me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ishin dhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë. Lidhur me këtë, në gazetën “Bashkimi” të asaj dite, thuhet: “Para orës 10 të ftuarit kishin mbushur lozhat dhe galerinë. Në lozhën e parë, nga e mëngjërta në të hyrë, merrte vend, Ministri i Jugosllavisë z. Josip Djerdj, me sekretarin e Legatës; në lozhën e dytë, Gjeneral Brigadier D.E.P. Hodgson, Shef i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri dhe Kolonel Sokolov, Shef i Misionit Ushtarak Sovjetik në Shqipëri; në lozhën e parë nga djathta, zoti Jakobs, funksionar i Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me zotin Stevens; në lozhën e dytë Kolonel Teyssier, Shef i Misionit Ushtarak Francez në Shqipëri dhe përfaqësues i UNRRAS. Në lozhat e tjera, ishin shumë përfaqësues dhe personalitete si dhe korrespodenti i Agjensisë TASS, i ISVESTIA-s, dhe i BORBA-s. Pikërisht në ora 10 përfaqësonjësit e popullit, kishin zënë vendet e tyre të caktuara. Pas dy tre minutash, Kryetari i Qeverisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, ngrihet dhe shkon në tribunën e parë, që është tribuna e Qeverisë. Përfaqësonjësit e popullit dhe tërë të ftuarit e duartrokitën pareshtur. Pastaj tërë anëtarët e qeverisë zunë vend në tribunën e tyre duke patur në mes Kryetarin e Qeverisë. Pas kësaj tribune është tribuna e Kryesisë së Këshillit Antifashist ku qëndron Dr. Omer Nishani, me tre nënkryetarët. Gjen. Leit. Koci Xoxe, Hasan Pulo dhe Kolonel Baba Faja. Kur të gjithë janë në vendet e tyre, Dr. Omer Nishani ngrihet dhe thotë se asamblistat kanë përpara tyre rendin e ditës, të cilin e vuri për aprovim. Asamblistët e aprovuan unanimisht”.
Përshëndetja e Dr. Omer Nishanit dhe dorëzimi i mandateve
Pastaj Dr. Omer Nishani, u drejtoi Asamblistave këtë përshëndetje: “Shokë e shoqe Asamblistë, Ju përshëndes në emër të Kryesisë së Këshillit Antifashist N-Ç dhe ju uroj mirëseardhje. Është një nder i veçantë për mua që të përshëndes përfaqësonjësit e popullit shqiptar, i cili me sakrificat e tij të mëdha, dhe me gjakun e bijve të tij më të mirë, çliroi Shqipërinë nga okupatorët fashistë dhe nga organizatat tradhtare të vendit, nga Balli dhe Legaliteti. Dita e sotme është një ditë feste dhe gëzimi për popullin shqiptar, se sot këtu është mbledhur Asambleja Kushtetonjëse, e cila do të vërë themelet e institucioneve demokratike të Shqipërisë së Re. Asambleja e sotme nuk u ngjet Asambleve të kohës së kaluar, të cilat bëheshin me një sistem elektoral që s’kishte as frymë demokratike as frymë popullore.
Asambletë e para nuk përfaqësonin masat e gjëra të Popullit, dhe prandaj s’para çanin kokën për punët e Popullit. Asamblistët, në shumicë feudalë dhe pasanikë dhe intelektualë ndënë influencën e këtyre, merreshin më tepër me interesat e klasave sundonjëse dhe të tyre. Këtë e tregon veprimi i këtyre Asambleve ose Parlamenteve, gjatë regjimeve antipopullore të Ahmet Zogut, të cilat kanë punuar në kundërshtim me interesat e Popullit dhe të Shtetit. Por Asambleja e sotme është një Asamble e zgjedhur nga Populli, që përfaqëson Popullin. Unë ju uroj punë të mbarë dhe sukses të plotë në misionin që ju ka ngarkuar Populli dhe kam bindjen se ju do të tregoheni në lartësinë e këtij misioni të madh, duke punuar me vullnet e besnikëri në parimet e Luftës N.Ç. si përfaqësonjës të denjë të Popullit t’onë trim. Rroftë Populli Shqiptar! Rroftë Asamblea Kushtetonjëse”. Pas fjalës përshëndetëse të Dr. Omer Nishanit e cila u prit e ovacione të gjata, nga të gjithë të pranishmit në sallë, ai ia dha fjalën asamblistit më të moshuar, prof. Petraq Popa nga Elbasani. Pas fjalës së tij, kryetari i Asamblesë, duke vazhduar rendin e ditës, propozoi si sekretarë të përkohshëm: Abdyl Këllezin, Sul Spahiun dhe nënkolonel Pëllumb Dishnicën. Më pas të gjithë asamblistët dorëzuan çertifikatat dhe Abdyl Këllezi, bëri apelin e tyre duke i thërritur një për një, me emra të gjithë asamblistët. Pas apelit, u zgjodh komisioni i verifikimit të mandateve, prej 20 asamblistësh me kryetar Koço Tashkon, gjë e cila shënoi edhe mbylljen e seancës së parë.
