Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumentin arkivor të datës 5 qershor 1945, ku Enver Hoxha urdhëron ekzekutimin e ish-shokut të tij të ngushtë, që nga fëmijëria në Gjirokastër, me të cilin si bashkëmoshatarë, kishte qenë shok dhome për disa vite në konviktin e Liceut francez të Korçës…?!
Ka qenë 5 qershori i largët i vitit 1945, kur një radiogram urgjent i firmosur nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac – Çlirimtare, aprovonte dënimin me vdekje të gjashtë personave, gjykuar nga një Këshill Gjyqësor Ushtarak i Divizionit të III-të, të Korparmatës së Dytë, të kryesuar nga Kryetari, Irakli Bozo (major) dhe prokuror, Ziqiri Mero, kapiten i parë. Ndërsa pesë prej tyre ishin ushtarakë, ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, personi i gjashtë në listën e aprovuar nga Enver Hoxha për t’u ekzekutuar, ishte civil, dhe quhej Fahredin Angoni.
Ishte me origjinë nga Gjirokastra dhe pinjoll i një prej familjeve më të njohura të atij qyteti. Në fëmijërinë e tij, kishte qenë në një lagje me Enver Hoxhën dhe shok i ngushtë i tij. Rasti e solli që miqësinë me Enverin, ai ta vazhdonte edhe për shumë vite të tjera në qytetin e Korçës, ku ata ishin bashkë-studentë, në Liceun francez. Madje ata flinin në një dhomë të konviktit, ose më saktë; Fahredini e pranoi Enverin në dhomën e tij, ku ishte dhe bashkëqytetari i tyre, gjirokastriti, Selaudin Kokona. Ndërsa Enveri nuk shkëlqente në mësime, Fahredini, ishte një nga studentët liceistë më të mire jo vetëm në mësime, por edhe si formim intelektual.
Ai njihte dhe zotëronte disa gjuhë të huaja, si; frëngjishten, gjermanishten, anglishten, italishten, latinishten dhe greqishten. Kjo gjë bëhet e ditur veç të tjerash edhe nga librat që ka përkthyer Fahredini në ato vite, si “Berberi i Seviljes”,(Pierre Beaumarchais) “Djaloshi gjenial” (Moxart), “Faust” i Gëte, etj. Veç këtyre përkthimeve të kryeveprave të letërsisë botërore, nisur nga pikëpamjet e tija nacionaliste, Fahredin Angoni në vitin 1929-1930, shkroi romanin “Skënderi dhe Olimbia” i cili bën fjalë për masakrat e andartëve grekë në fshatin Hormovë të Tepelenës.
E gjithë kjo krijimtari, i përket periudhës kur Fahredini ishte student në Liceun francez të Korçës. Dhe pas diplomimit në atë lice, rrugët e Fahredin Angonit dhe shokut të tij, Enverit, u ndanë përfundimisht?! Dhe ata nuk u takuan kurrë më me njeri tjetrin. Për ironi të fatit, Enveri, që nuk shkëlqente në mësime, mori një bursë shtetërore dhe shkoi për studime në Francë, ndërsa Fahredin Angoni, një nga nxënësit më të mirë të Liceut francez, u emërua mësues në fshatrat më të thella të qarkut të Korçës.
Siç dihet, Enveri, nuk mundi që të vazhdonte studimet më shumë se gjashtë muaj, në universitetin e Montpellier në Francë, pasi nuk morri dot asnjë provim dhe Ministri Arsimit i asaj kohe, Mirash Ivanaj, ia ndërpreu bursën. Kështu ai u detyrua që pas disa kohësh, (pasi punoi pak kohë në konsullatën shqiptare në Bruksel), të kthehej në Korçë, ku dha mësim gjuhën frënge si i jashtëm në Liceun. Ndërsa Enveri u bë komunist, Fahredini, ishte nacionalist dhe me bindje thellësisht antikomuniste. Kështu ai u bashkua dhe aderoi me forcat nacionaliste të organizatës, Balli Kombëtar, duke qenë një nga krerët kryesorë të asaj organizate nacionaliste për Qarkun e Korçës, ku mbulonte rininë. Po kështu ndërsa Fahredini kishte krijuar familje, (u martua me Praksithe Shahini dhe u shtuan me tre fëmijë: Lirika, Gjergji, Pirro), shoku i tij, Enveri, vazhdonte të ishte beqar.