Mocioni i Delegatëve të Vlorës: Duam Republikë Popullore
Pas fjalës së Dr. Omer Nishanit, një grup deputetësh të Qarkut të Vlorës, në emër të elektoratit të zonës së tyre, i paraqitën një mocion Asamblesë, në të cilin kërkohej që Qeveria e kryeministrit Enver Hoxha, të mos jepte dorëheqjen, por të vazhdonte punën. Në këtë mocion, i cili u lexua nga deputeti i Shkodrës, z Arif Gjyli, në mes të tjerash thuhej: “Shoku Kryetar, shokë përfaqësonjës. Në emër të popullit të Vlorës, kemi nderin t’i paraqesim Asamblesë gëzimin e math, që ndien populli i qarkut t’onë me rastin e kësaj dite me rëndësi historike dhe sjellim këtu përshëndetjet e tij më të zjarrta. Me kushtetutën dhe formën e regjimit që do t’i japë Asambleja Kushtetonjëse, populli ynë që i ka besuar kësaj Asambleje, vullnetin e tij sovran, pret me plot të drejtë t’i konsakrohen fitoret e realizuara me luftën e tij, Ne jemi të bindur se shprehim vullnetin e popullit të Vlorës që si gjithë populli shqiptar, nuk kurseu asnjë sakrificë për liri dhe independencë, duke kërkuar nga Asambleja Kushtetonjëse, që Shqipëria të proklamohet REPUBLIKË POPULLORE. Tiranë më 11 Janar 1946.
Përfaqësuesit e popullit të Vlorës: Hasan Pulo, Ing. Spiro Koleka, Hysni Kapo, Liri Gega, Dr. Sezai Agalliu, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Shefqet Musarai. Sipas gazetës “Bashkimi”, mocioni i delegatëve të Vlorës që u lexua nga z. Arif Gjyli, u duartrokit me ovacione të zgjatura, nga të gjithë të pranishmit, të cilët të ngritur në këmbë, thërrisnin: “Rroftë Republika Popullore”. Pas kësaj, fjalën e mori gjeneral-leitnant Koci Xoxe, i cili në emër të përfaqësuesve të popullit të Korçës, ku ai ishte i zgjedhur, mbështeti mocionin e delegatëve të Vlorës, duke kërkuar shpalljen e Shqipërisë, Republikë Popullore.
Asambleja nuk pranon dorëheqjen e Qeverisë
Pas fjalës së kryeministrit Enver Hoxha, i cili kërkoi dorëheqjen e qeverisë së tij, kryetari i Asamblesë ia dha fjalën përfaqësuesit të Korçës, Prof. Sali Mborja, përfaqësonjës i cili midis të tjerash u shpreh: “Qeveria Demokratike e sotme, është një qeveri e popullit shqiptar, që u emërua në Kongresin e Përmetit nga Këshilli Antifashist. Është qeveria që lindi nga gjiri i popullit shqiptar, në zjarrin e luftës më të egër”. Më pas, me fjalën e deputetit të Mborja, u solidarizuan edhe deputeti i Tiranës, Abdyl Këllezi, Thoma Papapano, deputet i Gjirokastrës, Rrahman Parrllaku, deputet i Kukësit, Gjeneral-major, Spiro Moisiu, deputet i Durrësit, Kahreman Ylli, përfaqësues i Beratit, Dr. Sezai Agalliu, deputet i Vlorës, Kol Prela, deputet i Shkodrës, Andrea Sahatçi, përfaqësues i Beratit, Haki Stërmilli, deputet i Dibrës dhe Xhemal Rusi, përfaqësues i Korçës. Pas kësaj, kryetari i Asamblesë e hodhi në votë propozimin e deputetit Sali Mborja, nëse Asambleja nuk do ta pranonte dorëheqjen e qeverisë. Në këtë moment të gjithë deputetët u ngritën në këmbë dhe me ovacione të gjata, që zgjatën disa minuta, pranuan unanimisht që qeveria nuk duhet të jepte dorëheqjen por të vazhdonte punën e saj.