Ngjarjet erdhën në atë mënyrë, saqë në mbarimin e luftës, në fundin e vitit 1944, dy ish-shokët e ngushtë që nga Gjirokastra, do ta shihnin veten në dy skaje, ekstremisht të kundërta. Enveri në krye, ndërsa Fahredini një njeri më se i zakonshëm, duke u marrë me tregti në qytetin e Korçës, për të mbajtur familjen e tij. Dhe fillimi i vitit 1945, do të ishte fatal, për Fahredin Angonin, pasi ai u arrestua së bashku me një grup të madh, prej 30 personash, ku një pjesë kishin qenë në formacionet nacionaliste gjatë Luftës, por shumica prej tyre ushtarakë dhe ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, të Mehmet Shehut. Të akuzuar për agjitacion e propagandë ndër radhët e ushtrisë dhe për nxitje dezertimesh, ata u nxorën përpara një gjykate ushtarake, të Divizionit të Tretë të Korparmatës së Dytë, e cila kryesohej prej Irakli Bozos, shok shkolle i Fahredin Angonit, i cili gjatë seancave gjyqësore të improvizuara në qelitë e hetuesisë të Pallacinave (pallatet italiane në Korçë), pati mjaft debate të ashpra me shokun e tij të Liceut.
Fahredini, deklaroi në gjyq se Balli Kombëtar, ishte një organizatë nacionaliste dhe kishte një ideal e mision patriotik, por që fatkeqësisht e humbi luftën. Ky pohim i tij i thënë në mënyrë deklarative, do t’i kushtonte shtrenjtë, pasi nga gjashtë dënimet me vdekje, Kryetari i Gjyqit, Irakli Bozo, një e “ruajti” për shokun e tij të Liceut francez, Fahredinin….?! Gjë të cilën “nuk ja prishi” dhe shoku tjetër i tyre, Enveri, Kryetar i Qeverisë Demokratikë të Shqipërisë dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili me anë të një radiogrami urgjent, që mban datën 5 qershor 1945, aprovoi dënimin me vdekje të Fahredinit. Kështu u shua jeta e Fahredin Angonit, prej dy shokëve të tij të shkollës, por sidomos prej Enverit, që ishte në krye të shtetit dhe firmosi me gjakftohtësi ekzekutimin e tij.
Fahredini nuk do ishte i vetmi nga ish-shokët e shkollës së Enverit, që përfundoi në pushkatim…? Ai ishte i pari që u ekzekutua, pasi pas tij ”radha” i erdhi të tjerë shokëve, si; Enver Zazanit, Syrja Selfos, Abaz Omarit etj. Ndërsa me burgime të rënda përfunduan, mjaft të tjerë shok shkolle të tij, nga Korça e Franca, si; doktor Isuf Hysenbegasi, profesor Foto Bala, agronom Adem Beli, doktor Hasan Jero etj, për të përfunduar me Koço Theodhosin, ish-zv kryeministrin që u ekzekutua në vitin 1975. Dhe për të gjithë ata, thuhej…. se patën atë “fat”, për të vetmen arsye; se ata dinin shumë gjera nga jeta private e Enver Hoxhës…?!
Dëshmia e Avni Bejkova Xhomaqi, që iu fal jeta në atë gjyq dhe u dënua me 25 vite burg politik
“Debati i Fahredin Angonit me Irakli Bozon, kryetarin e gjyqit”
Nga ai proces gjyqësor i improvizuar i zhvilluar shumë vite më parë, në “Pallacinat” e Korçës, ka mbetur si dëshmitar vetëm një prej të dënuarve, të cilit iu fal dënimi me vdekje dhe iu zbrit në burgim të përjetshëm dhe më pas në 25 vjet. Disa vite para se të ndahej nga kjo jetë, Avni Bejkova Xhomaqi, si për të dëshmuar para historisë, krimet e atij regjimi, që po hidhte themelet e përgjakura, me ardhjen e tij në pushtet, midis të tjerash tregonte: “Ndërsa filluan të më torturonin edhe mua aty në dhomën e hetuesisë, Myrteza Slleusha, duke mos duruar dot dhimbjet, u tha se do të firmoste gjithçka që ata do t’i kërkonin. Pasi më torturuan gjithë natën, të nesërmen në mëngjes më nxorën në gjyq, i cili u zhvillua po aty, me dyer të mbyllura. Unë nuk pranova ta firmosja akt-akuzën dhe në atë moment Kryetari i Gjyqit, Irakli Bozo dha urdhër, që të më merrnin përsëri në pyetje, por të mos më rrihnin. Pas kësaj kur më dërguan përsëri në qeli, unë i tregova gjithçka Fahredin Angonit, i cili më tha se përfundimisht, unë kisha shpëtuar nga pushkatimit. Nga një gardian skraparlli, mësova se që të më falej jeta mua, kishte ndërhyrë Kolonel Riza Kodheli, dhe Emine Butka. Po atë natë, na nxorën të gjithëve në gjyq, i cili u zhvillua po aty në katet e sipërme të “Pallacinave”. Ai gjyq ishte krejt formal, pasi fati ynë ishte paracaktuar që kur na kishin arrestuar dhe për dy ose tre orë, na kaluan në proces të gjithë të arrestuarit, që bëheshim 30 veta. Gjatë atij gjyqi, Kryetari Irakli Bozo, ndërmjet të tjerash e pyeti profesor Fahredin Angonin, duke i thënë: “A e pranon se Rinia e Ballit Kombëtar ka tradhtuar?” Dhe Angoni iu përgjigj: “Jo ajo nuk ka tradhtuar, por dështoi në misionin e saj”. E vetmja gjë që u vërtetua në gjyq, ishte fakti se Zef Sadria dhe Lec Ndoci, i kishin thënë Angonit, se ata prisnin arrestimin, pasi kishin qenë me Ballin Kombëtar. Dhe Angoni u kishte thënë se më mirë të arratiseshin në male dhe të bashkoheshin me forcat Dule Alarupit, se sa të arratiseshin në Greqi, duke u bërë tradhti të madhe. Të nesërmen në mëngjes, u lexua pretenca nga prokurori Ziqiri Mero, ku përveç meje që m’u dha burgim i përjetshëm, të 14 të tjerët u dënuan me pushkatim. Pas kësaj, Fahredin Angoni iu drejtua Irakli Bozos, që e kishte pasur dhe shok klase, në Liceun e Korçës, duke i thënë: “Irakli, pse më vrave?”. Irakliu iu përgjigj: “Mbahu burrë”. Angoni ia ktheu: “Unë burrë jam, ti nuk u tregove burrë, se kemi qenë dhe shok klase”. Irakliu nuk foli më asnjë fjalë dhe mori çantën nën sqetull dhe zbriti shkallët. Pas faljes së jetës mua më dërguan në Burgun e Burrelit, (ku vuajta 15 vjet).
Një ditë një i burgosur nga Korça, Ali Barmashi, më tregoi se kishte qenë prezent kur ishin pushkatuar gjashtë shokët e qelisë sime; Fahredin Angoni, Myretza Satka, Faik Tartari, Zef Sadria, Gjon Cufi dhe Lec Ndoci. Aliu kishte qenë ushtar në Zërraskë të Pogradecit, kur ata të gjashtë i kishin dërguar atje ku dhe i kishin pushkatuar në mënyrë demonstrative, përpara gjithë ushtarëve dhe oficerëve të atij reparti. Fahredini me shokët e tij, nuk kishin pranuar të ekzekutoheshin, pas shpine siç ishte ligji për ata që akuzoheshin për tradhti të lartë dhe ashtu të lidhur kishin rezistuar deri sa i kishte grirë mitralozi i skuadrës së pushkatimit. Më pas Aliu, më tregoi se aty ishte afruar prokurori që kishte asistuar në ekzekutim, i cili me revolverin e tij, qëllonte në kokat e tyre që hidheshin përpjetë nga plumbat”.
Ushtria Nac-Çl. Shqiptare. Këshilla Gjyqësore e Korpusit të II-të.
Vendim:
Në emër të Popullit Shqiptar. Këshilla Gjyqësore Ushtarake e Divizionit të III-të. Korp-Armatës së II-të. Kryesuar prej kryetarit të Gjyqit të Korpusit të II-të me Kryetar, Major Irakli Bozo dhe Antar, Oficer Hysen Rusi dhe Oficer Sabri Pilkati, duke qenë prezent Sekretari Qemal Ceka me asistencën e Prokurorit Kapiten i I-rë Ziqiri Mero.