Fjala e kryeministrit Enver Hoxha
Pasi Asambleja nuk e miratoi dorëheqjen e qeverisë, fjalën e mori kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili në mes të një entuziazmi të madh dhe duartrokitjeve të pareshtura të asamblistëve, ai iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Shokë Asamblistë. Në emër të shokëve të Qeverisë, ju faleminderit shumë për besimin e madh që treguat karshi nesh. Ne do të vëmë të gjitha forcat tona, për të mirën e popullit, ne do të shkrijmë të gjitha energjitë tona, që gjendja ekonomike e kulturave e popullit tonë, të përmirësohet. Ne kërkojmë ndihmën tuaj e gjithë popullit, për këtë vepër të madhe që do të ndërmarrim dhe s’kemi asnjë dyshim, që nuk do të na kurseni (Zëra: Pa fjalë) Ne do t’i qëndrojmë besnikë të vendimeve që do të merren nga Asambleja Kushtetonjëse dhe këtë do ta zbatojmë pikë për pikë, si ushtarë besnikë të popullit”. Pas këtyre pak fjalëve të kryeministrit Enver Hoxha, për disa minuta salla oshtiu nga duartrokitjet e vazhdueshme të asamblistëve. Pasi pushuan duartrokitjet dhe në sallë u vendos qetësia, kryetari i Asamblesë ia dha fjalën z. Dr. Omer Nishani.
Fjala e Dr. Omer Nishanit
Omer Nishani, në mes të tjerash në fjalën e tij tha: “Përpara se të filloj këtë raport do t’ju them pak fjalë, se këtu kam bërë vetëm një tabllo të shkurtër të aktivitetit të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist N-Ç, që nga Kongresi i Përmetit gjer në ditën që u mblodh Asambleja Kushtetonjësve. Kjo periudhë ndahet në tri pjesë. Në Përmet u murrën vendime me rëndësi historike. I pari vendim, ka qenë emërimi i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar, me atribute të një Qeverie Provizore. Ky kurorëzim i përpjekjeve të mëdha të popullit tonë, se pas kësaj dite Shqipëria kishte në krye pushtetin e saj ekzekutiv më të lartë, Komitetin Nacional-Çlirimtar, që e përfaqësonte brenda dhe jashtë. Atje u vendos ndalimi i Zogut në Shqipëri, anulimi i traktateve të bëra, i gjithë koncesioneve të dhëna gjatë regjimeve të kaluara, ia dhanë gradat Ushtrisë sonë heroike dhe u emërua Komandanti ynë i përgjithshëm, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha”.
Formula e vendimit për shpalljen e Republikës Popullore të Shqipërisë
Përpara kësaj lufte, Populli Shqiptar, për 15 vjet me radhë lëngoi nën regjimin monarkist të Ahmet Zogut. Ky regjim antipopullor, i vendosun në vendin t’onë kundër vullnetit të Popullit, me anën e forcës dhe bajonetës së huaj, shtypi pa mëshirë dhe shfrytëzoi në mënyrë çnjerëzore popullin shqiptar. Aspiratat e popullit shqiptar u shtypën pa mëshirë dhe politike sociale reaksionare dhe brutale e Zogut e dobësuan pa masë popullin t’onë. Regjimi i Zogut, përgatiti invadimin e Shqipërisë prej Italisë fashiste, duke u bërë vegla e politikës fashiste të Musolinit. Nën regjimin e Zogut, Shqipëria u bë një koloni e Italisë e cila hodhi në duart e saj, të gjitha pasuritë e Shtetit Shqiptar, ekonominë e vendit, financat, pasurinë e nëntokës, Ushtrinë, e tjera. Regjimi i Zogut e izoloi Shqipërinë tërësisht nga shtetet e tjera, përparimtare dhe demokratë. Një gjendje e tillë pati si rezultat katastrofën e 7 prillit 1939. Më 7 Prill 1939, Ahmet Zogu kurorëzoi tradhtinë e tij, duke lënë popullin të papërgatitur që t’i kundërshtonte me armë, okupatorin dhe duke e braktisur popullin shqiptar, në fatin e tij, ai iku fshehurazi jashtë kufirit. Gjatë luftës