Sot më datën 4/6/1945, u mblodh në sallën e Gjyqit për të gjykuar të pandehurit partizanë: 1. Faik Tartari, 2. Xhorxhi Nova, 3. Tef Nika, 4. Ndoc Pema, 5. Lec Ndreca, 6. Luigj Çamuku, 7. Luk Prela, 8. Filip Gaci, 9. Rexhep Demiri, 10. Zef Sadrija, 11. Alush Ahmeti, 12. Hysen Ramazani, 13. Kol Vata, 14. Cam Dedoshi, 15. Luigj Cepi,16. Frano Zefi,17. Gjon Cufi, si dhe civilat: 1. Faredin Angoni, 2. Haki Bablluzha, 3. Avni Bejkova, 4. Myrteza Sleusha, 5. Zenel Qyteza, të komplikuar me këtë dezertim, të cilët si mbas akuzave të Prokurorit deklaroj këtë:
Vendim:
Këshilli Gjyqësor Ushtarak mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve të sipër-përmendur. Mbasi dëgjoi pretencën e Prokurorit, Konstatoi: Pjesërisht të pandehurit kanë qenë anëtarë të organizatës tradhtare, të Ballit si dhe milicë e xhandarë, dhe si të tillë, i kanë shërbyer okupatorit deri në çlirimin e Shqipërisë. Kanë lidhje me procesin e Syrja Zotos me shokë të cilët, janë munduar të organizojnë një dezertim në stilt ë gjerë, duke u hedhur në rreshtat e Ushtrisë Reaksionare Greke. Trupi Gjykues gjatë zhvillimit të gjyqit konstatoi se në përgjithësi, këta element kanë qenë të ndërgjegjshëm për tradhtinë e tyre të lartë dhe për këtë gjë, eksponentët e dezertimit kanë bërë lidhje me civilët e lart-përmendur, për të gjetur rrugën më të plotë dhe për të forcuar lidhjet me reaksionin grek, si dhe me disa kriminelë të jashtëm. Pjesërisht të pandehurit pohojnë veprën e tyre tradhtare dhe kriminale, që kanë dashur të bëjnë. Me qenë se fajet e të cilëve, akuzohen të pandehurit, ato parashikohen dhe dënohen prej nenit 17 dhe ndëshkohen prej nenit të ligjit Nr.41, mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake. Për këto arsye, Trupi Gjykues pjesërisht në kundërshtim me pretencën e Prokurorit,
Vendosi:
Fajësinë penale e të pandehurve të sipër-përmendur dhe në bazë të nenit 18 paragrafi “Gj” Dënimin e Fajtorëve: 1. Faik Tartari, 2. Lec Ndreca, 3. Gjon Cufi, 4. Zef Sadrija, 5. Myrteza Sleusha, 6. Faredin Angoni. Me vdekje dhe rënien e nderit ushtarak, humbjen e të drejtave qytetare dhe sekuestrimin e pasurisë së tyre, të luajtshme dhe të paluajtshme në bazë të ligjit përkatës.
Dhe 1. Avni Bejkova me burgim të përjetshëm, 2. Luigj Camuku me 30 vjet burgim, 3. Cam Dedoshi, Luigj Cepi, Tef Nika me 20 vjet burgim, 3. Rexhep Demiri, Haki Babllusha, Zenel Qyteza me 5 vjet burgim. Ndërsa 1. Xhorxhi Nova, 2. Ndoc Pema, 3. Alush Ahmeti, 4. Hysen Ramazani 5. Frano Zef Lekaj, 6. Kol Vata, 7. Luk Prela, 8. Filip Goci, me vërejtje të rëndë dhe degradim për ata që janë graduar. Të gjithë të pandehurit që janë dënuar me burgim, humbin të drejtat qytetare baras me kohën e ndëshkimit. Ky vendim për sa i përket dënimit me vdekje, i dërgohet Gjykatës së Lartë Ushtarake, për aprovim ndërsa për të tjerët është e prerë. Njëkohësisht urdhërojmë dhe lirimin e tyre prej burgut./Memorie.al
Sekretar Kryetari Antar
Qemal Ceka Irakli Bozo Hysen …., Sabri Pilkati
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016