heroike Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar, Ahmet Zogu ka ndihmuar tradhtarët e popullit shqiptar, që në bashkëpunim me okupatorët, kanë penguar luftën kundër okupatorit dhe kanë luftuar me armë, kundër popullit dhe Ushtrisë së tij Nacional-Çlirimtare. Populli Shqiptar rroku armët dhe u hodh në luftë kundër okupatorëve dhe tradhtarëve të vendit, për të çliruar Atdheun, për të fituar lirin e popullit dhe independencën e Sovranitetin e vendit. Me luftën e tij heroike, populli ynë jo vetëm fitoi kundër okupatorëve dhe tradhtarëve, por njëkohësisht likuidoi atë regjim, që në të shkuarën e kishte shtypur pa mëshirë. Populli Shqiptar u bë zot i fateve të tij, për të rregulluar gjendjen e brendshme që do të ndihmojë në zhvillimin e drejtë të së ardhmes së tij të lumtur. Sovran për fatin e tij, Populli Shqiptar me një zë dhe lirisht me anën e Asamblesë Kushtetonjëse, që përfaqëson vullnetin e tij vendosi që:
- SHQIPËRIA EMËROHET REPUBLIKË POPULLORE ME EMRIN REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
- ME KËTË VENDIM NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR, HIQET PËRGJITHMONË MONARKIA NË SHQIPËRI. AHMET ZOGU DHE TRASHËGIMTARËT E TIJ HUMBASIN TË GJITHA TË DREJTAT QË KISHIN PASUR DHE U NDALOHET PËR GJITHMONË HYRJA E TYRE NË SHQIPËRI
Pas vendimit për shpalljen e Shqipërisë Republikë, kryetari i Asamblesë u paraqiti asamblistëve rendin e ditës ku si pikë e parë ishte dorëheqja e qeverisë dhe e dyta, raporti i kryesisë së këshillit Antifashist, mbi veprimtarinë legjislative që nga Kongresi i Përmetit e deri në atë mbledhje të Asamblesë.
Reagimi
Protesta e Mbretit Zog nga Britania
Zogu: Me këtë gjë vihet në pikëpyetje integriteti tokësor i Shqipërisë
Ajo që ndodhi më 11 janar të vitit 1946, kur komunistët e Enver Hoxhës, të sapoardhur në pushtet ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Republikë Popullore, nuk do të kalonte pa reagime nga kundërshtarët e tyre politikë. Kryesisht nga ata të Legalitetit, që ndodheshin në ekzil, në shtete të ndryshme të botës. Vetëm një ditë pas asaj ngjarjeje, që u festua me bujë të madhe nga regjimi komunist i Tiranës, duke bërë manifestime në të gjitha qytetet e vendit, reagimi i parë erdhi nga vetë Mbreti Ahmet Zogu, i cili jetonte në azil politik në Angli. I kontaktuar nga disa gazetarë të huaj, në ambientet e rezidencës së tij të përkohshme në Londër, Mbreti Zog, ndërmjet të tjerash u shpreh: Me ndryshimin e formës së regjimit nga komunistët e Tiranës, nga Monarki në Republikë, po vihet në pikëpyetje serioze integriteti tokësor i shtetit Shqiptar”. Me anë të asaj deklarate të Mbretit Zog, nënkuptohej qartë aludimi i tij, për nënshtrimin pa kushte, që po bënte qeveria komuniste e Enver Hoxhës, ndaj Jugosllavisë së marshallit Josif Broz Tito, e cila sipas tij, rrezikohej të kthehej në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Vetëm tre-katër ditë pas deklaratës së Zogut, erdhi reagimi zyrtar nga qeveria komuniste e Tiranës, e cila nëpërmjet gazetës “Bashkimi”, (organ zyrtar i Frontit Demokratik) të datës 14 janar 1946, i kushtonte një artikull të gjatë deklaratës së Zogut. Në atë artikull, i cili ishte i mbushur fund e krye me sharje dhe akuza, nga më të ndryshme për Zogun si: tradhtar, fashist, kriminel, hajdut etj, i thuhej atij që të mos ia qante hallin popullit shqiptar, pasi ai e kishte zgjedhur vetë formën e regjimit, duke luftuar me armë në dorë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016